NJË URREJTJE E PASTËR, 40 VITE PAS VDEKJES SË FILOZOFIT
Mohimi i Sartrit

Më 19 Prill 1980, varrimi i Jean-Paul Sartre mobilizoi turmën, si ai i Victor Hugo më pak se një shekull më parë. Me shuarjen e Sartrit dukej se po mbylllej një epokë e angazhimit dhe e refuzimit të korseteve të mirësjelljes. Ekzibicionizmi mediatik ose mbyllja akademike karakterizuan pastaj dy pole të botës intelektuale. Që të dytë po aq larg nga modeli sartrian.

1122

Ekziston një paradoks i Sartrit. Ai që simbolizon “intelektualin e plotë, të pranishëm në të gjitha frontet e mendimit, si filozof, kritik, romancier, njeri i teatrit” lufton për ta gjetur një vend pas vdekjes të denjë për emrin në vendin e tij. Paradoksi është theksuar nga rrezatimi ende aktiv i mendimit dhe shkrimeve të tij jashtë vendit. Fakti është që Franca tani po ndriçohet nga fenerët e konformizmit konsensual, për të cilin (pseudo)debatet televizive apo të radiove nuk arrijnë të japin as iluzionin e një fryme destabilizuese. Mediokriteti dhe mirësjellja janë larguar nga ai që, pas Luftës së Dytë Botërore, nuk pushoi së luftuari, për të hyrë në betejë dhe për të marrë rreziqe.

Një lloj intelegjensie nuk ia njeh Sartrit statusin e përfaqësuesit të intelektualit të angazhuar “à la française“. Vepra e vetme që vlera i njihet nga të gjithë : Les Mots (Fjalët) e botuar më 1961.

Komentimet nuk mbarojnë mbi “veprën e madhe të shkrimtarit” dhe kjo nuk është rastësi: kjo autobiografi që tregon fëmijërinë dhe rininë e tij, nuk  shqetëson njeri. Mendimi unik i së djathtës dhe të majtës ka ditur ta identifikoj veprën që i lejon të heq dorë nga urrejtja e njëanshme e intelektualit dhe njëkohësisht ta ruajë atë në “dyqanin e aksesorëve” të datuar e të vjetëruar.

Të tejkaluar dhe të grisur deri në thelb të gabimit. Sepse, na u thanë mjaft, Sartre paska qenë gjithmonë gabim. Përpos nëse kjo akuzë nuk kthehet kundër vetë akuzuesve.

Le t’i përvetësojmë këto fjalë tërheqëse të Guy Hocquenghem disa vjet pas vdekjes së autorit të Chemins de la liberté (Rrugët e lirisë): “Shpirtërat e juaj të babëzitur dhe të varfër, puritanë dhe teoristë, kanë dashur ta vrasin Sartrin një qind herë. Por sa më shumë e mohoni, aq më shumë e ringjallni. Sa më shumë e hedhni poshtë, aq më shumë ju ndrydh, ju merr me vete në vdekjen. Sartri i vërtetë ikën nga varri i respektit renegat dhe të tradhtisë, ku deshët ta mbyllni”.

Që nga vdekja e tij në 1980, pak gjëra janë kursyer kundër atij me të cilin do të kishin druajtur të përballemi përderisa ishte gjallë. Sartre na paska qenë një filozof që shkruan keq letërsi… Bankat e studentëve kanë shijuar për një kohë të gjatë këso shaka kalamajsh – madje edhe radhët e universitarëve – duke i dhënë madje edhe legjitimitet shkencor. Sartri mbetet pak i studiuar saktësisht në letërsi. Le të rilexojmë romanin e tij të parë La Nausée (Neveria) – 1938, përmbledhjen e tregimeve Le Mur (Muri) – 1939, si dhe trilogjinë e tij padrejtësisht të anashkaluar dhe të nënvlerësuar Les Chemins de la Liberté (Rrugët e Lirisë) – 1945-1949.

Është vepër e pasur. E larmishme stilistikisht dhe narrativisht. Vepër që “flet” për të gjithë, duke e përshkuar përgjithmonë aftësimin intelektual dhe personal: shenjë e veprave të mëdha.

