Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Krimea dëshiron t’i besojë paqes

Me synim të arritjes së një armëpushimi në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara janë shprehur të gatshme ta njohin Krimenë si territor rus. Një vendim i tillë do ta përforconte optimizmin e veçantë që mbizotëron në gadishull. Duke anuar për bashkimin me Rusinë që nga vitet 1990, popullsia e saj vazhdon ta duartrokasë “kthimin te shteti amë” pavarësisht luftës.

Qershor 2025

Në veri, luftimet vazhdojnë. Por, në këtë ditë përvjetori, Antonina, me emocion në zë, rrëfen referendumin e 16 marsit 2014. “Shkuam sikur të ishte një festë; kishte flamuj trengjyrësh në të gjitha dritaret, njerëzit ishin të veshur bukur… Pas votimit, pimë një kafe në qytet. Njerëzit ndaleshin spontanisht në rrugë për të ndarë përshtypjet dhe për të shprehur gëzimin”. Organizuar me nxitim dhe në prani të ushtarëve pa simbole identifikuese, rezultati i votimit shprehte një aspiratë shumicë. Me një pjesëmarrje mbi 80%, krimeanët votuan në më shumë se 96% për bashkimin me Rusinë. Ndërsa për Kievin ky “ribashkim” e rihap një plagë ende të pashëruar, për shumicën e banorëve ajo e mbyll atë.

Vlerësohet se që nga viti 2014, mbi njëqind mijë qytetarë të Federatës Ruse janë vendosur këtu, kryesisht nga Moska, Shën Petersburgu apo rajoni fqinj i Krasnodarit. Përveç se ky fluks e ka shpier popullsinë totale në rreth 2.5 milionë – kundrejt 2.3 milionëve në vitin 2014 (2) –, ai e ka rritur përqindjen e rusishtfolësve nga 65% në vitin 2013 në 73%. Ndërkohë, përqindja e krimeanëve që deklarohen etnikisht ukrainas ka rënë nga 16% në 8%. Një pjesë ka braktisur gadishullin, ndërsa të tjerë kanë zgjedhur ta marrin shtetësinë ruse (e nevojshme për të pasur qasje në shërbime shëndetësore apo për të marrë pension).

Pas miratimit të një procedure të “thjeshtuar” të natyralizimit në vitin 2022, mund të dëbohen personat që nuk e kanë ndjekur këtë procedurë, duke u konsideruar si të huaj. Megjithëse gjuha ukrainase mbetet një nga tre gjuhët zyrtare (së bashku me rusishten dhe tatarishten), mësimdhënia në këtë gjuhë pothuajse është zhdukur.

Jeta po riorganizohet rreth një realiteti të ri, ndërsa ekonomia lokale vazhdon të zhvillohet. “Krimea po ringjallet nga hiri i saj. Për njëzet e pesë vjet ajo ishte rrota e fundit e karrocës ukrainase; sot, është në qendër të prioriteteve të Rusisë”, thotë Aleksej, një banor i Moskës që kalon çdo vit një javë pushime në këtë gadishull. Turizmi mbetet prioriteti kryesor. Që nga koha e carëve, njerëzit kanë ardhur nga larg – ndonjëherë edhe nga jashtë vendit – për të përfituar nga kjo zonë kurative, e njohur për trajtimin e tuberkulozit dhe sëmundjeve të frymëmarrjes. Familjet e mëdha të Perandorisë Ruse ndërtuan këtu pallatet dhe rezidencat e tyre dimërore. Gjatë epokës sovjetike, “Riviera socialiste” priste drejtuesit e partive komuniste nga e gjithë bota. Në gusht të vitit 1991, udhëheqësi sovjetik Mihail Gorbaçov u vendos në arrest shtëpiak në daçën e tij në Foros, në skajin jugor të gadishullit, gjatë tentativës për grusht shteti që çoi në fundin e bllokut sovjetik. Më pas, Krimea u shndërrua në një lloj “Ibize” të hapësirës post-sovjetike. Gjatë verës, plazhet e Anapës dhe Jevpatorias mbushen me kampe të egra, festa rave, koncerte dhe festivale.

