Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Pse z.Putin është kaq i palëkundur?

Intelektual marksist, Boris Kagarlitsky është një figurë kryesore e së majtës ruse. Nga burgu ku ndodhet për shkak të kundërshtimt të tij ndaj luftës, ai vazhdon të reflektojë mbi rendin ndërkombëtar. Në këtë artikull, të shkruar së bashku me Alexei Sakhnin, një aktivist në mërgim në Francë, ai zbulon përçarjet brenda kampit të pushtetit rus që mund të thellohen.

Gusht 2025

Duke u angazhuar në çështjen ukrainase një ditë pas zgjedhjes së tij, Presidenti i SHBA-së Donald Trump bëri lëshime të rëndësishme ndaj Moskës, si heqjen dorë nga planet për ta integruar Ukrainën në NATO apo njohjen zyrtare të Krimesë si territor rus. Gjashtë muaj më vonë, Kremlini ruan pretendimet e tij territoriale ndaj pesë rajoneve të fqinjëve të tij dhe ende synon të vendosë kufizime ndaj Kievit në lidhje me garancitë e sigurisë. Qëndrimi i palëkundur rus – shpesh i shpjeguar si pasojë e kokëfortësisë e një njeriu të vetëm, z.Vladimir Putin – kuptohet më mirë në dritën e debateve të nxitura nga hapja amerikane në vend. Po dalin dy trende, por të dyja bien dakord në një pikë: të mos lëshojnë asgjë në lidhje me Ukrainën.

Kjo situatë nuk është pa ironi: duke miratuar paketa masive sanksionesh pas pushtimit të vitit 2022, Uashingtoni dhe Brukseli shpresonin ta përçanin kampin e pushtetit. Atëherë ishte e paimagjinueshme një ndërprerje e lidhjeve ekonomike midis Moskës dhe botës perëndimore. Gjysma e tregtisë së jashtme ruse – 393 miliardë dollarë – kryhej atëherë me Bashkimin Evropian (BE), 4.5 herë më shumë se tregtia ruso-kineze. Rusia ishte partneri i tretë më i madh tregtar i BE-së, menjëherë pas Shteteve të Bashkuara (543 miliardë dollarë) dhe Kinës (466 miliardë dollarë). Në vitin 2016, më shumë se 70% e stokut të investimeve të huaja direkte ruse ndodhej në një vend të Bashkimit Evropian (duke përjashtuar qendrat financiare “offshore” ose ato që përqendrojnë “holdings” financiare); edhe më shumë nëse llogarisim Qipron, Luksemburgun ose Holandën, të cilat shërbejnë si platforma pa taksa për kapitalet e vendit. Në krye të vendeve investitore (duke përjashtuar gjithashtu parajsat fiskale), Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca mbajnë gati 33 miliardë dollarë asete në Rusi. Shumë oligarkë dhe zyrtarë të lartë, si dhe bashkëshortet dhe fëmijët e tyre, jetojnë ose studiojnë në Londër, Paris ose Nisë.

Nga ana e saj, opozita liberale llogarit në një përçarje brenda klasës drejtuese. Në vitin 2023, z.Leonid Volkov, bashkëpunëtori më i afërt i Alexei Navalny (i cili vdiq në burg në shkurt 2024), si dhe disa përfaqësues të tjerë të organizatave që kundështojnë politikat e Kremlinit, në një letër drejtuar z.Josep Borrell, kreut të diplomacisë së Brukselit, kërkuan heqjen e masave kufizuese kundër disa oligarkëve që nuk e kishin mbështetur pushtimin e Ukrainës. “Pata ndjesinë (…) se ishte e mundur, duke krijuar një precedent, të shkaktohej një reaksion zinxhiror dënimesh publike të luftës dhe përçarjesh brenda elitës ruse“, shpjegoi z.Volkov. Por, pas disa hezitimeve, shumica e miliarderëve rus u kthyen në shtëpi dhe konfirmuan besnikërinë e tyre ndaj Kremlinit.

“Shumica globale”

Dy narrativa për ta justifikuar pushtimin e Ukrainës janë përdorur brenda kampit qeverisës që nga viti 2022. Sipas të parës, Rusia kundërshton një Perëndim hegjemonik që e përdor Ukrainën si një mjet për ta nënshtruar atë. Shprehja “shumicë globale”, sinonim i “Jugut Global”, qëndron në thelbin e saj. Duke e përdorur retorikën anti-imperialiste me nuanca të epokës sovjetike, Moska synon t’ia jap një orientim anti-perëndimor. E formuluar nga intelektualë dhe politologë besnik ndaj Kremlinit – siç është Sergei Karaganov, drejtor i Këshillit për Politikë të Jashtme dhe të Mbrojtjes – kjo tezë mbështetet gjerësisht nga Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov. Kështu, në tekstet e programeve të botuara më 2023 në revistën zyrtare të ministrisë, ai vë përballë interesat e “shumicës globale që përfaqëson 85% të popullsisë së Globit” dhe “politikën neokoloniale” të një “grupi të kufizuar shtetesh perëndimore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara”. Grupi prestigjioz i mendimit Valdai Club gjithashtu i kushton seanca të shumta kësaj teme, në të cilat ftohen udhëheqësit e shteteve aziatike dhe afrikane.

