BURGU I PËRJETSHËM I GEORGES IBRAHIM ABDALLAH PËR T’I KËNAQUR AMERIKANËT
“Terrorist” një herë, terrorist gjithmonë?

Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut ndalon mbajtjen e një të dënuari në burg "pa shpresë për lirim". Sidoqoftë, kjo duket se korrespondon me fatin e aktivistit komunist libanez Georges Ibrahim Abdallah i burgosur në Francë për më shumë se një e treta e një shekulli.

134

Në fund të marsit 2020, për t’i zhbllokuar burgjet franceze në një kohë kur pandemia e koronavirusit ka të ngjarë të bëjë kërdi atje, Ministri i Drejtësisë Nicole Belloubet urdhëroi lirimin e 13.500 të arrestuarve brenda dy muajve në vazhdim. Këta janë kryesisht njerëz që kanë vuajtur pjesën më të madhe të dënimit. Në kohën kur ministri mori këtë vendim, qendra e paraburgimit të Lannemezan (Hautes-Pyrénées) strehoi z.Georges Ibrahim Abdallah, një aktivist komunist libanez, i cili e luftoi pushtimin e vendit të tij nga Izraeli në 1978. Ai përfundoi dënimin e tij nga 27 tetori 1999. Prandaj ai është i lirë që nga … shekulli i kaluar.

Në vitin 2020, ai fillon vitin e tij të 36-të të burgimit. Një “rekord francez” për një aktivist politik. Me përjashtim të Italisë, burgosja për kaq gjatë është e jashtëzakonshme në vendet e Bashkimit Evropian.

Georges Ibrahim Abdallah u gjykua dhe u dënua për bashkëpunim në vrasje me dashje. Në sytë e drejtësisë, ai nuk është një vrasës. Gjatë gjyqit i akuzuari mohoi të kishte marrë pjesë në veprimet për të cilat u arrestua dhe u dënua. Por ai e deklaroi se solidarizohet me disa luftëra radikale militante, si dhe shprehu mbështetjen e tij për Fraksionin Revolucionar të Armatosur të Libanit (FARL- Fraction armées révolutionnaires libanaises), një grup luftëtarësh të rezistencës komuniste që morën armët dhe vranë, në vitin 1982, atasheun ushtarak të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Charles Ray, si dhe një zyrtar izraelit dhe anëtar të Mossadit (shërbimi sekret izraelit), Yacov Barsimentov, të dy të vendosur në Paris.

Atë vit, Izraeli sulmoi Libanin, me bekimin e administratës Reagan, në një përpjekje për ta asgjësuar Organizatën për çlirimin e Palestinës (OÇP), të vriste ose të kapte Yasser Arafatin, udhëheqësin e rezistencës palestineze. Në sytë e FARL, të dy atentatet përbënin një akt rezistence të armatosur ndaj agresionit ushtarak. Dhe gjatë gjykimit të tij në gjykatë, në shkurt 1987, Abdallah u shpreh: “Nëse populli nuk më ka besuar nderin e pjesëmarrjes në këto veprime antimperialiste që m’i atribuoni, të paktën kam nderin të akuzohem nga gjykata juaj dhe kështu mund ta mbroj legjitimitetin e tyre përballë legjitimitetit kriminal të ekzekutuesve”.

“Të gjithë burrat me mjekër ngjajnë njësoj”

Cila arsye tjetër mund të justifikojë moslirimin, në vitin 2020, të një bashkëpunëtori në vrasje, i cili ka vuajtur 36 vjet burg? Sjellja e tij në burg frymëzon respekt mes rojeve dhe drejtori i qendrës së burgut diskuton me të për situatën në Lindjen e Mesme. Sado e çuditshme të duket, ka edhe gardianë të qendrës së burgjeve, të cilët, duke mos kuptuar pse kolegët e tyre në Tarbes nuk u mobilizuan për ta kërkuar lirimin e tij, paralajmëruan militantët e qelisë komuniste të Tarbes për praninë e këtij marksisti libanez në burg prej kaq shumë vitesh.

