Që nga viti 1886 kur ekonomisti Henry George kandidoi si i pavarur për postin e kryebashkiakut të New York, një outsajder nuk kishte orkestruar një sulm kaq të koordinuar kundër rendit të vendosur të metropolit. Ndryshe nga George, z.Zohran Mamdani zhvilloi fushatën e tij brenda strukturës ekzistuese të partisë. Ambicia e tij fillestare nuk ishte të zgjidhej, por ta shtyente më majtas një tjetër kandidat demokrat, z.Bradford S. Lander, auditor financiar i Përgjithshëm i New York-ut. Duke përcjellë një mesazh kundër pabarazive në një qytet ku sundojnë pabarazi të tepruara në pasuri, Z.Mamdani është larg të qenit kandidat klasik. I lindur në Ugandë në vitin 1991 nga prindër indianë, ai mbërriti në Shtetet e Bashkuara në moshën shtatëvjeçare, kur babai i tij u emërua profesor i studimeve postkoloniale në Universitetin Columbia. Së bashku me nënën e tij – regjisoren Mira Nair – familja u vendos në Upper West Side. I formuar në frymën e kësaj diaspore të kulturuar, Z.Mamdani shkoi për të studiuar në Maine, në Bowdoin College, ku themeloi një degë të organizatës Students for Justice in Palestine, përpara se të kthehej në New York për t’u bërë konsulent për parandalimin e sekuestrimit të patundshmërive. Në vitin 2020, ai u zgjodh në Asamblenë e Shtetit të New York-ut, një pozitë që ai përdori për të forcuar degët lokale të Demokratëve Socialistë të Amerikës (DSA) – mori pjesë, ndër tjerash, në një grevë urie me shoferët e taksive në vitin 2021 për të kërkuar lehtësimin e borxheve të tyre – dhe për të avancuar legjislacionin mbi energjinë e ripërtëritshme, transportin publik dhe mbrojtjen kundër dëbimeve abuzive nga banesat me qira.
Në përgatitje të zgjedhjeve primare demokrate, të cilat i fitoi me lehtësi më 24 qershor, z.Mamdani mobilizoi një ushtri prej pesëdhjetë mijë vullnetarësh, të ngarkuar me mbledhjen e nënshkrimeve, regjistrimin e votuesve, mbledhjen e fondeve, shkuarjen derë më derë dhe rritjen e ndërgjegjësimit e qytetarëve për pjesëmarrje në votim – një operacion i denjë i fushatave presidenciale të Bernie Sanders. E gjithë kjo u shoqërua me komunikim efektiv në rrjetet sociale, ku ai shihej, gjithmonë i buzëqeshur, duke përshkuar pa u lodhur pesë lagjet e New York-ut në këmbë, me transport publik ose në një taksi të verdhë.
Në krahasim, hyrja në garë e rivalit të tij demokrat, z.Andrew Cuomo, kishte një shije të pashmangshmërisë të trishtuar. Edhe pse shtypi e përshkroi si një rikthim, kandidatura e tij gjithmonë dukej më shumë si një zgjidhje rezervë, për një post që ai vetë ishte përpjekur sistematikisht ta dobësonte gjatë njëmbëdhjetë viteve të tij si guvernator i Shtetit të New York. Në këtë pozitë, ai kishte punuar për të kufizuar burimet e qytetit, duke negociuar në Senatin e Shtetit marrëveshje të cilat kanë pasur pasoja konkrete në shkurtimet buxhetore që prekin Medicaid (sigurimin shëndetësor për më të varfrit), shkollat publike, shërbimet e transportit publik dhe madje edhe programin e çerdheve. Pas heshtjes së shfaqur gjatë vizitave të tij të fushatës në tempuj, kisha, zyra sindikale dhe shoqata veteranësh, fshihej përbuzja e tij ndaj realitetit të ashpër të një metropoli të cilin e kishte administruar vetëm nga larg, i mbyllur në zyrën e tij në Albany, selia e qeverisë shtetërore, që ndodhet më shumë se dyqind kilometra larg qytetit të New York-ut.
