Askush nuk e ndryshon sjelljen kur sheh një tufë letrash. Derisa dikush të thotë se ato janë para të gatshme. Filozofi John Searle, një nga më me ndikim ndër ata që kanë reflektuar mbi mënyrën se si funksionojnë institucionet, përdorte këtë shembull të thjeshtë për të ilustruar një të vërtetë më të thellë: një pjesë e madhe e botës shoqërore ekziston vetëm sepse ne biem kolektivisht dakord për ekzistencën e saj. Një vijë në hartë bëhet kufi. Fjalët e shënuara në një traktat bëhen detyrime të detyrueshme. Dhe, siç u tha, një copë letër bëhet pasuri. Këto fiksione të përbashkëta e bëjnë të mundur jetën në shoqëri. Paraja është një prej tyre. Ashtu si sistemi multilateral dhe rregullat e së drejtës ndërkombëtare që organizojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve.
Megjithatë, të shumtë janë ata që, duke e pranuar pa asnjë hezitim të parën nga këto fiksione, e refuzojnë menjëherë të dytën. Arsyeja është e thjeshtë: disa fiksione vendosin kufij mbi pushtetin. Dhe shkëputja nga rendi i bazuar në rregulla mund të përfitojë disa, në kurriz të të gjithë të tjerëve.
Vitet e fundit, presionet mbi rendin ndërkombëtar janë intensifikuar në dy fronte. Nga njëra anë, disa fuqi të mëdha ose në ngritje besojnë se mund të dobësojnë normat ekzistuese dhe t’i riformësojnë ato në dobi të tyre. Kjo prirje gjen shprehjen e saj më brutale në luftë. Pushtimi i Ukrainës nga Rusia, gjenocidi shkatërrues i kryer në Gaza, nismat e njëanshme të Shteteve të Bashkuara që synojnë ndryshimin e regjimit në Venezuelë dhe, tani, në Iran – të gjitha operacione të ndërmarra pa kërkuar as edhe një dukje miratimi ndërkombëtar – konfirmojnë se disa qeveri po vënë hapur në pikëpyetje vetë themelet e sistemit ndërkombëtar. Një logjikë e ngjashme mund të vërehet edhe jashtë fushëbetejës, në instrumentalizimin e tregtisë, teknologjisë dhe madje edhe të flukseve migratore, të përdorura gjithnjë e më shumë si armë për të detyruar rivalët ose për t’i shërbyer interesave të veta gjeopolitike.
Disa udhëheqës zgjedhin heshtjen në vend që të mbrojnë të drejtën ndërkombëtare
Nga ana tjetër, rendi botëror i bazuar në rregulla tronditet rëndë edhe kur udhëheqësit politikë, përballë agresioneve të tilla, zgjedhin heshtjen dhe paqartësinë në vend që të mbrojnë të drejtën ndërkombëtare. Duke kërkuar të shmangin përplasjen, ata bien në ‘appeasement’, një besim i gabuar se përmbajtja do t’i zbusë ata që shkelin rregullat. Ata mendojnë se fjalët kanë shumë më pak ndikim në rendin ndërkombëtar sesa bombat. Gabohen. Kur bëhet fjalë për norma, fjalët e formësojnë botën. Kur fuqitë e mesme tregohen të paafta për të mbrojtur të drejtën ndërkombëtare – ose, më keq, e braktisin atë – ato vetëm sa përshpejtojnë erozionin e saj. Dështimi i tyre nuk kalon pa u vënë re. Aleatët e tyre e shohin. Shtetet, të mëdha apo të vogla, e shohin. Dhe, kur mjaft aktorë arrijnë në përfundimin se normat nuk kanë më asnjë rëndësi, sistemi fillon të shpërbëhet.
