Bashkimi Evropian u promovua si një mjet për forcimin e Kontinentit të Vjetër kundër fuqive të mëdha, veçanërisht Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, gjatë çerek shekullit që pasoi Traktatin e Maastricht-it, ndodhi e kundërta: Evropa tani është më e varur politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht ndaj Uashingtonit, dhe për këtë arsye më e dobët dhe më pak autonome. Në fushën e tregtisë, energjisë, mbrojtjes dhe politikës së jashtme, vendet evropiane, në vitet e fundit, kanë vepruar sistematikisht kundër interesave të tyre për t’u përshtatur me prioritetet strategjike amerikane.
Njoftimi më 27 korrik i një marrëveshjeje tregtare midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, sipas së cilës produktet amerikane do të hyjnë lirisht në Evropë, ndërsa eksportet evropiane në Amerikë do të paguajnë një taksë doganore fikse prej 15%, e ilustron këtë situatë deri në pikën e karikaturës. Ky dorëzim shoqërohet me një premtim për të blerë hidrokarbure amerikane me vlerë 645 miliardë euro dhe për të investuar 515 miliardë euro përtej Atlantikut. Ekonomisti grek Yanis Varoufakis e sheh këtë si versionin evropian të Traktatit të Nankinit të vitit 1842. I pari nga një seri “traktatesh të pabarabarta” të imponuara Kinës nga fuqitë perëndimore, ai i jepte koncesione të konsiderueshme Mbretërisë së Bashkuar dhe shënoi fillimin e “shekullit të poshtërimit”. Por “ndryshe nga Kina në vitin 1842, Bashkimi Evropian e ka zgjedhur poshtërimin lirshëm“, dhe jo si pasojë e një disfatë shkatërruese ushtarake, vazhdon ish-ministri i financave.
Pamjet e znj.von der Leyen duke lëvizur në fushën e golfit skocez të z Trump më 27 korrik, për të dëgjuar presidentin amerikan të ankohet kundër turbinave me erë dhe më pas të shpallë masa ndëshkuese tregtare, bien ndesh me pritjen spektakolare që iu dha z.Vladimir Putin në Anchorage disa javë më vonë. Kjo skenë është edhe më shqetësuese duke pasur parasysh se Evropa kishte asete serioze për të luajtur në një përballje transatlantike.
Vullneti i pafuqisë
Në fushën diplomatike, Kontinenti i Vjetër luhatet midis relegimit dhe margjinalizimit. Të kufizuar në prapaskenat dhe rolet dytësore pas “samitit të paqes” midis z.Trump dhe z.Putin në Alaska, udhëheqësit evropianë janë të detyruar të lypin copëza informacioni dhe të reduktohen në lavdërime pakufi ndaj banorit të Shtëpisë së Bardhë; ata “bëjnë çmos të mos duken të stërngarkuar“, ironizon Washington Post (10 gusht 2025), ndërkohë që negociatat përqendrohen në të ardhmen e kontinentit të tyre. “Paralelizmi më i mirë historik nuk gjendet në Evropë, por ironikisht në praktikat imperiale që Evropa dikur vendosi ndaj kombeve më të dobëta“, shpjegon sipërmarrësi francez dhe analisti gjeopolitik Arnaud Bertrand. Dy ditë pasi Trump hoqi dorë nga armëpushimi si parakusht për bisedime, duke u rreshtuar me preferencën e Rusisë për një traktat gjithëpërfshirës paqeje, presidentja e Bashkimit Evropian ka bërë gjithashtu një kthesë të papritur. “Pavarësisht a e quani armëpushim apo marrëveshje paqeje, duhet t’i japim fund vrasjeve“, deklaroi ajo më 17 gusht, edhe pse më parë kishte mbajtur qëndrim të kundër.
Sikurse në rastin e marrëveshjes doganore, Evropa vetë ka shtruar rrugën e saj të vuajtjeve. Përfaqësuesit e saj kanë ndjekur vazhdimisht strategjinë amerikane të destabilizimit të Rusisë, kanë përqafuar luftën me ndërmjetësim të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) që nga viti 2022, kanë minuar ekonomitë e tyre duke hequr dorë nga gazi i lirë rus dhe më pas janë përpjekur të sabotojnë iniciativat e paqes të z.Trump duke i premtuar mbështetje të pakufizuar financiare dhe ushtarake Kievit. Duke vepruar kështu, ata jo vetëm që komprometuan interesat e tyre themelore ekonomike dhe të sigurisë: duke u armiqësuar njëkohësisht me Moskën edhe me Uashingtonin, ata në fakt u përjashtuan nga çdo rol i rëndësishëm në negociata.
