KOSOVA PAS FITORES PLEBISHITARE TË DUETIT KURTI-OSMANI
Pikëpyetjet e përmbysjes së madhe ‘catch-all’

Lista e përbashkët e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit arriti të fitoi më shumë vota se krejt partitë e tjera shqiptare të Kosovës, duke përfshirë brenda saj të gjitha bindjet ideologjike. Një “revolucion” i tillë zgjedhor ngrit jo pak pikëpyetje mbi orientimet e ardhshme të pushtetit dhe opozitës së re.

1149

Fitorja plebishitare e Lëvizjes Vetëvendosje së Albin Kurtit dhe Listës së Vjosa Osmanit në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë është komentuar edhe si një revolucion elektoral kundrejt partive “tradicionale” (PDK, LDK, AAK, NISMA) të cilat qeverisen bashkë ose ndarazi për pothuajse 20 vjet pas luftës. Përderisa kauza ishte fundi i keqeverisjeve dhe lufta kundër korrupsionit, pak syresh e trajtuan procesin nga aspekti ideologjik. Se ç’nënkupton politikisht fitorja kaq e thellë zgjedhore e listës së përbashkët të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit dhe ç’do të mund të prodhojë ajo nga kuptimi i profilizimit të ardhshëm ideopolitik të skenës vendore politike, bashkëbiseduam me Blerim Latifin, ligjërues i filozofisë politike në Universitetin e Prishtinës; si dhe Zgjim Hyseni, nënkryetar i Partisë Socialdemokrate.

 – Kosova sapo ka dalur nga një proces zgjedhor, në të cilat fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, që brenda listës kishte përfshirë Listën e Vjosa e Osmanit, Alternativën e Mimoza Kusarit, por edhe individë që vetëcilësohen si të djathtë. Kjo listë shënoi fitore pothuajse plebishitare. Ç’nënkupton për juve ky rezultat zgjedhor në kuptimin ideologjik?

Blerim Latifi: Lëvizja Vetëvendosje është shndërruar në një ‘catch-all party’, në një parti që synon të mbledhë njerëzit e të gjitha bindjeve ideologjike. Kjo është bërë me qëllim që të sigurohet një fitore e madhe elektorale dhe në këtë pikëpamje Lëvizja Vetëvendosje ia ka arritur qëllimit. Kjo mund të shpjegohet me faktin se Kurti ia ka dalë që të gjitha llojet e pakënaqësive që janë shfaqur në vitet e fundit në Kosovë, qofshin ato individuale apo grupore, t’i integrojë në rrëfimin e tij politik, duke i bindur të gjithë të pakënaqurit e të gjitha ngjyrave se ai është rrugëzgjidhja për të gjitha brengat e tyre. Kjo lloj metode politike e mobilizimit të mbështetësve njihet si populizëm inkluziv, i cili nënkupton mbledhjen e të gjitha llojeve të pakënaqësisë sociale në një kauzë të madhe e cila operon me termat moral të mirës dhe së keqës dhe përmes reduktimit të të gjitha shkaqeve të pakënaqësisë në një shkak të vetëm të madh. 

“Lista që ka fituar zgjedhjet është tipike aso që sot quhen ‘catch-all’. Shtresa e pozicione krejt të ndryshme për kah kërkesat dhe sociologjia kanë votuar të njejtin opcion. Ky është fenomeni i oportunizmit elektoral, ku secilit i bëhet qejfi në shkëmbim të votës. Si qasje, kjo është heqje dorë prej progresit dhe emancipimit” – Zgjim Hyseni

Zgjim Hyseni: Kemi të bëjmë me një amalgamë që është vështirë t’ia gjesh fillin për ta kuptuar lidhjen. Por, qëllimi gjithsesi dihet: pushteti total. Lista që ka fituar zgjedhjet është tipike aso që sot quhen “catch-all”. Shtresa e pozicione krejt të ndryshme për kah kërkesat dhe sociologjia kanë votuar të njejtin opcion. Ky është fenomeni i oportunizmit elektoral, ku secilit i bëhet qejfi në shkëmbim të votës. Si qasje, kjo është heqje dorë prej progresit dhe emancipimit. A nuk do të duhej të ndryshonim të gjithë me ndryshimin e “madh”?! A nuk është ndryshimi edhe ndryshimi i dëshirave e ëndrrave, apo qenka thjesht kënaqje e tyre?! Në fakt secili përparim, secila hapje e perspektivës është tejkalim i partikularitetit drejt gjetjes së ekuivalencave me grupet e tjera shoqërore. Lista “Krejt dhe Drejt” është saktësisht e kundërta e kësaj. Aty kemi çorbë ideologjike, por edhe betonim të kërkesave e grupeve shoqërore ashtu siç ato janë, gjithmonë nën garancën e madhe historike të “liderit suprem”. 

