E përshkuar dy herë nga ushtri me miliona ushtarë midis viteve 1941 dhe 1945, Ukraina përbënte fushëbetejën kryesore të Luftës së Dytë Botërore. Tetë deri në dhjetë milionë ukrainas humbën jetën – prej tyre tre deri në katër milionë ushtarakë dhe më shumë se pesë milionë civilë. Mes tyre, duhet përfshirë edhe 1,5 milionë hebrenj, që përbëjnë një të katërtën e viktimave të Holokaustit.
Është e vërtetë se një numër i vogël ukrainasish zgjodhi të bashkëpunojë me nazistët, veçanërisht në Ukrainën Perëndimore, e cila ishte aneksuar nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1939, në bazë të një protokolli sekret të paktit Molotov-Ribbentrop. Këta bashkëpunëtorë shërbyen në policinë gjermane dhe në administratat vendore nën regjimin e pushtimit, duke dhënë ndihmë të drejtpërdrejtë në gjenocid. Rreth 13 000 vullnetarë formuan Divizionin e 14-të SS në vitin 1944. Paralelisht, grupi i nacionalistëve ukrainas i drejtuar nga Stepan Bandera kishte synuar fillimisht të shpallte pavarësinë e vendit nën mbrojtjen gjermane, pastaj krijoi Ushtrinë Kryengritëse Ukrainase (UPA, në vitin 1942), e cila numëronte dhjetëra mijëra luftëtarë. UPA organizoi pastrimin etnik të polakëve në Volini, përpara se të niste një luftë guerile kundër sovjetikëve që vazhdoi deri në mesin e viteve 1950.
Përkundrazi, shumica e ukrainasve luftuan në anën e koalicionit anti-hitlerian. Gjashtë milionë në Ushtrinë e Kuqe që nga viti 1941, por edhe 120 000 të rekrutuar në ushtrinë polake që u përball me Wehrmachtin në shtator 1939, pa i llogaritur mijëra ushtarë me origjinë ukrainase në ushtritë e Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe në rezistencë. Kujtojmë, për shembull, rrugëtimin e Vassili Porik. Ky ukrainas 21-vjeçar, toger i Ushtrisë së Kuqe, u kap rob më 1941. Ai u arratis më 1943 nga një kamp pune i vendosur në veri të Francës, në Beaumont-en-Artois (sot Hénin-Beaumont), përpara se t’u bashkohej forcave partizane franceze (FTP), ku krijoi një grup snajperësh të quajtur “Batalioni Sovjetik”, që i shkaktoi dëme të mëdha armikut. U pushkatua në Arras më 1944. Këto realitete sot dalin në pah vetëm në formë të shtrembëruar.
Secili e ka “Munihun” e vet
Sikurse shumë gazetarë dhe drejtues perëndimorë, z.Volodymyr Zelensky e krahason shpesh vendin e tij me Çekosllovakinë, të cilën fuqitë evropiane e lanë të copëtohej nga Gjermania naziste pas nënshkrimit të marrëveshjeve të Mynihut në vitin 1938. Gjatë konferencës për sigurinë të mbajtur në shkurt 2025 në po këtë qytet, presidenti ukrainas deklaroi se vendi ishte i papërshtatshëm për të nënshkruar paqen me Rusinë dhe kërkoi në vend të kësaj armë.
Edhe Kremlini mbështetet në këtë episod diplomatik për të pretenduar se, ashtu si dikur, edhe sot “Perëndimi kolektiv” rreshtohet në anën e kundërshtarëve të Rusisë. Fuqitë perëndimore, sipas Kremlinit, po mbështesin aktualisht një Ukrainë “naziste”, ashtu siç e kishin lënë Hitlerin të vepronte në Lindje të Evropës përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të Mynihut. “Operacioni special ushtarak” paraqitet kështu si vazhdim i “luftës së madhe patriotike” (emërtimi sovjetik dhe rus për Luftën e Dytë Botërore nga 1941 deri më 1945). Në një fjalim të mbajtur në Moskë në maj 2022, me rastin e Ditës së Fitores, z.Putin i deklaroi ushtarëve rusë se ata “po luftojnë për të njëjtën kauzë si etërit dhe gjyshërit e tyre”, domethënë për “mëmëdheun” dhe për mposhtjen e nazizmit. Autoritetet ruse ngritën në muajin shkurt një “mur kujtese” për heronjtë e “operacionit special ushtarak” brenda muzeut të fitores mbi nazistët në Moskë.
