Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Së shpejti, një “Rrugë Trump” në Kaukaz?

Në konfliktin midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, gjatë kësaj vere u ndërmor një hap i rëndësishëm me parafimin e një sërë dokumentesh mes dy vendeve. Këto dokumente, të parafituara në Uashington dhe jo në Moskë, heqin disa pengesa për hapjen e një korridori që do të lidhte territorin e Azerbajxhanit me enklavën e tij të Nakhitçevanit dhe më pas me Turqinë. Kjo rrugë pritet të mbajë emrin e presidentit amerikan.

Dhjetor, 2025

Duke siguruar nënshkrimin e një marrëveshjeje paraprake që synon arritjen e një traktati paqeje midis presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe kryeministrit armen, Nikol Pashinyan, në Zyrën Ovale më 8 gusht 2025, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, realizoi atë që Grupi i Minskut nuk kishte arritur për më shumë se tridhjetë vjet konflikti. Ky mekanizëm shumëpalësh, i krijuar në vitin 1992 dhe i bashkëkryesuar nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Rusia, përfshinte disa vende evropiane, Turqinë dhe vetë palët ndërluftuese. Me projektin “Rruga Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar” (Trump Route for International Peace and Prosperity – TRIPP), i cili synon të lidhë Azerbajxhanin me enklavën e tij të Nakhitçevanit përmes territorit armen, nëpërmjet një infrastrukture të financuar – madje edhe të garantuar – nga Uashingtoni, Trump kontribuoi në heqjen e një pengese madhore për paqen. Njëkohësisht, me këtë veprim ai realizoi edhe një nga manovrat e tij karakteristike politiko-tregtare. Por mbi të gjitha, ky korridor tranziti mishëron një ëndërr të madhe pan-turke: ai do të sigurojë vazhdimësinë territoriale midis Turqisë dhe botës lindore turqishtfolëse.

​Kjo marrëveshje synon t’i japë fund një konflikti me shumë kthesa, të lidhura me copëtimin e vendbanimeve në rajon. Pa hyrë në historinë e plotë të këtij territori, për të cilin armenët dhe azerbajxhanasit kanë luftuar për shekuj me radhë, origjina e tij mund të datohet ndoshta në korrik të vitit 1921. Atëherë, Stalini imponoi një ndarje asimetrike: nga njëra anë, Nakhitçevani, i ndarë nga pjesa tjetër e Azerbajxhanit nga rajoni armen i Sjunikut, ku jetonte një popullsi e madhe azerbajxhanase (përfshirë edhe klanin e fuqishëm Aliyev), u shpall republikë autonome nën autoritetin e Bakusë; nga ana tjetër, Karabaku (“kopshti i zi” në turqisht, i quajtur Artsakh nga armenët), i populluar kryesisht nga armenë, u bë një rajon autonom i enklavizuar brenda territorit të Azerbajxhanit, gjithashtu nën autoritetin e Bakusë.

Në vitin 1994, në përfundim të një lufte që mori mijëra jetë – kryesisht azere – dhe shkaktoi zhvendosje masive të popullsisë, armenët e Karabakut shpallën autonominë e territorit të tyre dhe morën nën kontroll të gjitha qarqet përreth të Azerbajxhanit, të cilat ishin zbrazur nga banorët e tyre. Për më shumë se njëzet vjet, qeveritë armene pasuese, të gjitha të udhëhequra nga figura politike me origjinë nga Karabaku, dështuan ta përkthenin këtë fitore ushtarake në një sukses diplomatik.

Udhëheqësit e Jerevanit vepruan sikur territoret që kishin nën kontroll që nga viti 1994 ishin përfundimisht të tyret, pavarësisht deklaratave të presidentit Heydar Aliyev (1993–2003) dhe, më pas, të pasardhësit të tij, Ilham Aliyev, të cilët pohonin se vendi i tyre nuk do të hiqte dorë nga asnjë pëllëmbë e këtyre rajoneve dhe se do t’i rimerrte ato me forcë, nëse nuk gjendej një zgjidhje diplomatike. Ndërkohë, fitimet e papritura financiare nga shfrytëzimi i burimeve naftësore offshore të Azerbajxhanit i mundësuan gradualisht Bakusë të modernizonte vendin dhe të pajiste ushtrinë e saj, duke dhjetëfishuar buxhetin ushtarak.

