Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Kur Izraeli i tërheq Shtetet e Bashkuara

Midis diskursit të sigurisë dhe praktikës së përshkallëzimit, kjo luftë nxjerr në pah një rend ndërkombëtar të dobësuar, ku vendimmarrja mbetet e paqartë dhe pasojat ekonomike e gjeopolitike shtrihen përtej rajonit.

Prill, 2026

Tridhjetë e pesë vjet më parë, Jean Baudrillard publikonte një artikull me titull provokues: «Lufta e Gjirit nuk ka ndodhur». Për mendimtarin francez, ndërhyrja ushtarake e një koalicioni të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Irakut (1991) nuk u përjetua nga publiku si një konflikt i vërtetë, por si një ngjarje mediatike, një «simulakër», ku realiteti – me mizoritë e tij të prekshme – u përthith dhe u zëvendësua nga vetë mediatizimi. Baudrillard nënvizonte veçanërisht skenografitë e mëdha teknologjike që zëvendësojnë përvojën reale të luftës. Sulmi kundër Iranit, i ndërmarrë nga Uashingtoni dhe Tel Avivi, i jep këtij fenomeni një përmasë tjetër. Vdekja banalizohet, madje në disa raste edhe glorifikohet (si në rastin e vrasjes së Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei), ndërsa Irani paraqitet si një objektiv gjigant ushtarak dhe nuk perceptohet më si një territor që strehon një popullsi.

Ka megjithatë një dallim thelbësor dhe i qartë mes kësaj lufte dhe asaj të vitit 1991. Sulmi izraelito-amerikan nuk zhvillohet në emër të së drejtës ndërkombëtare, por, përkundrazi, në shpërfillje të plotë të saj. Nuk ka asnjë përpjekje për të kërkuar një konsensus, qoftë ndërkombëtar apo rajonal. Është një akt i imponuar, një “fait du prince”, i kryer me pëlqimin e heshtur ose me heshtjen fajtore të aleatëve kryesorë të Uashingtonit. Në Paris, në Londër dhe në Berlin, kjo është e njohur dhe e kuptuar, megjithatë nuk shtrohet fare si mundësi kundërshtimi ndaj forcës së zhveshur.

Prej vitesh, studiues, analistë dhe gazetarë përpiqen të deshifrojnë strategjinë e Donald Trump. Një mobilizim i tërë ekspertize është vënë në shërbim të interpretimit të deklaratave dhe vendimeve të një udhëheqësi që rrallëherë shfaq koherencë apo besueshmëri. Disa madje argëtohen duke parë në çdo ekscentricitet të tij një zbatim të librit të tij, të ngritur në status traktati, The Art of the Deal (Random House, 1987). Por kjo luftë e bën tashmë të dukshme një gjë thelbësore: presidenti amerikan nuk e di se çfarë është duke bërë. Pas ashpërsisë së diskursit, përfshirë edhe ndaj “aleatëve” tradicionalë të vendit të tij, fshihet një figurë që vazhdimisht bie në kundërshtim me vetveten dhe që mbart të gjitha tiparet e një njeriu lehtësisht të manipulueshëm.

Zanafilla e sulmit amerikan kundër Iranit mbetet veçanërisht e errët dhe e paqartë. Në ditët e para, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi fillimisht se Shtetet e Bashkuara po reagonin pasi kishin marrë dijeni se Izraeli po përgatitej të godiste Iranin; megjithatë, të gjitha tërheqjet dhe korrigjimet e mëvonshme të këtij qëndrimi kanë qenë të vështira për t’u besuar. Washington Post ka raportuar se debatet me drejtuesit e Kongresit, disa ditë para shpërthimit të luftës, rrotulloheshin rreth një dileme të qartë: të sulmohej në krah të Izraelit apo të pritej një kundërpërgjigje iraniane kundër forcave amerikane në rajon. Në fund, u zgjodh opsioni i parë. Me fjalë të tjera, Shtetet e Bashkuara nuk iu përgjigjën asnjë kërcënimi të drejtpërdrejtë nga Irani. Sulmi ndodhi pikërisht në kohën kur zhvilloheshin negociatat për dosjen bërthamore në Gjenevë, në një moment kur, sipas ndërmjetësve omanezë, një marrëveshje dukej e arritshme.