– Çfarë orientimi ideologjik pritni nga Qeveria Kurti2?

Blerim Latifi: Kurti ka bindje të qarta majtiste. Unë pres që ai të përpiqet të jetësojë shumë nga idetë politike që i përkasin proviniencës së socialdemokracisë, por Kurti nuk është thjeshtë socialdemokrat, ai është edhe njëlloj nacionalisti i majtë që konsideron se pavarësia kombëtare dhe drejtësia sociale janë dy gjëra që nuk mund të ndahen nga njëra tjetra. Duke qenë një nacionalist i majtë, ai do të përpiqet të demonstrojë njëlloj politike autonome në raport me presionet ndërkombëtare dhe në këtë rrafsh mbase edhe duhet të priten tensione midis qeverisë së tij dhe partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës, të tilla siç i patëm parë në qeverinë e tij të parë, ndërsa në rrafshin e brendshëm pres që Kurti të angazhohet në një vendimmarrje e cila do të ketë për target grupet të cilat ai i sheh si klientela të pasuruara përmes abuzimit me pushtetin. Ai do të përpiqet shumë që të krijojë njëlloj sensi të drejtësisë sociale në shoqërinë kosovare. E them këtu nisur nga fakti se i merr shumë seriozisht bindjet e veta ideologjike. Pra është një politikan që ka një besim ideologjik të konsoliduar mirë.

Blerim Latifi

Zgjim Hyseni : Orientimi ideologjik do të jetë centrist, por në anën tjetër liria e fjalës dhe demokracia tashmë dihet se do jenë të rrezikuara. Qeveria në ardhje mund të vlerësohet mbi presupozimin e realizmit të asaj që ka premtuar, një tekst që vështirë se mund të quhet program. Rishpërndarjen e ka zëvëndësuar anti-korrupsioni. Tek ekonomia e kemi një përpjekje për një formë të kapitalizmit shtetëror që i ka limitet tejet të afërta marrë parasysh përmasat e Kosovës, dhe marrëdhëniet ekonomike e tregtare ku jemi të hedhur. Kosova nuk ka mundësi për politika monetare, dhe është pjesë e dy marrëveshjeve tregtare CEFTA dhe MSA. Sigurisht, kjo na kthen tek nje pyetje themelore: a janë të mjaftueshme instrumentet që t’i jep shteti për tejkalim të shtrëngesave të neoliberalizmit? A është e mundur të përsëritet e njëjta rrugë zhvillimi e industrializmit sikur para shumë dekadave apo një shekulli? Për vete nuk besoj se mund të presim transformim të ekonomisë.

Dimensioni ideologjik

– A prisni që pas zgjedhjeve të fundit, skena politike e Kosovës të jetë më e profilizuar ideologjikisht? 

Blerim Latifi: Zgjedhjet e 14 shkurit nuk paraqesin vetëm një rotacion të thjeshtë pushteti. Fitorja e thellë e Lëvizjes Vetëvendosje në këto zgjedhje do të ndikoj që partitë tjera të rimendojnë çdo gjë të tyren, mënyrën e organizimit, mënyrën e të bërit politikë dhe sigurisht vlerat ideologjike mbi të cilat ato do ta mbështesin veprimin e tyre politik. Partitë tjera nuk guxojnë të nisen nga ideja se pushteti do ta korruptojë dhe stërkeq edhe Kurtin e partinë e tij dhe pastaj mbi bazën e kësaj ato të projektojnë rikthimin e tyre në pushtet. Kurti do të qëndroj fort i lidhur me agjendën e tij të antikorrupsionit dhe e vetmja fushë në të cilën partitë tjera do të mund të bëhen gati për ta goditur do të jetë ajo e politikave të tij qeverisëse, në rradhë të parë, politikës ekonomike. Kjo natyrshëm do të ndikoj që debati politik në Kosovë të marrë edhe dimensione ideologjike.

