Në këtë vit të pandemisë, kriza politike në prapavijë është shkaktuar, thuhet, nga kokëfortësia e popullit amerikan për ta refuzuar autoritetin e diskursit shkencor. Shikoni këta njerëz që bëjnë qejf në pishinën e një restoranti, afër Liqenit të Ozarks (Misuri), derisa një epidemi e tmerrshme po bën kërdi… Shihni gjithë këta njerëz që propagandojnë teori të konspiracionit nga më absurdet, ndajnë udhëzime sanitare të çuditshme në rrjete sociale, dalin pa maska për të blerë gjësende, hedhin fishekzjarre në mes të rrugës … Dhe çfarë të themi për Presidentin e tyre kokëkrisur i cili injoron rekomandimet e ekspertëve të tij dhe vazhdimisht tregon me gisht grupe të personave përgjegjës për situatën, pa u përfshirë asnjëherë në ato grupe. Madje shkon aq larg sa që këshillon administrimin e dezinfektuesve, të cilët japin rezultate shumë të mira në sipërfaqet e kuzhinës dhe ulëset e WC-së?
Kjo betejë e pamëshirshme midis “injorantëve” dhe “iluministëve” ka qenë në qendër të jetës politike amerikane për shumë vite. Në mendjen e shumë njerëzve, demokratët, “progresistët”, janë bindshëm në fazë me realitetin objektiv. Ata dëgjojnë me devotshmëri opinionet e Nobelistëve dhe laureatëve të tjerë të çmimeve shkencore të ekselencës. Republikanët, përkundrazi, sikur jetojnë në një botë tjetër – një botë përrallash dhe legjendash, ku e vërteta nuk dëgjohet.
Zakonisht, klubi ynë i opinionistëve të vetëshpallur, udhëheqës të mendimit tonë, përfiton nga këto mosmarrëveshje për të shpërndarë pika në mes dy kampeve. Më të zgjuarit jemi ne! Budallenjtë, janë ata! Por ja që, nën ndikimin e pandemisë, papritmas konfrontimi bëhet më i mprehtë se kurrë më parë. Amerikanët e respektueshëm shpallin, me dridhje në zë, besimin e tyre të pandryshueshëm, të palëkundur për shkencën, ndërsa zyrtarët demokratë i kërkojnë një kombi të gjunjëzuar t’i dëgjojë këshillat e ekspertëve si fjalë hyjnore.
Udhëheqësit e opinionit tonë shtjellojnë gjithashtu një teori për të shpjeguar sjelljet e papërgjegjshme që shohim te disa persona që promovojnë përhapjen e virusit. Thojnë se këta njerëz të humbur nuk janë vetëm idiotë; ata veprojnë nën ndikimin e një doktrine të mirëfilltë anti-ekspertizë: “popullizmi”. Përkrahësit e këtij besimi – “popullistët”, pra – janë egërsira të paarsimuara që i kanë mëri homologët e tyre të arsimuar dhe i përçmojnë në mënyrën më të thellë. Ata preferojnë t’i besojnë intuitës sesa njohurive në libra, t’i përçmojnë rekomandimet e profesionistëve mjekësorë, të zgjojnë mençurinë e turmave dhe natyrisht, ata janë racistë. Popullizmi është armiku i shkencës; ai është në luftë me mendimin racional. Ai bashkëpunënon në përhapjen e së keqes, për të mos thënë bashkëpunon me të keqen.
Lufta kundër privilegjeve të dijes
Këtu është një silogjizëm i bukur me të cilin na ngopë klasa amerikane opinioniste dhe si mund të befasohemi prej tij kur është aq tërheqës dhe u përshtatet dëshirave tona? Shkenca mjekësore ka të drejtë, popullizmi është i gabuar: ky fakt është aq evident saqë lavdërimi i së parës dhe dënimi i së dytës është bërë një motiv letrar i harxhuar, që nxit editoriale dhe artikuj deri në pafundësi.
