PROTESTA DHE KRITIKA NGA BAMAKO DERI NË DAKAR
Prania franceze në Afrikë : Mjaft më!

1604

Një gjel me ngjyrat e flamurit francez duke çukitë në një thes të mbushur me fara, ku thesi e ka formën e kontinentit afrikan. Kjo karikaturë ishte në të gjitha rrjetet sociale afrikane, në veçanti në vendet frankofone, në fund të vitit 2019. Suksesi i saj simbolizon një valë kritikash të papara kundër Francës përsa i përket zonës së ndikimit ekskluziv të quajtur deri vonë ‘pré carré’.

Në të gjithë Afrikën Perëndimore, artikuj të shtypit, debate televizive, deklarata dhe mitingje janë bërë jehonë e kësaj rryme. Në fund të vitit 2019 dhe në fillim të vitit 2020, parrulla “Poshtë Franca!” mund të dëgjohet në rrugët e Bamako-së në Mali, ku qindra protestues kërkojnë largimin e trupave të operacionit “Barkhane”, të cilat luftojnë kundër lëvizjeve xhihadiste. Në të njëjtën kohë, studentët e shqyen një flamur francez në Niamey në Nigjeri.

Përballë kësaj situate, zyrtarët francezë, përfshirë vetë Presidenti Emmanuel Macron, denoncojnë një “keqkuptim”, madje edhe një “fushatë dezinformimi” të udhëhequr nga një fuqi konkurruese, duke e inkriminuar Rusinë, pa e emëruar. Është e vërtetë që Moska përfitoi nga kjo klimë e pafavorshme ndaj Parisit për ta marrë një pjesë të tregut të sigurisë në Republikën Qendro-Afrikane në vitin 2018.

Disa nga informacionet e përhapura janë të trilluara ose keqdashëse, si një fotomontazh i dhjetorit 2019, që sugjeronte (rrejshëm) se ushtria franceze i kishte furnizuar me motoçikleta xhihadistët në Mali. Por acarimi në rritje buron nga politika franceze në Afrikë. “Është mbushur kupa. Është një revoltë, një refuzim të kontrollit të shtetit francez ndaj autoriteteve tona dhe rrjedhimisht ndaj ekonomisë sonë dhe popullin tonë”, përmbledh në një video Mamadou Koulibaly, ekonomist dhe opozitar i Bregut të Fildishtë, ish-kryetar i Kuvendit në vendin e tij.

Edhe pse nuk është risi, denoncimi i imperializmit francez dhe “Francafrikës” del nga qarqet intelektuale dhe militante për t’u bartur në rrugë. Ky zhvillim shpjegohet me “pjekurinë e një brezi që nuk ndihet i përfshirë në atë që Franca mund të ketë përfaqësuar për gjeneratat e kaluara, një brezi që gjithnjë e më pak shikon në drejtim të Francës”, shpjegon shkrimtari Boubacar Boris Diop, i cili është bashkautor me Aminata Dramane Traoré, ish-ministre e Malisë dhe aktiviste anti-globalizim, të një pamfleti me titullin elokuent: ‘La Gloire des imposteurs(Lavdia e mashtruesëve) (Philippe Rey, 2014). Rrjetet sociale, si gjithmonë, luajnë një rol forcues dhe përshpejtues.

“Një luftë për burimet e minierave”

Ndër ankesat drejtuar ish-pushtetit kolonial figuron “bashkëpunimi monetar” me katërmbëdhjetë vendet afrikane që nga viti 1960. Duke përdorur një kritikë deri tani konfidenciale, aktivistët e shoqateve, ekonomistët dhe kundërshtarët tani haptazi bëjnë fushatë për fundin e monedhës së trashëguar nga kolonizimi, e cila aktualisht ndahet në dy zona: franga CFA e Afrikës Perëndimore dhe franga CFA e Afrikës Qendrore.

