EPIDEMITË E SË KALUARËS
Gripi i Hong Kongut në Shqipërinë e mbyllur hoxhiste

Ishte gjysëm shekulli më parë. Në dimrin e viteve 1968-69, Shqipëria komuniste përjetoi epideminë më të madhe në historinë e saj. I importuar nga teknicientët kinezë të dërguar nga Mao, gripi i Hong Kongut mori jetën e më shumë se 300 njerëzve për dy muaj.

493

Pandemia e Covid-19 zgjon kujtime të dhimbshme në Shqipëri. Në vitin 1968, në mes të revolucionit kulturor, gripi i Hong Kongut e pati goditur fuqishëm diktaturën komuniste të Enver Hoxhës, pothuajse të shkëputur nga pjesa tjetër e botës. “Epidemia H3N2 mori jetën e 300 personave në Tiranë për dy muaj”, kujton profesori Mentor Petrela, drejtues i shërbimit të neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës (QSUT). “Familjarët nuk u mbajtën të informuar për vdekjen e të dashurve të tyre dhe varrimet fillonin në orën 10 të mëngjesit, gjë që nuk ishte zakon.”

Afërsisht një milion njerëz vdiqën nga gripi i Hong Kongut jashtë Kinës përgjatë dimrit të vitit 1968-1969. Vlerësohet se epidemia kishte marrë deri në dy milion jetë në Perandorinë e Mesme.

Kishte një atmosferë ngulfatëse në Tiranë. Përsëritej nevoja për vigjilencë të vazhdueshme dhe populli ishte mësuar të jetonte nën presion. Regjimi i Enver Hoxhës kishte imponuar mekanizma efikas të vetëkontrollit të bazuar në frikë. Por shtresat e varfëra dhe militantët komunistë besonin në sinqeritetin e liderëve dhe në aftësinë e tyre për ta menaxhuar krizat. Familjet me një anëtar të sëmurë izoloheshin shpejtë dhe vëzhgoheshin nga policia.

Shuarja e skandalit

“Kam një kujtim të pashlyeshëm fëmijërie nga gripi i Hong Kongut, pandemia e fundit e shekullit XX”, rrëfen gazetari Eduard Zaloshnja. “Në rrugën Fortuzi në Tiranë, jo larg shkollës sime fillore, oficerët policor ishin të stacionuar 24 orë në ditë, përpara derës së një familje që dyshohej se e kishte një anëtar të infektuar. Të trembur, njerëzit kalonin rrugën për të ecur në trotuarin tjetër, ndërsa ne fëmijët vëzhgonim nga larg, me frikën se mos virusi vdekjeprurës ‘do të kalonte’ muret e shtëpisë dhe do të hynte në mushkëritë tona të brishta…”

Dyshohet se sëmundja u importua në Shqipëri nga mijëra teknicientë kinezë të dërguar nga Pekini në vitet 1960 dhe 1970 për ta ndihmuar zhvillimin e vendit. Një nga simbolet e këtij bashkëpunimi ishte Kombinati metalurgjik në Elbasan. Duke e refuzuar destalinizimin, regjimi i Enver Hoxhës ishte përafruar në atë kohë me Kinën popullore, duke mos hezituar t’i kritikonte “revizionistët sovjetikë”.

Atëbotë, 70% e tregtisë shqiptare bëhej me Kinën dhe Partia e Punës e Shqipërisë ishte e vetmja parti në pushtet në botë që mbështeste Revolucionin Kulturor. Partia Komuniste Kineze krenohej me këtë “miqësi të pathyeshme militante” me Tiranën. Në këtë kontekst, regjimi komunist shqiptar kishte bërë gjithçka për ta shuar skandalin shëndetësor të shkaktuar nga epidemia.

(Courrier des Balkans)