T’ia shtrijë dorën kundërshtarëve të tij politikë ose të vazhdojë t’i përndjekë ata. Kjo është dilema me të cilën përballet z.Recep Tayyip Erdogan. Gjatë muajve të fundit ka qenë opsioni i dytë. Me arrestimin, më 19 mars, të z.Ekrem İmamoğlu, anëtar i Partisë Republikane Popullore (CHP) dhe kryetar shumë i popullarizuar i Stambollit. I ndjekur penalisht për « korrupsion, krijim dhe drejtim të një organizate kriminale », por edhe për « shpërdorim të fondeve publike », atij tashmë i ishte anuluar nga drejtësia diploma universitare e fituar tridhjetë vjet më parë. Një sanksion i cili duke marrë parasysh rregullat e përcaktuara nga Kushtetuta ia ndaloi kandidimin në zgjedhjet presidenciale të majit 2023. Burgosja e tij shkaktoi protesta të ashpra, të shtypura me dhunë në të katër anët e vendit, si në qytetet e mëdha të drejtuara nga CHP-ja, ashtu edhe në qendrat urbane që tradicionalisht janë pro Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP), formacioni i z.Erdogan.
Por kreu i shtetit turk ka gjithashtu në mendje afatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2028 dhe pengesën vendimtare që qëndron në rrugën e rizgjedhjes së tij, gjë që mund ta detyrojë të frenojë prirjet e tij autoritare. Në fakt, Kushtetuta lejon vetëm dy mandate të njëpasnjëshme presidenciale. I zgjedhur me votim të drejtpërdrejtë popullor (për herë të parë në Turqi) në vitin 2014, e më pas i rizgjedhur në vitin 2018, z.Erdogan arriti që duke dhënë dorëheqjen gjatë mandatit të fitonte sërish në vitin 2023. Që ai të mund të kandidojë përsëri, do të duhej që ligji themelor të ndryshohej me votim në parlament, në Kuvendin e Madh Kombëtar të Turqisë.
Një zgjidhje e parë do të ishte sigurimi i pëlqimit të tre të pestave të Kuvendit, pra treqind e gjashtëdhjetë deputetëve. Mirëpo, gjatë zgjedhjeve legjislative të vitit 2023 (të mbajtura njëkohësisht me ato presidenciale), AKP-ja pësoi rënie, duke marrë vetëm dyqind e gjashtëdhjetë e shtatë vende nga gjashtëqind që përbëjnë parlamentin, ndërsa aleati i saj i ekstremit të djathtë, Partia e Veprimit Nacionalist (MHP), mori vetëm pesëdhjetë. Totali është pra i pamjaftueshëm për të arritur pragun prej treqind e gjashtëdhjetë votash. Për më tepër, në një rast të tillë, referendumi për ratifikim është i detyrueshëm. Me një inflacion dyshifror (33,52 % në korrik), me tri vite radhazi të zhvlerësimit të lirës (2022–2024) dhe me masa shtypëse të ashpra e shumë të kontestuara, organizimi i një konsultimi popullor do të ishte një operacion me rrezik të lartë.
Çfarë kundërshpërblimesh?
Opsioni tjetër për presidentin-kandidat, i cili do ta shpëtonte nga referendumi, do të ishte që katërqind deputetë (dy të tretat e Kuvendit) të ratifikonin ndryshimin kushtetues. Megjithatë, edhe sikur presidenti aktual të siguronte mbështetjen e kuotës së nevojshme të deputetëve, asgjë nuk garanton se ai do t’i fitonte zgjedhjet, madje edhe nëse z.İmamoğlu do të mbetej i burgosur në qelinë e sigurisë së lartë të Silivrit. Që në vitin 2023, kandidati i CHP-së për postin më të lartë, z.Kemal Kılıçdaroğlu, arriti të kapitalizonte gati 48% të votave, ndonëse mbetet larg karizmës së z. İmamoğlu. Për më tepër, partia ka në radhët e saj personalitete të tjera që mund ta vënë në vështirësi z.Erdogan, si z.Mansur Yavaş, kryetar i Ankarasë, që është rizgjedhur në vitin 2024 dhe me një popullaritet që i tejkalon kufijtë e kryeqytetit, apo edhe z.Özgür Özel, kryetari i CHP-së, i cili e dëshmoi efektivitetin e tij duke i mundësuar kampit të vet, gjatë zgjedhjeve komunale të vitit 2024, të fitonte jo vetëm në qytetet e mëdha, por edhe në disa bastione të AKP-së në rajonin e Detit të Zi dhe në Anadoll.