E lidhur me euron, monedha mbetet nën tutelën e Francës, e cila garanton konvertibilitetin e saj. Sipas kundërshtarëve, franga CFA e pengon zhvillimin e vendeve duke i privuar fillimisht nga sovraniteti i tyre. Ata avokojnë për krijimin e monedhave rajonale ose kombëtare. Në Senegal, për shembull, Fronti për një revolucion anti-imperialist popullor dhe panafrikan (Frapp) vepron me një parrulë të qartë: “Francë, shporru!”

Ky mobilizim e detyroi z.Macron, i cili thoshte edhe në vitin 2017 se franga CFA “nuk ishte temë për Francën“, ta ndryshojë rrënjësisht diskursin e tij. Në dhjetor 2019, gjatë një vizite në Abidjan, ai paralajmëroi për habinë e të gjithëve një reformë të frangës CFA të Afrikës Perëndimore. Tetë shtetet në fjalë nuk do të detyrohen t’i plasojnë 50% të devizave të tyre në thesarin francez. Megjithatë, rreth pesëdhjetë intelektualë afrikanë denoncojnë vazhdimin e “lidhjeve të subordinimit monetar“, në veçanti mbajtjen e paritetit fiks me euron.

Me rritjen e numrit të atentateve në Sahel, është shfaqur një tjetër temë polemikash që mobilizon publikun e gjerë: prania ushtarake franceze në Afrikë. Që nga viti 1960, Franca ka baza të përhershme dhe të përkohshme në ish-kolonitë e saj. Ushtria tringjyrëshe është përdorur shpesh për t’i sjellë në pushtet ose për t’i mbrojtur udhëheqësit aleatë, sikurse Omar Bongo në Gabon në vitin 1990 ose z.Idriss Déby Itno në Çad në vitin 2008. Në vitin 2011, ndërhyrja e Francës për t’i mundësuar z. Alassane Ouattara ta merr presidencën në Bregun e Fildishtë, pas një krize vdekjeprurëse pas zgjedhjeve, u perceptua si larje hesapesh ndaj kreut të shtetit në largim Laurent Gbagbo. Në qytetin Duala në Kamerun, qindra shoferë të mototaksive patën shprehur mosmiratimin e tyre ndaj “përzierjes franceze“.

Tanimë, Presidentët e Afrikës frankofone, disa prej të cilëve janë në detyrë për disa dekada me radhë, gjinden në mes kërkesës popullore për rritje të emancipimit dhe nga ana tjetër presionit të autoriteteve franceze që janë të përkushtuar në interesat e tyre ekonomike dhe të sigurisë. Disa prej tyre e dinë se nuk do të ishin në pushtet pa Parisin zyrtar.

Që nga viti 2013 dhe operacioni “Serval” i cili i dha fund ofansivës xhihadiste në Bamako, kritikët acarohen nga fakti se grupet e armatosura zgjerojnë aktivitetet e tyre me veprime vdekjepruese në Mali dhe në Burkina Faso. Një pjesë e popullsisë së Malit mendon që “Franca ndërhyn vetëm për interesa të fshehta ekonomike dhe strategjike duke marrë pjesë në destabilizimin e vendit për ta legjitimuar praninë e saj; por mbi të gjitha ajo është kthyer në anën e ish-rebelëve tuareg”, analizon Boubacar Haidara, studiues i asociuar në laboratorin ‘Les Afriques dans le monde’ (LAM), në Institutin e Studimeve Politike në Bordeaux. “Më habit fakti që francezët nuk kanë qenë në gjendje t’i shkatërrojnë këto banda terroriste. (…) A e dëshirojnë vërtetë atë, apo kanë ndonjë agjendë tjetër?“, thoshte Ministri i Mbrojtjes në Burkina, Chérif Sy, në një intervistë në të përjavshmen e Afrikës së Jugut Mail & Guardian, në qershor 2019.

