Një Škoda Octavia ndalon. Kur z.Péter Magyar del prej saj, një teknik i rregullon mikrofonin në jakë dhe i jep dritën e gjelbër për një transmetim të drejtpërdrejtë njëorësh në Facebook Live, të tretin e ditës. Politikani, i cili synon t’ia rrëmbejë postin kryeministrit z.Viktor Orbán në zgjedhjet parlamentare të 12 prillit, fillon prezantimin e tij. Përpara një fëmije që mban në dorë një flamur hungarez dhe një grupi kalimtarësh, ai përshëndet grupin e vogël mikpritës që shpërndan magnete dhe revistën e partisë Tisza (Respekt dhe Liri, qendër e djathtë). Brenda shtëpisë së kulturës, dyqind vetë kanë zënë vend për të parë njeriun që pretendon të çlirojë vendin nga “Sulltani i vogël dhe sistemi i tij i kriminalitetit kombëtar”.
Isaszeg, një qytezë me njëmbëdhjetë mijë banorë, e vendosur rreth tridhjetë kilometra në lindje të Budapestit, është një nga ndalesat e fundit të këtij “Turneu të Hungarisë në Tetëdhjetë Ditë”, i cili do të kulmojë dy ditë më vonë në kryeqytet. “Kemi shkuar në çdo cep të vendit, në fshatrat më të largëta, aty ku Orbán dhe asnjë politikan tjetër nuk kanë shkuar kurrë, për t’i pyetur njerëzit se çfarë nuk shkon, për vuajtjet e tyre, çfarë u nevojitet dhe si mund t’i ndihmojmë. (…) Dhe kam lajme të këqija për Vezirin e Madh: fshati po i thotë se koha e tij ka mbaruar!”, deklaron avokati dyzetekatërvjeçar, i cili u nda nga Fidesz, partia nacionaliste-konservatore në pushtet, në fillim të vitit 2024, pas shkarkimit të Ministres së Drejtësisë, ish-bashkëshortes së tij Judit Varga.
Zgjedhjet po zhvillohen larg kryeqytetit. Nga një popullsi prej 9.5 milionë banorësh, një e treta jeton në njërën nga 2886 komunat me më pak se 5000 banorë, zonat më të prekura nga deindustrializimi i viteve 1990, zhdukja e kooperativave dhe rënia e shërbimeve publike. “Rajonet rurale të vendeve të ish-bllokut sovjetik janë padyshim humbësit më të mëdhenj të transformimit të madh ekonomik dhe politik të sjellë nga ndryshimi i regjimit”, vuri në dukje gjeografi Bálint Csatári i Universitetit të Szeged-it. Erozioni i shërbimeve publike dhe i bizneseve lokale është përshpejtuar nga pandemia Covid-19 dhe rritja e çmimeve të energjisë dhe e kostos së jetesës. Qasja në kujdesin shëndetësor është përkeqësuar vitet e fundit; numri i ordinancave të mjekësisë së përgjithshme me vende të lira pune është trefishuar midis viteve 2016 dhe 2024, sipas Zyrës Qendrore të Statistikave (KSH). Sipas të njëjtit burim, numri i bisztró-ve (bizneseve lokale) pothuajse u përgjysmua midis viteve 2010 dhe 2023. Në verën e vitit 2024, Magyar Posta (shërbimi postar hungarez) njoftoi mbylljen e më shumë se 2300 zyrave postare. Eksodi i të rinjve, mungesa e mjekëve dhe e vendeve të qëndrueshme të punës kanë zgjeruar hendekun midis kryeqytetit dhe pjesës tjetër të vendit.
Rrjete të fuqishme klienteliste
Ndërsa partia Tisza u shfaq vetëm në pranverën e vitit 2024, institutet kryesore të sondazheve e kanë vendosur vazhdimisht në krye për disa muaj, përpara Fidesz-it. Nga oportunizmi, shumë votues të krahut të majtë ose liberal po mbështesin kandidaturën e z.Magyar, pasi duket sikur vetëm ai mund ta mposhtë z.Orbán. Znj.Zsuzsa Veress e mbështet atë nga bindja: “Unë jam një ‘intelektuale’ e krahut të majtë nga Budapesti, por nuk i përkas atij mjedisi snob që nuk interesohet fare për varfërinë, dhe e kuptoj shumë mirë pse njerëzit në fshat mbështesin Péter Magyar”, pohon ajo. “Intelektualët liberalë hungarezë janë shumë krenarë, por ndryshimi i regjimit do të vijë nga masat rurale që ata i përçmojnë, jo nga vetë ata”.