Teatri i tij? Divers, gjithashtu edhe shpikës dhe …aktual. Përveç Huis clos (Me dyer të mbyllura) -1944, Les Mains sales (Duar të ndyra) – 1948, shfaqjet e tij më të njohura dhe më të aktruara sot : fuqia e denoncimit me Nekrassov (Nekrasov) -1955 dhe Séquestrés d’Altona (Të dënuarit e Altonës) -1959, mbeten të paprekura: e para me mistifikimin e informacionit dhe rekrutimit, si dhe e dyta, me qëllimin dhe mjetet në periudhat e dhunshme të historisë.

Më në fund, natyrisht, ekzistojnë tekstet e tij politike. Aty ku dhemb: Sartri shqetëson akoma sepse ai ishte “në situatë”. Ai e deklaroi këtë në Les Temps modernes më 1945: “Shkrimtari është në një situatë në kohën e tij: çdo fjalë ka jehonat e saj. Si çdo heshtje po ashtu. Unë i mbaj përgjegjës Flaubert dhe Goncourt për shtypjen që pasoi me (lëvizjen kryengritëse të) La Commune, sepse ata nuk e shkruajtën një rresht për ta parandaluar atë. U tha se nuk ishte çështje e tyre. Por a ishte gjykimi i Calas një çështje e Voltair-it? A ishte dënimi i Dreyfus-it çështje për Zola? A ishte administrimi i Kongos çështje e Gide? Secili nga këta autorë, në një rrethanë të veçantë të jetës së tyre, përballeshin me përgjegjësinë e tyre si shkrimtar.

Lufta do të jetë shkasi i angazhimit të Sartrit. I mobilizuar në shtator 1939 dhe i burgosur në qershor 1940, ai u transferua në një kamp në Trier. Atje, ai njeh shoqërinë, vëllazërinë. Sartre e bëri skenarin dhe regjinë e një shfaqje për krishtlindje, Bariona ose Fils du tonnere (Biri i gjëmimit).

I liruar në mars 1941 duke u paraqitur si civil, Sartre u kthy në Paris. Edhe më i vendosur për të vepruar. Ai e themeloi me Maurice Merleau-Ponty grupin jetëshkurtër « Socialisme et liberté » (Socializëm dhe liri), me dëshirën për ta organizuar një lëvizje të rezistencës, duke shkuar për ta parë André Gide dhe André Malraux në zonën e lirë.

Shfaqja e tij Les Mouches (Mizat) mbart një frymë rezistence në Parisin e pushtuar. Më 1943-1944, ai bashkëpunoi me Les Lettres Françaises (Letrat franceze), organi i Komitetit Kombëtar të Shkrimtarëve, të themeluar në ilegalitet nga Jacques Decour dhe Jean Paulhan.

Por kjo do të jetë e tëra…Sartre nuk ishte as Georges Politzer, as Claude Bourdet. Para Luftës së Dytë Botërore, ajo që bie në sy ishte mungesa e ndonjë horizonti politik.

Pavarësisht ç’thoshte Simone de Beauvoir dhe pavarësisht tregimeve në « Le Mur » (Muri), Sartre mbeti larg zhvillimeve që ndodhin në Spanjë. Kjo distancë politike midis dy luftërave do ta shpie gjatë gjithë jetës së tij të rrugëtoj përkrah fantazmës së Nizanit, mikut të tij të fëmijërisë i cili vetë u angazhua plotësisht në fund të viteve 1920.

Kur e lexon letërkëmbimin e tij me Beauvoir, “Castor” (Kastor), mahnitëse është të vërehet një përmendje të parë politike, vetëm se në korrik 1938, dy muaj para Mynihut. Edhe pse ata nuk kuptojnë shumë nga Fronti Popullor.

Anti-kolonializmi

Sartre i bashkohet komitetit drejtues të ‘Rassemblement démocratique révolutionnaire’ (Bashkimit Demokratik Revolucionar) – RDR, në shkurt 1948, projekti i së cilit ishte hartuar paraprakisht nga gazetarë dhe intelektualë të së majtës dhe së majtë ekstreme, duke përfshirë David Rousset.

RDR do të shuhet me largimin e Sartrit (tetor 1949). Ky ishte angazhimi i vetëm i Sartre në një parti politike. Nga mesi i vitit 1952 deri në fund të vitit 1956, ai bashkudhëtoi me Partinë Komuniste Franceze (PCF), i motivuar kryesisht nga shtypja policore dhe gjyqësore kundër saj, edhe pse kjo parti e kishte sulmuar atë mjaft ashpër deri atëherë.

