VRASJA E KLODIAN RASHËS
Protestat që rrëzuan ministrin e policisë

Një panoramë e shkurtër për dhunën që në gjashtë ditë u bë lajm kryesor në Shqipëri. Vrasja e një të riu, që largoi Ministrin e Brendshëm.

469

Shqipëria nuk është aspak imune ndaj krimit të organizuar, apo atij të rrugës. Përkundrazi, si një vend me demokraci të brishtë dhe sistem drejtësie në reformim, ngjarjet kriminale nuk mungojnë asnjë ditë në morinë e lajmeve që serviren. Por megjithëse të mësuar me vrasje, mëngjesi i 8 dhjetorit tronditi të gjithë. Në atë që Shqipëria e ka shpallur “Ditën e Rinisë” ishte vrarë një 25-vjeçar dhe çfarë e bënte më të rëndë raportimin ishte fakti se viktima kish qenë krejt pa faj dhe jetën ia kish marrë një polic. Qëndrimi i Policisë së Shtetit përmes tri deklaratave kontradiktore bënë që dyshimet të shtoheshin më tepër mbi veprimet e efektivit Nevaldo Hajdaraj sesa mbi viktimën Klodian Rasha. Ky i fundit u tha se kishte qenë i armatosur, se kishte bërë rezistencë dhe si pasojë polici e qëlloi i ndodhur para kushteve të vetëmbrojtjes. Pikërisht mungesa e fakteve mbi këto pretendime fillestare të policisë bënë që në rrjetet sociale krahas ‘memeve’ të shpërthenin edhe parrullat e thirrjet për tubim.

Të nesërmen e ngjarjes, teksa Rasha u përcoll për në banesën e fundit, të shumtë qenë protestuesit e mbledhur pas organizimit në Facebook. Në qendër të Tiranës, nën thirrjet kundër Policisë, si rrallëherë në krye të protestës nuk ishte më opozita politike. Disa fytyra të rinjsh udhëhiqnin turmën drej institucioneve kryesore në sheshin ‘Skënderbej’ dhe bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ ku aktet e dhunës nisën të përshkallëzohen. Pas sulmeve ndaj forcave të rendit duke plagosur disa prej tyre, gurëve dhe molotovëve nuk u shpëtuan as godinat. Bashkia e Tiranës, Kryeministria dhe selia e Partisë Socialiste ishin tabela e qitjes për qindra adoleshentë. Ajo çka tronditi jo pak opinionin ishte një ngjarje e shëmtuar mbi tempujt e kulturës. Për herë të parë qysh prej krijimit të tyre, me gurë e zjarr u sulmuan edhe Biblioteka Kombëtare dhe Muzeu Historik Kombëtar. Ngjarje që nuk kishin ndodhur kurrë më parë, as në vitin e errët 1997. Madje, as dekori i festave të fundvitit nuk i shpëtoi barbarisë në shesh. Pema e Krishtlindjeve u dogj, dritat kudo u thyen dhe sinjalistika rrugore u shkatërrua me mllef. Gjithsesi, para një turme pa ‘kokë’ u bë gjithnjë e vështirë të identifkoheshin organizatorët apo drejtuesit. Madje ajo nuk u thye as nga fakti që babai i viktimës bënte thirrje që asnjë lule të mos prekej në emër të djalit të tij.

Pas gjashtë orësh të dhunshme, policia e cila kish përdorur më parë edhe gaz lotsjellës apo ujë për t’i shpërndarë, nisi ndalimet e shoqërimet e protestuesve. Panorama e 9 dhjetorit u përsërit edhe plot pesë ditë të tjera. Jo vetëm në Tiranë, por edhe në Korçë, Durrës e Shkodër ku fëmijët ishin në ‘vijën e parë’. Pavarësisht tkurrjes së pjesëmarrjes nga dita në ditë, dhuna nuk mungonte ku për herë të parë u shfaq edhe një fiksim për të thyer semaforët. Si përfundim, plot 93 persona mbetën në burg dhe 314 të tjerë po hetohen me detyrim paraqitje apo ‘arrest shtëpie’. Ndërsa mes policëve të plagosur më gurë e mjete piroteknike njëri prej tyre rrezikon shikimin.

Krahas shfaqjes së shëmtuar që ofroi dhuna mbi Tiranën në prag të festave të fundvitit, protesta solli jo pak zhvillime në kampin politik. Teksa opozita heshte duke mos apeluar për qetësim gjakrash, Ministri i brendshëm Sandër Lleshaj dha dorëheqjen. Ishte vetë shefi i qeverisë, Edi Rama, që njoftoi në ditën e dytë të protestës se largimi i ministrit ishte një akt për t’u përshëndetur, edhe pse nuk kishte asnjë përgjegjësi mbi policin vrasës. Gjithësesi, dorëheqja e Lleshajt nuk i kënaqi një grupim të vogël protestuesish që tentuan ta mbanin ndezur frymën duke kërkuar edhe largimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Rama tha se nuk duhej marrë si dobësi largimi i ministrit, duke marrë në mbrojtje kështu kryepolicin Ardi Veliu. Por ikja e një emri nga kabineti qeveritar ishte një lajm akoma e më i madh për qytetarët e kryesisht për median.

Teksa prej kohësh në studio televizive shumica e zërave mediatikë kërkonin ndryshime në qeveri, këto vërejtje nuk ishin marrë parasysh nga kryeministri. Edi Rama madje nuk pranoi të ndryshonte asnjë ministër, as i diktuar nga pandemia apo zhvillimet e brendshme në Partinë Socialiste, siç ishte Asambleja apo afrimi i fushatës zgjedhore. Fatkeqësisht u desh një vrasje dhe disa protesta, që kabineti qeveritar të ‘shkundej’ duke sjellë dy risi në qeveri. Atë të Bledi Çuçit si pasues të Sandër Lleshajt dhe emrin e Milva Ekonomit në krye të Ministrisë së Bujqësisë. Tashmë Rama është i justifikuar para të tijëve dhe kritikëve, ndërsa emri i ‘Klodian Rashës’ do t’i vihet rrugës ku u vra, me propozim të Bashkisë Tiranë. Familja e tij përfitoi nga Këshilli i Ministrave një pension të possaçëm dhe të konsiderueshëm. Ndërsa qytetarët ende nuk e dinë konkluzionin e hetimeve se çka ndodhur mëngjesin e 8 Dhjetori mes viktimës dhe efektivit të ‘Shqiponjës’…