“Diploma Malotru”, në referencë me personazhin kryesor të serialit Le Bureau des légendes, apo edhe “Qendra e trajnimit për spiunë”: nofkat nuk mungojnë për të përshkruar programin e studimit të Sciences Po Saint-Germain-en-Laye, i krijuar për të përgatitur agjentët e ardhshëm të shërbimeve franceze të inteligjencës. I themeluar në vitin 2019 në bashkëpunim me Akademinë e Inteligjencës – një institucion publik që synon të afrojë universitetin me shërbimet sekrete – programi Diploma për Inteligjencën dhe Kërcënimet Globale (DiReM) synon t’i njohë studentët me “realitetin e kërcënimeve të sigurisë që prekin vendin, si dhe me mjetet ekzistuese për parandalimin dhe luftimin e tyre”.
Akademia mbikëqyr përmbajtjen pedagogjike të programit për të garantuar “përshtatshmërinë” e tij profesionale. Ky program është pjesë e zgjerimit të formimeve universitare kushtuar shërbimeve të inteligjencës, të cilat, në shumë raste, organizohen nga Institutet e Studimeve Politike (IEP). Që në vitin 2010, kampusi i Parisit ofronte një kurs me titull “Inteligjenca në shërbim të demokracive, Inteligjenca në shërbim të demokracive“, i konceptuar nga Philippe Hayez dhe Jean-Claude Cousseran, të dy ish-drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë së Jashtme (DGSE).
Që nga viti 2021, Sciences Po Aix-en-Provence ofron një program master me titull “Ekspert në inteligjencë dhe parashikimin e rreziqeve dhe kërcënimeve”, i zhvilluar në partneritet me Shkollën e Forcave Ajrore dhe të Hapësirës. Programi bashkëdrejtohet nga Walter Bruyère-Ostells, profesor i historisë bashkëkohore, dhe Serge Cholley, gjeneral i korpusit ajror. Ashtu si programet e tjera të këtij profili, edhe ky master mbështetet në një rrjet ligjëruesish ku bëhen bashkë akademikë dhe profesionistë të shërbimeve të inteligjencës e të sigurisë. Kjo zbehje e kufijve mes botës akademike dhe aparatit të sigurisë nuk është një veçori vetëm e Francës.
Ky model pasqyron një qasje të përhapur gjerësisht në Mbretërinë e Bashkuar, të njohur si Studimet e Inteligjencës (IS). Ky emërtim përfshin dy dimensione të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën: nga njëra anë, një gamë programesh universitare dhe diplomash të specializuara, e nga ana tjetër, një disiplinë që merret me studimin e qeverisjes dhe të inteligjencës. Studimet e Inteligjencës morën hov në disa universitete britanike që nga vitet 1990, veçanërisht në kuadër të programeve war studies (studime të luftës) në King’s College London.
Me reputacionin e tij ndërkombëtar, ky departament themeloi në vitin 2023 Qendrën King’s për Studimin e Inteligjencës (King’s Centre for the Study of Intelligence – KCSI). Në fjalimet inauguruese, David Omand, ish-drejtor i agjencisë britanike të inteligjencës elektronike (GCHQ), dhe Madeleine Alessandri, kryetare e Komitetit të Përbashkët të Inteligjencës (JIC), e përshëndetën krijimin e kësaj qendre si kurorëzim të lidhjeve të hershme mes botës akademike dhe praktikës profesionale, të bashkuara nga një mision i përbashkët: analizimin dhe përballimin e kërcënimeve aktuale dhe atyre të së ardhmes.
Programi më i spikatur i departamentit, masteri në inteligjencë dhe siguri ndërkombëtare, tërheq studentë nga mbarë bota, të gatshëm të paguajnë plot 40 mijë paundë stërlina (rreth 46 mijë euro) për një vit studimi. Premtimi që iu jepet është i qartë: një rrugë e privilegjuar drejt karrierës në botën e inteligjencës – nga inteligjenca e biznesit deri te inteligjenca nga burimet e hapura (ROSO) – si dhe mundësia për t’u lidhur drejtpërdrejt me profesionistët e këtij sektori.
Sikurse në programet franceze, një pjesë e konsiderueshme e mësimdhënies u besohet profesionistëve të sektorit: ish-punonjësve të shërbimeve të inteligjencës, zyrtarëve ende në detyrë ose akademikëve me përvojë praktike (pracademics). Mes tyre janë David Oakley, ish-zyrtar i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së (CIA), Paul Rimmer, i formuar në inteligjencën ushtarake britanike, si dhe David Gioe, profesor vizitor, i cili ka shërbyer fillimisht në Byronë Federale të Hetimeve (FBI) e më pas në CIA. Në profilin e tij në rrjetet sociale thuhet se ai ka “përvojë të gjerë në kundërzbulim, operacione të fshehta jashtë vendit dhe veprime sekrete”.