Mungesa të ujit të pijshëm

Në përpjekje për t’i tërhequr rusët të cilëve u është pamundësuar udhëtimi direkt drejt Evropës, dhjetëra hotele me katër dhe pesë yje kanë lulëzuar në qendrat kryesore urbane të Krimesë. Në televizionet dhe gazetat ruse, përmblidhen me krenari arritjet e dhjetë viteve të fundit nën drejtimin e pushtetit të ri qendror nga Moska. Është ura e Kertçit, hekurudhore dhe rrugore njëherësh, që zgjatet mbi tetëmbëdhjetë kilometra për të kaluar ngushticën me të njëjtin emër dhe për të lidhur gadishullin me një autostradë të re të shndritshme në drejtim të Krasnodarit e më pas Moskës. Përmendet gjithashtu rruga A219, e quajtur “Tauride” (emri që grekët e lashtë i jepnin gadishullit të Krimesë), që lidh Kertçin me Simferopolin dhe Sevastopolin. Po ashtu përmenden edhe dy termocentralet e reja me fuqi të kombinuar prej 940 megavatësh, të cilat kanë hyrë në funksion në vitin 2019, pa përmendur shkollat apo spitalet që janë rinovuar ose ndërtuar rishtazi…

Por, kur largohemi nga projektet që zënë faqet e para të mediave, kuptohet rruga e gjatë që mbetet ende për t’u përshkuar. Gjatë rrugëve dytësore të mbushura me gropa, kilometra të tërë zonash industriale të braktisura, të ndërprera nga kantiere të lëna përgjysmë, shërbejnë si vend lojërash për qentë dhe macet endacake. Hedhjet e paligjshme të mbeturinave dhe skeletet e makinave të ndryshme ndotin peizazhet madhështore të maleve, stepave dhe detit të kaltër… Banorët, nga ana tjetër, duken të pandjeshëm ndaj kësaj pamjeje – shumë të zënë duke u përgatitur për sezonin turistik: 6,6 milionë vizitorë në vitin 2024. Kjo shifër është larg nga 9,5 milionët e regjistruar zyrtarisht në vitin 2021, para se të rifillonin luftimet në shkallë të gjerë. Megjithatë, këto statistika të zymta nuk e zbehin aspak optimizmin e përgjithshëm.

E ardhur në vitin 2020 nga Smolensku, në perëndim të Rusisë, Natacha, rreth të dyzetave, menaxhon një çajtore në qendrën e qytetit Ordzhonikidze, një qytet i vogël bregdetar në bregun lindor të gadishullit, që ofron gjithfarë lloj “produktesh vendore” – nga ato me origjinë lokale… ose më të largëta: verëra, mjaltë, çajra ekzotikë, suvenire e madje edhe disa akuarele. Ajo na shpjegon se të ardhurit e rinj, përfshirë edhe veten, kanë sjellë “një frymë më pak të përgjumur, një formë qytetërimi”. “Që pas ribashkimit, këtu të gjithë janë të kënaqur. Ne të ardhurit nga kontinenti jemi më kërkues: ndërprerjet e ujit apo të energjisë elektrike na tronditin. Marrim në telefon shërbimet komunale, rrugët, nuk i lëmë rehat. Dhe në fund, i rregullojnë”. Në dyqanin e saj, një klient – restorantist dhe krimean me prejardhje – e pranon me humor:
“Po, sigurisht, ne jemi mësuar me këto gjëra. Për restorantin, gjatë verës kemi një gjenerator rezervë. Kur na ndërpresin ujin, përdorim cisternën me ujë shiu…”.

Furnizimi me ujë përbën, në fakt, një problem të përsëritur në këtë rajon shkëmbor. Në kohën sovjetike, gadishulli furnizohej nga kanali i Veriut, i ndërtuar mes viteve 1961 dhe 1971, i cili e lidhte me lumin Dnieper. Mbyllja e këtij kanali nga ana e Ukrainës, si kundërpërgjigje ndaj aneksimit të Krimesë, e uli pesëfish sasinë e ujit të pijshëm në dispozicion. Që atëherë, janë vendosur stacione pompimi në thellësi të mëdha dhe janë rritur kapacitetet për kripëzimin e ujit të detit. Megjithatë, Krimesë i mungon rreth një miliard metra kub ujë të pijshëm në vit për të përmbushur nevojat reale të popullsisë.