Në këto rrethana, bëhet e vështirë të mos pranohet se kemi të bëjmë me një luftë izraelite. Pikërisht kjo e dallon atë nga pushtimi i Irakut në vitin 2003 – një ndërhyrje po aq e paligjshme dhe e mbështetur mbi narrativa të rreme, por thelbësisht amerikane: kjo luftë nuk përputhet as me interesa amerikane të identifikuara qartë, as me politikën e shpallur nga Donald Trump. Sigurisht, ky i fundit pretendon se lufton për të arritur paqen, dhe askush nuk i injoron dimensionet ekonomike të kësaj përballjeje – pas Venezuelës, e cila zotëron rezervat më të mëdha të naftës në botë, vëmendja zhvendoset drejt Iranit. Por hipoteza e marrjes nën kontroll të tregut global të hidrokarbureve do të kishte kuptim vetëm nëse amerikanët do të ishin në prag të pushtimit dhe kontrollit real të këtyre vendeve, dhe nëse do të dispononin kapacitetet për ta bërë këtë. Për momentin, kjo luftë rrezikon të kushtojë dhjetëra miliarda dollarë, pa llogaritur pasojat e brendshme politike dhe sociale. Një rritje e qëndrueshme e çmimit të naftës, ndërkohë, ka potencialin të rëndojë konsumin dhe të ngadalësojë ritmin e ekonomisë.

Me fjalë të tjera, imperializmi i Shteteve të Bashkuara shfaqet qartësisht në mënyrën e veprimit – përmes mosndëshkueshmërisë dhe kërcënimeve për krime në shkallë të gjerë – por jo në qëllimin përfundimtar. Asnjë objektiv lufte nuk është përcaktuar në mënyrë të qartë. Madje, Donald Trump jep përshtypjen se mund të ndalet në çdo moment për të shpallur fitoren, pa sqaruar se çfarë do të përfaqësonte realisht kjo “fitore”. Cilido qoftë rezultati i këtij konflikti, një gjë duket tashmë e padiskutueshme: fuqia amerikane vihet kryesisht në shërbim të një aktori të tretë – Izraelit. Në planin strikt ushtarak, ajo që presidenti amerikan e ka cilësuar si një “ekskursion” i ngjan më shumë një vargu gabimesh vlerësimi, si për sa i përket pasojave ekonomike, ashtu edhe kapaciteteve të kundërpërgjigjes së Teheranit në nivel rajonal.

Për Izraelin, mbështetja amerikane është jo vetëm thelbësore nga pikëpamja ushtarake dhe logjistike, por edhe vendimtare për të ushqyer dhe mirëmbajtur narrativën e një përplasjeje civilizuese mes “Perëndimit” dhe Republikës Islamike, së bashku me aleatët e saj rajonalë. Neutralizimi i “regjimit të mullahëve” përbën një objektiv që gjen një konsensus të gjerë në Amerikën e Veriut dhe në Evropë. Megjithatë, në praktikë, lufta ka prodhuar pikërisht efektin e kundërt: ajo e ka zhvendosur Iranin nga fusha e politikës në atë të gjeopolitikës, në një kontekst të një dobësimi të thelluar dhe të përshkallëzuar të popullsisë. Po ashtu, duhet theksuar se mbështetja e vazhdueshme e Donald Trump për Benyamin Netanyahun nuk duket se gëzon miratimin e popullsisë së vet amerikane.

Demokracia nuk përbën një shqetësim qendror për udhëheqësit izraelitë, të cilët duken më tepër të fokusuar në mbijetesën e tyre politike ose në vazhdimin e një politike ekspansioniste. Kjo e fundit mbart një dimension strukturor dhe një tjetër konjunktural. Nga njëra anë, konfirmohet fuqizimi i sionizmit fetar, si në variantin e tij të krishterë ashtu edhe në atë hebre. Nga ana tjetër, që prej tetorit 2023, vërehet një vullnet i qartë izraelit për të shfrytëzuar plotësisht “mbështetjen e pakushtëzuar” fillestare të ofruar nga Perëndimi, përmes shumëzimit të ndërmarrjeve pushtuese. Përshkallëzimi që përfaqëson lufta kundër Iranit shërben, në këtë kuptim, si një devijim i përsosur për këta drejtues: nuk bëhet më fjalë për të dhënë llogari për gjenocidin në Gaza, por për t’u gjykuar mbi të ardhmen e Republikës Islamike.

Sipas një logjike koloniale të provuar, tiparet që i atribuohen “tjetrit” përdoren për të justifikuar mohimin e të drejtave të tij. Në Gaza, “antiterrorizmi” vijon të shërbejë si mburojë për shkelje të vazhdueshme, ndërkohë që më shumë se gjysma e enklavës ndodhet nën kontrollin izraelit. Në Bregun Perëndimor, përbuzja ndaj Autoritetit Palestinez shoqërohet me një përshpejtim të paprecedentë të kolonizimit. Në Siri, mosbesimi ndaj autoriteteve të reja pas rënies së Bashar Al-Assad ka favorizuar shtimin e sulmeve dhe zgjerimin e territorit të pushtuar në Golan, i shoqëruar me një represion të krahasueshëm me atë të ushtruar në Bregun Perëndimor. Ndërkohë, në Liban, Izraeli vijon strategjinë e përçarjes së shoqërisë dhe të klasës politike vendase lidhur me çështjen e Hezbollahut.

