Në një atmosferë vere, dukshëm të çlodhur dhe miqësore, ku shtresa të ndryshme shoqërore ndërthuren përgjatë shtegjeve me pemë në parkun La Villette në Paris, një makinë e policisë përpiqet të hapë rrugë në mes të shëtitësve. Një radhë e gjatë, me dhjetëra metra, është krijuar para një kinemaje të hapur, falas, të vendosur në qendër të një livadhi.
Gardhe të pajisura me maja kundërngjitjes dhe disa dhjetëra kube metalike e rrethojnë zonën e projeksionit. Disa metra larg hyrjes, një patrullë prej pesë ushtarësh të misionit Sentinelle, me armë lufte në duar, si dhe agjentë privatë sigurie, kryejnë patrullimin e tyre.
Duke hyrë në hapësirë, çdo spektator kalon para një tabele të madhe me ngjyra të ndezura, ku shkruhen rregullat e sigurisë: Ndalohen objektet “të forta”, “të mprehta” apo edhe thjesht “shpuese”, përfshirë hapëset e shisheve, takëmet dhe gotat me këmbë për piknik, ashtu si edhe kanaçet ose çantat e mëdha.
Pasi i nënshtrohen kontrollit të sendeve personale dhe kalimit të pashmangshëm nëpër një portik me detektor metali, kinofilët që shtrihen mbi bar do të vëzhgohen nga gjashtë kamera, të vendosura mbi struktura të lëvizshme të instaluara posaçërisht për këtë rast. Një piktogram i kuq e i zi mbi sfond të bardhë dhe mbishkrimi “urgjencë atentati” kujtojnë se niveli i alarmit Vigipirate është aktualisht në pikën më të lartë.
Kjo atmosferë dyshuese dhe e rëndë, e denjë për një zonë të militarizuar, e imponuar këtu vetëm për të parë një film me familjen ose miqtë, është bërë tashmë e zakonshme. Të lavdëruara si garanci për një jetë më të sigurt dhe me cilësi më të mirë, masat e sigurisë kanë transformuar thellësisht marrëdhënien e qytetarëve me qytetin e tyre. Liria dhe anonimiteti, që në shekullin XIX tërhiqnin fshatarët që dëshironin t’i shpëtonin survejimit të përhershëm të fqinjësisë, i kanë lënë vend kulturës zyrtare të frikës. Sepse ato sugjerojnë një rrezik të vazhdueshëm dhe përhapin një ndjenjë pasigurie ose mosbesimi ndaj tjetrit, këto mjete krijojnë një “stil jete” metropoliten paranojak dhe gërryejnë në heshtje çdo formë të mosfrikës dhe të qetësisë.
Raportoni çdo sjellje shqetësuese
Prej disa dekadash, mediat ushqejnë një retorikë të tepruar rreth kërcënimeve potenciale që rëndojnë mbi jetën e përditshme të banorëve të qyteteve, veçanërisht që nga kthesa drejt sigurisë e shkaktuar nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001. Po t’i dëgjosh lajmet, rrugët duket se njohin vetëm dy kategori kalimtarësh: viktimat dhe agresorët.
Për të justifikuar vendosjen gjithnjë e më të madhe të mekanizmave të kontrollit ose survejimit, vendimmarrësit politikë dhe ekspertët i përziejnë, nën etiketën “siguri”, rreziqet terroriste me frymëzim islamist apo ekologjist, delikuencën e zakonshme, lëvizjet sociale dhe sjelljet e pahijshme. Kështu ndodhi edhe në vitin 2024 gjatë organizimit të Lojërave Olimpike të Parisit, të cilat e shndërruan peizazhin urban të kryeqytetit në një skenë frike: helikopterë dhe dronë që qarkullonin çdo ditë në qiell, 18 000 ushtarë të dislokuar – përfshirë 5 000 në një kamp në jug të Parisit, “diçka e paparë që nga Lufta e Dytë Botërore”, sipas ekonomatit të ushtrisë – 44 000 barriera sigurie, dhjetëra mijëra policë, inteligjenca artificiale e sigurisë e instaluar me nxitim, hyrje në hapësirën publike të kushtëzuar me leje elektronike dhe kontrolle e bastisje në rrugë.