Ndërsa udhëheqësit e BE-së shpesh e justifikojnë sjelljen e tyre në emër të lidhjes transatlantike, interesat e përbashkëta të të dyja anëve të oqeanit nuk janë lehtësisht të identifikueshme. Madje mund të hipotetizohet se duke zgjatur luftën, Uashingtoni synonte jo vetëm të dobësonte ose “të dërrmonte” Rusinë, por edhe të minonte Evropën duke prerë lidhjet ekonomike dhe strategjike që Kontinenti i Vjetër – dhe, në veçanti, Gjermania – kishte me Rusinë. Ky qëllim u arrit në dy mënyra. Së pari, duke ringjallur dhe zgjeruar NATO-n, një institucion i kontrolluar de facto nga Shtetet e Bashkuara, funksioni kryesor i të cilit ka qenë gjithmonë të sigurojë nënshtrimin strategjik të Evropës ndaj Uashingtonit. Së dyti, duke e bllokuar Evropën në një varësi afatgjatë nga eksportet amerikane të energjisë, siç ilustrohet nga sabotimi i tubacionit të gazit Nord Stream, një operacion i kryer ose drejtpërdrejt nga Shtetet e Bashkuara ose përmes vendeve mike. Heshtja e Gjermanisë dhe kryeqyteteve fqinje ndaj sulmit më të keq industrial në historinë e kontinentit, bashkëfajësia e tyre e mundshme në mbulimin e tij dhe kokëfortësia e tyre në parandalimin e çdo rikthimi në shërbim të kësaj infrastrukture janë shenja të nënshtrimit të tyre të vullnetshëm.
Nga kjo perspektivë, pasojat e luftës në Ukrainë mund të interpretohen si një triumf strategjik për Uashingtonin, i arritur në dëm të një Bashkimi Evropian, pjesa perëndimore e të cilit, në radhë të parë Gjermania, po luhatet midis stagnimit dhe recesionit. Erozioni i bazës industriale të Evropës hap rrugën për kanibalizimin ekonomik të kontinentit nga kapitali amerikan, i udhëhequr nga gjigantë si BlackRock dhe mega-fonde të tjera. Siç shkruan demografi francez Emmanuel Todd në librin “Disfata e Perëndimit”: ” Me rënien e fuqisë së tij në botë, sistemi amerikan përfundon duke rënduar gjithnjë e më shumë mbi protektoratet e tij, të cilat mbeten bastionet e fundit të pushtetit të tij”. Marrëveshja doganore midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, disa aspekte të së cilës i ngjajnë haraçeve koloniale të maskuara si “investime”, e nxjerr në pah këtë realitet.
Po aq emblematik i nënshtrimit evropian, riarmatimi i madh i ndërmarrë nga Bashkimi Evropian kuptohet para së gjithash si angazhim solemn për të përmbushur kërkesën e z.Trump që të gjitha shtetet anëtare t’i kushtojnë Aleancës Atlantike jo më 2%, por 5% të produktit të tyre të brendshëm bruto. I paraqitur si një hap drejt “autonomisë strategjike“, ky forcim i krahut evropian të NATO-s, larg së qeni një shkëputje nga rendi ekzistues, “tenton të konsolidojë nënshtrimin strukturor të kontinentit evropian ndaj fuqisë së Amerikës së Veriut“, siç shkruan së fundmi disa intelektualë kryesorë të së majtës spanjolle.
Për gati dy vjet, Brukseli nuk ka shprehur asnjë rezervë në lidhje me bashkëpunimin ushtarak, politik, diplomatik apo ekonomik të Uashingtonit në gjenocidin që po ndodh në Gaza dhe periodikisht përsërit mbështetjen e tij për Tel Avivin. Ky qëndrim nxjerr në pah standardet e dyfishta të bllokut – kontrasti me reagimin e tij ndaj pushtimit të Ukrainës nga Rusia nuk mund të ishte më i habitshëm. Ai gjithashtu shkatërron atë pak besueshmëri morale që Bashkimi kishte ende në skenën ndërkombëtare dhe e izolon më tej atë nga pjesa tjetër e botës. Duke pasur parasysh delegacionin e krerëve të shteteve evropiane që nxituan për në Uashington të hënën, më 18 gusht, për të riafirmuar mbështetjen e tyre për Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, a mund të imagjinohet që të njëjtët njerëz të nxitojnë drejt Shtëpisë së Bardhë për të mbrojtur kauzën e popullit palestinez, të masakruar dhe të uritur jo nga një armik strategjik i Perëndimit, por nga një prej aleatëve të tij, Izraeli?
Si arritëm deri këtu? Disa faktorë padyshim luajnë rol, por njëri bie në sy: ndikimi i jashtëzakonshëm që Uashingtoni ka ushtruar mbi Evropën që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht përmes rrjetit të institucioneve transatlantike të ndërtuara brenda shteteve të Evropës Perëndimore dhe, nëveçanti, në zemër të aparateve ushtarake dhe të inteligjencës. Por nënshtrimi i Kontinentit të Vjetër lidhet gjithashtu me punën e pandërprerë minuese të kryer në Uashington për të penguar që Evropa të fitojë një fuqi ushtarake të pavarur. Kjo qasje u riafirmua në vitin 2005 nga Robert Kaplan, gazetar me ndikim dhe intelektual i specializuar në çështjet e mbrojtjes: “NATO-ja nuk mund të bashkëjetojë me një forcë të mbrojtjes evropiane autonome mbrojtëse. Njëra duhet të mbizotërojë mbi tjetrën, dhe ne duhet të sigurohemi që është e para“.
