Është një nënë familjare e rregullt. E punësuar në një shkollë fillore në Tokio. Një ditë të janarit 2025, njëra prej kolegeve të saj e cila bashkëpunon me versionin japonez të Le Monde diplomatique i thotë se do të shoqërojë një gazetar francez në selinë e Partisë Komuniste Japoneze (PKJ). Lajmi e trondit: « Brrr, të ftohtë të bie në shpirt! » Një shprehje i vjen menjëherë në buzë: « E kuqja është e rrezikshme. ». Këto fjalë janë të njohura mirë në Japoni. Shqiptohen pa asnjë ironi.
E themeluar në vitin 1922, PKJ numëron 250 mijë anëtarë, çka e bën një nga partitë komuniste më të mëdha në botë, pas atyre që janë në pushtet në Kinë, Vietnam apo Kubë. Duke marrë parasysh ndryshimin në popullsi (124,5 milionë për Japoninë dhe 68,3 milionë për Francën), një Parti Komuniste Franceze po aq e fuqishme do të pretendonte 137 mijë anëtarë, kundrejt rreth 42 mijë që ka aktualisht. Në Evropë, pak e dinë megjithatë se ekziston PKJ. Edhe më pak që ajo ngjall frikë.
Militantë komunistë të liruar nga ushtria amerikane
Z.Yoshimitsu Kuronuma, nga ana e tij, nuk e injoron këtë. Ai ka caktuar takim me dy shokë për të shpërndarë fletushka në rrugët e Ōta-s, një qytet i klasës së mesme të ulët në jug të kryeqytetit. Kur mbërrijnë shoqet e tij, brazdat që koha ka gdhendur në fytyrat e tyre tregojnë peshën e viteve. Në anën tjetër, z.Kuronuma papritur duket plot energji: në moshën 76-vjeçare, ai është më i riu i celulës lokale të PKJ-së. I pajisur me një altoparlant të vendosur mbi një tricikël, grupi i vogël lëviz nga një rrugë në tjetrën për t’i ftuar banorët të votojnë në një zgjedhje lokale të parashikuar disa javë më vonë.
« Çfarë keni aktualisht në frigoriferin tuaj? » – pyet ai, duke e shoqëruar, si gjithmonë, fjalinë me një përkulje tipike japoneze. « Le ta bëjmë në mënyrë që ai të jetë plot dhe ju të mund të hani tre vakte në ditë ». Të mbështjellë me anorakë paksa më të mëdhenj se masa e tyre, të tre personazhet duken sikur kanë dalë drejt e nga studiot Ghibli. Sikur të mbanin thika mes dhëmbëve, tehet do t’i ngjanin me siguri më shumë atyre që shoqërojnë thikat e gjalpit sesa katanave. Megjithatë, z.Kuronuma e di se, i rrethuar nga dy shokët e tij, ai ngjall shqetësim. « Ndoshta do t’ju dridhet dora në momentin që do të hidhni një fletëvotim komunist në kuti, por guxoni të bëni hapin e madh! », lutet ai me një përkulje të re, përpara perdeve tërësisht të tërhequra.
Të gjithë anëtarët e partisë që takuam e konfirmojnë: në Japoni është më mirë ta mbash të fshehtë anëtarësinë tënde në PKJ. Nëse në kompani zbulohet, mund të përfundosh i izoluar ose i pushuar nga puna. Në jetën e përditshme, kjo çon në ostracizim. Partia është ende nën efektin e Ligjit për parandalimin e veprimeve subversive që daton nga viti 1952. Ajo prej kohësh është nën vëzhgim shtetëror i cili u intensifikua pasi kryeministri i djathtë ekstrem Shinzo Abe (2006-2007, pastaj 2012-2020) deklaroi, në mars 2016, se PKJ “ndjek[te] një politikë të revolucionit të dhunshëm”.
Megjithatë është e vështirë të pajtohet alarmi i pushtetit me bisedat tona në terren. “A e konsideroni veten antikapitalist?” e pyesim z. Kuronuma. “Jo shumë, – përgjigjet ai. – Besoj se duhet të ruajmë atë që funksionon dhe të heqim atë që nuk shkon, si p.sh. ndotjen”. “Për fat të keq, ne vuajmë nga një keqkuptim i madh”, vëren znj.Tamura Tomoko e cila u bë gruaja e parë në krye të partisë në vitin 2024, kur e takuam në selinë e PKJ-së, në lagjen Yoyogi. Me zërin e saj të butë dhe të qetë, ajo shpjegon: “Na dyshojnë se duam të vendosim një sistem diktatorial me një parti të vetme, ndërkohë që ne pikërisht duam ta nxjerrim vendin nga një regjim i tillë”. Atë të Partisë Liberale Demokratike (PLD), në pushtet pothuajse pa ndërprerje që nga themelimi i saj i nxitur në vitin 1955 nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) pikërisht për t’iu përgjigjur kërcënimit komunist.
