NË Ç’MASË MUND TË BËHET "PASTRIMI", SI NDRYSHON AUTORITARIZMI ?
Prej Algjerisë në Sudan, përgjigjet ndaj “pranverës arabe”

Në vitin 2019, lëvizjet protestuese në botën arabe ishin në frymën e revoltave të viteve 2011-2012. Pothuajse një dekadë më vonë, opozita kërkon ende shpartallimin e pushteteve në vend, por pa sukses, për shkak të mungesës së strukturave politike. Në Gji, si në Magreb dhe në Lindjen e Mesme, religjioni nuk i përcakton më rivalitetet gjeopolitike.

327

Sizmologët e njohin mirë këtë fenomen: tërmetet shpesh shkaktojnë më pak dëme se dridhjet që ndodhin pas tyre. “Pranvera Arabe” e viteve 2011-2012 shkaktoi çarje të thella në sistemet autoritare që qeverisnin rajonin, duke treguar fuqinë e lëvizjeve popullore kur ato thyejnë murin e frikës. Dridhja më e madhe në vitin 2019, me një valë protestash që tronditi shumë pushtete në vend.

Trazirat aktuale në Algjeri, Egjipt, Irak, Jordani, Liban dhe Sudan paraqesin amplifikimin logjik të “pranverës arabe”. Po dëshmohet përsëri se këto shoqëri që ballafaqohen ende me padrejtësitë ekonomike dhe politike nuk e pranojnë kapitullimin. Sigurisht se kundërshtarët e tyre (regjimet despotike) mbeten po ashtu të vendosur për ta mbajtur pushtetin dhe përpiqen të përshtaten me të pakënaqurit për të mbijetuar.

Të dhënat strukturore nuk kanë ndryshuar që nga kryengritjet e viteve 2011-2012 dhe kjo po nxit pakënaqësi. E dhëna e parë është rinia. Një e treta e popullsisë është nën 15 vjeç dhe një e treta tjetër midis 15 dhe 29 vjeç. Në dhjetëvjeçarin e fundit, në botën arabe gjenerata më e re, më e madhja në rrafshin demografik dhe me nivelin më të lartë të arsimit, ka arritur moshën e rritur. Kjo grupmoshë karakterizohet gjithashtu nga përfshirja e saj e thellë në mediat sociale dhe nga zotërimi i teknologjive në internet.

Konstantja e dytë është ekonomike. Zhvillimi i rajonit mbetet anemik. Papunësia dhe shkalla e varfërisë janë përkeqësuar në shumicën e shteteve, përveç se në monarkitë e pasura të Gjirit. Sipas Bankës Botërore, 27% e arabëve të rinj janë të papunë, më shumë se në çdo rajon tjetër të botës. Dëshira për të emigruar, kryesisht për shkaqe ekonomike, ka arritur nivele historikisht të larta. Në raportin e fundit të barometrit arab në vitin 2018, një e treta ose më shumë nga të intervistuarit në Algjeri, Irak, Jordani, Marok, Sudan dhe Tunizi deklarojnë se dëshirojnë të largohen nga vendi i tyre. Në Marok, 70% e të rinjve 18-29 vjeçar ëndërrojnë të largohen. Qeveritë cinike nuk bëjnë asgjë për ta ndalur këtë hemorragji sepse në këtë mënyrë edhe i heqin qafe të rinjtë që mund të protestojnë kundër gjendjes së tyre materiale.

Pushtete që do të shkojnë deri në fund

Arsyeja e tretë strukturore që ushqen pakënaqësinë e përgjithshme: nuk ka progres në mënyrën e qeverisjes. Mungesa e politikave dhe praktikave demokratike – përveç në Tunizi – ka rezultuar në rritjen e margjinalizimit të popullatës. Shumë qytetarë besojnë se korrupsioni është endemik. Punësimi dhe përfitimi i shërbimeve efektive janë çështje favorizuese, të cilat marrin për bazë anëtarësimin në rrjetet klienteliste, në dëm të ekselencës meritokratike.