Aleancat e ushtrisë franceze nxisin mosbesim, si ajo me Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Azawad (MNLA). Ky grup i armatosur bashkë me islamistët e Ansar Dine kishin nisur sulmet e para kundër kampeve ushtarake në veri të Malit më 2012. Pak më vonë, ushtria franceze i bëri partner në luftën kundër xhihadistëve. Franca iu “dhuroj” qytetin e Kidalit, të cilin e kishte çliruar në vitin 2013, sipas fjalëve të Nicolas Normand, ish-ambasador francez në Bamako. Këto dyshime u përforcuan nga fakti se ishte z.Macron ai i cili ishte i pari që njoftoi në nëntor 2019 se kreu i qeverisë maliane do ta vizitonte qytetin së shpejti, kur qyteti ende ishte i kontrolluar nga MNLA dhe aleatët e saj. “Për disa malezë, kjo është dëshmia që ai e mban çelësin e problemit Kidal”, komenton Haidara. “Malezët shohin vetëm joefikasitetin – të vërtetë apo të supozuar – të forcave të huaja, pa e marrë çdoherë parasysh vështirësinë e madhe në trajtimin e problemit të sigurisë, faktorët e të cilit janë shumë të gërshetuar”, shtoi ai, duke theksuar se mosbesim ngjallin edhe forcat e tjera të armatosura të huaja, përfshirë ato të Kombeve të Bashkuara.

Deri tani e heshtur, bota e kulturës po fillon të përfshihet. Në një letër të hapur drejtuar z.Macron, Cheick Oumar Sissoko, kineast dhe ish-Ministër i Kulturës i Malit kritikoi “shprehitë kolonialiste”, një “disponim shpirtëror i përbërë nga kompleksi i superioritetit dhe nga përbuzja sovrane ndaj popujve të dominuar, të shfrytëzuar nga kolonializmi francez, disponim i ngulitur thellë, i kultivuar dhe i mirëmbajtur (…) brenda klasës udhëheqëse franceze”. Këngëtari malez Salif Keita shkaktoi zemërimin e francezëve kur tha se nuk ka “xhihadistë në Afrikë, por vetëm mercenarë të paguar nga Franca“. Ai e akuzoi Presidentin e Malit, z.Ibrahim Boubacar Keïta, duke thënë se “vazhdimisht po i nënshtrohet vocërrakut Emanuel Macron, një çunit“. Muzikanti i cili i kishte bërë këto deklarata derisa ishte jashtë vendit u prit në mënyrë triumfale kur u kthy në Bamako. “Presidenti francez nuk ishte thirrur kurrë “çun”. Madje të gjithë e miratuan këtë emërtim!” thotë Boubacar Boris Diop.

Të tejkaluar nga këto zhvillime, autoritetet franceze  po i shumëfishojnë demantet. “Franca nuk është këtu me synime neokoloniale, imperialiste, apo qëllime ekonomike. Jemi këtu për sigurinë kolektive të rajonit dhe për sigurinë tonë”, tha z.Macron më 4 dhjetor 2019.”Franca nuk ka asnjë interes në Mali. Nuk mbron asnjë kalkulim ekonomik ose politik”, kishte theksuar më parë Presidenti François Hollande në vitin 2013. Por këto deklarata nuk kanë peshë përballë komenteve, të përsëritura rregullisht në rrjetet sociale nga Z Hama Ag Mahmoud, një ish-anëtar i MNLA dhe ish-Ministër i Malit: “Ekziston një luftë për burimet e minierave”.

Z.Macron vështirë fsheh zemërimin e tij. Në fund të vitit 2019, ai u ankua në lidhje me “sjelljet e paqarta” të “liderëve politikë afrikanë për « rrymat anti-franceze ». Duke iu drejtuar udhëheqësve të vendeve të G5 Sahel (Burkina Faso, Mali, Mauritania, Niger, Çad), ai dha një ultimatum: “Pres të sqarohen dhe t’i zyrtarizojnë kërkesat e tyre në lidhje me Francën dhe bashkësinë ndërkombëtare, para se të shtoj : “Kam nevojë që të deklarohen politikisht para opinionit të tyre publik. Këto komente u interpretuan menjëherë si thirrje për t’i heshtur kritikët. “Ne jemi në demokraci” iu përgjigj Roch Marc Christian Kaboré, President i Burkinas përmes mediave. “Nuk mund t’i ndalojmë njerëzit të kenë mendimin e tyre“.