Në Ukrainë, termi “rashizëm” përdoret gjerësisht për ta përshkruar ideologjinë e shtetit rus, duke ndërthurur nocionin e fashizmit me shqiptimin anglisht të emrit të vendit – “Russia”. Historiania ukrainase Laryssa Iakoubova pohon se “rashizmi” përmbledh elementë të imperializmit rus, të komunizmit sovjetik dhe të nazizmit gjerman. Sipas saj, regjimi rus nuk është vetëm fajtor për shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës dhe për krime lufte, por gjithashtu përfshihet në një totalitarizëm gjenocidal, të krahasueshëm me stalinizmin dhe nazizmin.
Pas pushtimit rus të shkurtit 2022, autoritetet ukrainase fillimisht iu referuan kujtesës së Luftës së Dytë Botërore për qëllime patriotike. Më 9 maj 2022, z.Zelensky deklaroi në mënyrë solemne: “Armiku ynë ëndërronte që ne të refuzonim të festonim 9 majin dhe fitoren ndaj nazizmit”, por “ne nuk do t’i lejojmë askujt ta aneksojë këtë fitore, nuk do t’i lejojmë askujt ta përvetësojë atë.” Presidenti ukrainas i dha titullin sovjetik “qytet-hero” dhjetë lokaliteteve që kanë vuajtur veçanërisht nga ushtria ruse, përfshirë qytetin Butcha, skenë e mizorive kundër civilëve.
Megjithatë, një këndvështrim tjetër po fiton terren. Ai i cili po i identifikon trupat ruse të sotme me Ushtrinë e Kuqe të dikurshme, duke e cilësuar edhe atë si një ushtri pushtuese. Që në vitin 2014, shkrimtari Andriy Kokotukha vlerësonte se pas përfundimit të luftës, “një pushtim kishte zëvendësuar një tjetër” në Ukrainë. Tetë vite më parë, z.Askold Lozynskyj, qytetar amerikan dhe president i Kongresit Botëror të Ukrainasve – një organizatë që promovon interesat e diasporës dhe identitetin ukrainas – kishte margjinalizuar tashmë figurën e ushtarëve ukrainas të Ushtrisë së Kuqe, duke i quajtur “mish për topat e Stalinit. Heronjtë e Ukrainës kanë shërbyer në UPA.” Në janar 2025, rektori i universitetit prestigjioz Taras Shevçenko të Kievit i akordoi atij titullin doctor honoris causa.
Ligji për “dekolonizimin” e toponimisë, miratuar në vitin 2023, e hoqi statusin mbrojtës për emrat e vendeve të lidhur me luftën kundër pushtuesit nazist në Ukrainë. Në dhjetor 2024, në Parkun e Lavdisë së Përjetshme, në qendër të Kievit, u çmontuan bustet e komandantëve partizanë Sydir Kovpak dhe Oleksiy Fedorov, si dhe ato të gjeneralit më të ri të ushtrisë Ivan Tcherniakhovsky dhe të tankistit të promovuar marshall, Pavlo Rybalko. Megjithatë, këto monumente nuk ishin ngritur nga autoritetet sovjetike, por nga ato të Ukrainës së pavarur pas vitit 1991.
Në fund të janarit 2024, autoritetet e rajonit të Lviv shprehën kënaqësinë e tyre për shkatërrimin e 312 monumenteve kushtuar ushtarëve sovjetikë. Kur bëhej fjalë për varre, eshtrat u transferuan në varreza, pa e marrë mendimin e të afërmve apo familjarëve, por gjithmonë në praninë e një prifti. Shumë ushtarë të Ushtrisë së Kuqe nuk besonin në Zot dhe me siguri nuk do të kishin dëshiruar ceremoni fetare. Mes viktimave të këtij fshirjeje brutale, përmendet Antonina Vereççaguina, operatore radioje 21-vjeçare e hedhur me parashutë pas vijave armike, e cila u kap, u torturua dhe më pas u ekzekutua në vitin 1944 në Sadjava (në rajonin e Ivano-Frankivskut). Sot, ajo cilësohet nga autoritetet vendore si një “spiune sovjetike”. Sikurse dy infermieret Nadejda Guseva dhe Nadejda Kliouïeva në Kalush (po në të njëjtin rajon), si dhe 93 ushtarë të tjerë sovjetikë në fshatrat Skhidnytsia dhe Podbuj (rajoni Lviv).