Por moslirimi i tij gjen një shpjegim në fjalimin e Ministres së drejtësisë para Asamblesë Kombëtare më 8 Prill, në mes të një pandemie. Atë ditë, znj.Belloubet saktëson se ajo përjashton nga lirimi i parakohshëm “kriminelët, njerëzit e dënuar për dhunë në familje dhe të arrestuarit terroristë”. Sidoqoftë, megjithëse grupi i armatosur të cilit Abdallah supozohet se i përkiste, nuk ka kryer akte terroriste në kuptimin në të cilin zakonisht përdoret (sulme pa dallime, bomba në rrugë, vrasje të civilëve që synojnë të terrorizojnë popullata), drejtësia franceze e cilëson atë si “terrorist”. Pse? Për shkak të akteve sigurisht kriminale, por për të cilat FARL nuk janë autorë …

Sepse, disa muaj para shfaqjes së z.Abdallah para gjykatës në Paris, në fund të shkurtit 1987, atentatet sollën zi në kryeqytet (RER, zyra postare, dyqani Tati). Bilanci: 14 të vdekur dhe më shumë se 200 të plagosur. Shumica e mediave kryesore (Le Monde, Liberation, Le Figaro, RTL, France Inter, Europe 1, kanalet kryesore televizive) pastaj transmetuan fjalët e Ministrit të Brendshëm Charles Pasqua dhe të ndihmësit i tij Robert Pandraud. Të dy ia ngarkuan përgjegjësinë për këto veprime terroriste : FARL dhe vëllezërve të Georges Ibrahim Abdallah. Sidoqoftë, siç Pandraud dhe Pasqua do të pranonin  disa vjet më vonë, ata hodhën emrin e Abdallahut në shtyp për ta fshehur faktin se nuk e dinin në atë kohë kush janë atentatorët: “Në  fillim, ne kishim si pistë FARL-in mbi bazën e dëshmive të para ku u tha se i kishin spikatur vëllezërit Abdallah në skenën e sulmeve, edhe pse e dinim se për francezët, të gjithë burrat nga Lindja e Mesme, me mjekër, duken njësoj, pranon Robert Pandraud. Unë i thashë vetes se pista që Abdallah të ishte përgjegjës nuk do të dëmtonte.

Gazetarët me ndikim (Edwy Plenel dhe Georges Marion, pastaj gazetarët hulumtues në Le Monde, Charles Villeneuve të TF1, etj.) pranuan “pistën e Abdallah-ut”. Ata pretendojnë se vëllezërit e Abdallah donin të bënin presion ndaj qeverisë franceze për ta siguruar lirimin e shokut të tyre të burgosur duke vendosur bomba. Por, në realitet, sulmet terroriste të vitit 1986 u kryen nga anëtarët e Hezbollasë libaneze të instrumentalizuar nga Teherani. Në atë kohë, Irani e kundërshtoi Francën për përkrahjen ushtarake të Irakut të Saddam Husseinit në luftën e gjatë dhe vrastare kundër Republikës Islamike (1980-1988: 1 milion të vdekur).

FARL nuk kreu akte terroriste kundër civilëve, por atentate në shënjestër të ushtarëve. Sidoqoftë, e ndikuar nga informacioni i rremë i dhënë nga mediat, drejtësia franceze nuk dyshoi në natyrën “terroriste” të veprimeve të Abdallah dhe FARL. Që atëherë, ka qenë e pamundur të hiqet ky etiketim.

Më 25 shkurt, në Bejrut, Bruno Foucher, Ambasadori Francez në Liban, priti disa gazetarë për drekë. Midis ëmbëlsirës dhe kafesë, ai u mor në pyetje nga një korrespondent francez për rastin e Georges Ibrahim Abdallah.