Një narrativë e dytë e paraqet Rusinë si një lloj Arke të Noeut të vlerave tradicionale dhe të krishtera të qytetërimit evropian, të “tradhtuar” nga udhëheqësit e Evropës dhe Amerikës së Veriut. Kjo doktrinë është zhvilluar nga intelektualë të ekstremit të djathtë si Alexander Dugin. “Ekzistojnë dy Perëndime“, pohoi ai gjatë një forumi kushtuar botës multipolare i cili u mbajt në Moskë në shkurt 2024. “Perëndimi ‘globalist’ i elitave liberale dhe Perëndimi tradicional i cili vetë vuan nga (mbi)pushteti [i tyre] (…) dhe përpiqet, aty ku mundet, të ngrihet… Fitorja nuk do të jetë një disfatë e Perëndimit kolektiv, por shpëtimi i tij, kthimi në vlerat e veta (…), në rrënjët e tij klasike greko-romake dhe të krishtera“. Kjo qasje mesianike promovohet nga intelektualë dhe editorialistë të ekstremit të djathtë që gravitojnë rreth oligarkut Konstantin Malofeev, pronar i kanalit televiziv Tsargrad dhe financues i një rrjeti të gjerë të grupeve të mendimit ultrakonservatore. Ai ka ndikim edhe në aparatin shtetëror. Katër guvernatorë rajonalë, Komisionerja për të Drejtat e Fëmijëve Maria Lvova-Belova (gjithashtu bashkëshorte e tij) dhe vetë Ministri i Punëve të Jashtme participuan në “Forumin e së Ardhmes – 2050” të tij më 9 dhe 10 qershor 2025. Që në vitin 2023, Zëvendëskryeministri (dhe Ministri aktual i Mbrojtjes) Andrei Belousov deklaroi se Rusia mund të bëhej “shpëtimtari” i elitave konservatore evropiane dhe amerikane.

Deri vonë, këto dy teori bashkëjetonin në paqe. Çdo politikan ose intelektual besnik ndaj Kremlinit ishte i lirë të zgjidhte argumentet e veta – “anti-imperialiste” ose “konservatore mesianike” – dhe në çfarë proporcioni t’i përdorte. Por perspektiva e një “marrëveshjeje” midis z.Putin dhe z.Trump i ka transformuar këto nuanca në vija ndarëse.

Duke folur në emër të grupit të dytë, Alexander Dugin thekson konvergjencën e ideve midis presidentit rus dhe disa prej trumpistëve, por pohon se një marrëveshje me Uashingtonin është gjithashtu një çështje pragmatizmi gjeopolitik. Ai me kujdes, por me vendosmëri, kritikon Kinën. Sipas teoricienit nacionalist, “projekti kinez “Një Brez, Një Rrugë” dhe iniciativat e tjera globale të Xi Jinping (parimi i një fati të përbashkët për njerëzimin) mund të shihen si një version tjetër i globalizmit – jo më amerikanocentrik, por kinezocentrik“. Nga ana tjetër, marrëveshja e z.Trump me Amerikën do t’i lejonte Rusisë të fitonte pavarësi më të madhe brenda kornizës së një “rendi botëror të fuqive të mëdha”. Çështja kryesore është se aleanca me Shtetet e Bashkuara të ëndërruara nga z.Dugin dhe z.Malofeev nuk nënkupton ndonjë lëshim për Ukrainën. “Z.Trump duhet ta kuptojë se Ukraina ose do të jetë e jona, ose nuk do të ekzistojë më“, këmbëngul Dugin. “Duke na dhënë Ukrainën (çfarë i duhet atij?), Trump mund të merret me aneksimin e Kanadasë dhe Groenlandës. Madje ne do ta furnizojmë edhe me metale të rralla, mendoj unë“.