Triumfi i festuar, gjendja e jashtëzakonshme sportive e mbyllur dhe fitimet e arkëtuara, një pyetje mbetet: çfarë efekti prodhon pamja e një afisheje “alarm për atentat” në hyrje të sallave të koncerteve ose shkollave? Ose ajo, në transportin publik, e një paneli ndriçues që u kërkon çdo udhëtari të sinjalizojë çdo “sjellje shqetësuese”, duke shoqëruar tekstin me siluetën e një personi me kapuç?
Një ditë do të duhet të llogarisim si viktima edhe spontanitetin, qetësinë e mendjes, intimitetin dhe vetë marrëdhëniet shoqërore – të gjitha të cenuara në hapësirat urbane ku prej shumë vitesh po zbatohen gradualisht teknikat e të ashtuquajturës “parandalim situacional”. Bëhet fjalë për një mënyrë të re organizimi të qytetit, teknike dhe e orientuar drejt kontrollit, e zhvilluar fillimisht në fillim të viteve 1970 në laboratorët e ‘Home Office’-it, ministrisë së brendshme britanike, dhe që mbështetet në supozimin se krimi është thjesht pasojë e mungesës së mjaftueshme të frikësimit apo dekurajimit.
Qëllimi, sipas kësaj qasjeje, është që veprat e dënueshme të bëhen më të vështira për t’u kryer, më të rrezikshme për autorët, më pak të leverdishme dhe më pak të justifikueshme. Kjo arrihet duke ndikuar përmes “menaxhimit, dizajnit apo manipulimit të mjedisit të menjëhershëm”, shpjegon Ronald V. Clarke, një prej teoricienëve të parë të këtij koncepti. Kjo logjikë e shmang, ose thjesht e injoron, hulumtimet që tregojnë lidhjet e qarta mes masave sociale dhe uljes së kriminalitetit. Ajo po ashtu anashkalon studimet që provojnë se rritja e densitetit të jetës shoqërore – pra më shumë ndërveprim njerëzor, më shumë prani komunitare – lidhet me një numër më të ulët të akteve devijante dhe me një ndjenjë më të vogël pasigurie te qytetarët. Si rezultat, ky obsesion për sigurinë, i cili tashmë është ngulitur edhe në kuadër ligjor, e redukton qytetin në një lloj matrice rreziqesh. Dhe pikërisht parandalimi i këtyre rreziqeve çon në një deformim të vetë mjedisit urban, në mënyrën si planifikohet, si rregullohet dhe si përjetohet nga njerëzit : Mungesa e stolave, vegjetacioni i mbajtur shumë i ulët, mobileri antiterroriste dhe anti‐të pastrehësh e parehatshme, mjedise të ngurtësuara dhe të njëtrajtshme, shtimi i gardheve rezidenciale, grilat mbrojtëse, kodet digjitale të hyrjes, instalimi i çezmave publike të projektuara për të shmangur qëndrimin apo grumbullimin e njerëzve, si edhe krijimi i “vendeve të dedikuara”, që u caktojnë një korridor të veçantë secilit lloj lëvizjeje, duke i detyruar banorët të jenë vazhdimisht në lëvizje dhe duke kufizuar efektet e kryqëzimit e, për rrjedhojë, edhe të takimit.
“Nuk mund ta lejojmë më këndin e vogël për të dashuruarit, si në qytetin e vjetër”, pranonte Michel Calen, ish-drejtor i Entit Publik të Planifikimit Seine-Arche. Në kundërshtim me modelin urban mesjetar, të përbërë nga forma të përthyera dhe pitoreske, shumë qytete moderne i ngjajnë një fushe shahut, ku dimensioni i sigurisë mbizotëron mbi nevojat sociale, të ndërlikuara dhe informale, të banorëve: e dobishmja dhe e këndshmja treten përballë kërkesës për një menaxhim të shpejtë të çrregullimeve të mundshme.
