Sllovenia, gjithmonë pararojë! Të paktën kështu thonë banorët e entiteteve të tjera të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ). Ky vend i vogël alpin ishte i pari që u shkëput, që në vitin 1991, dhe lufta e tij e shkurtër për pavarësi shkaktoi shumë më pak viktima sesa ato që pasuan në Kroaci, Bosnjë dhe më pas në Kosovë. Që në kohën e Jugosllavisë socialiste, republika konsiderohej gjithmonë e para: më e pasura, më liberale në planin shoqëror dhe më “perëndimore”. Sot, Sllovenia është ndër shtetet evropiane më të angazhuara në mbrojtjen e kauzës palestineze.
Disa sllovenë e shohin kauzën palestineze dhe kërkimin për vetëvendosje përmes lentes së historisë së tyre. Ndonjëherë, angazhimi i vendit lidhet edhe me rolin që luajti Jugosllavia në themelimin e Lëvizjes së të Painkuadruarve, e cila synonte një rrugë politike të ndryshme nga ajo e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik. Në vitin 2024, një ekspozitë në Muzeun e Artit Modern në Lubjanë tregonte se si RSFJ-ja kishte organizuar samitin e parë të lëvizjes në vitin 1961, kishte dhënë bursa për të rinjtë palestinezë që të ndiqnin universitetet e saj – në fillim të viteve 1970, jo më pak se 43% e studentëve të huaj në vend vinin nga Palestina – dhe kishte hapur, në vitin 1971, zyrën e parë të Organizatës për Çlirimin e Palestinës në Evropë.
Verën e kaluar, Lubjana pretendoi se ishte kryeqyteti i parë evropian që vendosi një embargo armësh ndaj Tel Avivit. Qeveria e udhëhequr nga z.Robert Golob deklaroi atëherë se, “për shkak të mosmarrëveshjeve dhe përçarjeve të brendshme, Bashkimi Evropian po tregohet i pafuqishëm”. Një vit më parë, vendi kishte njohur shtetin e pavarur të Palestinës. Së fundmi, ai njoftoi bojkotin e Eurovizionit për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit dhe, në vend të tij, ka paralajmëruar shfaqjen e filmave palestinezë.
Black Cube, “Mossadi Privat”
Megjithëse Sllovenia është një vend i vogël, me vetëm 2.1 milionë banorë dhe një sipërfaqe afërsisht dy herë më të vogël se ajo e Zvicrës, nismat e saj nuk kanë kaluar pa u vënë re në Tel Aviv. Më 16 mars, një javë para zgjedhjeve të rëndësishme parlamentare, revista sllovene Mladina raportoi se punonjës të firmës së njohur izraelite të inteligjencës Black Cube, ndonjëherë e quajtur “Mossadi privat”, ishin takuar me udhëheqësin e opozitës së djathtë, Janez Janša, të Partisë Demokratike Sllovene (SDS), në dhjetor 2025. Mbështetës i zjarrtë i Izraelit, z.Janša ka qenë një figurë e shquar e politikës sllovene për tridhjetë e pesë vjet, veçanërisht si kryeministër, post që e ka mbajtur tri herë, përpara se të largohej nga detyra në maj 2022, kur z.Golob, nga Lëvizja për Liri (GS), një parti liberale, mori pushtetin.
Dimrin e kaluar, drejtuesit e Black Cube thuhet se kanë shkuar disa herë në kryeqytetin slloven. Delegacioni izraelit që u takua me z.Golob në dhjetor përfshinte drejtorin ekzekutiv të kompanisë, z.Dan Zorella, dhe një këshilltar të lartë, gjeneral-majorin në pension Giora Eiland, ish-kreun e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit. Në shkurt dhe mars, Black Cube dërgoi agjentë që paraqiteshin si investitorë të një kompanie fiktive britanike të quajtur Stockard Capital, për të kontaktuar zyrtarë qeveritarë. Të ftuar në darka luksoze, “shënjestrat” u incizuan përpara se videot e këtyre bisedave të publikoheshin në një faqe anonime në gjuhën angleze, në fillim të marsit. Ndërsa z.Janša pretendon se këto fragmente zbulojnë “korrupsion të paparë të elitës së majtë” (Euronews, 18 mars 2026), në to kryesisht shihen njerëz që shpërndajnë thashetheme për figura të ndryshme politike, mburren me lidhjet e tyre dhe u japin këshilla investitorëve të rremë.
