Zakonisht janë dy dyer përballë njëra tjetrës për ta nxënë “në sendviç” pacientin kokëfortë ose të dhunshëm. Shtrati është i fiksuar në dysheme; ndonjëherë ka lavaman, ndonjëherë nuk ka; ndonjëherë ka tualete, ndonjëherë nuk ka, vetëm “një kovë higjienike pa kapak nga e cila del një erë e rëndë urine dhe jashtëqitje“; sidoqoftë, kur pacienti është i lidhur, ai shpesh e kryen nevojën ndër veti. Kohë pas kohe, mund të ketë marrëveshje të vogla, si në rastin e kësaj paciente të re të pranishme në repart për një vit, “gjymtyrat e të cilës janë të shtrënguara me katër lidhësa, por lidhësa e njërit krah është rregulluar në mënyrë që ajo të mund ta lëshojë legenin në tokë pa ndihmën e askujt“. Zakonisht nuk ka asnjë pullë për thirrje: pacienti detyrohet të bërtasë që të dëgjohet, ose nëse nuk është i lidhur, të “trokasë në derë madje derisa të lëndohet“.
Ai ushqehet shpesh i ulur në dysheme, me shtratin në vend të tryezës dhe përballë tij qëndrojnë dy kujdestarë, në këmbë. Ndonjëherë është lakuriq, për shkak të frikës, siç thuhet, nga “rreziku vetëvrasës“; përndryshe qëndron ditë e natë në pizhame. Me pizhamet e spitalit, sepse nuk ka qasje në gjërat e tij personale. Ndodh që nuk dihet kur është internuar: “Personeli mjekësor i cili punon për një kohë të gjatë thotë se pacienti ka qenë gjithmonë aty”. Vizitat i ka të ndaluara. Në disa institucione, vëzhgimi me video, mikrofona dhe kamera termike janë duke u testuar në dhomat e izolimit. Tani e tutje, asgjë nuk do t’i shpëton tjetrit, i cili është ulur para ekranit.
Nuk është trillim. Këto fakte janë marrur nga tre raporte të znj. Adeline Hazan, mbikëqyrëse e vendeve të ndalimit të lirisë. Ajo publikoi tre “rekomandime urgjente”, në lidhje me qendrën e psikoterapisë në Ain (Bourg-en-Bresse), në mars 2016; në qendrën spitalore universitare në Saint-Etienne (Loire), në mars 2018; dhe në qendrën spitalore Rouvray, në Sotteville-lès-Rouen (Seine-Maritime), në nëntor 2019. Këto fakte dramatike – znj. Hazan flet për “shkelje serioze të të drejtave të pacientëve” – tregojnë se para së gjithash të sëmurët vuajnë më së shumti nga kriza e psikiatrisë. Sapo folëm për shtrengimet dhe izolimin; mund të vazhdojmë duke përmendur të çmendurit e rrugëve – 30% e të pastrehëve (SDF) paraqesin patologji të rënda mendore – apo të çmendurit që jetojnë në gjendje të mjerueshme nëpër burgje – 35 deri 40% të të burgosurve konsiderohen si shumë të sëmurë mendor. Mund të përmendim gjithashtu braktisjen që përjetojnë ata, qoftë në familje, të cilët nuk dinë më çfarë të bëjnë, apo në spitale, ku mungesa e mjeteve dhe obsesioni për siguri i privojnë nga aktivitetet, ku si pasojë jetojnë një jetë të kotë, të mërzisë dhe të “kronicitetit”, domethënë një mbyllje psikike.
“Ç’rregullime” që duhen asgjësuar
Çuditërisht, mediat e përmendin pak këtë aspekt mizor dhe demaskues të krizës. Ata preferojnë të flasin për muajt e pritjes për ta caktuar një takim në një Qendër mjeko-psikologjike (CMP), vendi bazik i pranimit të pacientëve; ata flasin për pamundësinë për pacientët që të zgjedhin mjekun e tyre, ose për mungesën e shtretërve – pa i analizuar shumë arsyet – dhe në fund thonë se sektori e ka fajin. Në realitet, kriza vjen nga braktisja graduale e psikiatrisë të sektorit, e cila duhet kuptuar jo si një organizim administrativ, por si një filozofi e cila e ka revolucionuar historinë e psikiatrisë.