Partia Socialiste (MSZP), trashëgimtare e Partisë Socialiste të Punëtorëve Hungarezë – partia e vetme që qeverisi nga viti 1956 deri në vitin 1989 – është e margjinalizuar, me rreth 2% në sondazhe. Ajo po paguan çmimin e politikave neoliberale që zbatoi gjatë qeverisjes së saj nga viti 1994 deri në vitin 1998 dhe në koalicion me liberalët nga viti 2002 deri në vitin 2010. Rënia e saj ia ka lënë fushën të hapur partive të krahut të djathtë. Për një kohë, partia e ekstremit të djathtë Jobbik (“Konservatore”) lulëzoi mbi rrënojat e saj në ish-bastionet industriale, përpara se të përthithej gradualisht nga Fidesz.
Pas rikthimit në pushtet në vitin 2010, Viktor Orbán e shfrytëzoi menjëherë këtë boshllëk politik. Edhe pse i lindur dhe i rritur në Székesfehérvár, një qytet me 100.000 banorë rreth një orë larg Budapestit, kryeministri e paraqiti veten si një djalë fshati. Ai kërkoi të ringjallte ndarjen e vjetër midis “népiek” dhe “urbánusok”, domethënë midis fshatarëve tradicionalistë dhe banorëve kozmopolitë të qytetit. “Ajri i qytetit të bën të lirë, por ajri i fshatit të bën hungarez”, deklaronte ai, për shembull, në përurimin e një segmenti autostrade prillin e kaluar. Z.Orbán i ka përqendruar vazhdimisht përpjekjet e tij në “një botë të fortë rurale, sepse pa të nuk do të kishte Hungari të fortë”. “Fshati nuk është e kaluara, por e ardhmja dhe viti 2025 do të jetë viti i fshatrave”, thoshte ai pranverën e kaluar, pasi nisi një fazë të re të “Programit të Fshatit Hungarez”.
Ky plan i paraqitur si politikë e ribalancimit territorial dhe i zbatuar që nga viti 2019, financon rinovimin e rrugëve, bashkive, shkollave dhe kishave, si dhe mirëmbajtjen e dyqaneve të vogla dhe kafeneve të fshatit. Sipas kryeministrit, “Pothuajse mund të themi se sot mund të jetohet në një fshat hungarez me të njëjtën cilësi jetese si në kryeqytet”. Një ligj i miratuar paralelisht i detyron gjithashtu bizneset të pranojnë para në dorë nga pensionet që pensionistët tërheqin çdo muaj nga posta.
Ky program, megjithatë, ka edhe një funksion tjetër, më pak të dukshëm, por po aq të rëndësishëm: rindërtimin e një identiteti të përbashkët rural. “Përmes financimit publik të festivaleve të fshatrave, shteti ka mbështetur ngjarje në të gjithë vendin që forcojnë terrenin e Fidesz-it”, thekson sociologu Imre Kovách. “Jo sepse ato janë tubime partiake apo propagandë politike, por sepse kontribuojnë në ndërtimin e një politike lokale kulturore dhe identitare të përqendruar në rikrijimin e botës rurale”. Pas pandemisë, shteti njoftoi se do të ndante tre miliardë forinta (afërsisht 8 milionë euro) për të financuar këto “ditë fshatare”.
Falë këtyre mekanizmave, Fidesz u vendos si parti e zonave rurale dhe mbajti pothuajse monopol jashtë qyteteve të mëdha, me mbështetje elektorale në përpjesëtim të zhdrejtë me madhësinë e komunës. Ajo dominon nëntëmbëdhjetë departamentet (comitat) e vendit. Kjo parti, e themeluar nga një grup studentësh në Budapest në vitin 1988, sot paraqitet si mishërimi i Hungarisë borgjeze, të krishterë dhe provinciale, por nuk mungon plotësisht në qytetet kryesore. Vetëm Budapesti dhe qendrat universitare të Pécs-it dhe Szeged-it i shpëtuan dominimit të saj në zgjedhjet parlamentare të vitit 2022.