Megjithatë, gjithçka kishte filluar mirë mes PKJ-së dhe Uashingtonit. Pas kapitullimit të Japonisë, në vitin 1945, Shtetet e Bashkuara e pushtuan vendin. Të bindura për natyrën “të prapambetur” të shoqërive aziatike – të cilën ato e konsideronin përgjegjëse për ngritjen e fashizmit në rajon –, ato synonin të bënin një transplantim të vlerave amerikane: Japonia duhej të bëhej një “Zvicër aziatike” që mishëronte epërsinë e demokracisë liberale “alla amerikane”, përmes asaj që vetë Shtetet e Bashkuara e quanin “revolucion demokratik nga lart”.
Paradoksi i forcave të okupimit të drejtuara nga gjenerali Douglas MacArthur (një “diktaturë ushtarake neokoloniale” sipas historianit John Dower) ishte se ato ndërmorën reforma që do të konsideroheshin bolshevike po të propozohej zbatimi i tyre në Shtetet e Bashkuara: defashizimi i institucioneve publike; reforma agrare; shpërbërja e monopoleve industriale; demokratizimi ekonomik; mbështetja për sindikatat; futja e javës së punës me tetë orë, negociatat kolektive dhe e drejta e grevës; demokratizimi i sistemit elektoral; emancipimi i grave brenda familjes… Brenda pak muajsh, ata që deri atëherë ishin thjesht nënshtetas të perandorit u shndërruan në qytetarë.
E shtypur nga pushteti ushtarak që nga viti 1935, PKJ-ja u legalizua. Aktivistët e saj të burgosur rifituan lirinë. Kyuichi Tokuda kishte kaluar tetëmbëdhjetë vjet në qeli. Në daljen e tij, ai lexoi një “Thirrje drejtuar popullit” që fillonte me këto fjalë: “Ne shprehim mirënjohjen tonë të thellë ndaj forcave aleate, të cilat, duke okupuar Japoninë me qëllim çlirimin e botës nga fashizmi dhe militarizmi, hapën rrugën për revolucionin demokratik në Japoni”. Në atë kohë, PKJ-ja i quante trupat amerikane “ushtria e çlirimit kombëtar”. A nuk kishin kryer ato pikërisht hapin e parë të strategjisë komuniste: daljen nga gjysmë-feudalizmi përmes një revolucioni borgjez, si prelud i revolucionit socialist?
Kushtetuta e hartuar nga pushtuesit, e cila hyri në fuqi në vitin 1947, vulosi vrullin fillestar të Shteteve të Bashkuara. Neni i saj 9, për shembull, parashikon që Japonia “heq dorë përgjithmonë nga lufta”. Por konteksti ndërkombëtar e shtyu megjithatë Uashingtonin të ndryshojë kurs. Demokracia japoneze e sapokrijuar rrezikonte të frynte në velat e PKJ-së. Nga ana tjetër, Kina e nacionalistit Chiang Kai-shek, mbi të cilën Uashingtoni kishte llogaritur për t’i bërë ballë komunizmit, ra në duart e Mao Zedongut në vitin 1949. Një vit më vonë shpërtheu lufta e Koresë. U harrua shartimi demokratik: tani bëhej fjalë për të pasur një “pion” (shprehje e marinës amerikane) në kontekstin e luftës së ftohtë – një aleat politik dhe industrial i aftë t’u furnizonte trupave që luftonin në gadishullin Korean armët e nevojshme. Projekti i “defashizimit” u zëvendësua nga një tjetër: antikomunizmi shtetëror. Ndërkohë që figurat e regjimit të vjetër, të akuzuara për krime lufte, rehabilitoheshin dhe monopole të mëdha industriale rindërtoheshin, purgimet ranë mbi lëvizjen shoqërore në përgjithësi, dhe mbi PKJ-në në veçanti. “Ushtria e çlirimit kombëtar” ishte në të vërtetë një ushtri okupimi, dhe projekti i saj për një “revolucion demokratik nga lart” ishte një vendosje nën tutelë…