Për të kuptuar, fillojmë nga çmenduria. Psikiatria e sektorit e konsideron të çmendurin si një qenie njerëzore në tërësi. Psikoterapisti italian i psikozës Gaetano Benedetti shkroi: “Ne mund të bëjmë gabime, por pacienti do të na falë nëse e respektojmë mënyrën e tij të të qenurit njeri“. Nëse çmenduria është “një mënyrë e të qenurit njeri“, ajo ka të bëjë me individin në tërësinë e tij, emocionet, ankthet, dëshirat, dhimbjet, historinë e tij personale, gjithçka që e bën atë një qenie unike. Pra, çmenduria nuk është një sëmundje si çdo tjetër : është një patologji e personit. I përket njerëzimit; prandaj duhet të mirëpritet në botën njerëzore.
Për këtë qëllim, duhet të shkëputemi nga shekuj të historisë ku ka qenë e përjashtuar, e dëbuar, e persekutuar, e djegur, e mbyllur. Këtu shihet guximi i themeluesve të këtij sektori gjatë çlirimit; një guxim i ngjashëm me atë të Philippe Pinel, i cili gjatë Revolucionit liroi nga zinxhirët e tyre të çmendurit e spitalit Bicêtre dhe themeloi psikiatrinë franceze. Sipas tij tek i çmenduri gjithmonë mbetet një pjesë e arsyes të cilës duhet t’i drejtohemi. Prandaj propozon atë që e quan “trajtimin moral“, paraardhës i psikoterapisë.
Kështu, kujdesi lidhet me vizionin tonë për çmendurinë. I çmenduri ka nevojë për ndihmë për të jetuar në shoqërinë e njerëzve. Nuk mjafton të rrëzohen muret e spitalëve, nuk mjaftojnë “shërbimet ambullantore” – siç propozohet në një raport parlamentar të ri – ku mungojnë zyret e pranimit dhe personeli i mirëtrajnuar, ku për t’i qetësuar pacientët ka vetëm injeksione, pacienta të cilet rrezikohen të braktisen dhe të përfundojnë në rrugë ose në burg.
Kujdesi është një marrëdhënie dhe asgjë tjetër. Ilaçi është vetëm ndihmë. Për ta mirëpritur një burrë, një grua në vuajtje të madhe, është dashur të shpiket një psikiatri të re që funksiononte brenda dhe me qytetin: shoqata, kryetarë komunesh dhe zyrtarë të zgjedhur, punonjës socialë dhe klube sportive, gjyqtarë, zjarrfikës dhe policë, organizata banesore me kosto të moderuar (HLM), qendra kulturore, familje… gjithçka që e bën shoqërinë. Kjo psikiatri nuk ishte më e mbyllur në bindjet e saj mjekësore. U shkëput nga spitalocentrizmi.
Gjithçka duhet të mendohet dhe të zbatohet në funksion të pacientit: “Në fakt pacienti është drejtori i spitalit“, thoshte psikiatri Philippe Koechlin. Për pacientin duhet të trajnohet personeli mjekësor, të krijohen ekipe të afta për ta siguruar vazhdimësinë e kujdesit brenda dhe jashtë spitalit, për të ushtruar psikiatri të përshtatur, për të krijuar vende të pranimit të shpërndara në qytete, afër vendbanimeve… Në fund të fundit, pasi që shkon përtej çmendurisë dhe ka të bëj me të gjitha marrëdhëniet shoqërore, “kujdesi është humanizëm“, formulë kjo e filozofës Cynthia Fleury.
Çfarë ndodhi që një reflektim i tillë novator, i krijuar në vitet 1960-1970, të mos i rezistonte kohës? Ndër arsyet që mund të përmenden është mungesa e angazhimit të shumicës së psikiatërve, të cilët e kuptuan si kërcënim për statusin e tyre; pastaj kundërshtimi i psikiatrisë universitare, e mbështetur në pozicione biologjike; burokratizimi, nën ndikimin e menaxherëve, me mungesën mizore të mjeteve, mbylljen e mijëra shtretërve spitalorë , ku nga mungesa e investimeve, munguan zyret e pranimit për t’i zëvendësuar.