Deri më tani, përpjekjet e pakta të opozitës për të depërtuar në rrjetet e pushtetit lokal kanë dështuar. Sipas Kovách-it, do të duhej të krijoheshin lidhje me elitën lokale, figurat e njohura, sipërmarrësit, priftërinjtë ose mësuesit.
Rrënjët e saj lokale i mundësuan Fidesz-it të krijojë rrjete të fuqishme klienteliste në zonat periferike të varfra, falë një sistemi të centralizuar tenderimi të prirur për të kanalizuar fondet publike hungareze dhe evropiane drejt zyrtarëve të zgjedhur dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë, si dhe falë një programi punësimi qytetar që kushtëzonte qasjen në ndihmën sociale dhe favorizonte komunat që përmbushnin rregullat, koncesionet e tokës bujqësore, dyqanet e duhanit e kështu me radhë. Ngrirja e rreth njëzet miliardë eurove fonde nga Komisioni Evropian, si rezultat i një procedure të nisur në vitin 2022 pas sulmeve të përsëritura ndaj sundimit të ligjit, dhe ulja e ndjeshme e numrit të vendeve të punës qytetare, po dobësojnë tani aftësinë e qeverisë për të mbështetur këto rrjete.
Pikërisht në këtë zbrazëti po hyn z.Magyar me partinë e tij Tisza. “Krahasuar me partitë e opozitës që u përpoqën të sfidonin regjimin në vitet 2018 dhe 2022, Tisza përfiton nga një prani shumë më e fortë dhe një organizim lokal më i zhvilluar në komunitetet rurale”, vëren gjeografi Dániel Kovarek. Duke u përqendruar në një rrjet të dendur territorial dhe jo në një vijë ideologjike të përcaktuar qartë, lëvizja kërkon të fitojë mbështetje rreth një slogani të thjeshtë – “As majtas as djathtas, thjesht Magyar” – duke luajtur me mbiemrin e udhëheqësit të saj (që do të thotë “hungarez”). Në një peizazh politik kombëtar të polarizuar për më shumë se pesëmbëdhjetë vjet, kjo parti përpiqet të mbajë një qëndrim neutral midis konservatorizmit kombëtar të partisë në pushtet dhe liberalizmit të opozitës. “Natyra ideologjikisht heterogjene e partisë bën që Tisza të qëndrojë larg çështjeve progresive kontroverse, si të drejtat LGBTQ ose ndihma ushtarake për Ukrainën”, shton Kovarek. Udhëheqësi i opozitës po përfiton gjithashtu nga zbulimet për keqtrajtime në institucionet publike për të miturit, gjë që bëri që më shumë se 50.000 protestues të kërkonin dorëheqjen e kryeministrit në mesin e dhjetorit.
Përballë një kryeministri të angazhuar me çështje ndërkombëtare, Péter Magyar udhëton pa u lodhur nëpër vend. Një turne promovues e ka çuar atë në çdo cep të vendit, nga Tiszabábolna me 277 banorë deri në Debrecen, bastion i Fidesz-it me 200.000 banorë, në këmbë deri në Rumani, me biçikletë përgjatë brigjeve të Liqenit Balaton, mbi kalë në Alföld (Rrafshina e Madhe) dhe me kanoe në lumin Tisza. Duke denoncuar në çdo ndalesë gjendjen e rrënuar të spitaleve dhe shkollave, si dhe pasurimin e klanit në pushtet, z.Magyar premton një program për rehabilitimin e shtëpive të zbrazëta, reformën e tokës në dobi të fermerëve të rinj dhe krijimin e një Ministrie të Zhvillimit Rural. Ai dëshiron të shpërbëjë “shtetin Fidesz”, të mbrojë neutralitetin e medias publike dhe të garantojë konkurrencë të drejtë politike. Diskursi i tij shoqëror i përqendruar te të margjinalizuarit, përfshin një seri propozimesh për rinovime me efikasitet energjetik dhe ndërtimin e banesave sociale. Në skenën ndërkombëtare, ai synon të distancohet më shumë nga Rusia duke ndjekur qëndrimin e Partisë Popullore Evropiane (EPP, qendra e djathtë), së cilës i është bashkuar.
