Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Shpia e Agës, një “burg i bukur” i grave të lënduara

Me "Shtëpinë e Agës", regjisorja kosovare Lendita Zeqiraj firmos filmin e saj të parë me metrazh të gjatë. Ajo na zhyt në një botë pa burra, të pesë grave që ndajnë të kaluarën e tyre të dhimbshme në fshat, në mes askundit, nën diellin e Kosovës.

Një strehimore për gra në mes të askundit, ky është dekori që ka zgjedhur regjisorja Lendita Zeqiraj për të folur për dhunën ndaj grave. « Shpia e Agës » na shpie në një odë grash e humbur në një fshat të Kosovës, ku të qeshurat e tyre janë mashtruese dhe ku lumturia nuk është në livadh [1].

Por në fillim shfaqet një djalë (Art Lokaj),  “burri i vetëm” në këtë shtëpi grash të lënduara. Përmes syve të këtij fëmiu hyjmë në këtë vend, herë strehë, herë “azil për të çmendura”, në atë që regjisorja e quan “burg i bukur”. « Shpia e Agës » hapet mbi një botë me ngjyra të gjalla. “Doja që ky djalë t’na çoj në një udhëtim nëpër paletën e tij plot ngjyra”, shpjegon Lendita Zeqiraj. “Por ai na shpie në një rrreth të çmendur.”

Agu shpreson që do ta gjejë babanë e tij në Serbi të zhdukur në luftë. Një banore kroate e shpisë, Zdenka (Rebeka Qena) ia mëson atij serbishtën, por tentimvetëvrasja e saj rrit sikletin që ndiejmë gjatë tërë filmit dhe paralajmëron përfundimin tragjik të tij. Fëmija mëson se babai i tij është një serb që e dhunoi nënën e tij gjatë luftës. Ai është fëmijë i këtij dhunimi.

« Kjo është historia jonë »

“Tema e dhunës ndaj grave është universale, por personazhet e mi janë kosovarë, dhe kjo histori është e jona”, thotë regjisorja. “Njëra prej këtyre grave është viktimë e dhunimit në luftë, kjo armë lufte dhe poshtërimi. Është edhe një viktimë e re e trafikimit, një viktimë e dhunës në familje dhe një viktimë e mentalitetit patriarkal. Ajo nuk ka djalë, e përzënë dhe ia marrin shtëpinë… “

E nëse fillimi i filmit duket i gjatë, është sepse, thotë regjisorja, “që nga pamjet e para, shikuesi e di se për çfarë lloj filmi bëhet fjalë, nuk është një film për bukurinë, fëmija nuk është i lumtur, gratë edhe më pak”. 

Emira, Luma, Gjyla, Kumria, Zdenka … Që nga fillimi, këto gra janë të padurueshme me të qeshurat e tyre, thashethemet, heshtjet e tyre dhe aluzionet e tyre. “Jap shumë elemente që nga skena e parë. Dialogjet, mënyra e tyre e komunikimit me njëra-tjetrën, tensioni apo mungesa e tensionit… E gjithë kjo e bën të qartë se, nëse nuk i njohim, këto gra nuk duken plotësisht normale, ato nuk janë të ëmbla. Filmi na mëson t’i njohim, nuk i shohim vetëm si viktima, por para së gjithash si gra. Dhe përveç kësaj, viktima të abuzimit, siç janë personazhet e Lumes (Adriana Matoshi) dhe Emirës (Rozafa Çelaj), si t’i jipet mundësia bëjnë dhunë, abuzojnë. Dhuna vazhdon nëse zinxhiri nuk këputet. Humori është gjithçka që kanë, nuk kushton asgjë.”

Gardhi, film i saj i shkurtër, Lendita Zeqiraj kishte mbledhur gra në një dhomë. Ato flisnin për dashuri, seks dhe dhunë, ndërsa fëmiu luante me një qen. Një botë e grave, pa burra, sepse burrat dikur i kishin bërë keq. Shpija e Agës është një seri portretesh të disa grave me një të kaluar të rëndë. Një e kaluar që e ndjejnë çdo ditë, edhe nëse përpiqen t’ia kthejnë shpinën, si në atë skenë të bukur ku dy shoqet, duke biseduar para një peizazhit madhështor, ia kthejnë shpinën kamerës.

(Ky artikull është botuar në portalin frankofon për Balkanin: “Le Courrier des Balkans”)


[1] Referuar një këngë për fëmijë në frengjisht « Le Bonheur est dans le pré » (Lumturia është në livadh)

Botime të tjera