Paqartësia e krijuar nga këto projeksione zgjedhore të pafavorshme mund ta detyrojë presidentin të kërkojë mbështetjen e formacioneve të tjera. Brenda Kuvendit Kombëtar, Partia e Barazisë dhe Demokracisë së Popujve (Dem), e cila përfaqëson elektoratin progresist kurd si dhe ekologjistët e feministët, është aleate me dy parti të tjera të vogla të majta radikale dhe arrin gjithsej gjashtëdhjetë e katër deputetë. Me koston e disa koncesioneve që mbeten për t’u përcaktuar, z.Erdogan mund të përpiqej t’i afronte në propozimin e tij – një mbështetje e nevojshme, por ende e pamjaftueshme. Dhe edhe me pesë deputetët e Partisë së Re të Mirëqenies (YRP), me prirje islamo-nacionaliste, numri nuk do të plotësohej. Një mundësi tjetër : t’i drejtohej dyzet e katër deputetëve të Partisë İYİ, të themeluar nga disidentë të MHP-së dhe elementë të djathtë të CHP-së. Meqenëse themeluesja dhe udhëheqësja e saj, znj. Meral Akşener, ëndërron për një të ardhme presidenciale, ajo mund të jetë e prirur t’i jep miratim një ndryshimi që eventualisht mund të rezultonte i favorshëm për të në të ardhmen.
Por çfarë kundërshpërblimesh mund t’u ofrojë reis-i secilit prej atyre që po përpiqet të afrojë? Si të kënaqë njëkohësisht YRP-në, e cila predikon rivendosjen e kalifatit dhe rikthimin e sheriatit, dhe İYİ-në, një parti laike e rrënjosur në traditën kemaliste – një trashëgimi që islamo-konservatori Erdogan vazhdimisht e shkel me këmbë gjithnjë e më shumë? Dhe si t’i bindë kurdët të bashkëjetojnë në një aleancë elektorale me znj. Akşener, e cila si ministre e brendshme gjatë viteve 1990 kishte shtypur brutalisht serhildanet (kryengritjet) në rajonin kurd të Bakurit, duke nxitur shpërngulje të popullsisë, e duke zbrazur fshatra me forcë ushtarake dhe lejuar të lulëzonin ekzekutimet jashtëgjyqësore të militantëve dhe të anëtarëve të elitës intelektuale kurde?
Në realitet, z.Erdogan mund ta zgjidhë këtë ekuacion të ndërlikuar vetëm nëse pranon që seriozisht të rikthejë në debat zgjidhjen e “çështjes kurde”. Madje, ai duket se bëri një gjest në këtë drejtim në gusht 2024, në një fjalim të mbajtur në Ahlat, me rastin e përvjetorit të fitores së turqve seldjukë, të aleatuar me fise kurde e arabe, kundër trupave bizantine në vitin 1071: « Do të bashkohemi nën hijen e gjysmëhënës, pa dallim midis turqve, kurdëve, arabëve, sunitëve dhe alevitëve ». Pas kësaj deklarate, më 1 tetor, në korridoret e Kuvendit Kombëtar u panë shtrëngime duarsh të dukshme midis z.Devlet Bahçeli, liderit të MHP-së – një parti që deri atëherë kishte mbajtur një ostracizëm të dhunshëm antikurd – dhe disa deputetëve të Dem-it, përfshirë bashkëkryetarin e tij, z.Tuncer Bakırhan.
Megjithatë, që këto kthesa të jenë të besueshme, Ankaraja ka detyrimin të dëgjojë kërkesat e partisë progresiste: rikthimin e shtetit të së drejtës, hapjen e burgjeve dhe amnistinë për të burgosurit politik, lirimin e liderit historik të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), z.Abdullah Öcalan, heqjen e masës së arrestit për z.Selahattin Demirtaş dhe znj.Figen Yüksekdağ, ish-nënkryetarë të Partisë Demokratike të Popujve (HDP) – formacioni politik pararendës i Dem-it. Do të duhej gjithashtu që administratorët (kayyum) të emëruar nga Ministria e Brendshme në gjashtëmbëdhjetë komuna të fituara nga Dem-i të tërhiqeshin në favor të kryetarëve kurdë të zgjedhur rregullisht. Së fundi, njësoj si gjatë negociatave të ndërprera në vitin 2015 midis kryengritësve të PKK-së dhe Ankarasë, njohja e veçantisë kulturore dhe gjuhësore të kurdëve nuk mund të shpërfillet.
Tri javë pas përqafimeve “historike” të fillimit të tetorit, z.Bahçeli përsëriti gjestin, duke i shtrirë kësaj here dorën z.Öcalan: « Nëse shefi terrorist lirohet nga izolimi, le të vijë të flasë në parlament. Le të jehojë se terrorizmi ka marrë plotësisht fund dhe se është shpërbërë organizata e tij ». Pikërisht nga ishulli-burg i İmralës, ku mbahet i burgosur, Apo, siç e quajnë me përkëdheli mbështetësit e tij, ai kishte vendosur se kishte ardhur koha që një PKK i dobësuar nga ngulmimi i ushtrisë turke dhe i braktisur nga një popullsi e lodhur nga lufta të ndërmerrte një “ndryshim të madh paradigme” dhe të rindërtonte me durim “lidhjen vëllazërore” të thyer mes turqve dhe kurdëve. Më 27 shkurt duke iu përgjigjur thirrjes së kreut të MHP-së, ai i bëri thirrje partisë së tij, të cilën e kishte themeluar në vitin 1978, që të shpërndahej dhe të dorëzonte armët.