Diplomati nuk mund të pretendojë ta injorojë këtë dosje. Çdo 14 korrik, në Bejrut, qindra demonstrues qëndrojnë përpara ambasadës së saj për ta kërkuar lirimin e bashkatdhetarit të tyre. Që nga viti 2004, data e kërkesës së parë për lirim me kusht të refuzuar në apel, aktivistit libanez i është refuzuar lirimi shtatë herë. Siç mund të pritej, Foucher u përgjigj se dosja ishte çështje drejtësie dhe jo e diplomacisë apo fuqisë politike. Sidoqoftë, do të shohim se nën presidencën e François Hollande, Manuel Valls, Ministër i Brendshëm, ndërhyri drejtpërdrejt për ta bllokuar lirimin e Abdallah-ut.

Sekretari i Partisë Komuniste Franceze (PCF), z.Fabien Roussel i dërgoi një letër më 14 Prill, 2020, Ministres së Drejtësisë, znj.Belloubet. Ai bën thirrje për lirimin e z.Abdallah, duke besuar se “askush nuk mund të thotë që sot ai do të përfaqësonte ndonjë rrezik për vendin tonë”. Z. Roussel parapriu kështu pohimet e qeverisë amerikane për të cilët “burgosja e përjetshme [është] e përshtatshme për krimet e rënda të kryera nga z.Abdallah dhe është e ligjshme të shqetësohet për rrezikun që do të përfaqësonte për bashkësinë ndërkombëtare nëse ai do të ishte i lirë”. Zëdhënësi nga Veriu, drejtuesi i PCF e di se në tokat komuniste të ish pellgut të minierave, Georges Ibrahim Abdallah është paraqitur si “Nelson Mandela i Lindjes së Mesme”. Komunat e Grenay dhe Calonne-Ricouard (Pas-de-Calais) e kanë shpallur qytetar nderi.

Zonja Belloubet iu përgjigj z.Roussel më 6 maj: “Nuk është kompetencë e Ministrit të Drejtësisë që të japë udhëzim për prokurorët në raste dosjesh individuale dhe as të ndërhyjë në procedurat ligjore. (…) Dhënia e një modifikimi të dënimit është vetëm kompetencë e juridiksioneve të zbatimit të dënimeve që vlerësojnë sovranisht dhe në mënyrë të pavarur mundësinë e dhënies së një mase të tillë “. Por gjashtë javë më parë, qeveria franceze liroi Jalal Rohollahnejad, një inxhinier iranian i arrestuar në aeroportin e Nice me kërkesë të Amerikës. Drejtësia kishte dhënë një vendim të favorshëm për ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara; ai ishte gati të dorëzohej pranë autoriteteve amerikane. Por Irani atëherë ofroi ta shkëmbente atë për Francën për të liruar studiuesin francez Roland Marsal. Dhe, më 20 Mars 2020, z.Rohollahnejad hipi në një avion për në Teheran ndërsa Roland Marsal mori rrugën e kundërt. Kur është fjala për z.Abdallah, nga ana tjetër, autoritetet politike franceze e mbajnë atë në burgim për të kënaqur Washingtonin.

Ndërhyrja amerikane nuk ka ndaluar kurrë në këtë çështje. Më 21 nëntor 2012, ndërsa Gjykata (le tribunal de l’application des peines-TAP) vendosi në favor të lirimit të z.Abdallah, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Francë, Charles Rivkin në një njoftim për shtyp tha se ai “nuk e pëlqeu ​​vendimin e TAP për dhënien e lirisë me kusht për terroristin e dënuar Georges Ibrahim Abdallah. Ai shtoi: “Shpresoj që autoritetet franceze do të apelojnë vendimin e marrë sot dhe se ai do të anulohet”. Prokuroria apeloi kundër vendimit. Dhe këtë herë, më 10 janar 2013, Gjykata e Apelit konfirmoi që z.Abdallah duhet të lirohet. Duke mos pasur shtetësi franceze ose leje qëndrimi, gjithçka që duhej të bënte ishte të linte territorin francez. Avokati i tij Jacques Verges tashmë ishte i kënaqur: “Unë e prita me shumë satisfaksion këtë vendim, sepse u kisha kërkuar gjykatave franceze që të mos silleshin më si një prostitutë përballë tutorit amerikan. Lirimi i klientit të tij priste nënshkrimin e një urdhri dëbimi – një formalitet.