Por gabohemi shumë. Nëse Shtetet e Bashkuara po tregohen tragjikisht të paafta për t’u përballur me kërcënimin e koronavirusit të ri, së pari nuk duhet fajësuar kryesisht marrëzia e jashtëzakonshme e Donald Trump – megjithëse pjesërisht, po. Sistemi ka faj: sistemi amerikan i kujdesit shëndetësor. Ky sistem i cili shkel mbi idenë e shëndetit publik dhe e shndërron qasjen në shërbimet shëndetësor në një luks të rezervuar për një pakicë. Një sistem i cili ju rrjepë financiarisht vetëm për një këmbë të thyer dhe nuk pranon të kujdeset për ju nëse nuk keni sigurim. Ky sistem pamundëson sigurimin sapo mbeteni pa punë dhe pandemia është duke lënë miliona njerëz pa punë. Dhe në fund, ky sistem, ditën kur të ketë një kurë për Covid-19, nëse kjo ndodh, padyshim që do t’ua faturojë me një çmim të lartë.
Ky sistem është ai që është sepse “mjekësia e organizuar”, duke u mbështetur në prestigjin që ka ekspertiza profesionale, është përpjekur për gati një shekull të sigurohet që të mos ndryshojë. Në të kundërt, gjatë gjithë kësaj periudhe, fryma e reformës erdhi nga radhët populliste, që u përpoqën – pa pasur sukses – të ndryshonin sistemin në mënyrë që ai të ishte në shërbim të numrit më të madh. Me fjalë të tjera, specialistët, studiuesit dhe think tankers tanë super-seriozë dhe jashtëzakonisht inteligjentë, gabojnë tërësisht. Pikërisht shëndeti publik është shndërruar në një ëndërr të paarritshme nga fakti që u jemi përkulur shumë opinioneve shkencore. Dhe ilaçi kundër të keqes që po na godet nuk gjendet askund tjetër përveçse brenda këtij populizmi kaq të urryer nga ekspertët dhe që po i frikëson ekspertët.
Për të kuptuar se çfarë po ndodh, duhet të fillojmë duke përkufizuar termin. Emërtimi “popullist” u adoptua në vitin 1891 në Shtetet e Bashkuara, në Kansas, nga anëtarët e një partie agrare shumë të re. Me kërkesa që varionin nga braktisja e etalonit të arit e deri te lufta kundër monopoleve, duke përfshirë nacionalizimin e hekurudhave, kjo lëvizje shpejt u përhap vrullshëm, deri në atë pikë sa suksesi i saj, për një kohë, dukej i sigurt. Por ndryshe rodhën gjërat: në më pak se dhjetë vjet, Partia populliste u zhduk. Nga ana tjetër, ndikimi i saj ka kaluar shekujt dhe disa nga idetë e saj mund të gjenden në Partinë socialiste amerikane, në New Deal të viteve 1930 dhe 1940, si dhe në fushatat presidenciale të vitit 2016 dhe 2020 të z.Bernie Sanders.
Rritja dhe rënia e popullistëve amerikanë – unë ende u referohem atyre që kanë shpikur termin – është prej kohësh një temë e preferuar për historianë të zjarrtë romaneskë dhe për ta janë shkruar libra të panumërt. Të gjitha këto vepra theksojnë një fakt të çuditshëm: përfaqësuesit e kësaj rryme nuk kishin asgjë kundër shkencës apo arsimit. Përkundrazi, avokimi i tyre në favor të teknologjisë, dijes dhe arsimit ishin aq të sinqerta dhe të lulëzuara saqë gati turpërohemi kur i lexojmë sot. Pse tekste të tilla? Sepse popullistët ishin të bindur se përputheshin në mënyrë të përkryer me progresin shkencor të fundit të shekullit, duke i mbrojtur parimet e shtetit të mirëqenies apo të ndërhyrjes së pushtetit publik.