“Fitorja e thellë e Lëvizjes Vetëvendosje në këto zgjedhje do të ndikoj që partitë tjera të rimendojnë çdo gjë të tyren, mënyrën e organizimit, mënyrën e të bërit politikë dhe sigurisht vlerat ideologjike mbi të cilat ato do ta mbështesin veprimin e tyre politik” – Blerim Latifi

Zgjim Hyseni : Nuk shoh ndonjë zhvillim që mund ta vlerësoja si rrugë e shtruar për diçka të tillë. Përveç kësaj nuk pajtohem me shpjegimet deterministe që lexojnë zhvillimet në mënyrë lineare përmes kauzalitet të pafundëm shkak-pasojë. Mund të them që në Kosovë ka nevojë për ndërhyrje për të dekonstruktuar dy gjëra: diskursin totalitar që arsyeton gjithçka në emër të garancës historike, pra fundit të premtuar; dhe antikorrupsionin që ysht njerëzit drejt hakmarrjes pa u dhënë atyrë mundësitë për çlirim.

– Megjithë paqartësitë e cakuara të tyre ideologjike, sikur duket që Vetëvendosja dhe LDK e PDK, kanë krijuar monopol dhe hegjemoni, në lidhje me përfaqësimin e së majtës dhe së djathtës kosovare. Si e shpjegoni këtë?

Blerim Latifi: Po, kjo shpjegohet me faktin se janë tri partitë kryesore politike në vend. Hegjemoni ideologjike nuk mund të vendosin partitë e vogla. Partitë e vogla e kanë vetëm një preokupim: Si të mbijetojnë në tregun politik ?

Zgjim Hyseni: Përshtypja ime është që VV është aktualisht hegjemonia e vetme. Por, edhe sikur të pajtohesha me konstatimin tuaj, shpjegimin nuk do ta kisha tjetër. Vendimtare në vendosjen e hegjemonisë nuk është vërtetësia, as saktësia shkencore. Hegjemoninë e vendos efikasiteti i saj, pra raporti i forcave. Ideologjia dominante s’është tjetër gjë veç partikularitet që është totalizuar nga propaganda. Ndarja e vizatuar që shenjues kryesor e ka korrupsionin si shkak dhe pasojë për gjithçka është treguar efikase. 

– Partitë kryesore politike në Kosovë deklarohen të qendrës së djathtë, apo të qendrës së majtë. Ç’nënkuptojnë për ju sot e majta dhe e djathta kosovare, për nga aspekti ideologjik dhe socio-historik?

Blerim Latifi: Konsideroj se dallimi midis të majtës dhe të djathtës në politikën kosovare më shumë është një dallim nominal, se një dallim esencial. Partitë politike kosovare deklarohen vazhdimisht se i takojnë këtij apo atij spektri ideologjik, por kur ballafaqohen me situatat konkrete të qeverisjes, ato, pothuajse të gjitha, ndjekin të njëjtat politika publike dhe ekonomike. Kjo gjë, natyrisht, është e kushtëzuar me faktin se Kosova ndodhet në një situatë specifike, e cila nuk e lejon, ta themi kushtimisht, luksin e debatit ideologjik në trajtimin e çështjeve emergjente të shtetit, siç janë ato që lidhen me procesin e shtetndërtimit ose të mirëmbajtjes së stabilitetit makroekonomik të vendit. Sigurisht se kemi politikanë që kanë bindjet e tyre ideologjike, të majta apo të djathta, por këto bindje nuk mund ta ndryshojnë esencialisht agjendën themelore në të cilën është përfshirë Kosova, e që është konsolidimi i shtetit dhe përmbyllja e subjektivitetit të tij ndërkombëtar. Shikuar nga një pikëpamje tjetër, sot, mund të shohim se të dy krahët ideologjikë më shumë se përballë njëri tjetrit, qëndrojnë të përzierë me njëri tjetrin. Pra, mund të flasim për parti politike që në programet e tyre përmbajnë elemente, koncepte, vlera e pikëpamje nga të dy polet tradicionalë ideologjikë. Ky është pak a shumë koncepti i atyre që njihen si “catch-all party”, një lloj partie politike e cila përpiqet të sigurojë mbështetje nga të gjitha grupet e shtresat e shoqërisë dhe nga të gjitha llojet e bindjeve politike e filozofike që ekzistojnë në shoqëri. Ky model i partive politike mundëson që të djathtit dhe të majtit, ekstremistët dhe të moderuarit, të bashkohen në një strukturë partiake, e cila synon para së gjithash marrjen e pushtetit politik. Sigurisht më e suksesshmja në këtë drejtim ka qenë Lëvizja Vetëvendosje, e cila kishte nisur si një lëvizje politike me profil tejet të qartë ideologjik, të frymëzuar nga e majta ideologjike, dhe tani shfaqet si një parti politike që ka përfshirë brenda saj njerëz nga të gjitha profilet e mundshme ideologjike.