Frika është karburanti i zgjerimit të pajisjeve të sigurisë dhe çimentoja e pranimit të tyre shoqëror. Megjithatë, ndjenja e pasigurisë shpërndahet ndryshe sipas moshës, nivelit arsimor, zonës gjeografike, gjinisë, përkatësisë politike apo përvojës së dhunës, dhe ndahet në dy kategori: frika personale dhe shqetësimi lidhur me pasigurinë. Sipas anketës mbi viktimizimin dhe ndjenjën e pasigurisë në Île-de-France, e realizuar prej më shumë se 20 vitesh mbi një kampion prej mijëra personash, përqindja e atyre që ndihen të pasigurt është ulur me 14 pikë nga viti 2001 deri në vitin 2023. Varfëria është prioriteti kryesor i veprimit qeveritar për më shumë se 46% të të anketuarve, shumë përpara delikuencës (22%). Sa për përqindjen e banorëve të Île-de-France që mund të përjetojnë frikë (në çdo lloj vendndodhjeje — përfshirë transportin, lagjen apo banesën), ajo ka arritur nivelin më të ulët në njëzet e dy vjet (45%). I njëjti trend vlen edhe për numrin e viktimave të veprave kundër personit (vjedhje apo agresione), me përjashtim të agresioneve seksuale, të cilat shënojnë nivelin e tyre më të lartë (2,7%).
Analizat e para të fletoreve të ankesave të jelekverdhëve (400 000 faqe për më shumë se 2 milionë kontribute) tregojnë se çështjet e sigurisë apo të imigracionit nuk janë në qendër të kërkesave. Në departamentin e Somme — ku janë shqyrtuar 162 fletore dhe rreth 1 000 ankesa —, temat e varfërisë dhe vështirësive materiale janë të kudondodhura, ashtu si edhe denoncimi i elitave politike dhe përbuzjes së tyre. Në pritje që këto çështje të merren parasysh, buxheti mesatar prej 20 000 eurosh për çdo kamerë të instaluar ushqen një treg francez të vlerësuar mbi dy miliardë euro, megjithëse kjo teknikë rezulton joefikase për të zgjidhur kriminalitetin apo çrregullimet e rendit publik.
Disa mekanizma kontrolli apo survejimi mund të frymëzojnë vetë frikë. Radhët e gjata të krijuara nga kontrollet pranë infrastrukturave që presin aktivitete kulturore, festive ose sportive përbëjnë objektiva potencialë për akte keqdashëse, pavarësisht pranisë së forcave të rendit në terren. Kamerat e destinuara për luftën kundër trafikut të drogës kanë efektin e zhvendosjes së aktivitetit, por përmirësojnë shumë pak zgjidhjen e hetimeve policore. Ndërkaq, videombikëqyrja algoritmike ka treguar kufizime të mëdha në zbulimin e çantave të braktisura apo të pranisë së armëve të zjarrit gjatë Lojërave Olimpike të vitit 2024.
Por përdorimet represive, përmes identifikimit biometrik, hapin horizonte edhe më alarmuese, sidomos po të kemi parasysh se tashmë kanë shoqëruar persekutimin e myslimanëve në Indi, ndjekjen e të mobilizuarve rusë që përpiqeshin t’i shpëtonin rekrutimit për luftën në Ukrainë, dhe ndjekjen e protestuesve gjatë “revoltës së ombrellave” në Hong Kong. Përveçse kërcënojnë rëndë privatësinë, këto teknologji synojnë të ushtrojnë një efekt dekurajues (chilling effect), që zbatohet si mbi shkeljet e ligjit, ashtu edhe mbi veprimtarinë aktiviste apo pjesëmarrjen në protesta.
A është i pajtueshëm modeli demokratik, të cilit i referohen regjimet perëndimore, me shtrirjen e një infrastrukture të kontrollit automatik të sjelljeve dhe identitetit të popullsive? Kur e djathta ekstreme qeveris ose kryeson sondazhet në gati gjysmën e vendeve europiane, a po i shërbejnë vërtet “liberalët” kauzës së sigurisë duke i mprehë armët e një shteti të mundshëm policor?