Hegjemonia kulturore ofron një shpjegim të tretë: pas shtatëdhjetë vitesh ndërtimi të komunitetit, ndikimi i establishmentit amerikan në diskursin publik evropian është dukshëm më i madh se ai i çdo vendi anëtar. Anglishtja mbetet lingua franca e Unionit dhe të gjitha mediat kryesore në gjuhën angleze – kryesisht të bazuara në Shtetet e Bashkuara ose Mbretërinë e Bashkuar – shfaqin njëanshmëri të fortë atlantiste. Së fundmi, ekosistemi intelektual transatlantik sillet rreth think tank-ave, siç janë German Marshall Fund, Komisioni Trilateral, Council on Foreign Relations dhe Aspen Institute, të cilat janë të gjitha të lidhura me agjencitë amerikane të inteligjencës.
Një servilizëm i tmerrshëm
Nën veprimin e kombinuar të këtyre faktorëve, Evropa është bërë pothuajse e paaftë të mendojë – e lëre më të veprojë – në funksion të interesave të saj. Udhëheqësit e saj e kanë përvetësuar aq thellë nënshtrimin e tyre saqë i mbulojnë shfrytëzuesit e tyre me lajka, siç është ish-kryeministri holandez që është bërë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, z.Mark Rutte, i cili i dërgoi z.Trump një mesazh servilizmi të paparë për të përgatitur samitin e Aleancës Atlantike në Hagë qershorin e kaluar, përpara se ta quante atë “Daddy”.
Këto elemente, mund të kundërshtojë dikush, janë të njohur dhe të debatuar prej kohësh, veçanërisht në qarqet e së majtës evropiane. Por një tjetër element mbetet kryesisht i panjohur, veçanërisht në këtë mjedis: roli që luajti vetë Bashkimi Evropian në forcimin e nënshtrimit të kontinentit ndaj Shteteve të Bashkuara. Në kundërshtim me idenë mbizotëruese të një Komuniteti Ekonomik Evropian (KEE) të konceptuar që në fillim si një kundërpeshë ndaj fuqisë amerikane, integrimi evropian u mbështet dhe u promovua nga Uashingtoni si një mburojë kundër Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Në fakt, establishmenti teknokratik në Bruksel ka qenë gjithmonë më i lidhur me Shtetet e Bashkuara sesa me qeveritë e shteteve anëtare. Dhe centralizimi në rritje i Bashkimit rreth Komisionit e thekson këtë trend. Gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, Brukseli është mbështetur në vazhdimësinë e pandërprerë të krizave (financa, borxhi, imigracioni, terrorizmi, siguria, Covid, lufta në Ukrainë, etj.) për të rritur në mënyrë radikale, por të fshehtë, prerogativat e tij në fushat që më parë u ishin caktuar qeverive kombëtare. Pa u vënë re, Bashkimi po fiton, nëpërmjet Komisionit, atributet e një pushteti kuazi-sovran dhe aftësinë për t’i bërë prioritetet e tij të mbizotërojnë mbi aspiratat demokratike të popullsive.
Kësisoj, znj.von der Leyen – e quajtur “presidentja amerikane e Evropës“- kohët e fundit shfrytëzoi krizën ukrainase për të promovuar një supranacionalizëm de facto të politikës së jashtme (megjithëse Komisioni nuk ka asnjë kompetencë formale në këtë fushë) në dëm të interesave themelore të Evropës. Por a mund të flasim fare për “interesa të përbashkëta” midis shteteve anëtare? Tridhjetë e pesë vjet pas Maastrichtit, Bashkimi mbetet i ndarë sipas vijave të çarjës ekonomike, diplomatike dhe kulturore. Në politikën e jashtme, këto dallime janë bërë më të theksuara që nga integrimi i vendeve baltike dhe të Evropës Qendrore, tradicionalisht atlantiste. Një vit para pranimit të tyre të njëkohshëm në Bashkimin Evropian dhe në NATO në vitin 2004, ato mbështetën pushtimin e paligjshëm të Irakut nga SHBA-të përpara se të dërgonin trupa atje. Në mungesë të një “sinteze” të pamundur interesash, mbizotërojnë prioritetet e shteteve dominuese dhe elitave teknokratike supranacionale.
Kriza e borxhit të viteve 2009-2012 tregoi se si korniza e ngurtë e Bashkimit të dominuar nga Gjermania gërryente aftësinë e kombeve për të vepruar në përputhje me nevojat e tyre ekonomike dhe aspiratat demokratike. Kjo është edhe më e vërtetë sot. Siç e dimë, përgjigjja e zakonshme ia atribuon çdo problem mungesës së transferimit të sovranitetit shtetëror në Bruksel. Megjithatë, Evropa nuk vuan nga mungesa e integrimit, por nga vetë integrimi. Për t’i shpëtuar “shekullit të poshtërimit”, ajo duhet të përballet dhe të tejkalojë shkakun rrënjësor të problemit: vetë Bashkimin Evropian, i angazhuar në një federalizëm gjithnjë e më të thelluar.