Ekzistojnë edhe shkaqe më të përgjithshme, që kanë të bëjnë me vizionin e çmendurisë. Shtytja neoliberale, e cila nënkupton individualizmin, konkurrencën, konsumerizmin, frikën e shumëfishtë, parimin e kujdesit dhe masave shtrenguese – kaq shumë “vlera” në kundërshtim me vlerat e sektorit. Është dashur të veprohet me të gjitha, siç mundej – sa mundej.
Vizioni mbizotërues sot ka tre fytyra. Fytyra e një shkencëtari : sëmundja mendore është një sëmundje si çdo tjetër. Është vetëm produkt i një mosfunksionimi të trurit, të sistemit nervor ose të sistemit gjenetik dhe ky pohim nuk kërkon diskutim. Psikiatria, pohonin të parët e psikiatrisë së sektorit, është në kryqëzimin e disa fushave : mjekësisë, psikologjisë, sociologjisë, antropologjisë, politikës. Tani mbetet vetëm një zë, dhe vazhdimisht përsëritet që nuk ka si shkenca, më efikase, më pragmatike sesa ideologjitë e vjetra si psikanaliza e cila duhet të margjinalizohet.
Kjo rezulton në sendërtimin e pacientit. Psikiatri, i cili është shndërruar në ekspert, nuk e ka më përballë tij një qenie njerëzore të veçantë, madje as një pacient, por një sëmundje. Nuk përballet më me dikë që vuan i cili duhet provuar të kuptohet, por me një seri “ç’rregullimesh” të cilat duhet të asgjësohen – termi, që ka të bëjë me sjelljen, dhe rrjedhimisht me funksionimin e rendit social, nuk është i rastësishëm. Logjikisht, ilaçi është në qendër të kujdesit, i cili tani quhet “tretman”. Dhe i gëzohen kësaj kompanitë e mëdha farmaceutike të cilat po e mbajnë timonin,.
Megjithatë shkenca nuk është në gjendje të jep një shpjegim gjithëpërfshirës të çmendurisë. Edhe psikiatria amerikane e pranon. Këtë e dëshmon një artikull i fundit i studiuesve Caleb Gardner dhe Arthur Kleinman në revistën e famshme amerikane, New England Journal of Medicine. “Zbulimet e reja në gjenetikë dhe neuroshkencë janë pasionante”, shkruajnë ata, “por janë ende larg ofrimit të mbështetjes reale për njerëzit e vërtetë nëpër spitale, klinika dhe këshillimore. Duke pasur parasysh kompleksitetin e qenies njerëzore, ky fakt nuk na befason”. Dhe, për të qenë absolutisht të qartë, ata shtojnë: “Psikiatria biologjike deri më tani nuk ka arritur të prodhojë një model të plotë teorik të një çrregullimi psikiatrik madhor». Në vitin 2013, versioni i fundit i biblës së psikiatrisë amerikane, Doracaku diagnostik dhe statistikor i çrregullimeve mendore (DSM-5), zëvendësoi versionin e vitit 2000, me shpresë se do të figuroheshin aty treguesit e skizofrenisë. Më kot. Nga njëra anë, shkenca supozohet të shpjegojë gjithçka; nga ana tjetër, ajo nuk zgjidh asgjë, pra e ushqen sjelljen arkaike ndaj çmendurisë dhe veçanërisht frikën.
Pas fytyrës së shkencëtarit vjen fytyra menaxheriale. Për dekada të tëra, sëmundja mendore konsiderohet si një barrë financiare: nuk “riparohet” një punëtor i prekur nga skizofrenia Atëherë pse të harxhohen kaq shumë para për të, kur vështirë do të ketë “kthim të investimit”? Pra psikiatria është riorganizuar me kalimin e viteve. Për shembull, shumë shpesh pranimi i pacientëve bëhet sipas patologjive – ndërsa më parë sektori i pranonte njerëzit, pavarësisht nga gjendja e tyre dhe pastaj iu bënte diagnozën. Po kështu, sektorët janë fuzionuar për t’i “bërë bashkë” burimet, për të krijuar “territore” domosdoshmërisht më të populluara dhe … më larg nga të sëmurët. Spitalit i është besuar menaxhimi i krizës së pacientit, kjo metodë çoi në politikën e platëformës rrotulluese: shtrimi në spital, dalja nga spitali gjithnjë e më shpejtë, kthimi pak më vonë dhe kështu me radhë … “Menaxhimi” i të sëmurëve kronikë gjithnjë e më shumë i është besuar shoqatave. Shpresohet në mbështetjën e mjekëve familjar.