Cinizëm, poshtërsi dhe mbështetës financiarë
Trashëgimtar i një dinastie politike (babai i tij, Mario, ishte gjithashtu guvernator i New York-ut), z.Cuomo iu bashkua një tjetër dinastie nga martesa e tij të parë me znj.Mary Kerry Kennedy, përpara se të bëhej i mbrojturi i një dinastie të tretë si anëtari më i ri i administratës së z.William Clinton – një lloj triniteti i shenjtë që e bën atë përfaqësues tipik të elitës së demokratëve. Ai simbolizon njëkohësisht cinizmin dhe poshtërsinë e udhëheqësve të partisë, si dhe financuesve të tyre financiar. Sipas një vlerësimi, gati gjysma e zyrtarëve demokratë që sot e mbështesin, kërkonin largimin e tij katër vjet më parë, kur ai ishte shënjestër e sulmeve për ngacmim seksual dhe u akuzua për nënvlerësim të qëllimshëm të numrit të vdekjeve nga Covid-19 në shtëpitë e të moshuarve (një skandal që nuk e pengoi atë të merrte një avanc prej 5 milionë dollarësh për një libër që lavdëronte menaxhimin e tij të pandemisë, shkruar nga stafi i tij). “Gargullë me këmbë prej balte”, ai është gjithsesi kandidati i preferuar i Wall Street-it: falë donacioneve nga një mori miliarderësh, përfshirë z.Michael Bloomberg, William Ackman, Kenneth C.Griffin dhe Daniel S.Loeb, fondi i tij super-PAC (komitet veprimi politik) ka mbledhur shumën rekord prej 25 milionë dollarësh.
Natyrisht, z.Mamdani nuk i ka shpëtuar akuzave për antisemitizëm, të cilat në gjithë Perëndimin janë bërë argumenti suprem për të demonstruar se e majta është e padenjë për të qeverisur kudo që guxon të kërkojë drejtësi për palestinezët. Përdorimi i një taktike të tillë kundër një myslimani praktikues në New York, një qendër e madhe e jetës hebraike, ku mbrojtja e kauzës palestineze shtypet më ashpër se në çdo shtet tjetër, dukej relativisht me rrezik të ulët. Dhe establishmenti demokrat e shfrytëzoi shumë këtë situatë. Derisa guvernatorja znj.Kathy Hochul urdhëronte një “hetim” zyrtar për antisemitizmin në City University, kryebashkiaku z.Eric Adams nxiste ndërhyrjen e policisë ndaj kampit të aktivistëve pro-palestinez në Columbia University dhe u urdhëronte agjencive bashkiake të bashkëpunonin me Zyrën e Imigracionit dhe Doganave (ICE), e cila pak më vonë u shqua për rrëmbimin e njërit prej udhëheqësve të lëvizjes, z.Mahmoud Khalil.
Deri më tani, sinqeriteti dhe këmbëngulja e tij në çështjet kyçe duket sikur i kanë mundësuar z.Mamdani të shmangë sulmet. Nga njëra anë, ai i është drejtuar drejtpërdrejt komunitetit hebraik – në botimet në gjuhën jidish e The Forward dhe Der Blatt, si dhe në vende kulti si B’nai Jeshurun, duke premtuar se do ta “mbrojë“, do ta “dëgjojë” dhe do të ndërmarrë veprime kundër antisemitizmit. Nga ana tjetër, ai është përgjigjur drejtpërdrejt – por duke specifikuar disa kushte – pyetjeve të pandërprera mbi “të drejtën” e Izraelit për të ekzistuar: Po, ka pohuar ai, Izraeli ka të drejtë të ekzistojë për sa kohë që garanton “barazi ligjore” dhe respekton “të drejtën ndërkombëtare“. Ai theksoi gjithashtu se do të lejonte Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN) të ekzekutonte urdhrin e arrestit kundër Benjamin Netanyahut nëse ai do të shkelte në territorin e qytetit të tij dhe e mbajti terminologjinë “apartheid” dhe “gjenocid” për të përshkruar politikat izraelite.