Në të njëjtën kohë, popullistët ishin në luftë të vazhdueshme kundër elitave ekonomike dhe intelektuale të kohës së tyre, ekspert që pretendonin të shihnin dorën e Zotit në rendin e vendosur. Për popullistët, të gjitha format e privilegjit ishin të dyshimta, përfshirë edhe prestigjin mbi të cilin profesionet e larta bazonin autoritetin e tyre. Një ilustrim i padiskutueshëm i kësaj ideje mund të gjendet në Kopshtin e famshëm të Edenit në qytetin Lucas, në Kansas, një park skulpturash i ndërtuar në vitet 1910 dhe që është një nga përpjekjet e para për të popullarizuar teoritë populiste dhe socialiste. Ndër atraksionet kryesore të saj është një skenë e quajtur “Fuqia Punëtore e Kryqëzuar”, në të cilën një punëtor torturohet deri në vdekje nga anëtarët më të shquar të komunitetit: një bankier, një avokat, një mjek dhe një prift.
Shkurt, botëkuptimi i popullistëve të parë ishte rrënjësisht demokratik: populli kishte përparësi mbi gjithçka dhe roli i duhur i ekspertëve në një demokraci duhej të kufizohej në shërbimin dhe informimin e qytetarëve.
Popullistët e fundit të shekullit të 19-të heshtën ndaj politikës shëndetësore. Duhet theksuar se mjekësia amerikane nuk ishte ende në kohën e këtij labirinti burokratik tmerrësisht të shtrenjtë që njohim sot. Por, sapo çmimet e ilaçeve filluan të rriten, gjatë dekadave në vijim, u shfaqën lloje të shumta të sistemeve alternative më demokratike, të imagjinuara së bashku nga fermerët, organizatat sindikale dhe organizatat bamirëse me një qëllim të vetëm: t’i bëjnë shërbimet shëndetësore të përballueshme për klasën punëtore.
Ndër arritjet që duhet t’ua atribuojmë këtyre “neo-populistëve”, njërën e kam për qejfi. Ajo lindi në 1929 në Elk City, në Oklahoma, një shtet ku tezat populliste kishin fituar jehonë të madhe qysh në fund të shekullit paraprak. Qëllimi ishte krijimi i një sistemi shëndetësor bashkëpunues, në të cilin fshatarëve dhe familjeve të tyre, në këmbim të një pageseje të vogël vjetore, do t’u garantohej qasje në shërbimet e mjekëve dhe dentistëve, si dhe qasje në një spital në lokacion të afërt me pajisje moderne. Anëtarët e kooperativës – d.m.th. popullsia e gjerë, kryesisht punëtorë të tokës – ishin përgjegjës për zgjedhjen e bordit drejtues të tij dhe për menaxhimin e çështjeve ekonomike.
Ky sistem u shpik nga njëfarë doktori Michael Shadid, i cili u përpoq ta implementoj atë me ndihmën e degës lokale të Farmers Union, një organizatë sindikale fshatare. Prania e kësaj organizate konfirmon dimensionin popullist të projektit, pasi ajo ishte pak a shumë pasardhëse e drejtpërdrejtë e partisë së shuar të viteve 1890. Por historia personale e Dr. Shadid na mëson edhe më shumë gjëra.
I lindur në Liban, Michael Shadid emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1898. Që nga fillimi i karrierës së tij, ai ofroi shërbime mjekësore pa pagesë për fermerët amerikanë. Ai gjithashtu ishte anëtarësuar për pak kohë në Partinë Socialiste. Megjithë bindjet e pazakonta politike, ai nuk ishte një sharlatan – përkundrazi, kërkesat e tij për cilësinë e shërbimeve shëndetësore ishin veçanërisht të larta. Shadid dallonte nga kolegët e tij nga denoncimi që u bënte praktikës së mjekësisë që ai e konsideronte grabitqare, veçanërisht në qytetet e vogla në Oklahoma.
