EPIDEMITË E SË KALUARËS
Lufta e Parë Botërore : Malaria në Frontin e Selanikut

Në Frontin e Orientit, ushtritë e Paktit të Trefishtë ishin mposhtur nga trupat e Perandorive Qendrore, por ishin përballur gjithashtu me një kundërshtar të tmerrshëm: malaria. Një mision anti-malarial ishte formuar shpejt, për ta frenuar përhapjen e sëmundjes te ushtarët dhe te popullata lokale. Duke hedhur kështu themelet e luftës moderne. Histori.

1582
©Koleksion i veçantë (Laurent Rouy)

Kur gjenerali Sarrail zbarkoi me trupat e tij në Selanik, ai nuk e dinte se do të përballej me një tjetër armik, edhe më të frikshëm se ushtarët e Perandorive Qendrore: mushkonjat, të cilat bartnin ethet e kënetës, ose malaria. Kjo sëmundje infektive tani është zhdukur në Evropë, por vazhdon të bëjë kërdi në zonat tropikale të Afrikës, Amerikës së Jugut dhe Azisë, duke shkaktuar çdo vjet vdekjen e afërsisht gjysëm-milioni njerëz nëpër botë. Simptomat kryesore janë: të dridhura të forta, kokëdhimbje dhe ethe deri në mbi 40oC.

Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, Greqia ishte vendi evropian më i prekur nga malaria. Në veriun e vendit, kënetat në grykëderdhjet e lumenjve Galiko dhe Vardar, në periferi të Selanikut, por edhe lugina e Strumës, në veri-lindje, ishin ligatina ku malaria ishte endemike.

Në fillim të konfliktit, Athina ishte neutrale. Vendi ishte i përçarë nga ndjenja të kundërta: popullata ndihej më e afërt me Serbinë, aleate e dikurshme në luftërat balkanike, dhe kundërshtonte bullgarët. Kryeministri Eleftherios Venizelos favorizonte Paktin e Trefishtë (Francë, Mbretëri e Bashkuar, Rusi; por mbreti Kostandini, dhëndri i perandorit gjerman William II ishte gjermanofil. Zbarkimin e trupave franceze e kuptoi si sulm ndaj neutralitetit. Në anën tjetë, ushtria greke përpiqej me të gjitha mjetet t’ua veshtirësojë punën Aleatëve. Kështu kur Aleatët kërkuan një vend për ta vendosur kampin e tyre tranzit, ata ua caktuan në Zeitenlik, që ishte pjesërisht kënetore dhe mbushur me mushkonja.

Të ngacmuar nga mushkonjat, ushtarët e mjerë të rinj të ushtrisë së Orientit, ecnin, luftonin nën diellin e zjarrtë

30.000 refugjatë të luftërave ballkanike tashmë mbijetonin në atë vend. Disa prej tyre ishin të sëmurë kronikë nga malaria. I vetëdijshëm për rrezikun që i kanosej, Departamenti Shendetësor i Ushtrisë konsultohet me njërin nga ish-mjekët e tij, doktorin Alphonse Laveran, i cili në vitin 1880 kishte identifikuar parazitin që shkaktonte malarian. Doktori pranon se “ka frikë se [ushtria franceze] të jetë prekur nga kjo sëmundje e tmerrshme.”  Një fushatë e parandalimit organizohet, me shpërndarjzn e të vetmës barnë anti-malariale në atë kohë, kininën, si dhe me rrjeta kundër mushkonjave. Ushtarët francezë ‘Les Poilus’ (Leshatakët) nuk e marrin seriozisht rrezikun: ata bëjnë shaka me shijën veçanërisht të hithur të kininës, gjejnë arsye të ndryshme për të mos e marrë atë, kurse rrjetët kundër mushkonjave i çajnë në mes për të kaluar më lehtë përmes tyre.

Gjatë verës, numri i rasteve të infektuar me malaria shpërthen në ushtrinë e Orientit. Gjysma e 120.000 ushtarëve të pranishëm në kampin e Selanikut janë bartës të parazitit. Vetëm në vitin 1916, 30.000 ushtarë duhet të shtrihen në spital. 20.000 evakuohen në Francë dhe 630 vdesin nga sëmundja. Por lufta vazhdon dhe vetëm 20.000 ushtarë francez janë në vijën e frontit. “Ka pasur mesatarisht 250 deri 300 evakuime çdo ditë , vetëm në Selanik , 13 deri 15 vdekje çdo ditë”, tregon oficeri ndërlidhës Jean-José Frappa në memoarët e tij. “Të ngacmuar nga mushkonjat, ushtarët e mjerë të rinj të ushtrisë së Orientit ecnin, luftonin nën diellin e zjarrtë. Kishin ethe, të vjella biliare dhe papritmas, anemikë, me ftyrë të prerë, sy të verdhë, rrëzoheshin duke u dridhur nga të ftohti, dhe pastaj u mbuloheshin nga djersa depresive.”

“Ushtria ime është e imobilizuar nëpër spitale…”

Në këto kushte, bullgarët i shtyejnë francezët dhe aleatët e tyre gjatë verës së vitit 1916. Por ata ngriten përsëri: serbët pushtojnë majën e Kajmakcalanit, francezët qytetin e Manastirit. “Gjenerali Sarrail ka drejtuar operacionet e tij me batalione ushtarësh të sëmurë nga malaria, të cilët mund të ecnin dhe të luftonin vetëm në intervalet kohore kur nuk kishin kriza (…) këto operacione e kanë sjellur ushtrinë e tij fitimtare deri përtej Manastirit, diku në fund të muajit nëntor në vitin 1916”, shkruante Gjenerali Régnault, komandanti i Ushtrisë franceze të Orientit.