Një kujtesë e fyer
Të ashtuquajturit “aktivistë të kujtesës” janë shpesh të përfshirë në shkatërrimin e monumenteve. Ata ushtrojnë presion mbi autoritetet lokale dhe, herë pas here, kryejnë akte profanimi apo çmontime të paautorizuara, nën pretekstin e rivendosjes së së vërtetës historike. I tillë është rasti i z.Vadym Pozdniakov: ky zëdhënës i projektit “Dekolonizimi. Ukraina” të nisur më vitin 2017. Ai e ka drejtuar organizatën rinore nacionaliste lokale Sokil, përpara se të angazhohej në partinë e djathtë ekstreme Sektori i Djathtë (Pravy Sektor).
Në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, i cili po vuan sulme të përditshme me raketa dhe dronë rusë, rreth dhjetë pllaka përkujtimore kushtuar luftëtarëve të Luftës së Dytë Botërore u hoqën në shkurt 2025. Grupi Valknut – me emrin e një simboli pagan skandinav të popullarizuar në radhët e ekstremit të djathtë – mori përgjegjësinë për këto veprime, pa pasur asnjë reagim nga policia. Valknut, pjesë e një njësie speciale të shërbimit të inteligjencës ushtarake, publikoi në Telegram fotografi nga shkatërrimi i bustit të Galina Nikitinës, një profesoreshë 25-vjeçare, e ekzekutuar nga Gestapo-ja në vitin 1942.
U shkatërruan gjithashtu pllakat përkujtimore të nënkolonelit Rafail Milner, hebre dhe banor i adoptuar i Kharkivit, i cili doli nga akademia ushtarake në korrik 1941 për të shkuar në front, si dhe ajo e pilotit Anatoly Nefedov, me origjinë nga Poltava.
Banorët kundërshtojnë herë pas here çmontimin e monumenteve. Kryetari i fshatit Smykiv (rajoni i Lvivit) refuzoi të jepte miratimin për prishjen e një statuje. Z.Vitaliy Levitsky i tha aktivistëve: “Ju keni ardhur të shkatërroni kujtesën e njerëzve, kujtesën e atyre që kanë vdekur duke luftuar fashizmin.” Për ta ndaluar shkatërrimin, ai u ngjit mbi monumentin, ku ishte gdhendur emri i gjyshit të tij. Por pa sukses: kryetari u shkarkua shpejt nga detyra dhe monumenti është zhdukur që atëherë.
Moska kërkon t’ia mohojë popullit ukrainas kujtesën e luftës kundër nazizmit, për të mbajtur për vete gjithë lavdinë. Në të njëjtën kohë, veprimet e “dekolonizuesve” ukrainas ndihmojnë Rusinë që të përvetësojë fitoren ndaj Hitlerit, duke fshirë kontributin e ukrainasve në radhët e Ushtrisë së Kuqe. Narrativa nacionaliste që lartëson Banderën dhe UPA-në po e zëvendëson një rrëfim më të pranueshëm për botën: atë të një Ukraine që ka marrë pjesë në koalicionin anti-hitlerian dhe që ka qenë, për rrjedhojë, pjesë e “botës së lirë”.
Nëse z.Zelensky i frikësohet me të vërtetë mundësisë që z.Donald Trump mund të shkojë në Moskë për të parakaluar me Vladimir Putinin më 9 maj, dikush do të kishte të drejtë t’i sugjeronte Zelenskyt të organizojë jo një demonstrim ushtarak, siç do të ndodhë në Moskë, por një homazh për të gjitha viktimat e nazizmit dhe për të gjithë ata që e luftuan.