Strukturat mbeten të njëjta, por mënyra e protestimit tani përfshin tendenca të reja. Së pari, lëvizjet popullore kanë kuptuar se rrëzimi i pushtetarëve nuk e garanton ndryshimin e regjimit. Dhe veçanërisht kur zonat e rezervuara mbeten të kontrolluara nga institucionet ushtarake dhe kur nuk ndryshojnë rregullat e lojës politike. Kështu që protestuesit nuk po kërkojnë zgjedhje të reja të nxituara. Aktivistët algjerianë dhe sudanezë nuk dëshirojnë që të përsëriten gabimet e revolucionit egjiptas të vitit 2011. Ata kërkojnë shpartallimin e të gjitha komponenteve të sistemit autoritar.

Për më tepër, protestuesit janë më të vetëdijshëm për dobitë dhe mangësitë e teknologjisë së informacionit. Në të kaluarën, rrjetet sociale janë përdorur për ta anashkaluar censurën dhe për ta shmangur represionin shtetëror. Tani, këto rrjete janë mjet për ta shprehur angazhimin dhe për të zhvilluar beteja kundër shtetit, virtuale por të përhershme, përmes krijimeve artistike, humorit apo kritikave të ashpra, për t’i delegjitimuar drejtuesit dhe institucionet. Një disidencë e tillë po zhvillohet veçanërisht në Algjeri dhe Liban – ku lëvizjet protestuese kanë dalur edhe në rrugë – por gjithashtu edhe në vendet që perceptohen nga perëndimi si më të qeta, për shembull Maroku apo Jordania. Mediat sociale në botën arabe nuk shfrytëzohen më vetëm për t’i ikur realitetit, por janë shndërruar në një mjet konfrontimi midis shtetit dhe një pjese të shoqërisë. Por, pengesa kryesore për protestuesit: edhe pushteti po përdor rrjetet e internetit për të shpërndarë propagandën dhe për t’i identifikuar dhe pastaj ndëshkuar, kundërshtarët më aktiv.

Dhe në fund, aktivistët janë larguar edhe më shumë nga ideologjitë e mëdha. Gjatë “Pranverës arabe” ishte veçuar zhgënjimi nga “izmet” e mëdha: panarabizmi, islamizmi, socializmi, nacionalizmi. Tani lëvizjet masive nuk i besojnë premtimeve utopike; ata preferojnë betejat e përditshme për ta përmirësuar qeverisjen e shtetit të tyre. Përgjigja ndaj ‘tërmetit’ të viteve 2011-2012 përforcoi këtë zhvillim duke i dhënë fund idilit filozofik me demokracinë. Forcat e opozitës kërkojnë së pari shpartallimin e të gjitha strukturave të ekonomisë së vjetër politike, që gjenerojnë pabarazi dhe padrejtësi. Gratë luajnë tani një rol më të rëndësishëm në këto lëvizje të reja popullore, pra kritika radikale kundër rendit të vjetër shënjeshtron gjithashtu patriarkatin.

Edhe regjimet autoritare kanë mësuar nga ngjarjet e dhjetëvjeçarit dhe nga fati i ish-presidentit Zine El-Abidine Ben Ali në Tunizi dhe homologut të tij Ahmad Ali Saleh në Jemen. Tani janë më të kujdesshëm kur bëjnë premtime demokratike. Kur sistemi sulmohet nga lëvizjet popullore, pushtetet nuk e tolerojnë disidencën si më parë për të fituar kohë, por tani përkundrazi qeveritë përgjigjen në mënyrë më racionale duke e vazhduar represionin.

Fati i disidenteve sauditë në ekzil është emblematikja e procedurave ekstreme të përdorura përballë çdo gjëje që paraqet kërcënim. Përdorimi i kësaj dhune u përforcua nga një fakt tepër cinik: regjimeve iu sigurohet pandëshkueshmëria. “Komuniteti ndërkombëtar” vazhdon t’i denojë shkeljet e të drejtave të njeriut, por në fakt fuqitë e huaja përshtaten me trajtimin e opozitës demokratike në shtetet arabe. Regjimi i marshallit dhe presidentit të Egjiptit, Abdel Fatah Al-Sisi, aleat i çmuar i perëndimit, nuk dha asnjë llogari për përmbysjen e qeverisë së votuar, as për vrasjen e disa qindra njerëzve gjatë demonstratave në sheshin Rabia-El-Adaouïa në Kajro, në vitin 2013. Nuk dha llogari as për vdekjen në rrethana të dyshimta të ish-presidentit Mohamed Morsi gjatë gjyqit të tij në qershor 2019.

As vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi brenda konsullatës së vendit të tij në Stamboll, më 2 tetor 2018, nuk i prishi marrëdhëniet midis Rijadit dhe pjesës tjetër të botës. Në Siri, z.Bachar Al-Asad qeveris akoma megjithë kërdinë e luftës civile. Në janar 2011, një skandal u shkaktua kur Ministrja franceze për Punë të Jashtme Michèle Alliot-Marie ofroi ta ndihmoj regjimin tunizian të Ben Ali; por kur Franca e mbështeti ndërmjetësimin e Organizatës të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Libi dhe në të njejtën kohë i armatosi trupat e marshallit Khalifa Haftar, kjo kaloj në heshtje.

Sudani është një rast i veçantë i përgjigjes ndaj “pranverës arabe”. Vetëm në këtë vend mund të ketë negociata paqësore për t’i hapur rrugë demokracisë. Mobilizimi është i tillë që liderët e opozitës mund ta nxisin opinionin popullor në kohën kur pushtetarët nuk kanë mbështetje ndërkombëtare. Por, ky është rast i veçantë. Sudani dallohet nga vendet e tjera arabe: shoqëria civile është plot vitalitet. Ekziston një rrjet shumë aktiv i shoqateve profesionale dhe aktivistët shprehin gatishmëri për t’i sjellur udhëheqësit ushtarakë në tryezën e bisedimeve. Për dekada të tëra, në këtë vend, sindikatat, organizatat joqeveritare etj, janë të gatshëm të përfshihen në jetën politike.

Kurse, në Irak, Liban dhe Algjeri, përgjigjja aktuale ndaj “pranverës arabe” shënohet nga një dëshirë për “pastrime” të gjëra, për t’i larguar elitat e vjetra politike. Por, për t’u ballafaquar me regjimin, asnjë strukturë politike nuk e mbështet këtë kërkesë radikale: protestuesit qëndrojnë larg arenës politike, nga frika se do t’i diskreditonte kontakti më i vogël me klasën qeverisëse. Organizimi horizontal i mobilizimit parandalon shfaqjen e liderëve, zëdhënësve. Fillimisht, kjo ishte një përparësi pasi që e zvogëlonte efikisatitetin e represionit, por kjo situatë tani komprometon mundësinë e daljes nga kriza. Kjo rrymë e “pastrimeve” çon ndonjëherë në qorrsokak.

Në disa vende, demonstruesit nuk kanë asnjë ndikim ekonomik për t’i bërë presion autoriteteve. Regjimi algjerian dhe irakian varen nga eksporti i hidrokarbureve. Përpunimi i këtyre lëndëve bëhet në industri sociologjikisht të mbyllura dhe të larguara gjeografikisht. Në këto vende “hirakët” (lëvizjet popullore) nuk mund të veprojnë në bërthamën ekonomike të regjimit.

Sudani dallohet nga vendet e tjera arabe: shoqëria civile është plot vitalitet. Ekziston një rrjet shumë aktiv i shoqatave profesionale dhe aktivistët shprehin gatishmëri për t’i sjellur udhëheqësit ushtarakë në tryezën e bisedimeve. Për dekada të tëra, në këtë vend, sindikatat, organizatat joqeveritare etj, janë të gatshëm të përfshihen në jetën politike.

Përtej mësimeve të nxjerra prej “pranverës arabe” nga regjimet dhe opozita, peizazhi fetar dhe situata gjeopolitike kanë ndryshuar shumë. Tani përplasjet në mes pushteteve dhe popullsisë nuk janë më pjesë e rivalitetit midis kampit iranian dhe sunizmit kundër-revolucionar të përfaqësuar në veçanti nga disa monarki të Gjirit.

Për ta ngadalësuar valën e protestave të viteve 2011-2012, blloku kundër-revolucionar i udhëhequr nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) i përkeqësoi qëllimisht konfliktet sektare. Kështu shpresonte në copëtimin e shoqërive dhe në shuarjen  e kundërshtimit demokratik ndaj kampit iranian. Teherani dhe vartësit e tij – Hezbollahu Libanez, regjimi i Z. Al-Asad, grupet e armatosura houthiste (në Jemen) dhe irakiane – kanë kontribuar në masë të madhe në këtë thyerje: shovinizmi sunit i promovuar nga Rijadi dhe Abu Dhabi ndikoi në disa konflikte kombëtare dhe arsyetoi mbështetjen e akterëve përkrahës të kampit shiitë.