Në fillim, operacioni dukej sikur po kthehej kundër autorëve të tij. Ndërsa sondazhet, nga shkurti deri në fillim të marsit, e nxirrnin SDS-në përpara GS-së, pas zbulimit të operacionit Black Cube në mesin e marsit, dinamika u përmbys. Në zgjedhjet e 22 marsit, GS fitoi, megjithëse me një diferencë të ngushtë. Sikur revista Mladina të mos e kishte zbuluar manovrën, tema e korrupsionit të supozuar të kësaj partie do ta kishte dominuar fushatën nga fillimi deri në fund.
Rasti slloven shërben si një kujtesë se ndërhyrja e huaj mund të ketë efekte vendimtare, të përziera ose edhe kundërproduktive. Megjithatë, më 20 prill, z.Golob hoqi dorë përfundimisht nga formimi i një qeverie të re dhe gjithçka sugjeron se z.Janša do të marrë drejtimin e vendit. Ky është një lajm i mirë për Izraelin, i cili humbi “mburojën” e tij më të fortë në Evropë me humbjen e Fidesz-it në zgjedhjet hungareze të 12 prillit të kaluar. Deri atëherë, Tel Avivi mund të mbështetej te z.Viktor Orbán, gjithmonë i gatshëm të ushtronte të drejtën e vetos, siç ndodhi në shkurtin e kaluar, kur njëzet e gjashtë nga njëzet e shtatë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian votuan në favor të sanksioneve kundër kolonëve në Bregun Perëndimor.
Sllovenia e z.Janša tani mund të luajë një rol të ngjashëm. Por mbeten disa pyetje. Më 12 mars, vetëm pak ditë para zgjedhjeve, qeveria e z.Golob njoftoi se nuk do t’i bashkohej padisë për gjenocid të ngritur nga Pretoria kundër Tel Avivit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Ky vendim befasoi opinionin publik dhe momenti i zgjedhur bëri që shumë sllovenë të pyesnin nëse Izraeli kishte ndikuar në të. Ministrja e Punëve të Jashtme, Tanja Fajon, pranoi se “kishte pasur presione të jashtme”. Por çfarë lloj presioni? Votimi për çështjen në GJND u zhvillua gjatë një seance me dyer të mbyllura të Këshillit të Ministrave.
Znj.Fajon deklaroi gjithashtu se shqetësimet për “rreziqet e mundshme të sigurisë” kishin ndikuar në vendim. Ndërkohë që z.Golob ishte informuar për kërcënimet e mundshme ndaj vendit në rast se Sllovenia do t’u bashkohej procedurave kundër Izraelit në GJND, zyrtarët e sigurisë kombëtare e kishin paralajmëruar edhe për rrezikun e varësisë së vendit nga sistemet izraelite të sigurisë kibernetike, të furnizuara prej pesëmbëdhjetë vitesh nga kompania Check Point.
“Ashtu si Ministritë e Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme, edhe Ministria e Transformimit Dixhital përdor Check Point”, shpjegon znj.Emilija Stojmenova Duh, e cila e drejtoi këtë ministri nga viti 2022 deri në vitin 2024. Ajo sqaron se vetë nuk ka nënshkruar asnjë kontratë për blerjen e softuerëve izraelitë. Check Point është e pranishme në të gjithë kontinentin. Partnere e Forumit Ekonomik Botëror, kompania u bashkëthemelua nga Gil Shwed, veteran i Njësisë 8200, agjencisë famëkeqe të inteligjencës ushtarake izraelite. Drejtori aktual ekzekutiv i saj, z.Nadav Zafrir, është ish-komandant i kësaj njësie dhe dyshohet se ka ndihmuar në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmit me pager kundër Hezbollahut në shtator 2024. Siç theksohet në një raport të publikuar nga faqja Open Intel, “udhëheqja e Check Point është, në praktikë, e integruar në aparatin e inteligjencës ushtarake izraelite”.