Në çdo moment, luftimet që zhvillohen disa kilometra mëtej rishfaqen në kujtesën e banorëve. Telefonat tingëllojnë: një mesazh flet për një “alarm për dron” dhe këshillon që të qëndrohet brenda dhe të shmangen dritaret. Ky mesazh shpërndahet në gjithë Krimenë dhe rajonin e Krasnodarit. Për shkak të shpeshtësisë dhe mungesës së saktësisë së tyre, shumica e njerëzve i kanë çaktivizuar këto lloj alarmesh. Jeta vazhdon rrjedhën e saj përkundër sulmeve të rregullta nga ushtria ukrainase. “Në natën e Vitit të Ri, rafineria u godit nga një dron vetëvrasës”, rrëfen Sergej. “Çfarë fishekzjarresh! Ishte natë dhe flakët dukeshin nga kilometra larg… Në fund, vetëm dy depo u dogjën dhe rafineria rifilloi punën brenda disa ditësh”. Ndërkohë, porti i Sevastopolit është zbrazur nga shumica e anijeve ushtarake: efikasiteti i dronëve detarë ukrainas e ka detyruar shtabin rus të zhvendosë pjesën më të madhe të flotës së Detit të Zi drejt porteve më në lindje, siç janë Novorossiisk apo Feodosia.

Të gjithë duan të besojnë se kjo luftë do të përfundojë në kohë për sezonin veror, sepse Krimea, falë klimës dhe peizazheve të saj të veçanta, po përpiqet të rifitojë rolin e saj historik si zonë turistike dhe pushimi. “Administrata e aeroportit të Simferopolit bënte çmos që udhëtarët të mos dëshironin të largoheshin prej aty”, shkruante Vasilij Aksionov në një roman fiksion politik që në vitin… 1979. A e kishte parashikuar vallë autori sovjetik aeroportin e ri të kryeqytetit të Krimesë, të ndërtuar në formën e një vale futuriste? Inauguruar në vitin 2018, ai ka mbetur i mbyllur për fluturime që nga viti 2022, për shkak të “operacionit ushtarak special”.

Një histori referendumesh

Nga Hélène Richard

Qysh përpara ngjarjeve të vitit 2014, Krimea nuk e kishte gjetur kurrë plotësisht vendin e saj brenda Ukrainës së pavarur. Kjo ish-republikë autonome brenda Republikës Socialiste Federative Sovjetike të Rusisë (RSFSR) e humbi këtë status në vitin 1945 me vendim të Jozef Stalinit, për t’u bashkuar më pas si një oblast i thjeshtë me Ukrainën sovjetike në vitin 1954. Në prag të viteve 1990, ndërsa Bashkimi Sovjetik po hynte në procesin e shpërbërjes, gadishulli – i banuar kryesisht nga rusë (67% sipas regjistrimit të popullsisë më 1989) – ndjente frikën nga rritja e nacionalizmit në Kiev. Në fakt, nën ndikimin e Rukh-ut (Lëvizjes Popullore për Perestrojkën), Sovjeti Suprem (Parlamenti) i Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrainës e njohu në vitin 1989 gjuhën ukrainase si të vetmen gjuhë shtetërore. Megjithëse ligji parashikonte disa të drejta për folësit e rusishtes, ky legjislacion – i pari në një seri ligjesh gjuhësore që do të bëhen burim i përsëritur përplasjesh në dekadat në vijim – i bëri krimeanët të tremben nga një ukrainizim i forcuar. Rikthimi masiv i tatarëve – popull autokton turqishtfolës i Krimesë përpara kolonizimit rus në fund të shekullit XVIII, të dëbuar nga Stalini që nga viti 1944 – e përforcoi edhe më shumë te rusët ndjenjën e frikës nga margjinalizimi.

Që më 1991, tre referendume e shënojnë veçorinë politike të Krimesë. Më 20 janar 1991 u zhvillua një votim i parë i organizuar nga autoritetet rajonale – pa pëlqimin e Moskës dhe as të Kievit – që rivendosi statusin e republikës autonome për gadishullin, duke lënë pezull çështjen e bashkimit me Rusinë apo Ukrainën. Pyetja e parashtruar për qytetarët e Krimesë tregonte vetëm se gadishulli synonte të bëhej pjesë e një Bashkimi të ardhshëm të rinovuar, të menduar nga Mihail Gorbaçovi për të riformuar BRSS-në mbi baza më të barabarta në mes republikave federale dhe për ta ruajtur atë. Ky projekt iu nënshtrua një referendumi të dytë, në mars të të njëjtit vit, këtë herë të organizuar në nivel gjithë-sovjetik. Në Ukrainë, 70% e votuesve e miratuan atë, ndërsa në Krime, “po”-ja fitoi me një shumicë shumë të gjerë (84% e votave).