Zgjim Hyseni: Rrethanat jo të zakonshme të historisë së vonë nuk kanë mundësuar profilizim të zakonshëm ideologjik. Kjo, sepse në Kosovë, së paku nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, temë qendrore është “rruga drejt çlirimit”. Dy fjalët e fundit janë edhe demarkime të rrymave që vijnë e bëhen kampe. Njeri krah ishte ai i rezistencës, njerëz e organizime që refuzonin çdo bashkëpunim me Jugosllavinë. Për ta Jugosllavia ishte thjesht një shtet pushtues. Kundër tij duhet punuar me popullin për t’u hedhur në kryengritje. Bëhet fjalë për grupet ilegale marksiste-leniniste që sytë e veshët, por sidomos zemrën e kishin kah Shqipëria. Krahu tjetër është si i klasës politike e kulturore që ishte integruar dhe udhëhiqte institucionet politike dhe ndërmarrjet. Kjo linjë pretendonte se bashkëpunimi dhe integrimi brenda Jugosllavisë do ta siguronte madje edhe vetë republikën. Argumenti kryesor i tyre ishte Kushtetuta e vitit 1974 dhe ngritja e statusit politik të Kosovës si njësi konstituive. Të parët flasin për periudhën e rëndë të Rankoviqit, dëbimet masive drejt Turqisë, por sidomos faktin se pavarësisht përmirësimeve, krahasimisht me republikat tjera të ish Jugosllavisë, pabarazia ishte rritur. Shikuar historikisht, ideologjia tek ne, përbën identifikime që ne i kemi si marrëdhënie me historinë. Këtu kemi data historike dhe rryma politike: ata që lartësojnë demonstratat e vitit 1981 si shpërfytyrim i ngrehinës së dhunshme jugosllave; përkundër atyre që i denuan ato si ndalim i progresit që po çonte drejt republikës. Për ta përmbledhur, deri në vitin 1999 kemi më shumë pozicione e qëndrime mbi përkufizimet e pushtuesit, pushtetit, apo aspirates për çlirim, sesa programe e perspektivë mbi shoqërinë dhe qeverisjen. Përfundimi i luftës në Kosovë këto dy kampe i gjen të armiqësuar. Faktorët ndërkombëtar kanë nxitur politika që ndajnë pushtetin e ushqejnë kompromiset midis partive. Si rezultati i kësaj, por edhe i një përhumbjeje ideologjike që vjen prej dominimit global të neoliberalizmit, për një kohë të gjatë Kosova ka pasur politika të konsensusit. Përjashto disa ndryshime të vogla, ne e kemi të njëjtin sistem tatimor prej kohës së administrimit ndërkombëtar; politikat e privatizimit kanë vazhduar, pavarësisht ndryshimit të qeverive.   

– Z.Latifi, cilat janë vlerat e djathta, sipas jush të domosdoshme, që duhen të mirëmbahen e kultivohen në shoqërinë kosovare?

Blerim Latifi: Sigurisht që kemi nevojë të domosdoshme për ruajtjen dhe afirmimin e vlerave të së djathtës, kam parasysh vlerat e qendrës së djathtë, siç janë identiteti kombëtar, vlerat historike e tradicionale të këtij identiteti, përfshirë këtu identitetin evropian të popullit tonë, nacionalizmin demokratik, liberal dhe sekularist, si dhe ndërtimin e një kapitalizmi me tipare të kapitalizmit perëndimor, që funksionon në korniza të sundimit të ligjit.

“Çfarë duhet ndërruar si logjikë është paradigma dominuese e anti-korrupsionit. Gjendja e rëndë ekonomike duhet shpjeguar përmes pabarazisë dhe shfrytëzimit, dhe jo përmes moralit anti-korrupsion” – Zgjim Hyseni

– Z.Hyseni, ku mendoni se do të duhej të bazohej një program i majtë për realitetin kosovar?