Dhe Bashkimi Evropian nuk thotë asgjë
Duke folur në kushte anonimiteti, një burim i afërt me këtë çështje raportoi shqetësime të përsëritura brenda shtetit slloven lidhur me varësinë nga ndihma e huaj, sa herë që merreshin vendime që lidhen me Palestinën. Kjo u konfirmua edhe nga dy persona të tjerë të mirëinformuar. Për shembull, çështja u ngrit në maj 2024, kur Sllovenia ishte në prag të njohjes së Palestinës: shërbimet e sigurisë thuhet se e paralajmëruan qeverinë për kërcënime të mundshme kibernetike në rast se do të zemërohej Tel Avivi. Z.Golob vendosi përfundimisht ta merrte këtë rrezik, për të mos larguar votuesit në prag të zgjedhjeve evropiane të qershorit. Konsiderata të tjera, herë politike e herë partiake, mund të kundërpeshojnë presionin e huaj dhe t’ia kufizojnë ndikimin.
Këtë vit, shërbimet e inteligjencës kanë dhënë paralajmërime të tjera të së njëjtës natyrë. Publikimi i incizimeve të Black Cube — dhe frika se të tjera do të pasonin — thuhet se e ka intensifikuar presionin. Sipas disa burimeve të afërta me dosjen, kjo shpjegon vendimin për t’u tërhequr nga procedurat para GJND-së. Por z.Golob dhe disa nga mbështetësit e tij pohojnë se këto video nuk patën ndikim: nga njëra anë, ato u publikuan pas njoftimit se Lubjana nuk do t’u bashkohej procedurave; nga ana tjetër, personat që shfaqen në to nuk janë të afërt me kryeministrin. Në realitet, argumenton z.Golob (Mladina, 20 mars 2026), u bë e qartë se pjesëmarrja e Sllovenisë në procedurat e GJND-së mund të rrezikonte procedurat e veçanta kundër z.Benjamin Netanyahu para Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), ku gjykon një gjyqtar slloven — një argument që u tall gjerësisht në rrjetet sociale si përpjekje për ta paraqitur një kapitullim si mbështetje të guximshme për Palestinën.
Çfarëdo interpretimi që t’u jepet këtyre ngjarjeve — padyshim mjaft të paqarta — rasti i Sllovenisë së vogël mbetet domethënës. Ai tregon se Izraeli ushtron forma të shumta presioni mbi shtete të vendosura mijëra kilometra larg kufijve të tij. Ndërkohë që Black Cube vazhdon të veprojë pa u ndëshkuar, Bashkimi Evropian hesht për sa i përket ndërhyrjes në Slloveni. Kjo bie në kontrast me bujën që shoqëron sistematikisht ndërhyrjen e supozuar ruse. Për shembull, gjatë zgjedhjeve presidenciale rumune të vitit 2024, votimi u anulua pas pretendimeve për një ndërhyrje nga Moska — një ndërhyrje që nuk u vërtetua kurrë. Ose, më së fundi, gjatë zgjedhjeve të vitit 2025 në Moldavi, të cilat u shoqëruan me paralajmërime të shumta për rrezikun e ndërhyrjes ruse, si dhe me vizita parazgjedhore të presidentit francez Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrit polak Donald Tusk. Jo të gjitha ndërhyrjet e huaja trajtohen njësoj.
(Përkthyer nga anglishtja në frëngjisht nga Marion Dubois.)