Ky Bashkim i ri nuk do ta shohë kurrë dritën e diellit: një përpjekje për grushtshtet në Moskë, në gusht të vitit 1991, përshpejton shpalljet e pavarësisë nga republikat federale sovjetike. Në dhjetor 1991, 90% e qytetarëve të Ukrainës e miratojnë këtë vendim përmes një referendumi të tretë, në nivel kombëtar. Krimea, ndërkohë, qëndron disi jashtë këtij unanimiteti: me një pjesëmarrje shumë më të ulët se rajonet e tjera të Ukrainës, një shumicë e ngushtë votuesish (54%) voton në favor të rrugës së pavarësisë.

Tensionet në mes Kievit dhe Simferopolit fillojnë të thellohen. Krimea shpallet sërish autonome brenda Ukrainës së pavarur duke shpallur, në vitin 1992, një Kushtetutë të veçantë – e cila në sytë e Kievit shihej si një hap drejt pavarësisë. Dy vite më vonë, Jurij Meshkov zgjidhet “president” i Krimesë – një funksion i krijuar në mënyrë të njëanshme nga parlamenti lokal – duke premtuar bashkimin me Rusinë. Kievi i përgjigjet këtij separatizmi me dërgimin e 50.000 trupave shtesë, përveç 33.000 ushtarëve që ishin tashmë të stacionuar në gadishull. Ata përballen me 70.000 ushtarët e flotës ish-sovjetike të Detit të Zi të vendosur rreth Sevastopolit, shumica e të cilëve janë pro bashkimit me Rusinë. Vendi gjendet në prag të luftës civile. Por Kremlini vendos të mos i mbështesë separatistët krimeanë.

Tatarët, armiqësorë ndaj bashkimit me Moskën

Disa kompromise u arritën falë përpjekjeve diplomatike të Kombeve të Bashkuara dhe Shteteve të Bashkuara,: çnuklearizimi i Ukrainës (1994), ndarja e flotës së Detit të Zi midis Ukrainës dhe Rusisë, mbajtja e pranisë ushtarake ruse në bazën detare të Sevastopolit (1995), si dhe dhënia e një autonomie të kufizuar buxhetore për Krimenë (1999). Këto marrëveshje, për një kohë, e shmangën hapjen e “kutinës së Pandorës” për kufijtë postsovjetikë. Por pas dy dekadash zgjerimi të NATO-s, rrëzimi i presidentit ukrainas Viktor Janukoviç nga opozita pro-perëndimore dhe zëvendësimi i tij me një qeveri tranzitore që përfshinte elementë ultranacionalistë, separatizmi krimean u rishfaq fuqishëm. Kësaj here, Moska e mbështeti hapur.

Pas referendumit të vitit 2014 për bashkimin me Rusinë i organizuar me ndihmën e Kremlinit si përgjigje ndaj asaj që ai e quajti “grusht shteti” në Kiev, tatarët e Krimesë u përballën me një dilemë të vështirë. Që nga viti 1999, autoritetet ukrainase kishin ndjekur një politikë relativisht përfshirëse ndaj kësaj pakice me origjinë myslimane, që përfaqëson rreth 14% të popullsisë: ata lejuan hapjen e shkollave fetare dhe ndërtimin e xhamive, si dhe e rishkruan dëbimin e tyre nga Stalini në vitin 1944 si “gjenocid”. Kievi synonte me këtë politikë të krijonte një kundërpeshë ndaj prirjeve separatiste të rusëve dhe rusishtfolësve. Kjo shpjegon armiqësinë e komunitetit tatar ndaj çdo ideje të integrimit në Federatën Ruse. Në vitin 2014, lideri tatar Mustafa Xhemilev bëri thirrje për bojkot të referendumit, të cilin Kombet e Bashkuara e cilësuan si të pavlefshëm. I dënuar në mungesë nga drejtësia ruse dhe më pas i amnistuar në vitin 2022, ai vazhdon betejën diplomatike për rikthimin e Krimesë në përbërje të Ukrainës. Ndërkohë që shtypja ndaj liderëve politikë dhe qytetarëve tatarë është intensifikuar pas luftës së vitit 2022, një pjesë e tyre është integruar në jetën politike dhe ekonomike të republikës autonome.

Botime të tjera