Me synim distancimin nga ky model, Shadid e konsideronte veten si një “mjek i popullit[i]» i aftë për të zgjidhur enigmën e përjetshme amerikane, e cila mbetet e pazgjidhur edhe sot e kësaj dite : çmime marramendëse të shërbimeve dhe popullsi me shëndet të dobët . “Në kohë lufte si dhe në kohë paqeje, në kohë krizash si në kohë bollëku, stuhie apo qetësie, ka fakte që nuk ndryshojnë, shkruante ai: të varfërit sëmuren më shpejt, qëndrojnë më gjatë të sëmurë dhe janë ata që marrin më pak kujdes mjekësor edhe pse kanë nevojë për më shumë. Disa janë të varfër sepse janë të sëmurë. Të tjerët janë të sëmurë sepse janë të varfër. »
Kërcënimet e hakmarrjes
Në një shkrim tjetër të tij, Shadid deklaronte se vepronte në emër të “popullit amerikan” duke luftuar “për t’i shpëtuar nga sundimi i privilegjeve, i cili po e çon vendin në rrugën e diktaturës dhe kaosit”. Duke cituar këto fjalë në një libër të botuar në vitin 1939, gazetari James Rorty komentoi: “Këto janë parulla të thjeshta, më populliste se sa socialiste, që godasin në shenjë te fermerët e Oklahomës, sepse ata u tregojnë saktësisht se çfarë po përjetojnë. »
Natyrisht, kur fliste për “privilegjet“, Shadid e kishte fjalën për Shoqatën Mjekësore Amerikane (American Medical Association, AMA), organizatën profesionale të mjekëve. Anëtarët e saj thjesht i kishin shpallur luftë sepse ai kishte guxuar të hapte një spital bashkëpunues. Po ushtronin skemat më djallëzore kundër tij. Për ta, plani i reformatorit neo-popullist ishte “imoral”, sepse ai planifikonte t’i besonte vendime të rendit ekonomik personave pa përgaditje. Pasi u përpoq t’ia konfiskonte licencën, AMA dëboi Shadid nga dega lokale dhe kështu ai humbi të drejtën për sigurimin e përgjegjësisë civile. AMA gjithashtu arriti të dekurajojë nga përfshirja në ndërmarrjen e tij shumicën e mjekëve që ai dëshironte t’i rekrutoj.
Padyshim, opinionistët e sotëm do ta përshkruanin këtë episod, me rreptësi dhe shtirje mosmiratimi, si një luftë e popullistit Shadid kundër shkencës. Megjithatë do të ishte shumë më e saktë të flitet për një “luftë të shkencës kundër popullizmit”.
Kjo luftë bëri kërdi për shumë vite, gjatë të cilave AMA i luftoi dhe i varrosi njërën pas tjetrës propozimet për demokratizimin e qasjes në kujdesin shëndetësor. Anëtarët e saj, për shembull, organizuan bojkotin e një koperative qumështore që nxiste një fondacion bamirësie që ishte pak e lidhur me Shadid, t’i ipte fund hulumtimeve të tij në fushën e “ekonomisë së mjekësisë” siç quhej atëherë.
Historiani Paul Starr na tregon gjithashtu se, në Washington, ku sapo ishte themeluar një koperativë shëndetësore e ngjashme me atë të Elk Cityt, AMA ” i kërcënoi të gjithë mjekët e përfshirë në iniciativën që do t’u hakmerrej, bëri çmos për t’ua pamundësuar konsultat ose pacientët e referuar nga kolegët, dhe arriti t’i bindte të gjitha spitalet në Rrethin e Columbia-së t’ua mohonte atyre privilegjin e pranimit [d.m.th. e drejta që i jepet një mjeku, për shkak të statusit të tij si profesionist mjekësor të një institucioni shëndetësor, të referojë një pacient në një spital ose një qendër mjekësore për të dhënë një diagnozë ose një shërbim] ».