Përballë kritikëve, autoritetet franceze duken gjithnjë më të brishta nga fakti se përveç Rusisë, shtetet e fuqishme, përfshirë Kina dhe Turqia, po kërkojnë ta zgjerojnë ndikimin e tyre tregtar dhe ushtarak në kontinent, duke shumëfishuar partneritetet bilaterale. Kështu që Parisi po shkundet nga të gjitha anët, në një kohë kur po zvogëlohen mjetet e tij financiare.

Presidentët me duart e lidhura

Çfarë duhet të bëjnë francezët? Ta pranojnë heqjen dorë nga dekolonizimi. Po e shtyejnë kënaqësinë deri në fund – ose dhimbjen, në fakt. Duhet pranuar verdikti i historisë. ‘Ik para se të bëhet vonë’, kishte thënë Salif Keita Ibrahim Boubacar Keïta-s. Kjo vlen edhe për Francën, edhe pse e dimë se nuk është aq e thjeshtë, thekson Boubacar Boris Diop. Është edhe më e komplikuar për shkak së “kupës së mbushur të të gjithëve, pasi që një gjë nuk ndryshon, thotë shkrimtari: “pavarësisht se a janë në pushtet apo në opozitë, me disa përjashtime, politikanët kanë frikë të flasin keq për Francën”.

Tanimë, Presidentët e Afrikës frankofone, disa prej të cilëve janë në detyrë për disa dekada me radhë, gjinden në mes kërkesës popullore për rritje të emancipimit dhe nga ana tjetër presionit të autoriteteve franceze që janë të përkushtuar në interesat e tyre ekonomike dhe të sigurisë. Disa prej tyre e dinë se nuk do të ishin në pushtet pa Parisin zyrtar. Të gjithë i kanë parasysh hakmarrjet që i pësuan paraardhësit e tyre që kundërshtuan Francën, sikurse Ahmed Sékou Touré, viktimë e përpjekjeve të shumta për destabilizim, apo Thomas Sankara, i cili u largua me grusht-shtet dhe u vra në vitin 1987.

Më 2 dhjetor 2019, autoritetet e fildishtë parapëlqyen ta dëbonin një zvicërano-kameruneze, znj.Nathalie Yamb, e cila jetonte në Abidjan dhe ishte anëtare e partisë opozitare të fildishtë ‘Liri dhe Demokraci për Republikën’, nën akuzën për “aktivitete të papërputhshme me interesin kombëtar”. Në fund të tetorit, në samitin ruso-afrikan në Soçi, znj.Yamb kishte akuzuar Francën se e konsideron Afrikën “si pronë të saj” dhe i kishte quajtur udhëheqësit e zonës frangë “servilë të Francës“.

Vitet e fundit, vetëm udhëheqësit e Kamerunit kanë përdorur levën “anti-Francë” si pjesë e një përballje me Parisin për të ardhmen politike të vendit e tyre: për disa muaj, mediat e afërta me presidencën kanë zhvilluar një diskurs të ashpër kundër autoriteteve franceze.

Edhe në anën e opozitarëve, të rrallë janë ata që e kritikojnë imperializmin francez për t’i ringjallur idealet e zhvillimit kombëtar, siç e kishin bërë më parë malezi Modibo Keïta ose burkinabeu Sankara. Në ndërkohë, qeveria franceze nuk po e ndryshon kursin: më 2 shkurt 2020, duke injoruar shumë aktorë dhe vëzhgues që thoshin se “siguria mbi gjitha” nuk do të mjafton për ta stabilizuar Sahel-in, qeveria franceze njoftoi përforcimin e njësiteve në operacionin “Barkhane” prej 4500 në 5100 sosh.


*Gazetare. Autore, me Ndongo Samba Sylla, të “L’Arme invisible de la Françafrique. Une histoire du franc CFA”, La Découverte, Paris, 2018.