FRAKTURA ARABE PËR ÇËSHTJEN PALESTINEZE
Idila midis vendeve të Gjirit dhe Izraelit

Duke u shkëputur nga politika e izolimit dhe bojkotit të Izraelit që mbizotëroi në rajon për më shumë se pesëdhjetë vjet, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini nënshkruan një marrëveshje njohje reciproke me Tel Aviv më 15 shtator. Përderisa Arabia Saudite heziton zyrtarisht të përfshihet, vendet e tjera arabe inkurajohen nga Shtetet e Bashkuara për t’u angazhuar drejt normalizimit.

1151

Më 23 tetor, pas disa muajsh diskutimesh dhe ndërmjetësimi të SHBA, Izraeli dhe Sudani u pajtuan të krijojnë marrëdhënie diplomatike. Kjo marrëveshje pasoi ato të arritura midis Tel Avivit dhe dy monarkive të Gjirit, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini, me nënshkrimin e marrëveshjeve Abraham më 15 Shtator. Në disa javë, tre anëtarë të Lidhjes së Shteteve Arabe, duke u bashkuar me Egjiptin (1978) dhe Jordaninë (1994), thyen tabunë e “tatbi”, me fjalë të tjera normalizimin me Izraelin, dhe braktisën ” mouqata’a, që nënkupton bojkotin.

Përafrimi midis Tel Aviv dhe Khartoum është një simbol edhe më i fuqishëm duke qenë se në kryeqytetin sudanez më 1 shtator 1967 u formua një “front i refuzimit” të nëntë vendeve që kërkojnë vazhdimin e luftës kundër Izraelit për të rimarrë territoret e humbura gjatë Luftës Gjashtëditëshe (5-10 Qershor 1967). “Tri jo-të” që formuan marrëdhëniet izraelito-arabe deri në fund të viteve 1970 u shpallën : “jo” për paqe me Izraelin, “jo”për njohjen e tij dhe “jo” për negociatat.

Normalizimi i trefishtë i javëve të fundit i ka dhënë zhurmën e vdekjes iniciativës së paqes arabe të miratuar në samitin e Lidhjes Arabe në Bejrut në Mars 2002. Kjo iniciativë parashikonte krijimin e “marrëdhënieve normale” me Izraelin në këmbim të një tërheqje të plotë nga territoret e pushtuara që nga viti 1967 dhe një zgjidhje e barabartë për problemin e refugjatëve palestinezë. Zyrtarisht, pozicioni i Lidhjes mbetet i përcaktuar nga “plani Abdullah”, sipas emrit të mbretit të ndjerë saudit që qëndron pas këtij propozimi.

Por raporti i forcave brenda këtij organi tani favorizon ithtarët e normalizimit, duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin, Egjiptin dhe mbi të gjitha, edhe nëse ende nuk e njeh zyrtarisht, Arabinë Saudite. Për Riadin, si për Abu Dhabi dhe Manama, Tel Avivi është një aleat logjik dhe i sigurt në luftën e ftohtë midis tyre dhe Teheranit. Këto monarki besojnë se Uashingtoni nuk është më mbrojtësi i besueshëm i së kaluarës. Për shembull, ai pati organizuar përgjigjen ushtarake pas pushtimit të Kuvajtit nga ushtria irakiene në qershor 1990.

Në kohën e tij, z.Barack Obama shkaktoi shqetësim në Gji, për të mos thënë panik, duke punuar për nënshkrimin, më 14 korrik 2015, të një marrëveshje bërthamore iraniane që hoqi sanksionet e vendosura ndaj Teheranit.

Pasardhësi i tij, z.Donald Trump, rivendosi sanskionet pasi urdhëroi tërheqjen amerikane nga marrëveshja e Vjenës, më 8 maj 2018. Por prirja e tij për të kërkuar që monarkitë të paguajnë “para” për mbrojtjen e tyre dhe të përsërisë se Amerika nuk duhet të angazhohet tutje në “luftëra të pafundme” bindën udhëheqësit e Gjirit se rajoni i tyre nuk ishte më aq strategjik për Shtetet e Bashkuara. Prandaj, normalizimi me Izraelin perceptohet si çështje mbijetese përballë kërcënimit nga Irani, apo edhe atë të një Iraku që riarmatoset. Dhe pjesa tjetër e botës arabe nxitet ta ndjekë këtë ndryshim të kursit.

Më 9 shtator, nën presionin e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, por edhe Egjiptit, një propozim-rezolute i Lidhjes Arabe që dënonte normalizimin me Izraelin u varros në një takim të rregullt të ministrave të jashtëm, për hidhërim të palestinezëve – autorët e propozimit –  të cilët më pas vendosën të heqin dorë nga kryesimi i këshillit të Lidhjes.

