Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Të gjithë e urrejnë inteligjencën artificiale

Investitorët nuk kanë sy për asgjë tjetër; arkitektët e saj i shohin nga lart krerët e shteteve; përdorimi i saj përhapet si zjarr në fushë. Thuhet se inteligjenca artificiale do ta transformojë njerëzimin. Por a e dëshiron vetë njerëzimi këtë? Përballë këtij Moloch-u dixhital, që kërkon të sakrifikohen vendet e punës, klima dhe jeta private, rezistencat po shumohen. A do të arrijnë ato të organizohen, ndërkohë që partitë e mëdha, të magjepsura nga makinat, e kthejnë vështrimin nga ana tjetër?

Korrik 2026

« Jashtë po zhvillohet një betejë. Së shpejti do t’ju trondisë dritaret dhe do t’ju lëkundë muret. » A i shkoi ndër mend z.Eric Schmidt, më 15 maj, vargu i kësaj kënge të Bob Dylan-it për kohërat që ndryshojnë? Atë të premte, ish-drejtori ekzekutiv i Google dhe ish-këshilltari i Pentagonit kishte veshur kapelen me pompon, togën me jakë të verdhë dhe buzëqeshjen e vetëkënaqur për t’iu drejtuar një salle plot me studentë në Universitetin e Tucson-it, në Arizona, me rastin e ceremonisë së diplomimit. A ishte hera e pesëdhjetë apo e njëqindtë që përsëriste mekanikisht ligjëratën e tij për inteligjencën artificiale që do të përmbysë gjithçka? Papritur, një kor fishkëllimash dhe britmash zemërimi e ndërpreu, ndërsa rrëmuja u intensifikua sapo shqiptoi dy shkronjat e tij të parapëlqyera, « I » dhe « A ». Buzëqeshja iu ngurtësua në një grimasë. « E di se si ndihen shumë prej jush. (…) E kuptoj këtë frikë », iu tha z.Schmidt – pasuria e të cilit tejkalon 60 miliardë dollarë – studentëve të ngarkuar me një borxh mesatar prej 35.000 dollarësh, punët e ardhshme të të cilëve inteligjenca artificiale kërcënon t’i zhdukë.

Incidenti nuk është i izoluar. Një valë protestash po përhapet në Shtetet e Bashkuara kundër kultit të automatizimit, pasojave shkatërrimtare të dixhitalizimit të gjithçkaje, përhapjes së qendrave të të dhënave, arrogancës dhe pushtetit të elitave të teknologjisë, si dhe korrupsionit të zyrtarëve të zgjedhur që u përulen atyre. Hedhja e një kokteji Molotov në shtëpinë e themeluesit të OpenAI-së në prill, të shtënat me armë zjarri ndaj banesës së një anëtari të këshillit bashkiak të Indianapolis, i cili mbështet ndërtimin e një qendre të të dhënave, si dhe demonstratat lokale janë shenja të një pakënaqësie të përhapur.

Në çastin kur pararoja e sektorit – OpenAI dhe Anthropic – njofton hyrjen në bursë, The Wall Street Journal shqetësohet: « Ndoshta e vetmja gjë që po rritet më shpejt se ky sektor i inteligjencës artificiale është ndjenja negative e amerikanëve ndaj tij ». Sipas sondazheve, kështu mendon shumica e tyre. Më shumë se dy të tretat e konsiderojnë zhvillimin e kësaj teknologjie të re si « tepër të shpejtë », përfshirë edhe grupmoshën 18–29 vjeç (64%).

Ashtu si shumica e ndryshimeve të mëdha teknologjike, vërshimi i inteligjencës artificiale në shoqëri nuk ka qenë objekt i asnjë shqyrtimi kolektiv, madje as i një diskutimi publik.

Modeli nuk ka ndryshuar në thelb që nga fundi i shekullit XIX: autoritetet publike i nxisin këto imponime private në emër të një « modernizimi » që konsiston në eliminimin e klasave « të prapambetura », të dyshuara se pengojnë marshimin përpara të ekonomisë – zejtarët, fshatarët, punëtorët dhe nëpunësit. Por këtë herë, përmasa dhe shpejtësia e tronditjes po shkaktojnë një rebelim me përbërje shoqërore të paprecedentë. Luditët e rinj rekrutohen si nga radhët e studentëve, blegtorëve dhe katolikëve të mobilizuar nga enciklika papale Magnifica Humanitas, e cila bën thirrje për « çarmatimin e inteligjencës artificiale », ashtu edhe nga borgjezia nacional-konservatore e tipit MAGA (« Make America Great Again »).