Shumë aktiv si në LinkedIn ashtu edhe në shtyp, ai ka shkruar për tema të shumta që lidhen me inteligjencën, nga lufta në Ukrainë dhe aleanca Five Eyes deri te sinjalizuesi Edward Snowden. Kjo i ka siguruar një reputacion të veçantë mes kolegëve dhe studentëve, të cilët e shohin si një “insider”, një njeri që e njeh botën e inteligjencës nga brenda. Çdo vit, akademikët me përvojë praktike (pracademics) dhe studentët e programeve të war studies takohen në Shkollën Verore për Sigurinë dhe Inteligjencën Ndërkombëtare (International Security and Intelligence – ISI Programme), e organizuar në Universitetin e Cambridge-it që prej vitit 2016.
Programi ISI i fton pjesëmarrësit të reflektojnë mbi mënyrat se si mund të rritet efikasiteti operacional i shërbimeve të inteligjencës përballë aktorëve armiqësorë. Gjatë programit mbahen ligjërata nga drejtues të lartë britanikë dhe amerikanë të inteligjencës, si Richard Dearlove, ish-drejtor i Secret Intelligence Service (MI6), homologu britanik i DGSE-së franceze, apo Gina Haspel, drejtoreshë e CIA-s nga viti 2018 deri në vitin 2021.
Atmosfera idilike e Universitetit të Cambridge-it bie në kontrast me polemikat që kanë shoqëruar këto shërbime, veçanërisht për praktikat e ndalimit dhe torturës në kuadër të të ashtuquajturës “luftë globale kundër terrorizmit”. Megjithatë, do të ishte reduktuese të ndaleshim vetëm te mënyra se si prezantohet oferta akademike dhe të shpërfillnim funksionin shoqëror të shërbimeve të inteligjencës: atë që bëjnë dhe pasojat që prodhojnë. Në të vërtetë, një pjesë e botës universitare nuk është thjesht partnere e tyre, por edhe objekt i veprimtarisë së tyre themelore. Shërbimet e inteligjencës infiltrojnë mjedise shoqërore për të vëzhguar se çfarë thuhet dhe çfarë bëhet, me synimin për të parashikuar kërcënimet e mundshme.
Ashtu si shoqatat, institucionet fetare apo lëvizjet politike, as institucionet e arsimit të lartë nuk bëjnë përjashtim. Që në vitin 1951, në kontekstin e Luftës së Ftohtë, CIA krijoi në fshehtësi një rrjet pedagogësh të paguar për të identifikuar dhe rekomanduar studentë. Kjo praktikë vazhdon edhe sot, përmes qendrave të trajnimit të financuara nga agjencia, të drejtuara nga personeli i saj dhe të destinuara për të krijuar një rezervë studentësh që mund të rekrutohen më vonë. Pasoja e parë e këtij ndërthurimi të roleve është përhapja e diskursit vetëjustifikues të shërbimeve të inteligjencës: bindja se ato ekzistojnë para së gjithash për të ndihmuar vendimmarrjen politike dhe për të garantuar sigurinë e shtetit.
Mësimdhënia dhe kërkimi në këtë fushë organizohen rreth dy boshteve kryesore. I pari lidhet me rekomandime me karakter operacional: “dështimet” e shërbimeve të inteligjencës – si sulmet e 11 shtatorit 2001 apo vlerësimet e gabuara mbi armët e shkatërrimit në masë në Irak në vitin 2003 – shërbejnë si bazë për rekomandime mbi përmirësimin e shkëmbimit të informacionit, menaxhimin e pasigurisë dhe procesin e vendimmarrjes (3). Boshti i dytë përbëhet nga studime historike të mbështetura në një bazë të pasur empirike, por që në të shumtën e rasteve mbeten kryesisht përshkruese.
Në këtë mënyrë, studimet e inteligjencës kryejnë një lojë të sofistikuar intelektuale. Duke i paraqitur si neutrale, madje edhe si shkencore, njohuri që burojnë nga vetë aparati shtetëror, ato kontribuojnë në legjitimimin e praktikave të shërbimeve të inteligjencës. Dhe, natyrisht, një orientim i tillë rezulton edhe fitimprurës, pasi rrit atraktivitetin e këtyre programeve për studentët dhe lehtëson sigurimin e financimeve në tregun global, gjithnjë e më konkurrues, të arsimit universitar.