Kufijtë e ndikimit saudit

Këto strategji rajonale janë ndalur tani. Brenda boshtit iranian, narracioni fetar nuk i tërheq aktivistët e rinj. Në Liban dhe Irak, rryma e “pastrimit” nuk kursen asnjë fe. Në Irak, protestuesit shiitë i kanë sulmuar edhe misionet diplomatike iraniane. Situata ka ndryshuar tani në Teheran, me dy lloje valësh të protestave, me protesta të rregullta kundër regjimit teokratik brenda vendit si dhe në sferën e ndikimit të tij.

Ka dështuar gjithashtu fushata kundër-revolucionare e bllokut të emirateve saudite. Çeqet e bardha të nënshkruara për disa udhëheqës arabë nuk garantojnë stabilitetin e regjimit të tyre. Në Egjipt, megjithë ndihmën e vendeve të Gjirit, z.Al-Sissi nuk arriti ta imponoj një model të ri të një regjimi të forte, ku bashkëjetojnë autoritarizmi, zhvillimi i shpejtë ekonomik dhe stabiliteti politik. Përkundrazi: Egjipti përfaqëson një antimodel që nuk dëshiron ta imitojë asnjë vend arab, nga fakti se ushtria e tij është bërë një forcë grabitqare që qeveris të gjithë sektorët e ekonomisë.

Dështimet e koalicionit sunit tregojnë kufijtë e ndikimit saudit. Shembulli i fundit: shumë kryeqytete arabe kanë kundërshtuar “marrëveshjen e shekullit” të përpiluar nga z.Donald Trump për t’i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez. Nuk u plotësuan ëndrrat e së djathtës izraelite përmes këtij plani, pavarësisht përpjekjeve të princit trashëgimtar Mohamed Ben Salman (MBS). Një tjetër shembull i dështimit saudit: Rijadi nuk ka shënuar asnjë fitore strategjike në luftërat në Jemen, ku situata humanitare është me pasoja tragjike. Përkundrazi. U shfaqen dobësitë e brendshme ushtarake të mbretërisë, si dhe paaftësia e saj për t’i dërguar forcat e saj jashtë kufijve.

Si dhe, në rrafshin e brendshëm, nuk duket se mund të arrihet diversifikimi i ekonomisë me anë të zvogëlimit të varësisë nga hidrokarburet. Kompania publike e naftës ‘Aramco’ kishte hyrë në Bursën e Riadit në fund të vitit të kaluar, por nuk kishte ngjallur entuziazmin e pritur të investitorëve ndërkombëtarë. Si duket, ky operacion ndikoi vetëm në zgjatjen e aferës “Ritz Carlton” në nëntor 2017, ku shumë personalitete saudite ishin mbajtur në hotelin luksoz në Rijad dhe ishin liruar vetëm pasi kishin dorëzuar shuma të mëdha në arkat e thesarit saudit.

Në dhjetor, pas shumë diskutimeve për çmimin e hyrjes së aksioneve Aramco, investitorët saudit u detyruan të shesin kapitalet e tyre për t’i blerë letrat me vlerë të grupit. Qasja e kapitalit Aramco ishte paraqitur me shumë publicitet, por në fakt nuk rezultoi në privatizimin apo në diversifikimin e ekonomisë, por ilustroi kontrollin e monarkisë mbi ekonominë.

Ndryshimet thelbësore që ndodhën në strategjinë gjeopolitike të Shteteve të Bashkuara duhet të merren parasysh nga kampi kundër-revolucionar sunit. Në cilësinë e superfuqisë, Uashingtoni nuk e llogarit më botën arabe si thelbësore. Ekonomia amerikane, si dhe tregjet kryesore botërore, mund t’i rezistojnë çdo ndërprerje të prodhimit të naftës në Lindjen e Mesme falë burimeve të reja të furnizimit. Për më tepër, kundërshtarët si Organizata e Shtetit Islamik (ISIS) ose Irani nuk paraqesin kërcënime ekzistenciale, si dikur Al-Kaida. Dhe opinioni publik i cili është lodhur nga konfliktet e përsëritura në Lindjen e Mesme refuzon ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në rajon, përveç në rastin e një sulmi iranian kundër Izraelit.