Për komunistët, gjithçka mbetej për t’u bërë. Në vitin 1950, nën presionin e Kominformit dhe të Pekinit, partia hyn në luftë të armatosur, një vendim që shkaktoi përçarje të shumta. Moska dhe Pekini ishin të bindur: ashtu siç kishte ndodhur së fundmi në Kinë, fshatrat japoneze mezi prisnin të merrnin malet. Me shpresën për të nxitur kryengritjen, PKJ-ja dërgoi “njësi mobilizimi të fshatrave malore” nëpër vend. Episodi përfundoi në një fiasko. PKJ-ja nuk ishte Partia Komuniste Franceze: ajo nuk kishte asnjë përvojë në rezistencën e armatosur. Për më tepër, MacArthur sapo kishte kryer një reformë agrare që kishte përmirësuar kushtet e jetesës në botën rurale. Që nga viti 1955, PKJ-ja hoqi dorë nga pushkët dhe kaloi në ribashkimin e fraksioneve të saj të ndryshme. Një perspektivë mjaft shqetësuese për CIA-në, saqë ajo orkestroi bashkimin e partive liberale dhe demokratike, duke krijuar PLD-në, e cila së shpejti do të drejtohej nga një prej figurave të regjimit ushtarak të akuzuar për krime lufte: Nobosuke Kishi (1957-1960), gjyshi i Shinzo Abes.
Përgjatë viteve që pasuan, komunistët hartuan strategjinë që do të miratohej në Kongresin e tyre të VIII-të, në vitin 1961, dhe që është ndjekur pa ndryshime të mëdha që nga ajo kohë. Së pari, prioritet i jepej çlirimit kombëtar: “Ajo që i nevojitet shoqërisë japoneze, – thuhet në programin aktual të partisë, – është një revolucion demokratik, jo një revolucion socialist. Një revolucion që t’i japë fund nënshtrimit të jashtëzakonshëm të vendit ndaj Shteteve të Bashkuara.” Së dyti, kthim te kutitë e votimit dhe basti mbi “frontin e bashkuar”, edhe nëse kjo nënkupton “lënien mënjanë të dallimeve tona teorike” dhe “normalizimin” e imazhit e të diskursit.
Nisin kështu dy procese të njëkohshme: njëri që e vendos PKJ-në në një rrjedhë zhvillimi të vërejtur edhe gjetkë, megjithëse ajo e çon më tej; tjetri që e dallon nga të tjerët. Në kontekstin e lëvizjeve shoqërore të viteve 1960, partia mbron ligjin dhe rendin. Gjatë viteve 1970, ajo zëvendëson kandidatët e saj të dalë nga klasa punëtore me të tjerë, të veshur për mrekulli: avokatë, mjekë ose drejtues ndërmarrjesh. Më pas, në vitet 2000, ajo heq dorë nga termat që “trembin” – “parti avangardë”, “qelizë”, “diktatura e proletariatit”… – për ta përkufizuar veten që nga viti 2000 si “reformiste” në planin ekonomik. Në vitin 2020, ajo vendos që qëndrimi i Pekinit në detin jugor të Kinës dhe në Xinjiang duhet ta privojë atë nga etiketa “socialiste”, përpara se të shprehet e kënaqur që kjo analizë “ngjalli interesin e madh të mediave japoneze”, të gjitha të djathta[6]. Dhe, që nga viti 2022, ajo kritikon më shumë Rusinë për agresionin e saj në Ukrainë, sesa NATO-n, e cila përpiqet të ndezë vatra lufte në dyert e arkipelagut.
E megjithatë, subjekti vazhdon të ketë peshë…
Krahas këtij zhvillimi tashmë të mirëpërcaktuar, lëvizja progresiste japoneze shfaq një veçanti: bota për të cilën ajo ëndërron fton më shumë të kthehesh nga e kaluara sesa nga e ardhmja. E lindur nga faza e parë e okupimit amerikan, Kushtetuta e vitit 1947 mishëron një ideal demokratik dhe pacifist për të cilin shumica e japonezëve nuk kishin guxuar kurrë të ëndërronin. Por, sapo hyri në fuqi, ajo u kërcënua nga ultranacionalistët që Uashingtoni i riktheu në skenë për të mbikëqyrur demokracinë (për të penguar komunistët) dhe për të ringjallur militarizimin (me synimin për të pasur një aleat të fuqishëm në kontekstin e Luftës së Ftohtë). Në mënyrë paradoksale, lëvizjet që gjetkë do të quheshin “të transformimit shoqëror” – me PKJ-në në radhë të parë – këtu janë lëvizje që synojnë të pengojnë daljen nga status quo-ja e mishëruar nga Kushtetuta: lëvizje për ruajtjen e një rendi të kërcënuar… nga vetë konservatorët. Një opsion politik që nuk nxit aspak radikalitetin.