Për momentin, asgjë nuk i bashkon këto grupe, zemërimi i të cilave buron nga tri logjika të ndryshme. E para, dhe më e dukshmja, lidhet me perspektivën e një zëvendësimi masiv të kuadrove dhe profesioneve të larta intelektuale nga makinat. Sektorë që e kishin pritur deindustrializimin me indiferencën arrogante që u frymëzonte besimi në « ekonominë e dijes », tani janë vetë të kërcënuar. Lista e pafund e shkurtimeve të vendeve të punës në financë, konsulencë, inxhinieri informatike, arkitekturë, programim, si edhe në botën e informacionit, komunikimit dhe arteve, po shkakton një kthjellim të beftë, veçanërisht te të rinjtë, të cilët sistemi arsimor amerikan i hedh në tregun e punës me kudhrën e borxhit të varur në qafë.

Në hijen e këtyre profesioneve të ngarkuara me formësimin e hapësirës publike, automatizimi po errëson gjithashtu të ardhmen e armatave të të padukshmëve: punonjësve administrativë në sektorin privat dhe publik, mishërim i shtresave të ulëta të klasës së mesme, shpesh të përbëra kryesisht nga gra, funksionet e të cilëve, të ashtuquajtura « mbështetëse » ose të « prapavijës administrative » (back-office), po përballen me një valë dixhitalizimi.

Nëse klasa dominuese perëndimore kishte mundur të kënaqej me papunësinë e proletarëve, të cilët prodhonin shumë, por konsumonin pak dhe rëndonin mbi jetën politike me kujtimin e pakëndshëm të revolucioneve, robotizimi i profesioneve të ushtruara nga shtresat e pasura sjell një të panjohur të dyfishtë në ekuacionin socio-ekonomik: si do të vazhdojë të funksionojë makina nëse grupet që nxisin konsumin e brendshëm varfërohen? Si mund të vazhdojë teatri politik nëse shtresat ku mbështeten partitë e mëdha bien në dëshpërim ose rebelohen?

Sigurisht, profecitë për rënien shoqërore të shkaktuar nga dixhitalizimi e përndiqnin botën e punës me pagë që në vitet 1990 dhe interneti i ripërtëriu, më shumë sesa i zhduku, klasat e mesme. Por tërmeti i inteligjencës artificiale paralajmëron një magnitudë krejt tjetër.

Një fund mbrëmjeje i vështirë

Ndërsa ekonomistët liberalë profetizojnë një bollëk të përgjithshëm ku do të rrjedhin qumësht e mjaltë, një nga specialistët kryesorë botërorë të efekteve të inovacionit paralajmëron: « Inteligjenca artificiale pritet ta zgjerojë hendekun ndërmjet të ardhurave nga kapitali dhe atyre nga puna ». Infrastruktura e saj thith investimet në dëm të sektorëve të tjerë, vlerësimet e saj në bursë pasurojnë të pasurit dhe kufizojnë lirinë e kundërshtimit të asaj gjysme të amerikanëve, kursimet dhe pensionet e të cilëve varen nga tregjet. Më shumë miliarderë, ose të gjithë në rrugë: një alternativë vërtet joshëse.

Drejtuesit e Silicon Valley, të cilët e nuhasin një fund mbrëmjeje të vështirë, kërkojnë një formë rishpërndarjeje të fitimeve që do ta kufizonte proletarizimin e klientëve të tyre. Perspektivës së papunësisë së të diplomuarve i shtohet ankthi gërryes, ndonëse statistikisht i padukshëm, i të qenit i padobishëm për botën. Dhe i tradhtuar nga ata që e drejtojnë atë.

Pushteti i elitave të pazgjedhura ushqen një formë të dytë zemërimi. Rasti Mythos e ilustron mirë këtë. Prillin e kaluar, kompania Anthropic vendosi të mos e bënte publik Claude Mythos Preview, modelin e saj më të fundit të inteligjencës artificiale, për të cilin pretendon se është aq i fuqishëm, sa përdorues keqdashës mund ta shfrytëzojnë për të komprometuar infrastrukturat kritike informatike. Qoftë etik apo promovues, ky veprim shkaktoi menjëherë një ndjenjë shqetësimi, të përmbledhur mirë nga juristja Mariana Olaizola Rosenblat: « Shoqëritë demokratike nuk duhet të varen nga vetëpërmbajtja morale e drejtuesve për stabilitetin e sistemeve tona financiare, rrjeteve tona elektrike, spitaleve tona dhe zgjedhjeve tona ».