Ky sulm i kushtoi AMA një padi në sajë të ligjit antitrust, por nevojitej më shumë për ta ndalur atë. Mbi të gjitha, AMA mblodhi rreth saj specialistët më të mirë të kohës, të cilët thjesht kërkonin të trajtoheshin me respektin që u takon. Kryetari i saj shkoi aq larg sa që protestoi në vitin 1938 kundër hapjes së një hetimi federal për reformën e sistemit të kujdesit shëndetësor. Ai pretendoi se e gjithë hierarkia shoqërore ishte e shthurrur kur pranoi që injorantë të kërkojnë me vrull ilaçe të sharlatanëve të përshkruara nga profesionistët. “Kjo është një praktikë e mjekësisë që nuk është as shkencore, as ekonomikisht racionale,” tha ai me përbuzje.
Është vërtetë e çuditshme të kuptosh sa shumë gjëra mund të ndalohen nga etika profesionale kur profesionistët shëndetësor ndihen të kërcënuar në statusin e tyre social. Harry Truman, Presidenti i rizgjedhur në vitin 1948 pas një fushate shumë më populliste sesa ajo e Donald Trump në vitin 2016, vendosi të përqëndrohet në mandatin e tij të dytë në sigurimin shëndetësor gjithëpërfshirës. Disa muaj pas marrjes së detyrës, ai paraqiti një program për këtë qëllim, duke lavdëruar arritjet e mjekësisë moderne, por duke theksuar se ishin shpërblyer me shpërthimin e çmimeve të ilaçeve. “Tanimë, shërbimet mjekësore nuk janë më të papërballueshme vetëm për të varfërit, por për të gjitha shtresat, përveç atyre më të larta », tha ai në 1949 në një fjalim në Kongres.
Kundërsulmi i Shoqatës Mjekësore Amerikane ishte i menjëhershëm. Duke e denoncuar një “sistem të keqpërdorur, tipik të kombeve dekadente“, ajo argumentoi se plani i Truman-it do t’i vendoste mjekët, përfaqësuesit me arsim shumë të lartë të një profesioni shumë të respektuar, nën “një burokraci të madhe të shërbyesve publik, punonjësve, kontabilistëve dhe komisioneve srfshirprofane”. E vendosur që ta ndal këtë president injorant, AMA shfrytëzoi anëtarët e saj (shumica prej tyre të pasur) duke tërhequr një kontribut të jashtëzakonshëm dhe kështu arriti të mbledh një thesar të shkëlqyer lufte. Këto fonde i mundësuan asaj të siguronte shërbimet e një agjensie kaliforniane të quajtur Campaigns Inc., pionere në komunikimin politik, të cilës ajo i besoi misionin e udhëheqjes së forcave të saj në terren. Së shpejti vendi u gjend i mbytur në një ortek pamfletash, letrash dhe karikaturash të pista që sugjeronin që ardhja e “mjekësisë së socializuar” do të nënkuptonte fundin e pariparueshëm të lirisë individuale. Falë këtyre metodave, të cilat për fat të keq u bënë klasike, projekti i Trumanit dështoi, sikurse të gjitha përpjekjet e mëvonshme për të krijuar një sistem shëndetsor vërtet universal në Shtetet e Bashkuara. Por ishte në Kanada që lufta e shkencës kundër populizmit përjetoi zhvillimet e saj më shpërthyese, siç kujton historiani Robert McMath.
Në disa provinca të Prairies canadiennes, jehona e revoltës populliste amerikane të viteve 1890 jetoi për dekada. Gjatë Depresionit të Madh, mishërimi politik par ekselencë i kësaj tradite ishte një parti radikale agrare e njohur si Federata Bashkëpunuese e Commonwealthit (Co-operative Commonwealth Federation, CCF). Më 1944, ajo arriti një fitore dërmuese në zgjedhjet krahinore të Saskatchewan, duke formuar atë që historia e ka quajtur “qeverinë e parë socialiste në Amerikën e Veriut”.
