Frankofonë apo gjermanofonë?

332

Qysh në mesjetë, Luksemburgu, – që në perëndim ka një krahinë frankofone, ku fliten dialektet wallon, ndërsa në lindje një krahinë gjermanofone, ku fliten dialektet fransikë mosellan –  zgjodhi frëngjishten si gjuhë administrative. Që kur pushtoi territorin e këtij vendi, në shekullin e XVII, më pas gjatë Revolucionit, në vitin 1795 – kur krijoi departamentin e përkohshëm të pyjeve – Franca imponoi gjuhën e saj në jetën publike. Pas disfatës së Napoleonit në Waterlo, Kongresi i Vjenës vendosi në vitin 1815 krijimin e një Dukati të Madh, i lidhur në bashkim personal me mbretin e Hollandës, por që aderoi në Konfederatën Gjermane, me një marrëveshje të dobët të mbretërive, principatave dhe shteteve sovrane të gjuhës gjermane. 

Në vazhdën e revolucionit belg, Traktati i Londrës (1839) e zvogëloi Dukatin e Madh, tashmë të pavarur, duke ia kaluar krahinave gjermanofone. Pjesa perëndimore, kryesisht frankofone, formoi provincën belge homonime të Luksemburgut. Ndërkohë që Dukati i Madh iu bashkua Bashkimit Doganor Gjerman (Zollverein), personalitetet e larta vendosën ta mbajnë  frëngjishten si gjuhë të administratës, të drejtësisë dhe të jetës politike. Në vitin 1843, kjo gjuhë u fut edhe në shkolla, si gjuhë e dytë pas gjermanishtes dhe që në klasat fillore. 

Gjuha luksemburgase, si gjuhë lokale dhe varietet i gjuhës fransikë mosellan, do të përdorej vetëm në vitin 1912, për një orë bisede javore.  

Në maj të vitit 1940, Dukati i Madh u pushtua nga Gjermania naziste dhe më pas u aneksua. U ndalua përdorimi i frëngjishtes. Një vit më vonë, pushtuesi u ndje i detyruar ta anullojë  regjistrimin fiskal të popullsisë, e cila iu përgjigj tri herë si “luksemburgase” pyetjeve që kishin të bënin me etninë, gjuhën amtare dhe kombësinë. Ky episod i rezistencës pasive përbën një element të romanit kombëtar, bashkë me grevat e mëdha të vitit 1942, kundër regjistrimit të të rinjve në Wehrmacht. 

Pas konfliktit, përdorimi i frëngjishtes si gjuhë e shkruar dhe gjuha e folur luksemburgase u kthyen në shenja të identitetit. Edhe pse ngelet gjuha e parë që mësohet në shkollë, gjermanishtja është hequr nga hapësirat publike. Përdorimi i gjuhës së Molierit u demokratizua në favor të përdorimit të saj nga emigrantët e shumtë të ardhur nga vendet latine. Në një kontekst rritjeje të shpejtë të numrit të të huajve dhe të mobilizimit të rrymave identitare, si shoqata e Actioun Lëtzebuergesch, në lidhje me çështjet linguistike, ligji i 24 shkurtit 1984 vendosi gjuhën luksemburgase si “gjuhë kombëtare” dhe e detyroi administratën të përgjigjej në të tria idomat në përdorim, sipas asaj që ishte zgjedhur nga pala kërkuese. Në tetor të vitit 2008, një ligj i ri e lidh përfitimin e kombësisë me marrjen e provimit që ka të bëjë me zotërimin e gjuhës luksemburgase. Promovimi i kësaj të fundit në institucione u forcua sërish pas hyrjes në fuqi të ligjit të korrikut 2018.