Drejtorët e institucioneve nuk janë më psikiatra, por menaxhera, “patrona“, sipas fjalëve të z.Nicolas Sarkozy gjatë një fjalimi në një spital në Antony, në vitin 2008, kur ai ishte Presidenti i Republikës. Si mund t’i ipet kujdesi pacientëve, në kuptimin humanist të termit, kur institucioni nuk merret me kujdes, por i kushtohet vetëm menaxhimit financiar? Deliriumi menaxherial i ngulfat ekipet mjekësore, të cilët janë të lodhura nga shënimi i të dhënave pa e kuptuar dobinë e tyre. Kohë e humbur larg pacientëve.
Frika arkaike nga i çmenduri
Dhe në fund, kemi fytyrën e sigurisë. Rrezikshmëria rishfaqet. Në fjalimin e tij në Antony, z.Sarkozy këmbënguli që i sëmuri mendor është i rrezikshëm. “Detyra ime“, ju kishte thënë ai personelit mjekësor të pranishëm, “detyra jonë është gjithashtu ta mbrojmë shoqërinë dhe qytetarët tanë” – pasardhësit e tij nuk e kanë kundërshtuar. Pasojat ishin të tmerrshme. Nga njëra anë, 70 milion euro janë ç’bllokuar për të vendosur sisteme të sigurisë, për të punësuar roje dhe për të krijuar…dhoma të reja të izolimit. Akoma më keq, të sëmuret mendorë konsiderohen tani si njerëz prej të cileve duhet të ruhemi, të cilët mund të shfaqin “në çdo moment dhunë shpërthyese dhe të paparashikueshme“, sipas fjalëve të ish-Presidentit. Kaq mjaftonte për ta ringjallur frikën arkaike ndaj të “çmendurit”.
Tani, kur dikush pranohet në spital, pasi të jetë qetësuar kriza – me injeksione – personeli mjekësor e pyet atë se cili është “plani i tij i jetës“. Më pas do t’i kërkojnë të përpiqet që të “shërohet” duke zbatuar këtë projekt. Nëse nuk ia del dhe ky është rasti për shumicën e pacientëve, veçanërisht ata që vuajnë nga një patologji serioze, nëse është “joadekuat“, siç thonë menaxherët kur flasin për këta pacienta, ai do të bashkohet me pacientët që duhen mbikëqyrur. Nuk kemi të bëjmë me kujdes, por me menaxhim të popullsisë.
Shkencërizëm dhe psikiatri farmaceutike, braktisje dhe sendërtim i pacientit, delirium menaxherial, mjerim material, fund i reflektimit mbi çmendurinë … gjithçka e humb kuptimin. Personeli mjekësor ndjehet i pafuqishëm dhe nuk e kupton se për çka punon; praktikantët nuk e zgjedhin më psikiatrinë; të tjerët preferojnë të ushtrojnë mjekësi liberale. Procesi i banalizimit të së keqes që çon në barbarizëm dhe tmerret e denoncuara nga znj. Hazan po ndodhin para syve tanë.
Është kriza e botës sonë. Nuk është fjala vetëm për të çmendurit. Statusi i tyre, si gjithmonë, është një tregues i gjendjes së thellë në shoqëri. Negacioni i njeriut po vepron dhe po e hap humnerën para nesh. Siç ka shkruar filozofi Henri Maldiney, “njeriu gjithnjë e më shumë qendron larg nga psikiatria, por pak e kuptojnë, se njeriu gjithnjë e më shumë qëndron larg nga njeriu“.
*Gazetare, autore e veprës « Un homme comme vous. Essai sur l’humanité de la folie », Seuil, Paris, 2014.