TËRHIQET UASHINGTONI, MOSBESIM NË TREGJET FINANCIARE
E djathta latino-amerikane në qorrsokak

Për një kohë të gjatë, konservatorët e Amerikës Latine kërkuan ngushëllim në teorinë e cikleve. Pas fazës së dominimit të së majtes, mendohej një tjetër fazë që do t’u ofronte mundësi për ta shtjelluar programin e tyre. Por, ndonjëherë realiteti ndryshon nga teoria. E kthyer në pushtet në disa vende të rajonit, e djathta liberale kërcënohet nga kundërshtimet e shumta.

910
© José Damasceno - Courtesy Thomas Dane Gallery, Londër

Në vitin 2016, revista ekonomike meksikane Expansión psherëtinë nga lehtësimi: “Amerikë Latine: lavjerrësi kthehet në të djathtë”. Argjentina sapo zgjedhi biznesmenin Mauricio Macri; industrialisti Pedro Kuczynski vendoset në pallatin presidencial në Peru dhe në Brazil, z.Michel Temer arriti ta largoj Partinë e Punëtorëve nga pushteti. Shpejtë, kampi konservator zgjerohet edhe mëtej: në vitin 2017, në Ekuador me përmbysjen e Lenín Moreno i cili ishte zgjedhur me premtimin se do ta vazhdonte politikën e majtë të paraardhësit të tij Rafael Correa, por që bëri të kundërtën. Dhe në vitin 2018, me zgjedhjen e biznesmenit kilian Sebastián Piñera.

E djathta latino-amerikane frymon siguri për një kohë. Gjatë fushatës që e solli z.Macri në pushtet, një gazetar e pyeti atë në lidhje me inflacionin: si do të planifikon të luftojë kundër kësaj të keqeje që ç’rregullon shpesh ekonominë lokale? Kandidati shikon në qiell me një psherëtimë të gjatë : ai do të preferonte një pyetje më të denjë për aftësitë e tij. Më në fund pranon të përgjigjet: “Inflacioni është demonstrim i paaftësisë për të qeverisur. Gjatë presidencës time, as nuk do të flitet për të”. Katër vjet më vonë, Buenos Aires shënon nivelin më të lartë të erozionit monetar në Amerikën Latine pas Venezuelës (më shumë se 50% në vitin 2019). Varfëria është në rritje, borxhi jashtë kontrollit, rritja ekonomike në gjysmë-shtizë. Gjatë zgjedhjeve të vitit 2019, z.Macri duhet ta dorëzojë shallin presidencial pas konstatimit të dështimit.

Qeveri e luksit”

Situata nuk është për t’u lavdëruar as në vendet e tjera. Ekuadori, Kili, Kolumbia, Bolivia : disa vjet, nganjëherë disa muaj, pas marrjes së detyrës, udhëheqësit konservatorë përballen me protestat më të mëdha në historinë më të re të Amerikës Latine, protesta të cilat shquhen nga mobilizimi i fraksioneve të mëdha të klasës së mesme. Në pamundësi për ta shuar zjarrin, pushteti përgjigjet me një valë represive të cilën nuk e kishte përjetuar rajoni që nga fundi i diktaturave. Në Kolumbi, pas demonstratave të 21 nëntorit 2019, presidenti Iván Duque vendosi orë policore në Bogotá dhe në Cali. Në Ekuador, më shumë se një duzinë njerëzish vdiqen nga dhuna e forcave të rendit midis 3 dhe 13 tetor 2019. Që nga rrëzimi i z.Evo Morales në nëntor 2019, ushtarakët dhe policët kontrollojnë qytetet kryesore të Bolivisë. Në Kili, ka pasur kaq shumë raste vdekjesh, torturash dhe përdhunimesh nga forcat e armatosura, saqë është hapur një hetim kundër z.Piñera për krime kundër njerëzimit. Dhe qetësia nëpër rrugët e Brazilit shpjegohet më pak nga entuziazmi i vendit për politikën e kursimit të imponuar nga presidenti Jair Bolsonaro, sesa nga vendimi i qeverisë për t’i dhënë imunitet ushtarakëve që hapin zjarr ndaj protestuesve të mundshëm.

Si të shpjegohet një katrahurë kaq e shpejtë? Për z.Piñera, çështja është e qartë: “Një dorë e huaj po punon” (26 dhjetor 2019). Nuk ka nevojë të tregohet cila dorë: sikur ta mbante një gotë, ajo do t’ishte e mbushur me vodkë. Në janar 2020, Departamenti i Shtetit e forcon ketë analizë dhe publikon dokumente që sugjerojnë se agjentët rusë po punojnë në destabilizimin e rajonit, veçanërisht përmes Twitterit. New York Times, që nuk njihet zakonisht për rusofili, shpërfaq  dyshimet e saj : “Analizat e bëra (…) nuk tregojnë se llogaritë e internetit që nxiten mobilizimet në Amerikën latine janë të lidhura me qeverinë ruse“.