Hekurudhat, kabllot e internetit dhe tubacionet

Në dy ofensiva vendimtare, në vitin 2020 dhe më pas në vitin 2023, ushtria azerbajxhanase – tashmë e modernizuar dhe e mbështetur nga Turqia dhe Izraeli – ndryshoi rrjedhën e konfliktit, duke kryer mizori të shumta dhe duke detyruar popullsinë armene të Karabakut të shpërngulet masivisht drejt Armenisë. Spastrimi etnik i kryer nga armenët në territoret e pushtuara midis viteve 1992 dhe 1994 u kthye kështu kundër tyre. Komuniteti ndërkombëtar asistoi, i pafuqishëm, në këtë përmbysje tragjike. Armëpushimi i nënshkruar me iniciativën e Vladimir Putinit më 9 nëntor 2020 formalizoi përfshirjen e Turqisë, e cila mori përsipër një rol kyç në mbikëqyrjen e zbatimit të tij. Marrëveshja parashikonte krijimin e një korridori transporti midis Azerbajxhanit dhe Nakhitçevanit. Megjithatë, në fillim të vitit 2025, ky projekt nuk kishte shënuar asnjë përparim konkret. Bakuja, e cila ende kontrollon rreth 200 km² territor të marrë nga Armenia gjatë këtyre dy ofensivave, kërcënoi më pas se do ta hapte korridorin me forcë, nëse do të ishte e nevojshme.

Çështja e korridorit nuk përfshihet drejtpërdrejt në marrëveshjen e paqes të arritur këtë verë, por ajo përmendet në një deklaratë të përbashkët të dy udhëheqësve – armen dhe azerbajxhanas – dhe trajtohet veçmas në një memorandum mirëkuptimi trepalësh midis Bakusë, Jerevanit dhe Uashingtonit. Ky sponsorizim amerikan simbolizon tërheqjen strategjike që Kremlini ka pësuar në Kaukaz që prej luftës së dytë të Karabakut të Lartë në vitin 2020.

Nënshkruese e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) në vitin 2002, Armenia ka qenëpër një kohë të gjatë një lojtar kyç i pranisë ruse në rajon. Megjithatë, gjatë luftës së parë 44-ditore në vitin 2020, Rusia nuk e aktivizoi klauzolën e ndihmës ushtarake në rast agresioni, duke argumentuar se, sipas të drejtës ndërkombëtare, Karabaku ishte zyrtarisht pjesë e Azerbajxhanit. Ushtria ruse u dislokua vetëm në momentin e fundit, në nëntor 2020, duke e penguar për pak ushtrinë azere të pushtonte Stepanakertin (Khankendi). Më pas, forca ndërmjetësuese ruse nuk i detyroi autoritetet azerbajxhanase të hiqnin bllokadën e vendosur në korridorin e Laçinit, një rrugë jetike për mbijetesën e popullsisë së enklavës. Po ashtu, ajo nuk reagoi ndaj pushtimit gradual të territorit sovran armen nga ushtria e Bakusë.

Duke u ndjerë e braktisur nga aleati i saj kryesor, qeveria armene u bë gjithnjë e më kritike ndaj politikave të Moskës. Në vitin 2023, z. Pashinyan e përshkroi si një “gabim strategjik” vendimin e paraardhësve të tij për t’ia besuar sigurinë e vendit ekskluzivisht Rusisë. Ai bojkotoi samitet e CSTO-së dhe pezulloi pjesëmarrjen e Armenisë në këtë organizatë. Në të njëjtën kohë, Jerevani filloi të diversifikojë burimet e tij të sigurisë, duke kultivuar në mënyrë aktive lidhje më të ngushta me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, përfshirë Francën, e cila njoftoi gatishmërinë e saj për ta furnizuar Armeninë me armë. Takimi i z. Pashinyan me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken në maj 2022 hapi rrugën për vizita të shumta në Jerevan nga zyrtarë amerikanë dhe përfaqësues të zgjedhur, përfshirë znj. Nancy Pelosi. Në fillim të vitit 2025, rojet kufitare ruse, të cilat sipas një marrëveshjeje të vitit 1992 kontrollonin pikat e kalimit me Iranin dhe Turqinë, u tërhoqën nga kalimi kufitar Agarak në Armeninë jugore, me kërkesë të qeverisë armene, disa muaj pasi ishin larguar edhe nga Aeroporti Ndërkombëtar Zvartnots (afër Jerevanit). Ndërkohë, negociatat e drejtpërdrejta midis dy palëve ndërluftuese u intensifikuan nën kujdesin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, por pa përfshirjen e Rusisë. Në një kontekst ku marrëdhëniet midis Moskës dhe Bakusë nuk kanë qenë kurrë kaq të tendosura – veçanërisht pas rrëzimit të një aeroplani azer në Rusi në dhjetor 2024 – përfundimi i marrëveshjes së 8 gushtit e dobëson edhe më tej pozicionin e Rusisë në Kaukazin Jugor. Mbetet për t’u parë nëse zbatimi i projektit amerikan do t’i përmbushë shpresat që ka ngjallur.