Hezbollahu, në përpjekje për të ruajtur një farë vazhdimësie të asaj që quhet “boshti i rezistencës”, iu përgjigj në mënyrë simbolike vrasjes së ajatollahut Ali Khamenei, duke lëshuar raketa përtej kufirit jugor. Për Izraelin, kjo shërbeu si një pretekst i gatshëm për të rifilluar bombardimet masive, për të zhvendosur një pjesë të popullsisë dhe për të kërkuar krijimin e një “zone sigurie” deri në lumin Litani. Në këtë mënyrë, Tel Avivi arrin të ndërthurë zgjerimin territorial me manipulimin politik: Hezbollahu paraqitet, në mënyrë të tërthortë, si xhelati. Ndërkohë, harrohet se Izraeli mban një prani ushtarake të paligjshme në territorin libanez, në kundërshtim me kushtet e armëpushimit të nëntorit 2024. Ky është edhe paradoksi thelbësor i situatës: udhëheqësit libanezë dhe mbështetësit e tyre ndërkombëtarë synojnë t’i japin fund lëvizjes shiite dhe vetë idesë së rezistencës, në favor të një shteti libanez që mban monopolin e dhunës legjitime; por vazhdimësia e pushtimit e bën të pashmangshme lindjen e vullnetit për të rezistuar.

Sulmi izraelito-amerikan kundër Iranit nxjerr në pah gjithashtu dobësinë e kapacitetit veprues të monarkive të Gjirit. Megjithëse janë ndër blerësit kryesorë në tregun global të armëve, këto shtete përballen me një tronditje që i prek drejtpërdrejt, pa ofruar asnjë qartësi mbi qëllimet dhe strategjitë e tyre. Kundërpërgjigjet iraniane – nga sulmet ndaj instalimeve të naftës dhe gazit deri te kërcënimi për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit – përbëjnë një rrezik të drejtpërdrejtë për ekonomitë e tyre. Izraeli shpreson se një kaos i tillë mund të çojë në formimin e një fronti të përbashkët kundër Iranit, por monarkitë e Gjirit shfaqen dukshëm hezituese. Për Teheranin, rreziku që i kanoset ekonomisë botërore shndërrohet kështu në një mjet presioni ndaj Uashingtonit.

Disa nuanca nuk duhen anashkaluar. Nëse Emiratet e Bashkuara Arabe kanë zgjedhur të shfaqen si partnerë të privilegjuar të Tel Avivit, asgjë nuk tregon se Rijadi dhe Doha janë të gatshëm të angazhohen plotësisht në një “paqe izraelite” në Lindjen e Mesme. Për Arabinë Saudite, dy çështje mbeten të hapura: aventurizmi i Emirateve pranohet gjithnjë e më pak, ndërsa përparësia që Uashingtoni u jep interesave izraelite ushqen një besim të kufizuar ndaj mbrojtjes amerikane. Më thelbësisht, dinamika e përshkallëzimit, e konfirmuar nga ky sulm, e shndërron Izraelin në kërcënimin kryesor rajonal, madje edhe për shtete me profile dhe interesa shumë të ndryshme.

Përballë kësaj lufte, Kina dhe Rusia konfirmojnë një aftësi të caktuar përshtatjeje ndaj zhvillimeve, rrjedha e të cilave u shpëton në një masë të madhe kontrollit të tyre. Për Kinën, problemi shtrohet mbi të gjitha në terma ekonomikë: Pekini mund të shqetësohet për një ndërprerje të qëndrueshme të flukseve energjetike dhe për një përshkallëzim që do të rëndonte mbi tregtinë globale. Ndërkohë, Moska shpesh paraqitet si një përfitues indirekt i situatës. Si për njërën, ashtu edhe për tjetrën, ekuacioni mbetet i thjeshtë: ndryshe nga Uashingtoni, ato ruajnë kanale komunikimi me të gjithë aktorët e rajonit dhe mbrojnë nevojën për çpërshkallëzim. Megjithatë, çdo dobësim i ndikimit amerikan përbën një mundësi të favorshme për to.

Ndërkohë, “çperëndimizimi” i botës nuk i pengon popujt që të vazhdojnë të përballen me pasojat e refleksëve perëndimoriste.

Botime të tjera