MARRËVESHJA (JO)PAQËSORE
Tatëpjeta amerikane në Afganistan

Marrëveshje e çuditshme midis talibanëve dhe Uashingtonit, që konfirmon tërheqjen e trupave amerikane, me pak ose aspak kundërvlerë për të parët. Sa i përket pushtetit të Kabulit, ai është në qorrsokak. As sekretari i Shtetit Mike Pompeo, me vizitën e tij të shkurtër më 23 mars, nuk arriti ta nxjerrte nga kriza. Pasojat: Shtetet e Bashkuara shkurtuan ndihmën në 1 miliard dollarë (nga 5).

1646

Më 29 shkurt, z.Zalmay Khalilzad për Shtetet e Bashkuara dhe mullahu Abdul Ghani Baradar për talebanët, nënshkruan më në fund në Doha, marrëveshjen të cilën e negocionin që nga shtatori 2018. Marrëveshje e paqes? Larg prej saj. Keqpërdorimi i fjalës “paqe” që nga fillimi i procesit ka shtrembëruar analizën dhe ka krijuar shpresa false. Kur u njoftua nënshkrimi, shumë afganë vallëzuan nga gëzimi, për t’u zhgënjyer të nesërmën kur talebanët rifilluan luftimet …

Në të vërtetë, asnjëherë nuk ishte çështje e negocimit të paqes – një ushtrim i pamundur pasi që qeveria afgane ishte e përjashtuar nga negociatat – por për gjetjen e kushteve për tërheqjen e forcave amerikane, pa shumë ndershmëri dhe në një mënyrë imperative, pasi që ishte një premtim fushate, që Presidenti Donald Trump e kishte ripohuar me zë të lartë në dhjetor 2018.

Qëllimi ishte gjithashtu që talibanët të pranojnë katër lëshime: armëpushimin, negociata me qeverinë e Kabulit, zotim që kurrë asnjë sulm nuk do të nxitej kundër Shtetet e Bashkuara nga toka afgane dhe garanci sigurie për tërheqjen graduale të trupave amerikane.

Nëse z.Khalilzad, me prejardhje afgane, nuk kurseu asnjë përpjekje, ai nuk mori pothuajse asgjë nga delegacioni i talibanëve, që nga bllokada e parë në janar 2019. Duke e përmbytur rendin e gjërave, mullahu Baradar kishte refuzuar gjithnjë një armëpushim, para tërheqjes së trupave amerikane dhe çfarëdo dialogu me një qeveri të quajtur “kukull”. Talibanët pranuan vetëm ta garantojnë sigurinë e largimit të trupave amerikane dhe zotimin për ta ndërprerë mbështetjen për grupet terroriste. Natyrisht, deklarata e dhjetorit 2018 kishte ndryshuar raportin e forcave në dëm të delegacionit të tij, pasi që Presidenti Trump atëherë shfaqi dëshirën e tij për t’i dhënë fund kësaj çështje, para se të hynte në fushatën për rizgjedhjen e tij në nëntorin e ardhshëm

Lëshime shumë të vogla

Në rrugët e Kabulit, ngazëlllimi (modest) popullor nuk zgjati shumë. Talibanët nuk ndaluan ta shprehnin ndjenjën e tyre të fitores. Armëpushimi që duhej të ishte parakusht u zëvendësua me një javë të shkurtër të “uljes së dhunës” (sic) para nënshkrimit, ndërsa dialogu i brendshëm afgan nuk u bë realitet. Modalitetet praktike të marrëveshjes tregojnë se lëshimet e bëra nga amerikanët zënë më shumë hapësirë në tekst, sesa ato të pranuara nga kundërshtarët e tyre, të cilat nuk janë shumë të detyrueshme dhe janë të pasaktësuara.

Propozimi fillestar i z.Trump ishte të tërhiqte shpejt gjysmën e trupave të tij, gjysmën tjetër në katër ose pesë vjet e ardhshme; trupat e anëtarëve të tjerë të koalicionit ndërkombëtar – më shumë se tetë mijë ushtarë – duhej të mbeteshin për aq kohë sa ishte e nevojshme, për ta siguruar trajnimin e ushtrisë afgane.

Mirëpo, në marrëveshjen përfundimtare, Uashingtoni premton të tërheq të gjithë ushtarët për katërmbëdhjetë muaj, si dhe të gjithë civilët jodiplomatikë, agjentët privatë të sigurimit, këshilltarët, trajnuesit etj., sipas një orari të ngushtë: një qind e tridhjetë e pesë ditë për të larguar pesë baza ushtarake dhe për ta zvogëluar stafin e tyre për një të tretën. Çuditërisht, marrëveshja e nënshkruar vetëm nga Shtetet e Bashkuara detyron edhe vendet e tjera të koalicionit ta bëjnë të njëjtën gjë dhe në të njëjtin proporcion. Pjesa tjetër e trupave duhet të largohet brenda nëntë muaj e gjysmë të ardhshëm. 