Amerika Latine i përngjan më shumë një bregdeti nga i cili deti do t’ishte tërhequr se një kukulleje, spangot e të cilës fillojnë në Moskë. Në mesin e viteve 2000, në një kontekst të rritjes së fortë ekonomike kineze, qeveritë progresive përfituan nga përmbytja e likuiditetit. E fuqishme, vala i mbuloi antagonizmat shoqërore, pa i mënjanuar ato. Deti ngritej, duke i larguar të gjitha anijet; disa ngriteshin për herë të parë.

Zbatica ndodhi pesëmbëdhjetë vjet më vonë. Ulja e kërkesës për lëndë të parë shkaktoi uljen e ujërave, e cila u përshpejtua mëtej nga politikat e kursimit të së djathtës. Pak nga pak u shfaqen dy përbindësha. Askush nuk e injoronte ekzistencën e tyre edhe kur e majta ishte në pushtet; por në kohë të bollëkut ishin të fshehur nën sipërfaqe. Emri i tyre? “Korrupsioni” dhe “pabarazia”, dy fjalë në gojën e të gjithë protestuesve.

Korrupsioni? Në Brazil, grushtshteti parlamentar i orkestruar nga e djathta tradicionale për ta shkaktuar largimin e presidentes Dilma Rousseff në vitin 2016 spërkati të gjithë klasën politike dhe lehtësoi zgjedhjen e z.Bolsonaro. Megjithë premtimin e tij për t’i zhdukur malverzimet e jetës politike të vendit, kalorësi i bardhë i së djathtës ekstreme ngarkohet për afera të ndryshme.

Në Peru, z.Kuczynski i cili e kishte quajtur ekipin e tij “qeveri e luksit” dha dorëheqje në vitin 2018 pas shumë skandaleve. Tani, ai lëngon në burg, me fatin e njëjtë sikurse paraardhësi i tij Ollanta Humala (2011-2016), për të njëjtat arsye. Një fat që arriten ta shmangnin dy presidentet e mëparshëm peruan, Alejandro Toledo ( 2001-2006) duke u arratisur dhe Alan García (2006-2011) duke bërë vetëvrasje.

Shah-mat

Pabarazia? Në një raport të botuar në vitin 2014, organizata joqeveritare Oxfam vuri në dukje se pasi kishin arritur nivelin më të lartë në vitin 2000, “pabarazitë pësuan ulje midis viteve 2002 dhe 2011”, falë veprimit të qeverive “që favorizuan masa progresive, siç janë rritja e shpenzimeve publike për shëndetësi, arsim, pensione, asistencë sociale, punësim dhe mbrojtje të pagës minimale”. Dhe për të përfunduar: “Përvoja e Amerikës Latine tregon se ndërhyrja publike mund ta ketë një ndikim vendimtar në pabarazi.”

Në të njëjtën kohë, Financial Times organizon një pritje në Lancaster Palace, në Londër, për ta kremtuar një pikë kthese të kohës: lindja e Aleancës së Paqësorit që përbashkon Kilin, Perunë, Kolumbinë dhe Meksikën (e qeverisur nga krahu i djathtë) rreth një programi i cili evokon një libër të shenjtë neoliberal të viteve 1990. Në tribunë, gazetari John Paul Rathbone përmban me vështirësi kënaqësinë e tij: “Derisa disa shtete e kanë varrosur konsensusin e Uashingtonit në rajon, disa vende tjera guxojnë t’i thojnë “stop” (…) dhe të angazhohen sërish për mosndërhyrjet e shtetit“. Pjesëmarrësit ekspozojnë projektet e tyre sikurse recitohen lutjet : hapja e ekonomisë, heqja e tarifave doganore, integrimi i qendrave financiare. “Si gazetar”, përfundon Rathbone, “rrallë kam pasur mundësi të marrë pjesë në një konferencë për Amerikën Latine, ku njerëzit ndajnë arsyen e besimeve të tyre liberale. Pa dyshim se ky është një zhvillim që duhet të na gëzojë.”

Disa vjet më vonë, premtimet e Lancasterit drejtojnë politikën qeverisëse në shumicën e vendeve. Ministri brazilian i ekonomisë Paulo Guedes, një ish-tregtar, synon të përfitojë nga zgjedhja e z.Bolsonaro në vitin 2018 për ta “përhapur në vendin e tij fuqinë e ideologjisë së tregtisë së lirë, të cilën e ka studiuar në Universitetin e Çikago-së në vitet ’70 ». Duke e komentuar veprën e gjeneralit kilian Augusto Pinochet në rrafshin ekonomik, ai shpjegon: “Ka qenë një transformim i mrekullueshëm. (…) Thatcher dhe Reagan e kishin kuptuar mirë.”