Sqarimet e tij më të fuqishme kishin meritën që nxirrnin në pah hipokrizinë e atyre që e marrin në pyetje dhe nënshtrimin e vërbër të kundërshtarëve të tij. Kur gjatë një debati të drejtpërdrejtë kandidatet u pyetën se cilin vend do të vizitonin të parin pasi të merrnin detyrën, shumica e kandidatëve nxituan të siguronin se do të merrnin fluturimin e parë të El Al për në Tel Aviv; ndërkaq z.Mamdani shpjegoi se nuk do të largohej nga New York dhe do të mbetej i përqendruar në detyrën e tij. Sulmet kundër tij kanë qenë të kota nga fakti që mbi të gjitha, për herë të parë, është konsultuar elektorati demokrat (70% e të cilit tani deklarojnë se kanë një “opinion negativ për Izraelin“). Duket se ka kaluar koha kur demokratët e New Yorkut, gjatë zgjedhjeve primare presidenciale, votonin sistematikisht për kandidatin që shprehte mbështetjen më të pakushtëzuar ndaj Tel Avivit (siç ndodhte gjatë viteve 1980), ose e detyronin znj.Hillary Clinton, kur ajo kandidoi për një vend senatoreje në vitin 2000, të kërkonte sinqërisht falje për faktin që dikur kishte përqafuar gruan e Jaser Arafatit.
Në muajin qershor, këta votues zgjodhën një mbrojtës të përkushtuar të të drejtave palestineze. Dhe hebrenjtë kontribuuan në fitoren e tij, duke treguar kështu se nuk kanë ndërmend të nënshtrohen. Ndërsa z.Cuomo mori 30% të votave të tyre në raundin e parë, duke fituar disa bastione në Upper East Side, si dhe votën sioniste dhe ultrakonservatore të hebrenjve hasidikë dhe ortodoksë, z.Mamdani doli i dyti me 20%. Që nga zgjedhjet primare, jo vetëm që ky raport është përmbysur, por diferenca është rritur: në gusht, 43% e votuesve hebrenj mbështetën z.Mamdani, kundrejt 26% për z.Cuomo. Dy vjet pas fillimit të ofensivës në Gaza, vetëm 8% e demokratëve amerikanë mbështesin Izraelin. Dhe, për herë të parë në njëzet e pesë vite sondazhe vjetore mbi këtë çështje, shumica e popullsisë shprehet kundër politikës izraelite.
Efektet e fushatës së z.Mamdani, atipike për dimensionin e saj të fortë ideologjik dhe mobilizimin e jashtëzakonshëm të vullnetarëve, ishin të dukshme shumë kohë para ditës së zgjedhjeve. Gjatë dhjetë ditëve para zgjedhjeve, 400.000 votues hodhën votat e parakohshme, dy herë më shumë se në vitin 2021. Në mbrëmjën e zgjedhjeve, epërsia e z.Mamdani ndaj z.Cuomo ishte aq e sigurt – gati 8 pikë – saqë ai ishte në gjendje të shpallte fitoren e tij që në mesnatë, para përfundimit zyrtar të numërimit. Është e qartë se sondazhet kishin neglizhuar një element kyç: entuziazmin e të rinjve. Në një shpërndarje mjaft të pazakontë, tre grupmoshat me pjesëmarrjen më të lartë ishin 25-29 vjeç, 30-34 vjeç dhe 35-39 vjeç (18-24 vjeçarët nuk ishin shumë prapa). Në lagjet ku jetojnë (ose përpiqen të mbijetojnë) shumë prej këtyre të rinjve, kandidati socialist triumfoi me diferencë të madhe: 43 pikë në Bedford-Stuyvesant, 52 pikë në Astoria, 66 pikë në Bushwick. Që nga zgjedhjet e qershorit, debatet mbi profilin etnik dhe socioekonomik të mbështetësve të z.Mamdani kanë qenë të shumta. Establishmenti insiston në mirëqënjen e tyre financiare, një mënyrë për të denoncuar “intelektualët e krahut të majtë” dhe shkëputjen e tyre nga realitetet e përjetuara nga më të varfrit, qofshin ata me ngjyrë apo pjesëtarë të pakicave etnike. Është fakt se Z.Mamdani nuk arriti të bindë votuesit me ngjyrë të moshuar në Canarsie, por fitoi në lagjet e pasura të Fort Greene dhe Clinton Hill, të dominuara nga të arsimuarit dhe familjet e klasës së mesme dhe të lartë. Por suksesi i tij tek të rinjtë kapërcen barrierat etnike dhe performanca e tij është edhe më e spikatur në mesin e pakicave sesa tek të bardhët. Ai fitoi mbështetjën e votuesve aziatikë jugorë në Jamaica dhe Kensington, si dhe të votuesve kinezë në Flushing dhe Lower Manhattan. Ai fitoi gjithashtu lagjen Washington Heights me shumicë hispanike.