Është e qartë se administrata e z.Trump e ka braktisur pothuajse rolin e mbrojtësit të vendeve të Gjirit kundër Iranit. Në janar, vrasja e gjeneralit iranian Ghassem Soleimani kishte më shumë për qëllim demonstrimin e qëndrueshmërisë së Uashingtonit përballë trazirave irakiane që e kërcënonin ambasadën amerikane në Bagdad. Deri atëherë, Shtetet e Bashkuara nuk kishin dashur të përfshiheshin në një operacion ushtarak anti-iranian, edhe pas sekuestrimit të anijeve të naftës nga pasdaranët (rojet e revolucionit) në Gji, shkatërrimit të një droni amerikan dhe sulmit ndaj rafinerive saudite të naftës. Po kështu, ketë ndryshim strategjik e tregon fakti që Uashingtoni i ka braktisur aleatët kurdë në verilindje të Sirisë dhe ka qëndruar pasiv ndaj ndërhyrjes ushtarake turke në rajon.

Shtetet e Bashkuar kanë hyrë në një fazë ‘jacksoniane’ të politikës së jashtme: ndërhyrjet e tyre të jashtme kanë për qëllim vetëm ruajtjen e sigurisë së brendshme dhe nuk parashohin angazhime afatgjata. Kjo rënie e intensitetit të hegjemonisë amerikane detyron Arabinë Saudite dhe Iranin ta analizojnë situatën. Rijadi tani e di se mbështetja amerikane nuk është më e pakushtëzuar. Tani që sulmi ndaj rafinerive saudite nuk ka ndikuar fare në çmimin e arit të zi, Teherani e ka të qartë se e ka të kufizuar ndikimin në rajon, si dhe mundësinë e veprimeve qëllimkëqija. Sigurisht, situata në rajon mund të ndezet përsëri rreth çështjes së sigurisë të Izraelit. Mund të ketë gjithashtu raste sporadike të konfrontimeve midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Kjo do të kontribuojë në destabilizimin e rajonit, por jo me përmasa të një konflikti madhor me beteja të hapura midis forcave amerikane dhe iraniane.

Rendi rajonal që e përcaktonte Lindjen e Mesme në vitet 2010 tani është i organizuar sipas një logjike të re. Arabia Saudite po e rishikon embargon kundër Katarit, të cilin e kishte dekretuar në pranverën e vitit 2017 – gabimi më i madh që ishte bërë në politikën e jashtme brenda një gjenerate. Nga ana tjetër, Emiratet e Bashkuara Arabe po i shfuqizojnë angazhimet e tyre ushtarake ndaj Jemenit. Për t’i lehtësuar tensionet rajonale, Riadi dhe Abu Dhabi shprehin gatishmërinë për të biseduar drejtpërdrejt me Iranin. Por kjo nuk do të thotë se Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do ta braktisin afërsinë e tyre me Izraelin, për arsye kryesisht të lidhura me sigurinë e tyre. Teknologjitë izraelite të mbrojtjes si dhe të inteligjencës, përfshirë teknologjinë kompjuterike, kanë shumë peshë në këtë martesë interesi. Aftësia e shtetit hebraik për të goditur ushtarakisht (kudo) interesat e Iranit dhe të aleatëve të tij është një tjetër faktor që merret parasysh.

Arabia Saudite (partnerët e saj rajonal) dhe Irani i kanë kuptuar kufijtë e strategjisë shtrënguese në Gji dhe natyrën iracionale të konfliktit latent të tyre në rajon. Këta akterë përballen tani diku tjetër me rivalitete gjeopolitike në rajonin lindor mesdhetar. Këtu formohen dy aleanca të reja. Nga njëra anë, Egjipti, Izraeli, Qiproja dhe Greqia: interesat e tyre të përbashkëta në shfrytëzimin e rezervave të gazit natyror offshore arsyetojnë praninë e tyre detare dhe bashkëpunimin në rritje ushtarak. Në anën tjetër, Katari, Turqia dhe qeveria e Libisë e vendosur në Tripoli. Në këtë konfigurim, Libia është arena e fundit ku mund të shënohet dhuna midis këtyre dy blloqeve. Ky vend i ndarë, në prag të një lufte civile në mes disa akterëve, është shndërruar në një zonë të anarkisë, ku mercenarët dhe dronët e huaj veprojnë në vijat e frontit dhe forcat e huaja e mbështesin hapur njërin kamp apo tjetrin. Në pikëpamje të ndryshme, Libia është ndoshta viktima kryesore e ripërcaktimit të vazhdueshëm të rivaliteteve gjeopolitike në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e Mesme.