« T’i njohësh të gjithë votuesit me emër »
Tre muaj pas krijimit të saj në fillim të pranverës së vitit 2024, partia Tisza u rendit e dyta në zgjedhjet evropiane (29.6%) dhe shkaktoi surprizë në zgjedhjet e Budapestit, duke fituar dhjetë nga tridhjetë e tre vende, baraz me Fidesz-in. Ajo krenohet me një rrjet prej 25.000 vullnetarësh të shpërndarë në më shumë se dyqind njësi lokale, “ishujt Tisza”, të cilët në tregje dhe kuti postare shpërndajnë traktet dhe revistën e partisë. I shoqëruar nga një grusht aktivistësh rreth një stende të vogël, Kristóf Vadnai u vendos pranë stacionit të vogël të trenit në Veröce, një qytet me katër mijë banorë. “Fidesz nuk është i pranishëm këtu dhe ka shumë pak prani në fshatra”, thotë studenti njëzetetre vjeçar i fakultetit të edukimit fizik dhe sportit. “Ata përdorin mediat e tyre të propagandës për të depërtuar te njerëzit; kanë TV, radio dhe gazeta”. “Shkoni në shtëpi”, thotë një burrë në të pesëdhjetat, ndërsa ecën mes tezgave me rroba të dorës së dytë dhe arkave me kunguj. “Mbështetësit e Fidesz-it nuk duan të debatojnë. E tëra çfarë dinë të bëjnë është të përhapin propagandën, negativitetin dhe urrejtjen që u është ngulitur në kokë gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit”, thotë me keqardhje z.Vadnai.
Në kundërpërgjigje i bindur se mund ta ruante avantazhin ndaj rivalit “në jetën reale, në bare dhe tregje”, Fidesz investoi shumë në hapësirën online dhe ndërtoi një ushtri “luftëtarësh dixhitalë”. Duke iu drejtuar 1500 aktivistëve të mbledhur në Zánka, në brigjet e Liqenit Balaton, më 20 tetor, Viktor Orbán theksoi rëndësinë e terrenit: “Është e pamundur të fitosh zgjedhje pa i njohur të gjithë votuesit me emër (…). Aktivistët do të duhet të trokasin në dyert e tyre të paktën dy ose tre herë para zgjedhjeve, t’i kontaktojnë pa ndërprerje dhe t’i bindin me të gjitha mjetet që të shkojnë të votojnë”.
Disa ditë më vonë, të dyja palët demonstruan forcën në rrugët e kryeqytetit gjatë “Festës së Revolucionit”, që përkujton kryengritjen antisovjetike të vitit 1956. Më 23 tetor, gati 200.000 mbështetës të z.Magyar vërshuan në Andrássy Avenue përpara se të mblidheshin në Sheshin e Heronjve në Budapest. Përballë tyre, mbështetësit e Fidesz-it, afërsisht dy herë më pak në numër, u mblodhën para Parlamentit, duke valëvitur emrat e qyteteve dhe fshatrave nga i gjithë vendi dhe nga Transilvania rumune, sipas një tradite të gjatë të krahut të djathtë. Disa prej tyre u transportuan falas me autobus, së bashku me kuponë dhuratë nga rrjeti i supermarketeve CBA.
“Péter Magyar po përpiqet t’i mobilizojë zonat rurale, fshatrat dhe qytetet e vogla. Dhe po ia del shumë mirë. Mendoj se është një strategji e mirë, sepse në mendjen e tij, Budapesti është tashmë i fituar”, thotë Gábor Demszky, ish-kryetar liberal i bashkisë së kryeqytetit nga viti 1990 deri në vitin 2010. “Në fakt, kjo është shumë e thjeshtë: kush fiton zonat rurale, fiton vendin.”
Sapo përfundoi turin e tij në Hungari dhe pas kësaj ndalese të shkurtër në Budapest, z.Magyar njoftoi se do të kthehej sërish në terren për të bërë fushatë, me mbështetësit e tij, në të 3155 komunat e vendit.