Realizimi i korridorit të komunikimit të propozuar nga z. Trump mbetet i pasigurt. Përgjatë 42 kilometrave që ndajnë Azerbajxhanin nga Nakhitçevani, përgjatë lumit Araks, projekti parashikon rihapjen e një linje hekurudhore, ndërtimin e një autostrade, si dhe shtrirjen e kabllove të internetit dhe tubacioneve për hidrokarbure. Duke lidhur Turqinë me botën turqishtfolëse në të dyja anët e Detit Kaspik, ky “korridor” do të financohej nga Shtetet e Bashkuara dhe do të menaxhohej nga një konsorcium i përbashkët amerikano-armen, në përputhje me legjislacionin armen. Kjo, të paktën, është zgjidhja e mbështetur nga Jerevani, i cili kundërshton çdo vënie në pikëpyetje të sovranitetit të tij.

Një model i tillë do të ishte i ngjashëm me zgjidhjen e miratuar nga dy Gjermanitë për Berlinin Perëndimor: autostrada që lidhte Gjermaninë Perëndimore me enklavën ishte në pronësi dhe menaxhohej nga Gjermania Lindore, e cila garantonte kalimin e lirë përmes territorit të saj, pa mundësinë e përdorimit të daljeve ndërmjetëse.

Ndryshe nga ky qëndrim, Bakuja dhe Ankaraja do të preferonin që rruga të kishte status ekstraterritorial dhe të menaxhohej nga palë të treta – një opsion që do t’i përjashtonte armenët nga kontrolli efektiv i territorit të tyre, pa iu drejtuar një aneksimi të drejtpërdrejtë të korridorit nga Azerbajxhani. Që në vitin 1992, për të kapërcyer problemin e diskontinuitetit territorial midis zonave të banuara nga armenët dhe azerbajxhanasit, z. Paul Goble, atëherë anëtar i stafit diplomatik amerikan, kishte sugjeruar transferimin e rripit jugor të territorit armen te Azerbajxhani, në këmbim të “Korridorit të Laçinit”, rruga që lidh Karabakun me Armeninë. E përmendur shpesh në dekadat pasuese, kjo ide sot konsiderohet e tejkaluar, pasi Bakuja e ka rimarrë me forcë këtë provincë dhe territoret përreth. Jerevani, Moska dhe Teherani e kanë refuzuar gjithmonë këtë propozim, i cili do ta kishte privuar Armeninë nga kufiri i saj i vetëm tokësor me Iranin – jetik për mbijetesën e saj ekonomike.

Termi “korridor”, të cilin autoritetet armene e refuzojnë nga frika e një rrëshqitjeje drejt aneksimit, është zhdukur nga dokumentet e parafuara në Uashington. Megjithatë, kjo nuk e zgjidh çështjen e sigurisë së këtij aksi strategjik. Meqenëse Bakuja refuzon që ai të vihet nën kontrollin armen dhe rojet kufitare ruse janë larguar nga zona që prej janarit 2025, disa aktorë po shqyrtojnë mundësinë e dislokimit të një force perëndimore, apo edhe të pasardhësve të Blackwater-it – kompanisë ushtarake private amerikane, themeluesi i së cilës, Erik Prince, i afërt me z. Trump, është rikthyer së fundmi në skenë.