Megjithatë, të gjitha këto vende, dhe të tjera ku ai doli i pari, përfaqësojnë në mënyrë të përsosur New York-un e klasës punëtore. Aty ku takon njerëzit që e mbajnë në këmbë ekonominë e shërbimeve të metropolit – kuzhinierë, kamerierë, shërbime delivery, punëtorë ndërtimi, punonjës hotelesh dhe aeroportesh, shumë prej të cilëve emigrantë dhe fëmijtë e tyre. Varësia ndaj transportit publik dhe çështja e qirasë duket se kanë qenë faktorë përcaktues të votës, më të fuqishëm sesa niveli i arsimimit.
Z.Mamdani fitoi gjithashtu në zona elektorale të populluara kryesisht nga qiraxhinjë, në një qytet ku një e treta e tyre shpenzon gjysmën e pagës së tyre për banim. Pozicioni i tij ideologjik në favor të shërbimeve publike dhe kundër kostos së lartë të jetesës jehoi ngjajshëm në lagjet e bardha (ose në ato që po gentrifikohen) dhe në enklavat etnike.
Anëtarët e klasës drejtuese kombëtare tani janë përqendruar te kandidati socialist. Kjo për shkak se New York është kështjella e fuqisë së tyre financiare dhe mediatike, të cilën ata synojnë ta përdorin për t’i bërë dëm atij. Vetëm gjatë javës pas konfirmimit të rezultateve, Wall Street Journal publikoi dhjetë artikuj kundër z.Mamdani. Dhe pritet që të ketë të tjera sulme që do ta kombinojnë retorikën anti-muslimane të “viteve Bush” (2001-2009), aludime për McCarthy-izëm dhe akuza për antisemitizëm. Senatorja demokrate Kirsten Gillibrand, e njohur si kukull e lobit të duhanit, e hapi lojën duke shpjeguar se nuk mund ta mbështeste z.Mamdani për shkak të “referencave të tij ndaj xhihadit global” (më pas kërkoi falje). Ish-kryebashkiaku republikan Rudolph Giuliani zgjodhi një tjetër linjë sulmi, duke e përshkruar atë si një “përzierje të një ekstremisti islamik dhe një komunisti” i cili do të duhej të arrestohej nëse do të pengonte agjentët e ICE të hynin në qytet. Në fund, asnjë nga figurat e mëdha të partisë që kanë lidhje me New York – as dy senatorët, as guvernatorja as udhëheqësi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve – nuk nxitoi të mbështeste kandidaturën e tij, siç është zakon në raste të tilla. Kryebashkiaku në largim, i cili nuk ndalet para asgjëje për të siguruar mbijetesën e tij politike, planifikonte të bënte fushatë me sloganin “Fund antisemitizmit“. Por z.Adams është aq i zhytur në skandale – hetimet federale kundër tij për korrupsion dhe financim të paligjshëm të fushatës u ndërprenë vetëm pas një marrëveshjeje me z. Trump – saqë ai përbën një zgjedhje të rrezikshme për drejtuesit demokrate. Sa i përket z.Cuomo i cili vendosi të kandidonte si i pavarur në zgjedhjet e 4 nëntorit pas disfatës së rëndë në zgjedhjet primare, ai u dëgjua gjithashtu duke u mburrur para donatorëve për marrëdhëniet e ngrohta që ka me z.Trump. Ky i fundit ka punuar gjithashtu prapa skenave për të bindur z.Adams dhe kandidatin republikan Curtis Sliwa të tërhiqen nga gara, duke iu premtuar një post ambasadori ose një vend në administratën e tij – gjithçka për t’i mundësuar z.Cuomo të grumbullojë vota kundër Mamdanit.