Amerikanët u zotuan gjithashtu – në emër të qeverisë afgane e cila nuk u konsultua – të lirojnë 5,000 të burgosur talebanë “para 10 marsit”, të heqin sanksionet para 27 gushtit dhe ta pastrojnë listën e talebanëve, koka e të cilëve është vënë në çmim. Asnjë nga këto pika nuk është realizuar deri më tani.

Në këmbim të angazhimeve shumë kufizuese amerikane, lëshimet e talebanëve duken shumë të lehta dhe shumë të paqarta. Ata pranojnë të negociojnë me “palët afgane” (« Afghan sides »), por teksti nuk saktëson se cilat janë ato “palë”, pasi që talebanët nuk e njohin qeverinë e Kabulit. Sa i përket armëpushimit, ai do të jetë vetëm një element në kalendarin për negociatat në fjalë. Garantimi i sigurisë së tërheqjes së trupave është në interesin e tyre, pasi që është në zemër të asaj që ata e quajnë fitore të tyre.

Nga ana tjetër, zotimi i tyre për t’u prishur me Al-Qaida është shumë më i dyshimtë, pasi që numri dy i kryesisë ekzekutive së talibanëve nuk është askush tjetër se z.Seraj Haqqani, djali i Jallaluddin Haqqani, ish-kreu i rrjetit terrorist me të njëjtin emër. Ai e luan rolin e ndërlidhësit të Al-Qaidës brenda kësaj kryesie, si trashëgimtari familjar i mullah Omarit: ky i kishte ofruar Osama bin Ladenit mundësinë e vendosjes së bazës së tij të parë që në vitin 1986 në Djadi, një nga çifligjet Haqqani. Pastaj e kishte mundësuar zhvillimin e Al-Qaida, kur të ardhurit nga Çeçenia, Uzbekistani dhe Xinjiang (Kina) ishin vendosur në zonat e tij të ndikimit (Paktya në Afganistan dhe Waziristan në Pakistan). Por e tërë kjo ndoshta nuk është shqetësuese në sytë e talibanëve. Gjatë negociatave në Doha dhe përmes faqes së tyre zyrtare, Voice of Jihad, ata pohuan gjithashtu se tani ishin të angazhuar në luftën kundër terrorizmit, pasi që luftojnë pa kompromis kundër Organizatës së Shtetit Islamik.

Ekziston një hendek i tillë midis realitetit pa zgjidhje të kësaj marrëveshje dhe entuziazmit të mediave që e shoqëruan atë – disa tituj mediatik garojnë midis tyre për të theksuar se “Afganistani nuk ka qenë kurrë aq afër paqes” – sa “bashkësia ndërkombëtare” dhe të njëjtat media u stepën kur talebanët rifilluan luftimet që me 1 mars.

Portali amerikan Long War Journal flet për 147 sulme në 27 nga 35 krahinat midis 1 dhe 10 marsit. Por, sipas marrëveshjes, sulmet kursyen ushtarët e huaj, sepse ishin zotuar për këtë! Në versionin pashtun të Voice of Jihad, një fetva (shpallje fetare) rikujton se “talibanët do ta vazhdojnë xhihadin deri në krijimin e miratit të tyre Islamik të Afganistanit”.

Në ndërkohë, Presidenti afgan z.Ashraf Ghani i tërbuar nga moskonsultimi i tij, refuzoi fillimisht t’i liroj 5.000 të burgosurit. Pastaj vendosi t’i liroj disa prej tyre, por gradualisht: 1.500 në masën e 100 lirimeve në ditë nga 7 Marsi, pastaj 3.500 në masën 500 lirimeve çdo dy javë, pas fillimit të negociatave për të cilat janë zotuar talibanët. Këta të fundit refuzojnë dhe pohojnë se nuk do të ketë negociata me regjimin e Kabulit para lirimit të të gjithë të burgosurve.

Tri javë pas nënshkrimit, marrëveshja e Doha mbetej e bllokuara në një qorrsokak tjetër, të ngjashëm me atë të vitit 2014. Kjo përsëritje e historisë hedh dritë mbi të keqen që pllakosi Afganistanin. Asokohe bëhej fjalë për tërheqjen e trupave nga Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), e cila duhej të paraprihej nga një “marrëveshje bilaterale e sigurisë” (BSA). Një situatë pak a shumë e krahasueshme me të sotmen për tërheqjen e forcave të mbetura të armatosura. Atëbotë ajo marrëveshje ishte në mes të zgjedhjeve presidenciale shumë kaotike. Sipas Kushtetutës, Presidenti në largim, z.Hamid Karzai, nuk mund të rizgjedhej për një mandat të tretë. Për këtë arsye, ai pati refuzuar ta nënshkruajë BSA, që të mos ia ngarkonte këtë përgjegjësi pasardhësit të tij. Por, procesi zgjedhor kishte zgjatur tetë muaj dhe z.Ghani dhe z.Abdullah Abdullah luftonin  ashpër për fitoren zgjedhore. Tetë muaj, gjatë së cilit pushteti ekzekutiv afgan ishte në përplasje totale, duke privuar amerikanët nga çdo bashkëbisedues.