Zgjim Hyseni: E majta në Kosovë duhet ta zgjerojë territorin dhe ta ndërrojë logjikën. Territorin sepse duhet artikuluar çështje e kontradikta që kanë ndikim të madh. Pak flitet për to. Ta zëmë, emigrimi masiv i qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të BE-së ka mbetur pa u artikuluar. Në Kosovë, shumica e njerëzve mendon se kjo ikje vjen si rezultat direkt i korrupsionit. Jo për ta mohuar ekzistencën e korrupsionit, por struktura e ekonomisë në Kosovë në masë të madhe përcaktohet prej marrëdhënieve tregtare ndaj të cilave jemi të ekspozuar. Kjo vlen për Kosovën, por edhe për vendet e tjera të Ballkanit. Nuk mund të flasim për të majtën brenda vendeve të vogla pa u sqaruar karshi fenomenit që do ta quaja “zhvillim i pabarabartë” midis vendeve të Ballkanit dhe Bashkimit Evropian. Çfarë duhet ndërruar si logjikë është paradigma dominuese e antikorrupsionit. Gjendja e rëndë ekonomike duhet shpjeguar përmes pabarazisë dhe shfrytëzimit, dhe jo përmes moralit antikorrupsion. Qeveria e re mund të bëjë ridestinime të mjeteve nga njëra fushë në tjetrën, por ata tashmë kanë treguar se tatimi i sheshtë do të vazhdojë. Kosova nuk do ta ketë as me qeverinë e majtë një taksë mbi dividentin. E majta po ashtu duhet ta ndërlidhë përpjekjen për barazi shoqërore me luftën kundër patriarkalizmit, të drejtat e minoriteve etnike, por edhe komunitetin LGBTQ që bën jetë gjysmë ilegale.

Pengu nacionalist

– Asnjë organizatë politike në Kosovë nuk proklamohet si e djathtë dhe e majtë ekstreme. Pse? A do të thotë kjo se nuk ekzistojnë?

Blerim Latifi: Në studimet klasike të politikës moderne, zakonisht, me të majtë ekstreme kuptohen partitë e tipit leninist, të cilat mbështeten në metodën e marrjes me forcë të pushtetit dhe kanë për synim ndryshimin radikal të shoqërisë, ndërsa me të djathtë ekstreme kuptohen partitë e tipit fashist, të cilat dhunën politike e justifikojnë përmes idealeve të mëdha mbi kombin, apo racën. Pra, ekstremizmi politik kuptohet përmes ligjërimit të dhunës politike si mjet normal i veprimit politik. Natyrisht, ka shumë autorë që e kontestojnë këtë lloj ndarje, duke shtruar teza të tjera, të cilat thonë se komunizmi dhe fashizmi nuk janë kundërshtarë ideologjikë të njëri tjetrit, as antipode të njëri tjetrit, por dy ideologji ekstremiste që kanë lidhje gjenetike me njëra tjetrën. P.sh. njëri nga filozofët më të njohur gjermanë të ditëve të sotme, Peter Sloterdijk konsideron se fashizmi është socializëm kombëtar, njëlloj imitim i komunizmit, por pa qëllimet e tij internacionaliste. Njësoj si komunizmi, edhe fashizmi është një ideologji që fokusohet në kolektivizmit e frontit, në egalitarizmin e prodhimit, por që dallon në faktin se fashizmi është një komunizëm pa proletariat, apo një komunizëm me bazë folklorike. Tani, për t’u kthyer në rastin e Kosovës duhet të theksojmë se politika kosovare ka qenë larg projeksioneve të tilla ideologjike. Nacionalizmi shqiptar kurrë nuk ka pasur tipare fashiste, ndërsa komunizmin e kemi përjetuar gjithmonë si një ideologji të imponuar nga regjimi jugosllav. Kur flasim për periudhën e pasluftës ne mund të konstatojmë aty këtu ndonjë element të lidhura me këto ideologji ekstremiste, por asnjëherë nuk kemi pasur grupacione që janë ngritur mbi bazën e inspirimit nga e majta apo e djathta ekstreme, përjashto rastin e viteve të para të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila hapur promovonte një diskurs ideologjik të frymëzuar nga leninizmi revolucionar. Ka pasur shumë individë brenda Lëvizjes Vetëvendosje që kanë flirtuar me idetë e të majtës ekstreme, por tani duket qartë se pozicioni aktual i Lëvizjes Vetëvendosje më shumë ka të bëjë me idetë dhe politikat e qendrës së majtë, me atë që njihet si socialdemokraci.