E ripërtëritur disa herë gjatë viteve, CCF bëri fushatë në vitin 1960 rreth një projekti të sigurimit shëndetësor gjithëpërfshirës në nivel krahinor dhe përsëri u shfaq fitimtare në një zgjedhje ku mbizotëroi kryesisht kjo çështje. Dy vjet më vonë, në korrik 1962, qeveria Regina ishte e gatshme të lancoj Medicare, sistemin shëndetësor me pagues të vetëm, domethënë, kostot e të cilit mbuloheshin vetëm nga një sistem publik – ishte hera e parë që një gjë e tillë ndodhte në shtetin kanadez.
Atëherë, “shkenca e organizuar” shfrytëzoi armën e saj të shkatërrimit në masë. Të njëjtën ditë, me hyrjen në fuqi të sistemit të ri, të gjithë mjekët e Saskatchewan hynë në grevë. Padyshim që nuk ishin më shumë se njëmijë, por sidoqoftë ishte, në gjithë shkëlqimin e tij, një “moment Ayn Rand”, sipas emrit të filozofes dhe novelistes së shekullit XX, apostull e individualizmit, shumë e popullarizuar në Shtetet e Bashkuara. Përmes këtij aksioni, 1% e të arsimuarve dhe të pasurve urdhëroi popullin të qendroj në vendin e vet dhe të tregoj respektin e tij.
Ky version kanadez i përplasjes midis shkencës dhe popullizmit – midis një grupi të vogël por prestigjioz profesionistësh dhe punëtorëve të Saskatchewan – paraqiti shumë manovra që dinte t’i bënte AMA. Si kjo e fundit, grupacioni i mjekëve të krahinës grumbulloi një thesar të madh falë kontributit të anëtarëve të saj dhe e përdori atë për të financuar përpjekjet e saj të propagandës. Jo vetëm që lëvizja mori mbështetjen nga Dhoma e Tregtisë e Saskatchewan dhe shoqatat e tjera profesionale, por shtypi vendas i përcjelli si një, duke i dhënë zë vrullshëm ndërsa parashikonte valë të komunizmit dhe sëmundjes. Aktivistë të së djathtës ekstreme ishin gjithashtu pjesë e kësaj përmes një kolektivi që u shfaq nga askund, ‘Na lini mjekët tanë’ (Keep Our Doctors, KOD), i cili kishte për qëllim të luftonte sistemin me një pagues të vetëm përmes shumë tubimeve publike, me gjueti shtrigash dhe insinuata raciste – qeveria neo-populliste kishte njoftuar qëllimin e saj për të sjellë mjekë nga jashtë për t’i zëvendësuar grevistët.
Pyetja kryesore, natyrisht, ishte ajo e vendit që duhet të kënë ekspertët në një demokraci. Mjekët ishin atëherë në një situatë monopoli: vet vendosnin për mënyrën e trajtimeve dhe për çmimin e tyre dhe iu raportonin vetëm kolegëve të tyre. Projekti i CCF – sikurse ato të Dr. Shadid ose të Presidentit Truman – dobësonte autoritetin e tyre duke i dhënë një pjesë të tij qytetarëve të zakonshëm. Në atë kohë, një reporter i Washington Post theksoi: « Mjekët janë ‘priftërinjët e mëdhenj’ të kohës sonë dhe si të tillë ata nuk e kanë zakon t’i binden shtetit ».
Revolta e të çmendurëve
I thirrur për të ndërmjetësuar polemikën, baroni Taylor, një mjek dhe politikan britanik, përmblodhi faktet me terminologji pothuajse klinike. Në vitin 1974 ai shkroi se AMA ishte “në kundërshtim histerik ndaj çdo forme të sigurimit shëndetësor publik dhe po punonte, jo pa sukses, për t’ia komunikuar këtë histeri mjekëve, si dhe opinionit publik në Saskatchewan ».
Së paku diagnoza ishte e saktë: një shoqatë profesionale kishte përhapur histerinë në të gjithë krahinën e Prairies Canadiennes. Rezultati ishte përshtatje e “frikës demokratike”, siç e quaj atë që ndodh kur shtresat e larta të një shoqërie bindin veten se njerëzit e shfrenuar po rrezikojnë privilegjet e tyre. Këto kriza periodike të histerisë kanë një numër konstantesh: demokracia përshkruhet si tirani; shtresat e ulta veçohen për guximin e përfshirjes në çështje që nuk i kuptojnë (pavarësisht nëse është ekonomi, politikë e jashtme ose, në këtë rast, mjekësi); dhe, natyrisht, media bashkohen.