‘Sektori publik në timon’
Gjatë fushatës, socialisti theksoi pikat më bindëse të programit të tij: një rrjet autobusësh të shpejtë dhe falas; një ngrirje të qirave në zonat ku ato janë të rregulluara; një pilot projekt me pesë supermarkete publike për të luftuar rritjen e çmimeve dhe taktikat antisindikaliste të zinxhirëve të mëdhenj tregtarë; kujdes falas për fëmijët për të gjithë; dhe një taksë prej 2% mbi të pasurit (me të ardhura vjetore mbi 1 milion dollarë) për të financuar pjesën më të madhe të këtyre masave. Derisa ai premton gjithashtu të ndërtojë 200.000 banesa me qira të përballueshme brenda dhjetë viteve duke e vënë “sektorin publik në timon“, ai në thelb kufizohet në rregullime të vogla në mjetet ekzistuese, siç janë ato që lidhen me ndarjen urbane, procedurat e validimit, subvencionet ose nxitjet fiskale dhe rregulloret e ndërtimit në tokën në pronësi të qytetit. Duke reflektuar frymën e kohës, platforma e tij në të vërtetë ofron një vizion mjaft të matur të socializmit. Vendimi për të kandiduar nën flamurin e demokratëve në vend që të garojë kundër tyre e detyron atë të bashkëpunojë me partinë në formën e saj aktuale. Ky moderim i pjesshëm ndoshta shpjegohet me dy arsye kryesore. E para, strategjike, është se kandidati socialist do të përpiqet të shmang një përballje të drejtpërdrejtë me interesat kapitaliste më të organizuara dhe më të fuqishme të New York: ato të sektorit të pasurive të paluajtshme. E dyta është se zbatimi i programit të tij do të varet kryesisht nga vullneti i mirë i Albany-t. Sigurisht, me një buxhet prej 115 miliardë dollarësh, New York është më i pasur se shumica e shteteve amerikane, kështu që z.Mamdani mund të financojë disa nga masat e tij duke bërë rishpërndarje buxhetore.
Por New York është gjithashtu ndoshta, nga të gjitha qytetet e mëdha në vend, qyteti financat e të cilit janë më të kufizuara nga qeveria shtetërore. Kryebashkiaku dhe Këshilli bashkiak kanë nën kontroll vetëm një pjesë të vogël të të ardhurave të gjeneruara nga taksat. Taksat mbi pronat në veçanti, nga të cilat New York nxjerr rreth një të tretën e të ardhurave të veta, mund të rriten vetëm duke zbatuar një formulë të përcaktuar në nivel shtetëror. Guvernatorja e ka bërë tashmë të ditur kundërshtimin e saj ndaj thelbit të projektit të z.Mamdani – taksën mbi milionerët dhe rritjen e tatimit mbi korporatat, edhe pse të dyja janë modeste – me arsyetimin se New Yorku nuk mund të përballojë largimin e mëtejshme të qytetarëve të pasur drejt Palm Beach (ku ndodhet prona e z.Trump, Mar-a-Lago). Me fjalë të tjera, nuk do të preket mekanizmi kryesor që lejon shtypjen e kërkesave sociale në “kryeqytetin e kapitalit”, ku mosbindja e banorëve ka bërë gjithmonë që gjigantët e Wall Street të dridhen në kullat e tyre prej xhami. Për të justifikuar këtë kontroll, metropola përshkruhet zakonisht si një thes i shpuar, etja e pashuar e të cilit për mbrojtje sociale dhe shërbime publike e mban atë vazhdimisht në buzë të humnerës. Qëllimi është të shmanget çdo ringjallje e asaj që historiani Joshua B.Freeman ka identifikuar si “një recetë vendore e demokracisë sociale falë së cilës jetohet në New York si askund tjetër në Shtetet e Bashkuara” në mes të shekullit XX. Meqenëse e kanë kaq të vështirë ta ndalojnë z.Mamdani, demokratët dhe donatorët e tyre më mirë këshillohen të presin, domethënë ta lëjnë t’i fitojë zgjedhjet, dhe pastaj të mbështeten te zyra e guvernatorit dhe legjislatura për ta penguar atë në zbatimin e masave të tij – kështu do të zhgënjehen mbështetësit e tij dhe do të diskreditohet projekti i tij të socializmit bashkiak. Këto janë thelbi i vërtetë i zgjedhjeve, pavarësisht se çfarë mund të nënkuptojë një fitore për z.Mamdani në nivel kombëtar. Por ai nuk do të mbetet pa përgjigje. Me ndihmën e Demokratëve Socialistë, ai mund të punojë dukshëm për të ripolitizuar marrëdhëniet me Albany-n, duke u shkëputur kështu nga praktikat e gjysmë shekullit të fundit. Dhe nuk do të bëhet fjalë vetëm për ndërtimin e koalicioneve, siç është zotuar. Miratimi i një statuti të ri bashkiak dhe mbledhja e një konvente të autorizuar për të ndryshuar Kushtetutën e Shtetit do të ishin plotësim natyral i projektit të madh urbanistik që ai ka në mendje, dhe New Yorku.