Që nga viti 1955, një “e majtë e re”, herë pas here e afërt me trotskizmin, e qorton PKJ-së për butësinë e saj. Ajo kontribuon ndjeshëm që maji i vitit 1968 të bëhet një ngjarje që do të shqetësojë shtresat dominuese vendase, përpara se një pjesë e organizatave të saj të kalojnë në luftë të armatosur. Ndryshe nga ajo që ndodh në të njëjtën periudhë në Gjermani apo Itali – dy vende që gjithashtu përjetojnë shfaqjen e lëvizjeve të majta ekstreme të angazhuara në luftë të armatosur – organizatat japoneze së shpejti e marrin njëra-tjetrën në shënjestër, kur nuk e kthejnë dhunën ndaj vetë anëtarëve të tyre. Një devijim i tillë i gëzon të fuqishmit, të cilët, që atëherë, nuk humbasin asnjë rast për ta lidhur me termin “komunizëm” dhe me çdo vënie në dyshim të modelit neoliberal. Një kontekst që nuk ndihmon për të frenuar zhvendosjen e PKJ-së drejt qendrës.
Si mund të shpjegohet, pra, që një parti po aq radikale sa një palë mokasina me thekë të ngjallë kaq shumë shqetësim? Së pari, sepse antikomunizmi nuk është dalluar kurrë për ndonjë prirje për t’u mbështetur në realitet: në atë të të ashtuquajturave “shkelje” të kuqe ose të kërcënimit që supozohet se përfaqësojnë komunistët. Por ndoshta edhe sepse PKJ-ja vazhdon të ketë peshë.
Gjatë viteve 1970 dhe 1980, ajo siguronte gati 10 % të votave në zgjedhjet e përgjithshme, duke u bërë forca e tretë e opozitës. Që atëherë, rezultatet e tij kanë rënë, por ai ruan njëmbëdhjetë “këshilltarë” në dhomën e sipërme të Dietës (që ka gjithsej 248) dhe tetë deputetë në dhomën e poshtme (që ka gjithsej 465). Mbi të gjitha, PKJ-ja gëzon një bazë të fortë lokale, falë përkushtimit të aktivistëve të saj. “Në metropolin e Tokios, – thekson znj. Tomoko, – PKJ-ja është forca e parë e opozitës.” Partia ka gjithashtu organin e vet të shtypit, Akahata (“Flamuri i Kuq”), një gazetë e përditshme me një tirazh prej një milioni kopjesh. E lexuar shumë përtej qarqeve komuniste, publikimi prej kohësh ka lënë mënjanë reflektimet teorike për t’iu kushtuar mbrojtjes së demokracisë, përmes denoncimit të skandaleve politike – mjaft pikante për të ngjallur kureshtjen e japonezëve.
Megjithatë, ka një pikë mbi të cilën PKJ-ja qëndron e palëkundur: analiza e saj mbi Japoninë si një vend të cilit Shtetet e Bashkuara ia kanë privuar sovranitetin. Një realitet poshtërues për elitat japoneze, trashëgimtare të ish-kriminelëve të luftës të miratuar nga Uashingtoni dhe të ngopura me një ndjenjë të thellë kombëtar, për të mos folur për një lloj nostalgjie perandorake. Në fund të fundit, sugjerojnë ato, a nuk është Japonia një komb i jashtëzakonshëm për faktin se arriti të bëhej fuqia e dytë ekonomike botërore më pak se tridhjetë vjet pas kapitullimit? Për shtresat dominuese, të cilat ushqejnë këtë bindje dhe kërkojnë nga popullsia që t’i shërbejë një qëllimi të tillë, zëri i PKJ-së është shqetësues.
Në rrethana të caktuara, mjafton të thuash të vërtetën për të ngjallur frikë. Edhe kur je i mbathur me mokasina.