Të gjithë këto elemente ishin të pranishme në frikën e madhe demokratike të vitit 1896. Atë vit, klasa udhëheqëse amerikane, e mbështetur nga pothuajse të gjitha organet e shtypit, besonte se ishte e kërcënuar nga një proletariat i etur për gjak që marshonte nën flamurin e William Jennings Bryan , kandidati demokrat në garat presidenciale, një njeri i përceptuar si radikal dhe të cilit i ishin bashkangjitur populistët. Nga maja e kullës së tyre të fildishtë, burra të arsimuar të këtij fundshekulli vërshuan në gazetat e Bregut Lindor për të pretenduar se lëvizja populliste nuk ishte gjë tjetër veçse një revoltë e të çmendurve.
Ndonjëherë ndodh që frika demokratike arrin qëllimet e saj. Ky nuk ishte rasti me grevën e madhe të 1%, e cila ndezi Saskatchewan në vitin 1962 – dështimi i saj madje ishte shumë i rëndë. Ndërsa frika pati efektin e saj në fillim, simpatia për kauzën e mjekëve u mposht shpejt, e ndihmuar nga fjalimet e egra të kampit të ekspertëve – një pastor ungjillor, i cili po fliste në valët e radiove, duke bërë thirrje për gjakderdhje. Greva përfundoi pas një muaji. Pesë vjet më vonë, të gjitha krahinat e vendit kishin një sistem shëndetësor të modeluar sipas atij të Saskatchewan, dhe Medicare është edhe sot e kësaj dite një nga arritjet shoqërore për të cilat Kanada është më krenare.
Asnjë nga lëvizjet reformuese që i përshkrova më lartë nuk ka kontestuar rëndësinë e kërkimit shkencor apo ndonjë prej gjetjeve të tij. Të gjithë këta mendimtarë neopopullistë admiruan mjekësinë moderne; ata thjesht donin ta bënin atë të arritshëm për personat më të varfër. Me fjalë të tjera, kishte dy vizione konkurruese të shoqërisë: privilegjet versus barazia.
“Çështja themelore në zemër të konfliktit midis qeverisë dhe mjekëve të Saskatchewan nuk është sigurimi shëndetësor publik, por demokracia”, shkruan Globe and Mail e Toronto-s disa javë pas fillimit të grevës. Herët a vonë, pavarësisht nga specialiteti i tij, profesionisti duhet t’i nënshtrohet gjithmonë laikut, përndryshe demokracia nuk mund të funksionojë. “
Pikërisht! Thoshin disa, ky është i gjithë problemi me demokracinë: u jep këtyre profanëve injorantë pushtet mbi ata që u janë superior. George Sokolsky, një redaktor amerikan me një audiencë kombëtare, mbrojti kështu zëshëm grevistët e Saskatchewan me arsyetimin se ata mishëronin “luftën e ekspertëve në një epokë ku paraprinë qeverisja nga turma“. Antikomunist i bindur, Sokolsky kështu i përshkruante mjekët që përpiqeshin t’i mbanin kokat e tyre mbi ujë, kur i gjithë planeti ishte përfshirë në valën barazitare. “Ka qenë një kohë kur njerëzit e respektonin njëri-tjetrin për atë që vlenin”, shkroi ai. Tani duket se motoja është: “Unë vlej po aq sa ju“. Kjo filozofi, të cilën ai e konsideronte aq të rreme sa të dëmshme, e zemëronte. Kur në një vend si Shtetet e Bashkuara të gjithë janë të lirë të shprehin mendimet e tyre, për të ishte e natyrshme që, derisa bota ishte duke u komplikuar, “vetëm specialistët mund të kishin një opinion për një gamë në rritje të temave”.