Por një ditë pas vendimit të gjykatës së apelit, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të SHBA, znj.Victoria Nuland, u shpreh: “Ne jemi të zhgënjyer nga vendimi i gjykatës franceze [të apelit]” (… ) Ne nuk mendojmë se ai duhet të lirohet dhe po vazhdojmë bisedimet me qeverinë franceze për këtë çështje”. Pastaj Sekretarja e Shtetit me President Barack Obama-n, Hillary Clinton priti që anëtarë të caktuar të qeverisë franceze, përfshirë Ministrin e Jashtëm Laurent Fabius, të pranojnë kërkesat e administratës amerikane. Pas vendimit të gjykatës së apelit, në kohën që ajo përgatitej të largohej nga Departamenti i Shtetit, ajo i dërgon këtë mesazh: “Megjithëse qeveria franceze nuk është e autorizuar me ligj të rrëzojë vendimin e Gjykata e Apelit e 10 janarit, shpresojmë se autoritetet franceze mund të gjejnë një bazë tjetër për ta kundërshtuar ligjshmërinë e vendimit” Por, që kësaj kërkese t’i pergjigjeshin pozitivisht kërkohej ndihma e Ministres franceze të Drejtësisë, znj.Christiane Taubira. Disa muaj më parë ishte lëshuar një qarkore që i ndalonte asaj, si dhe çdo anëtari tjetër të ekzekutivit, t’i adresonte udhëzime prokurorëve.

Emmanuel Macron « ndalohet »  në Tunis

Kush mund t’i mbështeste Shtetet e Bashkuara dhe Laurent Fabius të shmangin, pavarësisht kësaj, lirimin e Abdallahut? Përgjigja erdhi tre ditë më vonë. Më 14 janar 2013, Ministri i Brendshëm Manuel Valls refuzoi ta nënshkruajë urdhrin e dëbimit të z.Abdallah. E befasuar nga kjo ndërhyrje e një anëtari të ekzekutivit në një çështje ligjore – e cila kundërshtonte qarkulloren e Shtatorit 2012 – Ministrja e Drejtësisë z.Christiane Taubira bën thirrje për mbikqyrje nga Presidenti i Republikës. Z. Hollande nuk ndërhyn. Ai le të veprojë Ministrin e brendshëm. Në këtë mënyrë, aktivisti komunist libanez mbetet në burg. Në Liban, familja e tij kishte marrë tashmë rrugën për në aeroportin e Bejrutit për ta mirëpritur.

Z. Emmanuel Macron u ndalua për çështjen Abdallah gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Tunizi, më 1 shkurt 2018. Ndërsa ai shëtiti nëpër medinën e kryeqytetit, aktivistët tunizian filluan të brohorisnin “Lironi Abdallahun!” Në imazhet e celularëve që kanë regjistruar skenën, shihet sesi Presidenti i Republikës kthehet i habitur drejt këshilltarëve të tij. Ai duket se nuk e kupton se çfarë po ndodh, derisa një zyrtar tunizian që e shoqëron delegacionin i shpjegon atij se kush është  Abdallahu. Në Francë, asgjë nuk ndodhi. Më pak se tre muaj pasi u ‘ndalua’ në Tunis, z.Macron fali një të burgosur të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje.

Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut ndalon dënimin e një të burgosuri pa shpresë për lirim. Sidoqoftë, kjo duket se korrespondon me fatin e aktivistit komunist libanez Georges Ibrahim Abdallah.

* Regjisori i filmit: “Kush e dëshiron Georges Ibrahim Abdallah në burg?”