Margjinalizimi i qasjeve kritike
Shkalla e depërtimit të logjikës operacionale pasqyrohet, në të kundërt, në margjinalizimin e qasjeve kritike. Këto të fundit e trajtojnë inteligjencën si objekt të kërkimit shkencor, pa synime normative apo operacionale, duke vënë në pikëpyetje praktikat e shërbimeve dhe ndikimin e tyre në jetën demokratike. Disa prej këtyre studimeve tregojnë, për shembull, se shërbimet e inteligjencës luajnë rol në krijimin dhe riprodhimin e problemeve shoqërore – si terrorizmi apo pasiguria – që më pas pretendojnë se i luftojnë.
Një pasojë tjetër është depërtimi i kulturës së sekretit në universitet. Profesionistët e shërbimeve të inteligjencës që ligjërojnë në programin master DiReM, për shembull, e fshehin identitetin e tyre të vërtetë. Në një artikull kushtuar këtij programi, një gazetar i BBC-së tregon se, për të marrë pjesë në një ligjëratë, iu desh fillimisht t’i nënshtrohej një procedure verifikimi nga shërbimet franceze të inteligjencës.
Ka të ngjarë që edhe studentët e pranuar t’i nënshtrohen një procesi të ngjashëm verifikimi, pasi programi është i hapur vetëm për shtetasit francezë. Qasja operacionale e ka edhe më të lehtë të zërë rrënjë në një universitet që vetë po transformohet në një drejtim të favorshëm për të. Arsimi i lartë po përjeton një proces të theksuar “sigurizimi” (sécuritisation), të shoqëruar me depërtimin e logjikës së kontrollit dhe mbikëqyrjes, të huazuar nga sektori i sigurisë.
Në Francë, misionet kërkimore jashtë vendit varen nga miratimi i funksionarëve për sigurinë dhe mbrojtjen (FSD). Të vendosur në universitete dhe qendra kërkimore, këta funksionarë vlerësojnë udhëtimet drejt zonave të konsideruara “të rrezikshme”, mbi bazën e një interpretimi mjaft të gjerë të nocionit të kërcënimit. Në Mbretërinë e Bashkuar, nga ana tjetër, universitetet kanë që prej vitit 2015 detyrimin ligjor të parandalojnë “radikalizimin”, duke raportuar çdo sjellje të cilësuar si “e dyshimtë” te një zyrtar përgjegjës, i cili mund ta referojë rastin në polici.
Lufta kundër ndërhyrjeve të huaja vetëm sa e ka përforcuar këtë prirje. Në shkurt të këtij viti, drejtori i Security Service (MI5), homologu britanik i Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë së Brendshme (DGSI) në Francë, u shpjegoi drejtuesve të universiteteve se si të sinjalizonin pranë shërbimeve të inteligjencës rastet e ndërhyrjeve të huaja në kampuset e tyre.
Studentët që vijnë nga vende të konsideruara “armiqësore”, si Kina, janë veçanërisht në shënjestër. Në qershor të vitit 2024, Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë së Brendshme (DGSI) publikoi një njoftim mbi rrezikun e ndërhyrjeve të huaja, duke u tërhequr vëmendjen fituesve të çmimeve shkencore për rreziqet e ndikimit dhe përvetësimit të ekspertizës shkencore që lidhen me reputacionin e tyre. Komuniteti shkencor, nga ana e tij, është mobilizuar vazhdimisht kundër asaj që e cilëson si “obsesion sigurie”, duke denoncuar cenimin e lirisë akademike. Një reagim i tillë u pa edhe në vitin 2018, kur Qendra Kombëtare e Kërkimit Shkencor (CNRS) nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorinë e Inteligjencës Ushtarake.
Për të mbrojtur pavarësinë e universitetit në studimin e inteligjencës, është thelbësore të mbështetet një kërkim shkencor që synon ta analizojë këtë fushë, e jo ta legjitimojë atë. Sepse inteligjenca nuk reduktohet më te shërbimet sekrete dhe spiunët. Sot ajo përfshin një numër gjithnjë e më të madh institucionesh – policinë, doganat, administratën penitenciare e të tjera – të udhëhequra nga logjika institucionale dhe burokratike dhe interesa që jo rrallë ndryshojnë ose bien ndesh me njëra-tjetrën. Kjo tablo është shumë më komplekse sesa imazhi i idealizuar që paraqesin programet universitare.