Sokolsky ka qenë një McCarthy-st i zjarrtë që anonte në të djathtën e së djathtës. CCF ‘Saskatchewan’-eze, nga ana tjetër, ishte një parti agrare dhe punëtore e krahut të majtë. Tani, goditje e papritur: gjithçka ka marrë kahje të kundërt. Partia Demokratike që kishte investuar Harry Truman tani u shërben interesave të drejtuesve të pasur dhe të diplomuar : i mbështet gjenitë e vegjël të Wall Street, me përpikmëri u bindet urdhërave të ekonomistëve që lavdërojnë tregtinë e lirë, dhe kur përfaqësuesit e saj propozojnë një reformë shëndetësore, ata nuk e bëjnë këtë duke konsultuar bazën, por mbledhin specialistë nga të gjithë sektorët e përfshirë në çështje dhe u kërkojnë atyre që të riorganizojnë sistemin midis tyre. Pastaj, befasohen kur opinioni publik shfaq zemërimin e tij.
« Ne, populli »
Edhe forcat e pranishme në zinxhirin e kujdesit shëndetësor kanë evoluar. AMA nuk është më ajo fuqi e fortë e profesionistëve shëndetësorë që ishte dikur. Në luftën për ta parandaluar shfaqjen e sigurimit gjithëpërfshirës, AMA është tejkaluar nga akterë të rinj – grupe spitalore, kompani farmaceutike dhe kompani sigurimesh – në aspektin e fuqisë dhe të ndikimit, me, megjithatë, një motivim të pandryshuar: nderimin e asaj që tani quhet “inovacion” dhe të profesionistëve që qëndrojnë pas tij.
Por, transformimi më i thellë ka të bëjë me të menduarit e krahut të majtë. Mënyra se si progresistët e vetëshpallur keqpërdorin dhe abuzojnë me fjalën “popullizëm” tregon se ata janë kthyer me vendosmëri kundër trashëgimisë së tyre demokratike. Tani i dëgjojmë ata duke na kujtuar virtytet e censurës dhe duke evokuar me nostalgji ditët e lumtura kur pronarët i zgedhnin udhëheqësit tanë për ne. Demokracia shfaq një problem, thonë ata, sepse i mundëson popullit injorimin e autoritetit të ekspertëve. Kësaj demokracie rebele i kemi borxh zgjedhjen e zotit Trump sikurse pafuqinë tonë përballë ngrohjes globale ose pandemisë Covid-19. Ky është i gjithë faji ynë, “Ne, Populli” (që janë fjalët hyrëse të preambulës së Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara).
Prandaj peizazhi politik është kokëulur, por lufta mbetet e njëjtë. Tani të shoqëruar me pastërtinë morale të akullt të së majtës në vend të antikomunizmit të mashtruesve të krahut të djathtë, ekspertët vazhdojnë të ankohen kundër të pafytyrëve që guxojnë të sfidojnë fuqinë e tyre. Tema e vërtetë e debatit janë privilegjet e tyre dhe të gjithë jemi të inkurajuar që të përulemi para tyre, apo edhe të marshojmë në radhë të ngushta për të avokuar për kauzën e tyre.
Megjithatë, duke lënë mënjanë fantazitë egoiste të këtij Politburo modern, ekuacioni i vjetër politik ende dallohet prapa mbulesës së mjaftueshmërisë së krahut të majtë. Aktualisht, senatori haptas popullist Bernie Sanders është mbrojtësi më i zjarrtë i një sistemi universal të kujdesit shëndetësor, ndërsa ushtarët e “shkencës së organizuar” dhe pushtetit privat po përpiqen sistematikisht ta sabotojnë këtë ide. Popullizmi nuk është gjetja e fundit shkëlqyese për ta emëruar të keqen prej të cilës po vuajmë, është ilaçi që mund të na çlirojë prej saj.
*Gazetar dhe historian. Autor i The People, No: A Brief History of Anti-Populism, Metropolitan Books, New York, 2020.