Më 5, 6 dhe 7 maj, gjatë një kongresi të mbajtur në mungesë të tij, pasi ai ende nuk është i lirë të lëvizë, PKK-ja ratifikoi këtë kthesë radikale, meqë luftëtarët “konsideruan se kishin arritur ta sillnin çështjen kurde në plan të parë politik, kombëtar dhe ndërkombëtar, dhe se kishin bërë që lufta për të drejtat politike dhe kulturore të kurdëve të bëhej një betejë që tani e tutje do të ishte e mundur të zgjidhej nëpërmjet rrugëve demokratike”.
Në komunikatën e tij, lideri historik nuk formulonte asnjë kusht. Por nuk ndodh e njëjta gjë me drejtimin e partisë së tij, e cila kërkon lirimin e tij ose, të paktën, vendosjen e tij në liri të kushtëzuar, si dhe krijimin e një kuadri ligjor për të shoqëruar procesin e paqes, me garancitë juridike që kjo nënkupton për të ardhmen e guerilasve. Organizata kërkon kështu që asnjëri prej tyre të mos shpallet i padëshiruar dhe që të gjithë të përfitojnë nga një amnisti e plotë.
Frymë pajtimi
Më 2 qershor, kryetari i Kuvendit Kombëtar, z.Numan Kurtulmuş dhe dy bashkëkryetarët e Dem-it, znj.Tülay Hatimoğulları dhe z.Bakırhan, mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp. Me këtë rast, z.Kurtulmuş theksoi domosdoshmërinë e një angazhimi kolektiv të forcave politike: « Falë deklaratave të fundit që vijnë nga İmralı dhe vendimit për çarmatimin e organizatës, ne jemi në një pikë ku debatet mund të zhvillohen tashmë brenda Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, zemra e vullnetit kombëtar. Kjo është një mundësi historike ». Për t’i dhënë trup këtij frymëzimi pajtimi, më 5 gusht u krijua një Komision parlamentar për solidaritetin kombëtar, vëllazërinë dhe demokracinë, me qëllim « forcimin e paqes ».
Pazëlli politik që z.Erdogan po vendos gradualisht në Turqi ka gjithashtu pasoja mbi Sirinë fqinje. Ndërsa në fillim të vitit bombardimet ajrore turke shënjestronin ende infrastrukturën civile dhe ushtarake të Administratës Autonome të veriut dhe lindjes së Sirisë (AANES), të kontrolluar nga Forcat Demokratike Siriane (FDS) kryesisht kurde, thirrja për pajtim e z.Öcalan e çoi Ankaranë që t’i jepte fund këtij veprimi. Vetëm dronët vazhdojnë të patrullojnë në qiellin e rajonit. Duke marrë në konsideratë këtë situatë të re, z.Mazloum Abdi, komandanti i përgjithshëm i FDS-së, i nxitur fuqimisht nga z.Thomas Joseph Barrack, i dërguari special i administratës Trump për Sirinë, nënshkroi në mars me qeverinë e re të Damaskut një protokoll që integron organizatën politiko-ushtarake në procesin e rindërtimit të vendit.
Megjithatë, jo gjithçka është zgjidhur, pasi FDS-ja synon të mbetet një strukturë e unifikuar dhe refuzon të integrohet individualisht në kontingjentet siriane. Sa i përket shpërbërjes së Njësive për Mbrojtjen e Grave (YPJ), roli i të cilave ishte vendimtar në luftën kundër Organizatës së Shtetit Islamik (OEI), ajo mbetet e paimagjinueshme për kurdët. Për ta përmbyllur, edhe pse ka miratuar protokollin e nënshkruar me Damaskun, z.Erdogan vazhdon të kërkojë çarmatimin e FDS-së. Nga ana e tyre, këto të fundit, në mungesë të një armëpushimi të mirëfilltë me ushtrinë turke dhe duke marrë parasysh faktin që OEI, ndonëse e dobësuar pas disfatës së saj në vitin 2019, vazhdon sulmet në juglindje të Sirisë, refuzojnë ende ta bëjnë këtë.
Për presidentin turk, çështja kurde lidhet drejtpërdrejt me dy pengesat që komprometojnë rizgjedhjen e tij: qetësimin e marrëdhënieve me shtatëmbëdhjetë milionë kurdët e Turqisë përmes një rikthimi në demokraci dhe përfundimin e konfliktit që e kundërvë me kurdët e Sirisë, fqinjët e tij të menjëhershëm. Këto janë, pa dyshim, dy rrugët e vetme që i mbeten të hapura nëse synon të qëndrojë në pushtet.