Në kohën kur po shkruhet ky shkrim, të njëjtët njerëz po luftojnë për rezultatet e zgjedhjeve të 28 shtatorit 2019, duke rezultuar në një pafuqi të mëtejshme ekzekutive. Përderisa negociatori amerikan, z.Khalilzad, po angazhohet për ta zgjidhur krizën; talebanët po ngazëllehen: ata nuk kanë bashkëbisedues për negociatat e planifikuara të cilat duhej të fillonin më 10 mars. Dhjetë ditë më vonë, loja mbetet e bllokuar.

Tërheqja pa lavdi

Si gjithmonë, një zgjidhje qoftë edhe e brishtë do të gjindet. Por këto dy qorrsokaqe shprehin dy thyerjet që pllakosin Afganistanin. Ajo e zonave pashtune që ushqejnë kryengritjet me të cilat ushqehen talebanët; mosmarrëveshja e përsëritur midis z.Ghani dhe z.Abdullah reflekton çarjen territoriale: Veriu jopashtun i vendit është çerdhja elektorale e z.Abdullah, ish-shoqëruesit të komandantit Ahmed Chah Massoud, përkrahësit e të cilit janë lodhur nga pesha e tepërt politike pashtune për më shumë se dy shekuj; si dhe çerdhja elektorale e z.Ghani, edhe nëse i tejkalon ndarjet etnike, natyrisht se është në zonën fisnore pashtune, prej nga edhe buron fisi i tij Ahmadzai.

Këto janë realitete të historisë dhe antropologjisë politike, të cilat si të tilla shpjegojnë rezistencën e kryengritësve. Strategët amerikanë i kushtuan shumë pak vëmendje. E z.Trump edhe më hiq. Një qasje antropologjike për pajtimin e kombit afgan, nëse jo magjik, të paktën do të pengonte kthimin e madh të talebanëve.

Por kjo është çështje e kryer: marrëveshja e Doha nuk është marrëveshje paqeje. Ajo vetëm përcakton tërheqjen e palavdishme nga një vend që ka derdhur shumë gjak, si dhe mundëson kthimin në fuqi të atyre që ushtritë më të fuqishme të botës – me Shtetet e Bashkuara në krye të një koalicioni prej tridhjetë e tetë vendeve – duhej të gjunjëzonin.


Rrëmujë, gënjeshtër, paaftësi …

Më 9 dhjetor 2019, Washington Post zbulonte « Afghanistan Papers », mijëra faqe intervista me zyrtarë të lartë amerikanë, të cilët u intervistuan në mes të 2014 dhe 2018, nga Zyra e Inspektorit Special të Përgjithshëm për Rindërtimin e Afganistanit. Ato zbulonin prapaskenat e luftës së zhvilluar në këtë vend që nga viti 2001.

“Për sa i përket pajisjeve dhe shpenzimeve, Kongresi na jepte ato që kërkonte administrata… Ideja ishte që nëse nuk do të shpenzonim, Government Accountability Office [Zyra e Auditorit të Kongresit] ose një komitet tjetër i Kongresit do të na pengonte të siguronim më shumë fonde. Kjo bëri të shpenzojmë, shpenzojmë, shpenzojmë (…)Ne investonim në projekte të mëdha infrastrukturore, vetëm për të treguar se mund t’i shpenzonim paratë që na ishin ndarë. Dhe po ndërtonim një infrastrukturë që afganët nuk mund ta mbanin kurrë, madje as ta përdorin.”

Z.Douglas Lute, Zv.Këshilltar i Sigurisë Kombëtare për Irakun dhe Afganistanin gjatë kushteve të Presidentëve George W. Bush dhe Barack Obama : “Kur shkuam në Afganistan [më 2009], kishte vetëm një oficer i Forcës së Ndihmës Ndërkombëtare të Sigurisë që dinte të fliste në dialektin dar … por ai qëndroi vetëm për një kohë të shkurtër. Forcat Ajrore e Shteteve të Bashkuara e zhvendosen në Japoni përgjatë korrikut… Kjo ishte qesharake sepse ilustronte se sa i çmendur është sistemi. (…) Edhe sot, ne jemi në Afganistan dhe më tregoni se sa ushtarë, politikanë ose diplomatë dijnë të flasin në dialektet dari ose pashto? Është e turpshme dhe ky është një vendim politik. “

Michael Flynn, ish-drejtor i shërbimit të intelegjencës të NATO-së në Afganistan

 “Mjerisht, projekti ynë më i madh dhe natyrisht fatkeqësisht, mund të ketë qenë zhvillimi i korrupsionit masiv. Fenomeni ka arritur përmasa të tilla, saqë është jashtëzakonisht e vështirë, nëse jo e pamundur, të ndalet sot.”

Ryan Crocker, ish-ambasadori amerikan në Afganistan (2009-2012)

“Në fund, çfarë kemi marrë pasi shpenzuam 1000 miliardë dollarë? A e vlente?”

Jeffrey Eggers, oficer që punoi nën administratat Bush dhe Obama

“Nuk kemi rreshtur së gënjyeri amerikanët”

John F. Sopko, Inspektori i Përgjithshëm Special për Rindërtimin e Afganistanit