Duke u përpjekur të mbrohen, këto fuqi përfundojnë duke krijuar çrregullimin që pikërisht kishin frikë. Këto dinamika mbështeten në një ide të thjeshtë, por të gabuar: në një botë multipolare, rikthimi i sferave të ndikimit mund të përfitojë fuqitë e mëdha, të krijojë një ekuilibër mes tyre dhe të jetë i dobishëm për qytetarët e tyre. Historia tregon të kundërtën. Kur rregullat e përbashkëta zhduken, nuk lind pajtimi, por rivaliteti. Dhe kjo çon në konflikt dhe varfëri për të gjithë. Ose për pothuajse të gjithë.
Duhet kuptuar se ajo që ne e konsiderojmë të mirëqenë, dhe që i bën jetët tona të denja – rritja ekonomike, tregjet që funksionojnë, mbrojtja sociale – mbështetet te stabiliteti ndërkombëtar dhe paqja. Multilateralizmi nuk është një ideal abstrakt – është një realitet i përditshëm. Një vend pune në një fabrikë në Detroit. Një supermarket i furnizuar mirë në Paris. Një student në Londër. Pushime në Japoni.
Mirëqenia jonë mbështetet para së gjithash në diçka sa të brishtë aq edhe thelbësore: ruajtjen e një rendi të bazuar në rregulla. Dhe, nëse dikush ende dyshon për këtë, mjafton të imagjinojë si do të ruheshin shtetet tona të mirëqenies në një botë ku një luftë e gjatë në Lindjen e Mesme do ta çonte çmimin e naftës në 150 dollarë për fuçi; me një të tretën e furnizimit botëror me plehra të bllokuar për shkak të konfliktit; me një çrregullim të rëndë të rrugëve kryesore tregtare; me tregjet e energjisë të përfshira nga një paqëndrueshmëri e përhershme.
Nuk bëhet fjalë për një skenar të pamundur. Është ai që na pret nëse ligji i më të fortit do të mbizotërojë. Dhe kjo është prova se alternativa nuk është mes rendit multilateral dhe një ekuilibri të ri, por mes këtij rendi dhe kaosit.
Pavarësisht çfarë thonë disa, sistemi nuk funksionon në kurriz të popullatave. Përkundrazi. Gjatë shtatëdhjetë e pesë viteve të fundit, ai ka kontribuar në krijimin e periudhës më të begatë dhe më të qëndrueshme në historinë njerëzore. Numri i viktimave në konfliktet e armatosura është përgjysmuar afërsisht gjatë dekadave të fundit, edhe pse ka nisur të rritet sërish vitet e fundit. Të ardhurat botërore për frymë janë pesëfishuar. Tregtia ndërkombëtare ka njohur një zgjerim të paprecedent, me një rritje rreth dyzetfish të volumit të shkëmbimeve në nivel global që nga viti 1950, duke e ngritur nivelin e jetesës në të gjitha kontinentet. Dhe varfëria ekstreme është ulur, duke kaluar nga rreth 60% e popullsisë botërore në më pak se 10%.
Ky bilanc është larg të qenit i përkryer, por është dukshëm më i mirë se ai i të gjitha modeleve të tjera që njerëzimi ka njohur.
Këto arritje nuk duhet në asnjë mënyrë të na pengojnë të pranojmë papërsosmëritë e sistemit multilateral. Ai nuk është mjaftueshëm përfaqësues, siç tregohet nga shembulli i Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), i cili ende pasqyron raportet e fuqisë të vitit 1945 dhe jo ato të shekullit XXI. Normat ndërkombëtare, siç dihet, ndonjëherë zbatohen në mënyrë selektive. Dhe kur ato shkelen, institucioneve shpesh u mungon autoriteti ose mjetet e nevojshme për t’i bërë ato të respektohen.
Por pranimi se ky rend ka çarje nuk duhet të na çojë në shkatërrimin e tij, për të fjetur më pas nën qiell të hapur. Sepse një botë pa një rend të bazuar në rregulla është një botë ku mbizotëron forca e zhveshur, ku detyrimi imponohet më lehtë, ku bëhet më e vështirë të bashkërendohen përpjekjet për të zgjidhur problemet e njerëzimit. Dhe këtë nuk mund ta përballojmë. Jo tani.
Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për mjete të koordinimit global: shtetet-kombe mbeten aktorët qendrorë të politikës ndërkombëtare; por shumë prej sfidave të sotme i kapërcejnë kufijtë dhe nuk mund të përballohen nga një vend i vetëm. Për më tepër, ato janë më komplekse dhe më urgjente se ato me të cilat përballeshin shoqëritë kur u ndërtua arkitektura multilaterale.
Ndryshimet klimatike kërcënojnë të tronditin jetën në rajone të gjera të planetit. Migrimet zbulojnë pabarazi të thella globale; ato po bëhen një çështje politike madhore në shumë shoqëri. Kontrolli i inteligjencës artificiale dhe ritmi gjithnjë e më i shpejtë i ndryshimeve teknologjike krijojnë rreziqe të reja që nuk njohin kufij.
Këto sfida kërkojnë bashkëpunim global. Dhe vetëm sistemi multilateral e bën të mundur këtë.
Por, për të arritur rezultatet e synuara, do të nevojiten reforma. Reforma strukturore dhe urgjente.
Së pari, duhet të heqim dorë nga iluzioni se sistemi multilateral mund të veprojë si një korset mbi shpërndarjen reale të pushtetit në botë. Nëse do të mbijetojë, ai duhet të pasqyrojë raportet e fuqisë të shekullit XXI. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është shembulli më i dukshëm i anakronizmit të tij: përbërja, struktura dhe sistemi i vetos bien ndesh me vetë parimet mbi të cilat është ndërtuar rendi multilateral.
Së dyti, sistemi duhet të bëhet më demokratik, më i larmishëm dhe më gjithëpërfshirës. Vendet e Jugut global nuk mund të mbeten përfitues pasivë të burimeve. Ato duhet të bëhen aktorë të së ardhmes së tyre – me një zë, një votë dhe një ndikim real në institucionet multilaterale.
Së fundi, duhet të forcojmë kapacitetet e mbikëqyrjes dhe të detyrimit të institucioneve që merren me sigurinë globale. Normat kanë vlerë vetëm nëse mund të garantohet respektimi i tyre, të mbrohen dhe të zbatohen. Prej shumë kohësh, ata që shkelin rregullat e përbashkëta flenë të qetë, ndërsa ata që i respektojnë mjaftohen duke publikuar deklarata ku shprehin “shqetësimin e tyre të thellë”.
Kjo gjendje nuk mund të vazhdojë: “shqetësimi” duhet të ndryshojë anë. Ka ardhur koha që ata që shkelin rregullat t’i nënshtrohen presionit ndërkombëtar. Dhe që ata që i mbrojnë këto rregulla të veprojnë me vendosmërinë që kërkon momenti.
Reforma duhet, pra, të përqendrohet në efikasitet dhe përfaqësim. Duhet një vendimmarrje më e shpejtë, mandate më të qarta dhe mekanizma më të fortë për zbatimin e vendimeve kolektive.
Logjika e multilateralizmit nuk shfaqet askund më qartë se në Evropë. Bashkimi Evropian lindi nga një mësim i ashpër: rivaliteteve, të cilave nuk u ishin vënë kufij, kishin prodhuar dy herë katastrofë.
Vetë projekti evropian është dëshmi se bashkëpunimi mund të zbusë rivalitetet dhe se rregullat mund ta shndërrojnë ndërvarësinë në burim stabiliteti dhe mirëqenieje, dhe jo më burim cenueshmërie.
Rendi ndërkombëtar mbështetet në një besim të përbashkët: se fuqia mund të kufizohet nga ligji, se angazhimet mund të shkojnë përtej interesave të menjëhershme dhe se bashkëpunimi mund të zbusë rivalitetet.
Prandaj, kriza aktuale duhet parë jo si një moment i rënies së pashmangshme të multilateralizmit, por si një sprovë që vë në provë vendosmërinë tonë për ta ripërtërirë atë.
Pa to, ajo që paraqitet si realizëm shndërrohet shpejt në diçka shumë më të ashpër: ligji i më të fortit.
(Përkthyer nga origjinali: Antony Burlaud)