Madje kryetari i Unionit të Shkrimtarëve Sovjetikë e quajti atë në vitin 1948 një “hijenë daktilografe”. Sartre do të shkëputet përgjatë shtypjes së kryengritjes hungareze në nëntor 1956 nga ana e Moskës.

Si në secilin rast, frymëzimi i tij gazetaresk plotësohej nga temat dhe leksiku i shokëve që ai zgjodhi. Të tilla si tekstet e tij të botuara në France-U.R.S.S. më 1955, të cilët nuk është për t’ia pasur zili frazeologjia e komunistëve ortodoksë.

Sidoqoftë, artikujt sartrianë të kësaj periudhe japin një reflektim gjithmonë aktual mbi mistifikimin e liderëve dhe shtypit: “Të gjithë lexuesit tanë e dinë që ne e konsiderojmë politikën e qeverisë si të dëmshme dhe përbuzëse ndaj njerëzve burrave që e frymëzojnë atë: por detyra jonë është ta shpërfaqim atë pa pushim. Vetëm duke shpërfaqur, ne mund të shpresojmë të shërbejmë. Ne do të vazhdojmë: nëse është e ndaluar ta quajmë Bidault një kriminel, ne do të themi se ai është një fajtor i madh; nëse na është mohuar e drejta të flasim për gjakun në duart e tij, ne do të flasim për leskërat që ka në sytë e tij.Është thjesht çështje terminologjie.

Muajt e fundit të bashkërrugëtimit me PCF mbivendosen me angazhimin e Sartre kundër luftës në Algjeri. Kjo ishte beteja e tij e madhe [1]. Dhe kjo është çështja që disa njerëz nuk ia falin ende: anti-kolonializmin e tij të bindur, pamëshirshmërinë e diskursit të tij duke i vendosur francezët para përgjegjësive së tyre historike, intelektuale dhe morale:“Dëlirësi e rreme, shmangie, dredhi, vetmi, nemitje, bashkëfajësi e mohuar dhe, të gjithë së bashku, e pranuar. Kjo është ajo që ne e quajtëm, më 1945, përgjegjësi kolektive. Populli gjerman në atë kohë nuk duhej të pretendonte se kishte injoruar kampet. “Aiii! thoshim ne. Ata dinin gjithçka!” Kishim të drejtë, ata dinin gjithçka dhe vetëm sot mund ta kuptojmë: sepse edhe ne dimë gjithçka. (…) A guxojmë t’i dënojmë ende? A guxojmë të shfajësohemi ende?

Disa, shpesh të njëjtët, nuk e mirëpresin miqësinë e Sartre me psikiatrin dhe eseistin martinikez, Frantz Fanon, atëherë pothuajse i izoluar. Sartre e shkroi parathënien e veprës së Fanon : Les Damnés de la terre  (Të mallkuarit e botës) më 1961, një ese kyç për botën e tretë.

Një parathënie ku ai poshtëron gënjeshtrën e një kombi mendjemadh që është vetëm hija e vetvetes: “Ç’dërdëllisje: liri, barazi, vëllazëri, dashuri, nderë, atdhe, e çka tjetër ? Kjo nuk na pengoi të zhvillonim njëkohësisht fjalime raciste, zezakë të ndyrë, çifut të ndyrë, miush të ndyrë”. 

Radikalizmi dhe përmbysja e Sartrit matet nga masa e urrejtjes që ai frymëzon tek pronarët e dyqaneve letrare dhe gazetareske. Nuk shfrenohen aq ndaj Céline, që shpëton nga kritika me pretekstin e stilit të tij.

Se përpos që paska qenë antisemit, Sarte paska bërë gabimin e pafalshëm të solidarizohet me ata që revoltoheshin kundër shtypësit francez.

Shpifjet ecin mirë. Një prej këtyre shpatarëve të oborrit nuk kursehet nga marrëzia duke e akuzuar Sartrin për “tentim vrasje të Camus”. E tërë kjo natyrisht nën sfondin e luftës së Algjerisë, ku trumbetohet për filozofin [Camus]që nuk gaboi kurrë”.

Në emër të kompleksitetit të situatës së tij personale, justifikohet pozicioni i gabuar i autorit të L’étranger (I huaji) në lidhje me sfidat e momentit historik.  Përbuzet lufta e tij e guximshme dhe e rrezikshme: shtëpia e Sartre u bë shënjestër e një atentati nga e djathta e ekstreme.