“Shtetet e Gjirit e bëjnë ligjin brenda Lidhjes Arabe. Ata kanë paratë, kur diku tjetër, është krizë ekonomike ose luftë civile. Për t’i kënaqur sauditët dhe emiratët dhe për të marrë ndihmë financiare, mjafton të ndalosh së foluri për palestinezët “, thotë një diplomat nga Magrebi i mësuar me samitet e këtij organi, ku deri njëzet vjet më parë, linja e sjelljes në lidhje me Palestinën diktohej nga “skifterët” (Algjeria, Iraku, Sudani, Siria dhe Jemeni). Si shenjë e kohës, askush nuk ka dëgjuar më për Zyrën e bojkotit të Izraelit e cila vepron në kuadër të Lidhjes arabe. E  vërtetë që selia e saj është në Damask…

I shpejtë për t’i marrë meritat për zhvillimet, z.Trump shkroi në Twitter më 24 tetor se “pesë vende të tjera [arabe] po planifikojnë ta ndjekin shembullin” në Abu Dhabi, Khartoum dhe Manama. Përveç Sulltanatit të Omanit, Mauritania, Katari dhe Maroku (dy të fundit tashmë kanë marrëdhënie joformale me Tel Avivin), qiramarrësi i Shtëpisë së Bardhë shpresonte ta bindte Arabinë Saudite që ta merrte zyrtarisht hapin, por kujdesi i mbretit Salman Ibn Al -Saud mbizotëroi.

Më vitin 2018, ky i fundit qortoi Princin trashëgimtar Mohammed Ben Salman (“MBS”) pasi që  kishte përsëritur deklaratat në dobi të Izraelit dhe “të drejtës së izraelitëve për të pasur tokën e tyre”. Në janar, kur Ministria e Jashtme saudite përshëndeti “planin e shekullit” të hartuar nga administrata e z.Trump për zgjidhjen e çështjes izraelito-palestineze, mbreti nxitoi t’i qetësonte palestinezët duke përmendur…iniciativën e mbretit Abdullah.

Për monarkun e vjetër me rëndësi ishte t’i qetësonte gjakrat dhe të kujdesej që kjo çështje të mos përkeqësonte një situatë të brendshme tashmë të tensionuar nga pasiguritë në lidhje me trashëgiminë e tij të fronit dhe nga dëshira e princit trashëgimtar për ta lëkundur rendin.

Në Twitter, një rrjet social që ofron një ndalesë për mungesën e lirisë së shprehjes, sauditët janë të ndarë. Përderisa disa janë qartësisht në dobi të një përafrimi me Izraelin, duke gjykuar ashpërsisht liderët palestinezë, të tjerët, përkundrazi, e refuzojnë me forcë atë përafrim dhe kërkojnë kthimin e Jeruzalemit Lindor tek palestinezët. Sipas miliarderit izraelito-amerikan Haim Saban, vetë “MBS” është i vetëdihsëm për rreziqet e normalizimit të cilat mund ta “vrisnin atë nga Irani, nga Katari ose nga njerëzit e popullit të tij“. Pa harruar se anëtarët e tjerë të familjes mbretërore mund ta përdorin këtë pretekst për ta parandaluar atë të ulet më vonë në fron.

Armiqësor ndaj Iranit, por edhe ndaj Vëllazërisë Myslimane, z.Mohammed Ben Zayed Al-Nahyan (“MBZ”) është lokomotiva tjetër e normalizimit me Izraelin. Por princi trashëgimtar dhe lideri de fakto i Emirateve të Bashkuara Arabe është më pak i kufizuar se homologu i tij saudit nga rendi i brendshmëm shtëpiak. Pak në numër, të shkrirë në një popullsi të huaj që përfaqëson 90% të gjashtë milion banorëve të federatës, subjektet e saj janë mësuar gjatë dy dekadave të fundit me një normalizim hap pas hapi. Në pallatet e Abu Dhabit dhe Dubait, argjendarët izraelitë mbanin dyqane në mënyrë të diskrete.

Në konferencat kryesore të organizuara në të dy qytetet, nuk ishte e pazakontë të shohesh akademikë izraelitë të pranishëm në cilësinë : “vëzhgues të ftuar”. Në Prill 2011, pas disa muajsh lobimi intensiv, Abu Dhabi mirëpriste selinë e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë së Ripërtëritshme (Irena), pasi ishte për ta lejuar hapjen e një përfaqësie zyrtare izraelite në këtë institucion. Dhe nga muaji gusht ishte situatë ngazëllimi. Nuk kalon një javë pa njoftimin e mediave për  takime dypalëshe ministrore ose për ngjarje emirato-izraelit. Këtu, Emirates Center for Strategic Studies and Research organizon një konferencë për përparimin e “paqes abrahamike” në Gji dhe në Lindjen e Mesme.