Zgjim Hyseni

Zgjim Hyseni:  Askush nuk e quan veten “ekstremist”. Ky emërtim vjen gjithmonë nga jashtë. Topologjia politike që vizaton forma, kufij dhe pozicione, që dikë e vendos në qendër e dikë tjetër në skaj, është gjithnjë pozicion subjektiv i normalizuar përmes aparateve ideologjike. Gjithsesi, ky denominim ngjanë si etiketë që vjen prej pushtetit të konsoliduar në qendër. Ka autorë që këtij zakoni i përgjigjen me “qendrën ekstreme”, pozicion ky që përmes dominimit neoliberal ka sheshuar çdo kontradikte e çdo dallim, duke e shndërruar politikën kështu në çështje të menaxhimit e efikasitetit.  Për vete, më parë sesa “ekstrem”, do të përdorja shpjegime e koncepte që sinjalizojnë rrezikun ndaj demokracisë. Kështu, duhet reaguar për format e ndryshme të fashizmit, apo të totalitarizmit që vjen prej traditës së bolshevizmit. Gjithsesi, fjala ime e përmbledhur për këtë temë do të ishte: nuk na duhet konsensusi, por demokracia. Demokracia si shenjues i zbrazët, si vend i kontradiktave, si heterodoksi, pa garancë dhe ontologji të subjektit.

– Nacionalizmi është një nga pikat e përbashkëta të partive kryesore politike kosovare, pavarësisht orientimit të tyre ideologjik. Si e shpjegoni?  

Blerim Latifi: Ne nuk duhet ta harrojmë faktin se historia e shekullit të kaluar dhe kjo e dy dekadave të shekullit XXI, në thelbin e saj, është rezultat i konfliktit midis nacionalizmit shqiptar dhe nacionalizmit serb. Për të mos shkuar shumë larg, së paku nga viti 1981 çështja kryesore politike në Kosovë ka qenë çështja kombëtare, pra realizimi i të drejtave kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Kjo çështje do të mbetet në rend të ditës deri në momentin kur do të përmbyllet procesi i brendshëm dhe i jashtëm i shtetndërtimit të Kosovës, prandaj, deshën apo nuk deshën, partitë politike shqiptare në Kosovë janë të detyruara ta kenë nacionalizmin si një komponentë të pashmangshme në profilin e tyre ideologjik. Kur t’i mbyllim çështjet me Serbinë, nacionalizmi do të riorientohet në çështjen e raporteve të Kosovës me Shqipërinë, çështje e cila në krye të herës ka të bëjë me bashkimin ose jo të këtyre dy shteteve.

“Kur t’i mbyllim çështjet me Serbinë, nacionalizmi do të riorientohet në çështjen e raporteve të Kosovës me Shqipërinë, çështje e cila në krye të herës ka të bëjë me bashkimin ose jo të këtyre dy shteteve” – Blerim Latifi

Zgjim Hyseni: Kjo gjë shpjegohet me marrëdhëniet ende të tendosura midis shteteve e popujve të Ballkanit. Për këtë gjë nuk do të vendosja barazim duke i quajtur të gjithë njejtë: “nacionalistë”. Kjo sepse duhet ruajtur dallimin midis ekspansionit dhe luftës për liri. Kjo sa i përket dimensionit historik. Në anën tjetër, të gjitha forcat politike këtu kanë përgjegjësi sepse nuk ia kanë kushtuar rëndësinë e duhur zgjidhjes përfundimtare të problemit Kosovë-Serbi. Klasa politike këtu ka abstenuar dhe i ka ikur dialogut për arsye kryesisht populliste dhe llogari të ngushta politike.

– Partitë në Kosovë, në veçanti VV dhe LDK, kanë tashmë aleanca me parti të ndryshme simotra nëpër Evropë, por jo edhe aq në Ballkan. Ç’flet kjo për juve?

Blerim Latifi: Sepse në Ballkan ende është nacionalizmi ai i cili u jep formë marrëdhënieve politike dhe ideologjike midis shteteve dhe partive të tyre politike. Dhe kështu do të jetë derisa nuk mbyllen të gjitha çështjet nacionale midis shteteve të këtij rajoni, qoftë përmes integrimit të tyre në Bashkimin Europian, qoftë përmes marrëveshjeve historike midis palëve që janë të përfshira në konteste të ndryshme nacionale.

Zgjim Hyseni: Duhet thënë së pari së një gjë e tillë nuk është e mirë. Qytetarët nga vende të ndryshme të Ballkanit kanë shumë probleme të përafërta, por moszgjidhja e problemeve politike minon çdo formë bashkëpunimi.