Problemi i vetëm : Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk quhet më Ronald Reagan, por Donald Trump. Kritika ndaj tregtisë së lirë ishte një nga pikat kryesore gjatë fushatës që e solli atë në pushtet. Kur thotë “Amerika e para”, ai nuk flet për rajonin, por për Shtetet e Bashkuara. Më 2 dhjetor 2019, një nga tweetet e tij shkatërroi shpresat e oborrtarëve të tij të jugut: “Brazili dhe Argjentina bëjnë prej ca kohësh zhvlerësime masive të monedhës së tyre, gjë që nuk është e mirë për fermerët tanë. Prandaj, kam vendosur t’i rivendosi tarifat për çelikun dhe aluminin, që Shtetet e Bashkuara importojnë nga këto vende. Me efekt të menjëhershëm ». Konservatorët e Amerikës Latine po prisnin gomë shpëtimi; z.Trump i fundosi.

Sa i përket tregjeve financiare, simpatia që kanë a priori për liderët liberalë zhduket sapo kërcënohen interesat e tyre. Kështu, mund të pritej nga investitorët që të lehtësojnë jetën e z.Macri duke ujitur ekonominë argjentinase të kapitalit kur rrezikoi të thahej nga viti 2017. Por, në bursë, ideologjia ka më pak rëndësi se kthimi i investimeve: kur biznesmeni në pushtet ndikon të humbni para, asgjë nuk e dallon atë nga një sindikalist i thjeshtë. Pa mbështetjen e Uashingtonit apo Wall Street-it, kutia e veglave liberale rezulton papritmas të jetë boshe.

Midis viteve 2014 dhe 2020, Amerika Latine regjistroi normën e saj më të ulët të rritjes që nga viti 1950 : 0.5%, kundrejt rreth 2.5% në vitet ‘80, që njihen si “dekada e humbur”. Ndërsa popullsia vazhdon të rritet, pasuria për kokë banori zvogëlohet për 4% midis viteve 2014 dhe 2019. Varfëria rritet, pabarazitë fillojnë të rriten përsëri dhe bie standardi i jetesës së klasës së mesme që u formua në vitet 2000.

Por nuk mjafton errësimi i treguesve ekonomik që të harrojnë njerëzit. “Përparimet sociale-edhe pse shpesh të moderuara,  gjatë qeverive progresive dhe të majta, paraqesin një problem të madh për të djathtën tani në fuqi”, thotë historiani brazilian Valter Pomar. Prandaj, sigurisht, ndodh kalimi në anën tjetër të klasës së mesme, e cila papritmas kërcënohet nga humbja e statusit të saj. “Në vitet 1990, udhëheqësit konservatorë e kishin shtyer klasën e mesme (që nuk ishte viktima e parë e neoliberalizmit) ta pranojë atë duke i shpjeguar se ishte një hap i nevojshëm për demokratizimin e një rajoni që ishte duke dalur nga diktatura, thotë Pomar. Me pak fjalë, kutitë e votimit për ne, bisturitë për të tjerët. Por situata ka ndryshuar. Sot, neoliberalizmi jo vetëm që i zhytë të gjithë në varfëri, por nuk ka më asgjë për të ofruar. Bisturitë u shndërruan në hanxharë, kutitë e votimit në shkopinj.

A duhet të konkludojmë se partitë e majta do të përfitojnë nga kriza aktuale? Asgjë nuk është më pak e sigurt: në rrugë, protestuesit thërrasin më shumë parulla largimesh se Internacionalen. Prandaj Amerika Latine gjindet në një situatë ‘shah-mat’. Në krahun e djathtë, trashëgimtarët e një neoliberalizmi të vjetëruar, ekonomikisht të paefektshëm dhe pa legjitimitet. Në krahun e majtë, grupime ndonjëherë të diskredituara nga skandalet e korrupsionit, shpesh të rraskapitura nga ushtrimi i pushtetit dhe në përgjithësi të akuzuara se duke u përpjekur ta ndryshojnë botën pa guxuar vërtetë ta trondisin atë, ngjallën po aq zhgënjime sa shpresë.

Por parti të majta të udhëhequra nga rruga? Situata mund të duket shpresëdhënëse. Duke komentuar telashet e regjimeve, të cilat i ka kundështar, sekretari i parë i Partisë komuniste kubane Raúl Castro thotë: “Rajoni duket si një fushë e thatë. Shkëndija më e vogël mund ta shkaktojë një zjarr i cili do t’i kërcënonte interesat kombëtare të të gjithëve”.

Në Bolivi, si dhe përmes disa shtresave të qeverisë së z.Bolsonaro, sapo ka dalur në sipërfaqe e djathta që kishte qëndruar e heshtur deri tani. Ultrafetare, reaksionare, anti-intelektuale. Vizioni i saj i botës përkon me respektin për shkrimet e shenjta. Nevoja për ta bindur popullsinë për virtytet e tregut është lërë anash: tani çështja është gjuetia e heretikëve. Përdorimi i forcës nuk është më një pranim i dobësisë, por një metodë për ta rivendosur rendin, për t’i pastruar stallat e Augias. Një rrymë që bartë ide të ngjajshme, sapo ka fituar zgjedhjet parlamentare në Peru. Vallë do të kthehet ky sistem agonik i cili prodhon pabarazi dhe korrupsion kah fanatikët e tillë për të siguruar mbijetesë?