Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

E meriton çmimin Nobel !

Teoricien i “diplomacisë së shkopit”, Presidenti Theodore Roosevelt e shihte Amerikën Latine si një “oborr shtëpie” ku Shtetet e Bashkuara mund të ndërhynin sipas dëshirës së tyre. Me kërcënimin më të vogël ndaj interesave amerikane, ai dërgonte marinsat e tij : në Honduras, në Republikën Dominikane, në Kubë. Më 1903, Uashingtoni mbështeti një lëvizje separatiste në Panama, asokohe provincë kolumbiane, për ta siguruar kontrollin e kanalit të ardhshëm. Tre vjet më vonë, nga lavdia e ndërmjetësimit të tij në konfliktin ruso-japonez, Roosevelt mori çmimin Nobel për paqe.

Si Shef i Shtabit të Armatës Amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore, Gjenerali George Marshall miratoi bombardimet e Hiroshimës dhe Nagasakit. Ai u bë Sekretar i Shtetit në vitin 1947 dhe u përqendru në frenimin e ndikimit sovjetik. Në Itali, ai orkestroi një nga ndërhyrjet e para të Luftës së Ftohtë: financimin e fshehtë të Demokratëve të Krishterë, përhapjen e informateve të rreme dhe mobilizimin e të famshmëve italo-amerikan (Frank Sinatra, Joe DiMaggio, Rocky Graziano, etj.) dhe të Mafia. Një muaj para zgjedhjeve të prillit 1948, ai paralajmëroi publikisht se nëse do të fitonin komunistët, Italia do të përjashtohej nga plani i rindërtimit evropian – i famshmi “Plani Marshall”. Më 1953 ishte radha e gjeneralit të nderohet në Oslo.

Henry Kissinger, këshilltar për Sigurinë Kombëtare nga viti 1969 deri në vitin 1975, ishte gjithashtu një mbështetës i destabilizimit. “Nuk e kuptoj pse duhet të qëndrojmë duarkryq kur një vend bëhet komunist për shkak të papërgjegjësisë së popullit të vet”, deklaroi ai në qershor 1970 në lidhje me Kilin, ku Salvador Allende po kërcënonte të fitonte zgjedhjet presidenciale. Megjithatë, udhëheqësi socialist u zgjedh. Atëherë, për Kissinger mbeti vetëm një zgjidhje: grushtshteti ushtarak, “por përmes burimeve kiliane dhe me një qasje diskrete”. Allende u përmbys më 11 shtator 1973.

Një diktaturë e përgjakshme e zëvendësoi atë. Dhe Kissinger fitoi çmimin Nobel për paqe një muaj më vonë për firmosjen e një armëpushimi me Vietnamin pasi ia vuri flakën gjithë Indokinës. Z.Barack Obama kishte mbështetur relativisht grushtshtetin kundër Presidentit të Hondurasit Manuel Zelaya, kur ai u kurorëzua në tetor 2009, menjëherë pas mbërritjes së tij në Shtëpinë e Bardhë. Nuk vonoj në ndjekjen e gjurmëve të paraardhësve të tij, duke bombarduar Afganistanin, Irakun, Libinë dhe Sirinë; duke zhvilluar një program vrasjesh jashtëgjyqësore – shpesh të bazuara në dyshime të pakonfirmuara, larg çdo zone lufte të shpallur – në Jemen, Pakistan dhe Somali.

Prandaj, z.Donald Trump mund të mbante me të drejtë disa shpresa për garën e vitit 2025. Edhe ai dërgoj ushtarët e tij në Karaibe. Edhe ai praktikon shantazhin e ndihmës amerikane si levë, duke e kërcënuar Argjentinën me mbytje financiare nëse z.Javier Milei pëson një disfatë zgjedhore. Edhe ai po rrit numrin e vrasjeve (gjithnjë e më pak) të shënjestruara në emër të luftës kundër terrorizmit – kësisoj justifikon eliminimin në det të qytetarëve venezuelas, të akuzuar pa prova për trafik droge. Dhe edhe ai po planifikon grushtshtet kundër qeverive të pabindura, si ai në Venezuelë ku e ka autorizuar Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA) ta përmbys nga pushteti presidentin Nicolás Maduro.

E gjithë kjo nuk mjaftoi. Komiteti norvegjez preferoi Maria Corina Machado, një figurë opozitare venezuelane e ekstremit të djathtë e cila bën thirrje për ndërhyrje të huaja kundër vendit të saj për njëzet e pesë vjet dhe e cila sapo u shpërblye nxitoi ta përgëzonte Benjamin Netanyahun për veprimet e tij në Gaza.

Z.Trump e mbyti zhgënjimin e tij duke nisur një kryqëzatë të re, këtë herë kundër Kolumbisë. Ai po e rregullon CV-në e tij për çmimin e vitit 2026. Për pesëdhjetë vjet, komiteti Nobel ka refuzuar nominime nga disidentët e botës perëndimore. Julian Assange dhe Edward Snowden, për shembull, kanë punuar për paqen ndryshe nga znj.Machado. Por ata ndajnë këtë të metë fatale: ata pastrojnë përpara derës së tyre – përpara derës sonë.

Botime të tjera