« Shteti duhet të ndërhyjë dhe të legjislojë fuqishëm, sa ende nuk është vonë », argumenton ajo. Pikërisht këtë z.Donald Trump dëshiron ta pengojë, me qëllim që të favorizojë kampionët amerikanë në garën e tyre me Kinën. Përballja globale rreth inteligjencës artificiale e shtyu madje Shtëpinë e Bardhë që, në mesin e qershorit, t’ua pezullonte jo-amerikanëve qasjen në një version të kufizuar të Mythos. I interesuar të veprojë brenda një kuadri të qartë dhe të parashikueshëm, themeluesi i Anthropic kërkon « një rregullim më të rreptë dhe detyrues të inteligjencës artificiale ». Ndërsa z.Chris Lehane, drejtor i çështjeve ndërkombëtare në OpenAI, sugjeron se interesat e ndërthurura të shtetit dhe industrisë dixhitale « do të kërkonin, për t’u administruar, krijimin e një modeli të ri hibrid publiko-privat ». Në çdo rast, imperativat gjeopolitike errësojnë konsideratat demokratike.

Përtej efekteve të saj në punësim, kjo inteligjencë artificiale e lënë pa fre, e drejtuar nga supremacistët e teknologjisë, ushqen idenë e humbjes së kontrollit përballë një teknologjie të karakterizuar nga autonomia e saj gjithnjë e më e madhe – modelet e gjeneratës së ardhshme do t’i shkruajnë vetë rreshtat e kodit të nevojshëm për përmirësimin e tyre… Për drejtuesit, ky lloj vrapimi i pakontrolluar përpara është i vetëkuptueshëm; për të tjerët, jo. Sepse vetë lloji i marrëdhënieve shoqërore që nënkupton automatizimi revolton publikun, dhe veçanërisht ata që e përjavshmja The Economist (6 qershor 2026) i quan, me tmerr, « Gjenerata Z socialiste »: mbikëqyrje e përgjithësuar, pabarazi marramendëse, indiferencë ndaj mjedisit, cinizëm i elitave të teknologjisë që ua ndalojnë fëmijëve të tyre shërbimet që ua imponojnë pjesës tjetër të botës, ndërveprime të robotizuara për të varfrit dhe shërbëtorë njerëzorë për të pasurit.

Kësaj tabloje idilike i mungon karburanti i makinës: kapaciteti llogaritës. Domethënë, qendrat e të dhënave. Mirëpo, një pjesë gjithnjë e më e madhe e amerikanëve – 70% në mars, sipas Gallup – kundërshtojnë vendosjen në afërsi të tyre të këtyre objekteve të zhurmshme e ndotëse, që gllabërojnë peizazhet, cungojnë tokat bujqësore, shterojnë ujërat nëntokësore, punësojnë pak njerëz dhe, mbi të gjitha, i çojnë në qiell çmimet e energjisë elektrike. Shumimi i tyre e bën çështjen gjithnjë e më të nxehtë: në prill, Shtetet e Bashkuara numëronin më shumë se 3.000 qendra të mëdha të të dhënave në funksion, kryesisht në zonat urbane, por dy të tretat e 1.500 qendrave të tjera që janë në ndërtim e sipër ndodhen në zonat rurale, veçanërisht në Jug dhe në Midwest. Këto projekte – të cilat nuk i përgjigjen ndonjë nevoje në çastin kur nis ndërtimi i tyre – parashikojnë rritjen eksponenciale të inteligjencës artificiale: basti për një të ardhme virtuale po shkatërron jetën reale.

Ndryshe nga dy të parat, kjo përbërëse e tretë e zemërimit kundër inteligjencës artificiale mbështetet në komunitete lokale, mobilizime konkrete dhe një bazë sociologjikisht të larmishme e mbipartiake: nëna të shqetësuara për mjedisin, të krishterë të Teksasit, fermerë, punëtorë republikanë, teknikë të telekomunikacionit dhe aktivistë progresistë.

« Niveli i kundërshtimit nuk ndryshon ndjeshëm sipas moshës, origjinës etnike, nivelit të arsimit, të ardhurave apo shkallës së urbanizimit », vëren anketa e Gallup-it e botuar më 13 maj. « Përplasja nuk zhvillohet mes së djathtës dhe së majtës, demokratëve dhe republikanëve, periferive dhe zonave rurale. Në të vërtetë, është lart kundër poshtë », shpjegon z.Saul Levin, një aktivist i intervistuar nga gazetari Andrew Cockburn. Hetimi i këtij të fundit në Saline, një qytet i vogël në Michigan ku pritet të ndërtohet një qendër e të dhënave me vlerë 16 miliardë dollarë, tregon hendekun që po krijohet ndërmjet, nga njëra anë, zyrtarëve të zgjedhur të çoroditur nga kundërshtimi lokal, krerëve të teknologjisë që dërgojnë avokatë dhe lobistë për t’i bindur të mos veprojnë, drejtuesve të kompanive të energjisë elektrike që rrisin çmimet, dhe, nga ana tjetër, qytetarëve të mbledhur në bashki, që u kërkojnë llogari përfaqësuesve të tyre. Shumica prej tyre nuk ishin mobilizuar kurrë më parë. Ashtu si « jelekët e verdhë » në Francë në vitet 2018–2019, ata ndihen të mashtruar nga politikanët dhe po zbulojnë fuqinë e veprimit kolektiv.