Në këtë rimodelim, Rusia përfaqëson një rast të veçantë. E pranishme në Siri, aktive në Libi, ky vend vepron nga impulse kundër-revolucionare, por kjo nuk është pjesë e një strategjie globale. Moska i konsideron disa regjime autoritare para se gjithash si partner, që i shërbejnë interesave të saj në rrethana specifike. Në këto raste, Rusia bën ndërhyrje ushtarake me kosto të ulta, por shumë efikase, për të cilat nevojiten baza të vogla dhe shpesh edhe partnerë privatë. Operacionet e kompanisë ushtarake Wagner shtrihen nga Siria në Republikën Qendrore të Afrikës. Kjo kompani po korrë sukses aty ku kishte dështuar Blackwater Amerikan. Moska nuk ka vizion afatgjatë të rendit rajonal. Ajo i shfrytëzon konfliktet ekzistuese që i mundësojnë përfitime gjeopolitike me kosto të ulët. Pra, vizioni rus është taktik dhe jo strategjik.

Përveç Sudanit, të gjitha lëvizjet protestuese janë bllokuar. Kjo rikthen pyetjen e zakonshme: a do të ishin monarkitë zgjidhje ideale për stabilitetin politik? Kjo pyetje ishte shtruar qysh në fillim të viteve 2010 pas rënies së presidentit tunizian Ben Ali dhe të homologut të tij egjiptian Hosni Mubarak. Monarkitë do ta gëzonin një legjitimitet më të madh për shkak të rrënjëve të tyre të thella kulturore dhe shoqërore në popullatë. Gjithashtu do të ishin më të afta për ndërmjetësimin e konflikteve dhe për të udhëhequr vendin në rast krize, për shkak të gatishmërisë dhe fleksibilitetit të tyre si institucione politike që mund t’i kalojnë grindjet partizane.

Ndryshe nga mbretëritë dhe emiratet e Gjirit, ku nuk ka aktivitet politik (përveç në Kuvajt), në Marok dhe në Jordani, dy vende ku mbahen zgjedhjet parlamentare, prej kohësh avokohet në favor të monarkive në botën arabe. Pushteti aktiv mbretëror kombinohet me disa parti politike, disa prej të cilave deklarohen opozitare, por megjithatë nuk e sfidojnë monarkinë. Sidoqoftë, gjatë viteve të fundit, mënyra e qeverisjes ka qenë gjithnjë e më e kontestuar në nivel kombëtar. Dhe as Rabati dhe as Amani nuk kanë treguar fleksibilitet dhe reaktivitet, si në të kaluarën, kur i zbusnin krizat, veçanërisht duke e zgjedhur bashkërisht një pjesë të opozitës.

Në anën tjetër, protestuesit e kuptuan se monarkia nuk duhet vërë në pyetje. Për sa kohë që ata përmbahen, regjimet e monarkive mund të përshtaten dhe t’i vazhdojnë zakonet e tyre të vjetra konservatore. Për ta përdorur një metaforë ekonomike, një produkt që gëzon monopol të tregut mund të mos ndryshojë kurrë, por nëse një produkt konkurrues shfaqet, ai duhet të evoluojë për të mbijetuar. Në këtë rend idesh, lëvizjet protestuese tani po i tejkalojnë kufijtë e autorizuara duke i përdhosur monarkitë. Kjo mund të rezultoj me kërkesa republikane. Sapo status quo-ja të bëhet e papërballueshme, çështja për këto mbretëri do të jetë si ta përdorin në mënyrën më të mirë legjitimitetin e tyre dhe burimet politike që do t’u mbeten për ta pamundësuar zgjidhjen republikane.

*Hulumtues i asociuar në Universitetin Harvard (SHBA), autor i “Journal d’un prince banni”. Demain, le Maroc, Grasset, Paris, 2014.