Neni 7 i marrëveshjes së 8 gushtit parashikon qartë se asnjë forcë e huaj nuk duhet të vendoset në kufirin midis dy shteteve, por ai nuk thotë asgjë për kufijtë që ndajnë Armeninë nga Irani ose Turqia. Prandaj, mbetet e paqartë se si ky korridor mund të funksionojë realisht si një udhëkryq rajonal. Kjo për arsye se as udhëheqësit armenë, as autoritetet ruse dhe as ato iraniane nuk kanë ndërmend të lejojnë që TRIPP të bllokojë jo vetëm rrugët, por as linjat e energjisë me tension të lartë dhe tubacionet e gazit që, përgjatë një boshti veri–jug, lidhin Iranin me Rusinë përmes Armenisë dhe Gjeorgjisë.

Tashmë si studiues në Institutin e Politikës Botërore në Uashington, z. Goble parashikonte më të keqen në një artikull që i parapriu marrëveshjes së 8 gushtit: “Sa më afër të jetë marrëveshja e paqes, aq më shumë rritet rreziku i shpërthimit të një konflikti të ri dhe më të gjerë.” Ali Akbar Velayati, këshilltar i presidentit iranian, duket se i bën jehonë këtij paralajmërimi: “Ky kalim nuk do të jetë një portë hyrëse për mercenarët e Trump-it; do të jetë varri i tyre.” Megjithatë, as Teherani dhe as Moska – të dyja të dobësuara aktualisht – nuk duken në gjendje ta bllokojnë këtë proces, nëse ai shkon drejt realizimit.

Një zbatim i pasigurt

Për më tepër, promovuesit e projektit e përshkruajnë TRIPP-in si një bosht multimodal, i cili do të përfshijë gazsjellës dhe naftësjellës, dhe që synon të shndërrohet në shtyllën kryesore të të ashtuquajturit “korridori i mesëm” midis Evropës dhe Detit Kaspik. Por situata aktuale nuk është më aspak ajo që ishte në momentin kur Korridori i Transportit Evropë–Kaukaz–Azi (TRACECA) u lançua në vitin 1992 nga Bashkimi Evropian dhe katërmbëdhjetë vende të Evropës Lindore, Kaukazit dhe Azisë Qendrore.

Që atëherë, portet gjeorgjiane dhe azerbajxhanase, si dhe hekurudhat që i lidhin ato, janë modernizuar ndjeshëm; naftësjellësi Baku–Tbilisi–Ceyhan dhe gazsjellësi Baku–Erzurum u përuruan në vitet 2005 dhe 2006; ndërsa një autostradë e re, e financuar nga Kina në kuadër të nismës Një Brez, Një Rrugë (One Belt, One Road, ose “Rruga e Re e Mëndafshit”), lidh sot Tbilisin me Detin e Zi. Një tjetër linjë hekurudhore, Baku–Tbilisi–Kars, është funksionale që prej vitit 2017. Në këto rrethana, është e vështirë t’u besohet njoftimeve optimiste mbi rentabilitetin e një linje të re, e cila është vetëm pak më e shkurtër se alternativat ekzistuese.

Së fundi, një sërë kushtesh politike mbeten ende të pazgjidhura. Për të arritur ratifikimin e plotë juridik të marrëveshjes, z. Pashinyan është zotuar të ndërmarrë ndryshime kushtetuese, pasi Kushtetuta aktuale e Armenisë përfshin Karabakun brenda territorit të republikës. Një hap i tillë kërkon miratimin e shumicës së popullsisë armene, gjë që mbetet larg së qeni e sigurt. Opozita kritikon tekstin e marrëveshjes për faktin se nuk përmend territoret armene – rreth 200 km² – që mbeten ende të pushtuara nga Bakuja, si dhe për mungesën e dispozitave lidhur me fatin e të burgosurve të mbajtur në Azerbajxhan.

Në Jerevan, vëmendje e veçantë i kushtohet gjithashtu të drejtës së armenëve që dëshirojnë të kthehen në Karabakh dhe fatit të trashëgimisë kulturore armene në rajon, përfshirë monumente që tashmë janë shkatërruar. Këto janë kushte thelbësore për një paqe të qëndrueshme. Përballë një presidenti amerikan të paqëndrueshëm, një angazhim më i fortë evropian – veçanërisht francez – do të mund të kontribuonte pozitivisht në zbatimin, ende shumë të pasigurt, të kësaj marrëveshjeje paqeje. A do të jetë Amerika e Trump-it një garant më i besueshëm i sigurisë për Armeninë sesa Rusia e Putinit? Kjo mbetet për t’u parë.

Botime të tjera