Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

“Operacioni Shpata”, ose shteti i thellë serb

I vlerësuar me një çmim special për aktrim në Kanë, “Operacioni Shpata” rrëfen, me një ton të pafrymë, vrasjen e kryeministrit serb Zoran Gjingjiq në mars të vitit 2003. Por ky rrëfim i trilluar paraqet një tezë të pamundur që i përshtatet pushtetit aktual.

Mars, 2026

Më 5 tetor 2000, rrëzimi i presidentit serb Slobodan Millosheviq i dha fund një dekade luftërash dhe sanksionesh që kishin izoluar Serbinë. Kur ai refuzoi të pranonte humbjen në zgjedhjet presidenciale, qindra mijëra protestues dolën në rrugë dhe sulmuan Parlamentin dhe Televizionin shtetëror. Ajo që do të hynte në histori si “Revolucioni i Buldozerit” solli në pushtet një opozitë të re, të mishëruar nga dy figura kryesore: presidenti nacionalist konservator Vojislav Koshtunica dhe kryeministri reformist pro-evropian Zoran Gjingjiq. A kishte marrë fund makthi? Entuziazmi për ndryshim u përplas shpejt me një luftë të ashpër për pushtet në majat e shtetit. Kriza politike arriti kulmin më 12 mars 2003 me vrasjen e Gjingjiqit, një ngjarje që çoi në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe në një operacion të gjerë policor – “Operacioni Shpata” (Sablja), që i jep edhe titullin serialit të bashkëprodhuar nga televizioni publik serb dhe të transmetuar në Arte.

I krijuar nga dy regjisorë të rinj serbë, Goran Stanković dhe Vladimir Tagić, ky thriller politik – vepra e parë fiktive që merret me periudhën pas vrasjes – rikrijon dhe ndriçon një nga momentet më të turbullta të historisë së fundit të Serbisë. Seriali përshkruan bashkëjetesën e tensionuar mes udhëheqësve të rinj dhe rolin e një “shteti të thellë” të trashëguar nga epoka e Millosheviqit: një rrjet i lidhur me qarqe kriminale dhe ende i pranishëm brenda shërbimeve të sigurisë.

Në fillim të serialit, Gjingjiq, ende jo kryeministër, takohet me Milorad Ulemekin, i njohur si “Legija”, komandantin e “Beretave të Kuqe”, një njësi speciale e ngarkuar me sigurinë e shtetit, operacionet kundër terrorizmit, mbrojtjen e personaliteteve dhe misionet më të ndjeshme. Sipas rrëfimit, ai i kishte premtuar Legijas se nuk do ta shpërbënte njësinë e tij pas rrëzimit të Millosheviqit, me kusht që ajo të mos ndërhynte kundër protestuesve. Por “Beretat e Kuqe” ishin një nga instrumentet më të forta të regjimit: të angazhuara në luftërat në ish-Jugosllavi dhe shpesh të lidhura me krimin e organizuar. Vetë Legija shfaqet i lidhur me klanin e fuqishëm të Zemunit, i implikuar në disa vrasje politike gjatë kohës së Millosheviqit. Gjingjiq, me sa duket, e nënvlerësoi fuqinë e tyre. Kur më në fund vendosi t’i sfidonte, ai u vra para selisë së qeverisë nga një anëtar i njësisë speciale, i urdhëruar nga Legija dhe i ndihmuar nga klani dhe bashkëpunëtorë të lidhur me shërbimet e sigurisë së brendshme.

Një tjetër gabim i Gjingjiqit ishte bindja se pas largimit të Millosheviqit do të pasonte një valë ndihme ndërkombëtare që do të qetësonte shoqërinë. Në vend të kësaj, ai u përball fillimisht me një ultimatum nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kërkonin dorëzimin e shpejtë të ish-udhëheqësit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë. Arrestimi dhe më pas ekstradimi i Millosheviqit në mars të vitit 2001 – një episod vendimtar që seriali e trajton vetëm në mënyrë të tërthortë – shkaktuan një përçarje të thellë politike. Gjingjiq e ndërmori këtë hap kundër dëshirës së Koshtunicës, i cili ishte i përkushtuar ndaj Kushtetutës, dhe kundër një pjese të opinionit publik që favorizonte një gjyq në Serbi. Arrestimi nuk do të kishte qenë i mundur pa Legijan dhe, sipas disa dëshmive, bashkëpunëtorët e tij në bandën e Zemunit. Në gjyqin për vrasjen e kryeministrit, të pandehurit nga njësia speciale pretenduan se kishin vepruar nga frika se mund të ishin të radhës në listën e ekstradimit. “Presioni që ushtruam për të siguruar ekstradimet në Hagë, i kombinuar me fuqinë e klaneve mafioze, vulosi fatin e tij”, pranon sot William Montgomery, ish-ambasadori i SHBA-së në Beograd, personazhi i të cilit shfaqet shkurtimisht në ekran.

Autorët e serialit, të cilët ndërthurin personazhe fiktivë me figura historike në strukturën dramatike, sugjerojnë një lexim tjetër: përgjegjësinë politike të Koshtunicës. Kjo hipotezë u hodh që në fillim nga disa bashkëpunëtorë të Gjingjiqit, të cilët u përpoqën ta mbështesnin atë, pa prova të qarta.

Ndër ta spikat Vladimir Beba Popoviq, ish-shef i zyrës së komunikimit të Gjingjiqit, i cili u largua nga qeveria dy muaj para vrasjes dhe më pas luajti një rol të rëndësishëm në “Operacionin Shpata”. Kjo figurë e errët u bë më vonë këshilltar i fuqishëm dhe arkitekt i imazhit të njeriut të fortë të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, dhe më pas i presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Rruga e karrierës së tij ndihmon të kuptohet pse ky serial arriti të transmetohej në televizionin publik serb. Si ish-ministër në kohën e Millosheviqit, Vuçiqi arriti të afrojë pranë vetes bashkëpunëtorë të Gjingjiqit për të përfituar nga popullariteti dhe trashëgimia pro-evropiane e kryeministrit të vrarë. Kjo i mundësoi të transformonte imazhin e tij: nga një figurë e ekstremit të djathtë, euroskeptike dhe anti-perëndimore, në atë të një progresisti të pranueshëm për Perëndimin. Një imazh që, megjithatë, nuk bind askënd, ndërsa ai shtyp lëvizjen studentore kundër korrupsionit me metoda represive të epokës së Millosheviqit, duke u mbështetur te shërbimet e sigurisë dhe qarqet kriminale, dhe duke forcuar kontrollin mbi institucionet dhe mediat. Vetëm udhëheqësit e Bashkimit Evropian – të cilët bëjnë biznes me të, me Emmanuel Macron në krye – bëjnë sikur nuk shohin asgjë. Por kjo është një histori që do të meritonte një serial më vete.

Botime të tjera