Dhe mediat do ta shfrytëzojë mundësinë për t’u tallur me Sartre në Billancourt, për kohën e bashkërrugëtimit të tij me maoistët e së majtës proletare më vitin 1970.

Disa muaj më parë, në të përditshmen Le Figaro, Jacques Julliard, anëtar i Akademisë Franceze, mishërues shembullor i intelektualit zyrtar, institucional dhe konsensual, jep verdiktin e tij për Sartre : “Romancier i dobët, dramaturg i pashfaqëm, filozof fjalëshumë por pa origjinalitet, një libertarian që lavdëroi të gjitha diktaturat, një shpirt i madh që justifikoi të gjitha masakrat, me kusht që promovojnë socializmin (…). Ai ishte një mashtrues me mirëbesim që kujdesej për ashpërsinë e tij, nganjëherë tërbimin e tij për regjimet liberale dhe që bëri shfaqjen e ndërgjegjes së keqe të shkrimtarit alibinë e rehatisë së tij intelektuale. Kjo është fusha e vetme ku prodhoi dishepuj deri më sot”.

Për ta bërë “mbrojtjen politike të Sartrit“, më e mira është të merret parasysh vepra e tij në situatë, duke i matur gabimet, tepritë, dobësitë e tij, si dhe madhështinë, kompetencën dhe aktualitetin. Aktualitetin ? Nëse ky model i intelektualit të angazhuar është i demoduar sot, nuk ka asnjë arsye për të qenë i lumtur për këtë.

Në vitin 1983, tre vjet pas vdekjes së Sartrit, Pierre Bourdieu shpjegoi se: “kushtet konjunkturale, por edhe ato strukturore, të cilat (…) bënë të mundur [intelektualin par excellence], sot janë specie në zhdukje e sipër: presionet e burokracisë së Shtetit dhe joshjet e shtypit dhe tregut tëtë mirave kulturore, të cilat kombinohen për ta zvogëluar autonominë e fushës intelektuale dhe institucionet e veta të riprodhimit dhe të shugurimit kërcënojnë atë që ishte më e rallë dhe më e çmuar në modelin sartrian të intelektualit dhe më me të vërtetë antitetik ndaj disponimeve “borgjeze”: mohimi i pushteteve dhe privilegjeve mondane (ndoshta edhe të çmimit Nobel) dhe pohimi i pushtetit dhe të privilegjit të mirëfilltë intelektual për t’i thënë jo të gjitha pushteteve të përkohshëm [2].”

Mohimi i Sartrit të cilin po e përjetojmë është e kundërta logjike e medaljes. Si ndërgjegje e keqe e intelektualëve të oborrit dhe ekranit, mohimi i tillë është ai që na kujton se një intelektual bëhet vërtetë i denjë me mendimin, punimet, veprat, vendosmërinë e tij dhe jo me paraqitjet e tij në media dhe me miqtë e tij të fuqishëm.

Për praktikuesit e mendimit të gatshëm që përsërisin se kanë ndryshuar kohërat, që betejat dhe kërkesat janë të pranueshme vetëm brenda kufijve të ngushtë, ne mund t’i kundërshtojmë me faktin se asnjë ndryshim për të mirën e përbashkët nuk ka filluar duke pëshpëritur: “po”, por duke ngritur zërin :”jo”.

Në fillimin e luftës, gjithmonë ka mohim. Këtë e dinë intelektualët dhe gazetarët që e kundërshtojnë Sartrin, ndryshe nga ato që supozojnë diskurset e tyre. Shtrembërimi dhe ngulfimi me turp të fjalës sartriane është të kufizosh lirinë tonë për ta kundërshtuar kapjen e autoriteteve dhe pushteteve. Është të bësh të besosh se të gjitha fjalët vlejnë njësoj dhe ndihmojnë në degradimin e tyre, edhe pse përgjegjësia e intelektualit është ndonjëherë t’i përdorë ato, sipas fjalëve të vetë Sartrit, si një “pushkë e mbushur”.


[1] Lexo « Jean-Paul Sartre et la guerre d’Algérie », Le Monde diplomatique, nëntor 2004.

[2] Pierre Bourdieu, « Sartre, l’invention de l’intellectuel total », art. cit.