“Ushtria ime është e imobilizuar nëpër spitale”, shkruan generali Sarrail në një telegram dërguar Ministrisë së Luftës. Në Paris, ndihmës-sekretari i Shtetit kërkon një zgjidhje. I cakton dy shkencëtarë për një mision, vëllezërit Edmond dhe Etienne Sergent, të cilet zbarkojnë në Selanik më 19 dhjetor.

Të lindur në Algjer, vëllezërit Sergent kanë shumë njohuri mbi malarian. Në vitin 1900, ata kishin filluar kërkimet e tyre kundër kësaj sëmundje në kënetat e Afrikës veriore. Në vitin 1904, Etienne emërohet udhëheqës i luftës kundër malaries në Algjeri, dhe në vitin 1912, vëllau i tij Edmondi inauguroi Institutin Pasteur në Algjer, ku emërohet drejtor. Në Selanik, ata gjejnë injorancë në mesin e trupave, por gjithashtu te oficerët dhe te mjekët ushtarakë. Edmond Sergent i paralajmëron: “Nëse nuk dalim prej rutinës për të organizuar fushata moderne anti-malaria, plumbat e armikut do të shkaktojnë më pak vdekje në Selanik se malaria”.

Të dy vëllezërit lëvizin në tërë frontin. Brenda një muaji, ata hedhin themelet e “Planit të luftës kundër malaries” i cili përmban gjashtë pika. Fillimisht, hartojnë zonat e rrezikut, ku nuk do të qëndrojnë ushtarët, dhe për të caktuar vende të sigurtë për kampet. Duhet gjithashtu t’i detyrojnë ushtarët ta marrin kininën. Për këtë qëllim, e karakterizojnë refuzimin për të marrë barnën si “refuzim të bindjes para armikut” i cili teorikisht mund të denohet me vdekje. Misioni anti-malarial do të kryejë kontrolla të urinës të paparalajmëruara dhe ushtarët shpejt do ta quajnë stafin e këtij misioni “ Maskaranjët e Urinuarës së Madhe”.

Në rast të shkeljes së urdhërave, sanksionoheshin ushtari, por edhe mjeku dhe shefat e tij. Bëhet një luftë kundër mushkonjëve, me shpërndarjen e rrjetave kundër mushkonjëve, tharjen ose vajosjen e pellgjeve të vogla dhe të prrockave, dhe vendosjen e rrjeteve kundër-mushkonjeve në dritarët e godinave ushtarake. Paralelisht kryhet një “propagandë moderne”, në formën e “bisedeve me trupat” dhe me shpërndarje të trakteve. Ushtarët shkruajnë letra në anën e pasme të traktave … atëherë vendoset t’u shpërndahen kartolina. Dhe, në fund, krijohet protokolli i kujdesit ndaj të sëmureve dhe organizohet “ç’parazitimi i popullatës civile”.

Nga shkurti i vitit 1917 deri në shtator 1918, 20 mjekë dhe 368 infirmierë të misionit do të shpërndajnë mbi 32 tonë kininë, do të vizitojnë 469 fshatra, në 161 prej të cilëve do të “kinizohet” popullata. 7600 rrafsh ujorë do të mbushën, sanohen ose vajohen. Shumë shpejt do të vërehen rezultatet: në mes të muajit shtator 1916 dhe shtator 1917, shkalla e incidences së malaries ishte përgjysmuar (nga 148.4 në 78.1%). Midis vitit 1917 dhe vitit 1918, përsëri përgjysmohet (39.2 ‰ në shtator 1918). Numri i rasteve të rënda pjesëtohet për dhjetë.

“Kur ata ecin, këmbët dhe krahët i kanë të zhveshur. Kënaqen mushkonjat”

Edhe aleatët e Francës luftuan kundër malaries, por me më pak sukses. Për shembull, britanikët e ushtrisë British Salonica Army bënë gabime të mëdha në fillimin e fushatës, kur i shpërndanë ushtarëve pantallone të shkurtëra, përmbi gjunj. “Kur ata ecin, këmbët dhe krahët i kanë të zhveshur. Kënaqen mushkonjat. Brigadat zvogëlohen në numër, bëhen batalione”, thotë oficeri ndërlidhës Frappa. Në fushën maqedone të Manastirit, edhe italianët kanë shumë të infektuar. Në fillim të fushatës, shkalla e incidencës së malarjes ishte e njëjtë tek francezët dhe britanikët, kurse në shtator 1918, ky raport ishte pesë herë më i ultë në radhët e francezëve, falë punës së misionit anti-malarial.

Në frontin e Selanikut, malaria ka prekur 82 000 francezë, 162.000 britanikë, 49.700 italianë dhe 50.600 serbë. Së paku 6000 francezë, serbë dhe rusë kanë vdekur prej kësaj sëmundje. Te britanikët, më shumë se gjysma e vdekjeve (57%), dmth 5.500 burra, janë shkaktuar nga sëmundjet. Malaria në radhë të parë. Epidemia tingëllon si një mësim i hidhur për Aleatët në Selanik, por përvoja e fituar nga ushtria franceze do të ketë hedhur themelet e luftës kundër malaries, siç praktikohet ende sot.

(Courrier des Balkans)