Faqja DataCenterWatch.org numëron 142 grupe aktivistësh në 24 shtete. Vetëm gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, 75 projekte u bllokuan ose u vonuan, me një vlerë të përllogaritur prej 130 miliardë dollarësh, krahasuar me 48 projekte të shtyra ose të anuluara, me vlerë 156 miliardë dollarë, gjatë vitit 2025. « Zyrtarët e zgjedhur në më shumë se dhjetë shtete kanë paraqitur këtë vit projektligje që synojnë pezullimin e ndërtimeve », raportonte The Washington Post në fillim të qershorit. Dhe « banorët e Monterey Park-ut, në Kaliforni, miratuan ndalimin e parë të përhershëm të qendrave të të dhënave, me më shumë se 86% të votave ».

Njeriu para së gjithash, por cili?

Ndërsa zyrtarët vendorë dhe parlamentarët i mirëpritën dikur këto katedrale dixhitale, të lëvduara nga z.Trump, me britma entuziazmi dhe përjashtime bujare nga taksat, neveria që ato ngjallin sot është bërë një çështje e zgjedhjeve të mesmandatit. Megjithatë, me përjashtim të disa figurave të së majtës (z.Bernie Sanders dhe Ro Khanna, znj.Alexandria Ocasio-Cortez, mbështetës të një moratoriumi për ndërtimin e qendrave të të dhënave) ose të disa republikanëve (z.Ronald DeSantis, znj.Marjorie Taylor Greene), kundërshtimi popullor gjen vetëm jehonë të kufizuar, madje edhe te demokratët. Presioni i industrisë, fushatat e diskreditimit të financuara nga lobet dhe ndikimi i disa sindikatave që mbështesin këto projekte po i shuajnë prirjet opozitare.

Gjithmonë në kërkim të një eliksiri që do ta rigjallëronte lëvizjen MAGA, të çorientuar nga aventurizmi ushtarak i z.Trump dhe përkushtimi i tij ndaj miliarderëve të teknologjisë, ish-strategu i Shtëpisë së Bardhë Steve Bannon botoi në prill një letër, të nënshkruar nga rreth gjashtëdhjetë figura konservatore pranë presidentit amerikan, me të cilën i bëhej thirrje këtij të fundit ta rregullonte inteligjencën artificiale. « Ne e dimë se nuk mund të mbështetemi te këto kompani që të vetërregullohen », thuhet në dokument. Letra ishte menduar si platformë nisjeje për Humans First, versioni dixhital i America First: « Globalistët dixhitalë po përpiqen ta devijojnë lëvizjen tonë për ta shtyrë Uashingtonin t’i vendosë gjigantët e inteligjencës artificiale përpara popullit amerikan. Humans First shënon fillimin e luftës për ta rimarrë vendin tonë ».

Ndërsa partitë hezitojnë, e djathta ekstreme po provon fatin…

Beteja tashmë i ka tejkaluar kufijtë e Shteteve të Bashkuara. Inteligjenca artificiale dhe qendrat e të dhënave po nxisin mobilizime në Kili, Meksikë dhe Spanjë. Në Francë, ku z.Emmanuel Macron po ua shtron rrugën industrialistëve të teknologjisë dixhitale, përhapja e qendrave të të dhënave në Marsejë, Grenoble, Seine-et-Marne, Hauts-de-France etj., po ushqen pakënaqësinë e banorëve dhe po favorizon krijimin e kolektivëve kundërshtues. Edhe pse mungesa e thellë e popullaritetit të Presidentit të Republikës nuk luan në favor të inteligjencës artificiale aq të dashur për të, vazhdimi i dixhitalizimit me ritëm të imponuar mbetet çuditërisht jashtë fushatës zgjedhore që sapo ka nisur. Pas pronës private, tregtisë së lirë, integrimit evropian dhe Aleancës Atlantike, a bën tashmë pjesë kjo çështje ndër ato tema mbi të cilat vota nuk ka ndikim?

Frika se mos humbet e ardhmja, reputacioni i keq i lëvizjeve politikisht heterogjene dhe joshja e një sovraniteti të shtirur, të mbështetur mbi infrastruktura që janë vërtet vendore, por funksionojnë me çipa amerikanë Nvidia, po e mpijnë mendimin kritik edhe te njerëzit me vullnetin më të mirë.

« Njeriu para së gjithash » apo Humans First, populizëm popullor apo nacionalizëm reaksionar, « jelekët e verdhë » apo Tea Party: fati i kryengritjes kundër makinave shtron një nga pyetjet e mëdha politike të kohës sonë.

Botime të tjera