Megjithatë, perspektiva e përafrimit me Shtetet e Bashkuara, edhe pa asnjë kompromis mbi Ukrainën, ka shkaktuar shqetësime te biznesmenët dhe burokratët e përfshirë në bashkëpunimin ekonomik me Pekinin dhe vendet e tjera të BRICS-it. Kina, e cila përfaqësonte 15 deri në 20% të shkëmbimeve tregtare të Rusisë para vitit 2022, ka arritur 34% në vitin 2024 (236.3 miliardë dollarë). Ndër sektorët kryesorë të orientuar drejt partnerit kinez janë kompleksi ushtarako-industrial, industria automobilistike dhe logjistika, si dhe telekomunikacioni. Sektorët e energjisë dhe agroindustria po zhvillojnë gjithashtu projekte të mëdha në kuadër të orientimit drejt Lindjes. Oligopolet e mëdha ruse, të tilla si Rosneft (naftë), Gazprom dhe Rosatom (energji bërthamore), furnizojnë Pekinin me lëndë të para me ndihmën e bankës Vneshtobank. Vendet e BRICS, së bashku tani e përbëjnë gjysmën e tregtisë ruse. Në të njëjtën kohë, tregtia me Evropën është zvogëluar gjashtëfish (në çmimet nominale) duke arritur në 67.5 miliardë dollarë.

Perspektiva e heqjes së sanksioneve dhe kthimi i mundshëm i kompanive perëndimore në tregun rus kanë trazuar qarqe të caktuara të elitës ekonomike. Disa miliardë dollarë asete perëndimore kanë gjetur pronarë të rinj midis biznesmenëve më besnikë ndaj Kremlinit (pas një faze kontrolli të përkohshëm nga agjencia federale për menaxhimin e pronës shtetërore [Rosimushchestvo]). Megjithatë, shkrirja e papritur e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara ka ngjallur frikë se disa nga këto asete do t’iu kthehen ish-pronarëve. Për t’i qetësuar ata, z.Putin iu drejtua një audience biznesmenesh në fund të majit, duke premtuar se shteti “nuk do të tolerojë presionin mbi kompanitë vendase“. Presidenti bëri gjithashtu thirrje për “shuarje” të Microsoft, Zoom dhe shërbimeve të tjera që “veprojnë kundër Rusisë“. E rrënjosur thellë në kulturën ruse, retorika anti-imperialiste mund të bëhet instrument ideal për të shprehur shqetësime që në të vërtetë bazohen në këto interesa ekonomike. 

Shtojcë e Perëndimit

Këto dallime kanë filluar të shprehen më fuqishëm. “Ju nuk do ta drejtoni planetin së bashku. Të shitur dhe trafikantë, të gatshëm të lëshoni të gjithë ‘Jugun Global’ për pesë minuta, për sa kohë që dikush ju ledhaton faqen me një dorë të kuqe – çfarë mund të drejtoni, ju zagarë amerikanë?” është zemëruar Zakhar Prilepin, shkrimtar dhe anëtar i parlamentit nga partia aleate në pushtet “Rusia e Drejtë” duke iu drejtuar apologjetëve të z.Trump. Ndjenja të ngjashme mbizotërojnë midis “blogerëve ushtarakë” me ndikim, shumë prej të cilëve e kanë parë një afrim të mundshëm me Uashingtonin jo vetëm si një kërcënim për sovranitetin e vendit, por edhe si një dëshirë për ta bërë atë përsëri një shtojcë të Perëndimit, furnizues të lëndëve të para. Ngjajshëm, por në një stil më të ftohtë, Fyodor Lukyanov, kryeredaktor i revistës Russia in Global Affairs, e cilëson bashkëpunimin me Shtëpinë e Bardhë në kurriz të marrëdhënieve me “Jugun Global” si një “gabim strategjik”. “Nëse Rusia përqafon propozimet e z.Trump, ndërkohë që largohet nga partnerët e saj joperëndimorë, kjo përforcon stereotipin se ajo vlerëson miratimin perëndimor mbi të gjitha. (…) Një fitore e qartë [në Ukrainë] do ta çimentonte statusin e saj si fuqi në një botë multipolare. Nëse nuk arrin të përfitojë nga ky moment – duke rënë në kurthin e riangazhimit me Perëndimin – Rusia rrezikon të humbasë përfitimet e saj strategjike.”

Që nga fillimi i luftës, autoritetet ruse janë përpjekur të zhdukin çdo shenjë mosmarrëveshjeje brenda shoqërisë dhe mbi të gjitha brenda klasës drejtuese. Por ofertat amerikane e kanë zhdukur menjëherë këtë iluzion uniteti, duke ngritur mundësinë e një përplasjeje – për momentin vetëm retorike – midis tendencave “pro-amerikane” dhe “pro-kineze”.

(Përkthyer prej rusishtës nga Hélène Richard)

Botime të tjera