Aty, një agjencion komunikimi organizoi në më pak se dy orë një takim midis grave udhëheqëse të dy vendeve – përfshirë një ish-oficere të lartë të ushtrisë izraelite. Në Dubai, hotelet kryesore presin me padurim zbarkimin e legjioneve të turistëve izraelitë, të cilët pritet të përfitojnë së shpejti liberalizimin e vizave. Në këtë qytet tregtar, një delegacion biznesmenësh të udhëhequr nga z.Erel Margalit, një emër i madh i kapitalit izraelit të sipërmarrjeve, u prit me nderime të larta. “Është si të biesh në dashuri“, tha edhe Youssef Abdulbari, prezantues yll i Dubai TV, pasi priti z.Margalit duke u ekstazuar për rritjen e shkëmbimeve me izraelitët. Idilja është gjithnjë e më e pasionuar pasi të rinjtë e artë të Emirateve magjepsen nga Tel Avivi, netët festive të të cilit zëvendësojnë ato në Bejrut ose Kajro.

Po palestinezët në krejt këtë çështje? Ata që jetojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndonjëherë që nga vitet 1950, detyrohen ta mbajnë kokën ulur. Njëri prej tyre na thotë, me kusht anonimiteti, se po mendon të shpërngulet në Kuvajt, “një monarki e cila, ndryshe nga fqinjët e saj, refuzon çdo marrëdhënie me Tel Avivin përderisa nuk rimerren tokat palestineze“. Nëse autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe këmbëngulin në ndihmën financiare dhe humanitare që vazhdojnë t’i japin palestinezëve, veçanërisht për ta luftuar Covid-19, diskursi është më pak i qartë për çështjen politike.

Për “MBZ”, një nga kundërvlerat për normalizimin mbetet braktisja nga Tel Avivi të planit të aneksimit të Bregut Perëndimor. Për këtë, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përgjigjet se është “shtyer”. Ky dialog i rremë i të shurdhërve, që synon ta ruajë pamjen e jashtme, do të zgjasë për aq kohë sa qeveria palestineze, që drejtohet aktualisht nga z.Mahmoud Abbas, do ta kundërshtojë një “paqe” jo aq detyruese për Izraelin.

Nëse ai pasohet nga një qeveritar më të përshtatshëm dhe pranon të bëjë lëshime të mëtejshme, është e sigurt se asnjë ofertë pro-palestineze nuk do të vijë nga Emiratet. Për Abu Dhabi, z.Mohammed Dahlan, ish-udhëheqësi i Fatahut dhe ish-shefi i sigurisë parandaluese në Gaza, mbetet kandidati ideal. Duke jetuar në Dubai, në kundërshtim me z.Abbas, ai nuk e ka kritikuar marrëveshjen UAE-Izrael. Madje mendohet se ka qenë një nga arkitektët e saj. Në Bahrein, normalizimi paraqet një imazh që simbolizohet njëkohësisht rastet me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite. Sikurse të parët, edhe ishulli i vogël i Gjirit i qeverisur nga një monarki sunite, ka udhëhequr prej kohësh një normalizim de facto, duke shkuar aq larg sa ta presë një ambasadë jozyrtare izraelite që nga viti 2009. Por popullsia, me shumicë shiite, përshtatet më pak se ajo e Emirateve të Bashkuara Arabe. Përderisa represioni i ashpër kundër protestave popullore të 2011 dobësoi opozitën, kjo e fundit nuk është zhdukur, e sikurse një pjesë e opinionit publik saudit, ajo nuk është vonuar për ta dënuar përafrimin me Izraelin.

Të dhënat janë krejtësisht të ndryshme për Sudanin. Në një kontekst të tranzicionit të pasigurt demokratik, gjeneralët në pushtet kanë tre përparësi: që vendi i tyre të hiqet nga lista e mbështetjes për terrorizmin, që të mos vuajë më sanksione ndërkombëtare në lidhje me masakrat që ndodhën në Darfur dhe që të kanë qasje në fondet ndërkombëtare.

Normalizimi me Izraelin i garanton Khartoumit mbështetjen e Washingtonit për t’i arritur këto qëllime, por kjo shkakton tensione midis ushtrisë dhe koalicionit të partive dhe organizatave që udhëhoqën protestën kundër regjimit të z.Omar Al-Bashir më 2019. Ky koalicion beson se nuk i takon një qeverie në tranzicion të marrë një vendim të tillë. Por mbetet të shihet se deri ku do të shkojnë kundërshtimet.