Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Universitetet amerikane, një model në lëkundje

Shtëpia e Bardhë ka nisur një përballje me disa nga universitetet më prestigjioze të vendit. Ajo synon të përfitojë nga rënia e tyre relative përgjatë viteve të fundit dhe nga pakënaqësia në rritje ndaj intelektualëve dhe ekspertëve. Sepse, përtej luftës kulturore midis liberalëve dhe konservatorëve, po vihet në pikëpyetje edhe vendi që e zë universiteti në ekonominë amerikane.

Qershor 2025

Administrata e z.Donald Trump ka goditur financiarisht gjashtë nga tetë universitetet e Ivy League. Pezulloj pagesën e 175 milionë dollarëve në subvencione për Universitetin e Pensilvanisë, 210 milionë për Princeton dhe 510 milionë për Brown. Nisi një auditim mbi përdorimin e 9 miliard dollarëve që i jepen çdo vit Harvardit. Dhe ngriu më shumë se 5 miliardë dollarë në fonde kërkimore shkencore. Në pritje të ndonjë mase më të mirë – apo më të keqe. Institucionet e synuara janë bastione të elitizmit universitar amerikan, të njohura njëkohësisht për cilësinë e lartë të stafit akademik dhe për homogjenitetin social të studentëve të tyre.

Columbia ishte universiteti i parë që u vu në qendër të ofensivës: në fillim të marsit, administrata shpalli tërheqjen e 400 milionë dollarëve ndihmë federale – më shumë se një e treta e asaj që universiteti merr çdo vit. Zyrtarisht, Uashingtoni e akuzonte për tolerancë ndaj antisemitizmit: kampusi, i vendosur në veri të Manhattanit, kishte qenë një nga qendrat më të dukshme të protestës kundër luftës që po zhvillonte qeveria izraelite në Gaza.

Ndonëse Harvard organizoi kundërpërgjigjen, kapitulimi i shpejtë i Universitetit Columbia e vëri nën presion të gjithë sektorin. Departamenti i Arsimit i dërgoi paralajmërime rreth gjashtëdhjetë universiteteve dhe vendosi kushte të reja për qasjen në financimet federale. Ekzekutivi shpreson se kjo përplasje do të luajë në favor të tij, ndërkohë që po bie popullariteti i z.Trump.

“Universitetet janë një shënjestër e lehtë për konservatorët”, vlerëson Dylan Riley, profesor i sociologjisë në Berkeley. “Ato përfaqësojnë, në sytë e një pjese të popullsisë, gjithë arrogancën e qyteteve të mëdha bregdetare. Prestigji i tyre matet me shkallën e pranimeve – me fjalë të tjera: me numrin e njerëzve që i përjashtojnë”. Në vitin 2021, përpara Konferencës së Nacionalizmit Konservator, zëvendëspresidenti i ardhshëm James David Vance – djalë i një familjeje të varfër nga Appalachet dhe i diplomuar në fakultetin shumë elitar të drejtësisë në Yale – mbajti një fjalim me titull “Universitetet janë armiku”. “Të gjitha sondazhet tregojnë se stafi akademik anon fuqishëm nga e majta”, kujton Riley. “Nuk është e palogjikshme që republikanët i shohin kampuset si makina që prodhojnë votues të kampit kundërshtar”.

Columbia ishte në shënjestër të konservatorëve shumë përpara sulmeve të 7 tetorit 2023 në Izrael. Ish-rektori i saj, z.Lee Bollinger, kishte thyer neutralitetin që i imponohej nga funksioni për të kundërshtuar publikisht rizgjedhjen e Donald Trump në vitin 2020. New York Times kujton gjithashtu një pakënaqësi të vjetër: në fillim të viteve 2000, z.Trump ia kishte propozuar universitetit Columbia shitjen e një toke në kuadër të një projekti për zgjerimin e kampusit. Z.Bollinger, që ishte tashmë rektor në atë kohë, kishte refuzuar ofertën – 400 milionë dollarë. Pikërisht sa është edhe shuma e fondeve të pezulluara këtë vit.

Edhe pse detajet e shkurtimeve të ardhshme buxhetore mbeten të paqarta, duket se fusha e biomedicinës është veçanërisht e goditur. National Institutes of Health (NIH) është kthyer në një nga mjetet kryesore të kursimeve qeveritare. Megjithatë, me gjashtëdhjetë mijë bursa dhe një buxhet vjetor rreth 35 miliardë dollarë, mbështetja e kësaj agjencie të Departamentit të Shëndetësisë për financimin e kërkimit shkencor është thelbësore për universitetet. Ekzekutivi kishte shpallur një reformë drastike për mënyrën e rimbursimit të shpenzimeve të kërkimit të mbuluara nga NIH. Pas një padie nga një koalicion universitetesh dhe shtetesh demokrate, drejtësia pezulloi masën – por pa i zhdukur shqetësimet: nga frika e një rënieje afatgjatë të fondeve, disa universitete kanë ngrirë punësimet dhe kanë nisur shkurtimet e stafit.

‘Columbia’, pronar i madh tokash

Arsimi i lartë nuk ka qenë gjithmonë një temë e polarizimit partiak. Kjo filloi të ndryshojë që nga viti 1979, me krijimin e Departamentit të Arsimit, në fund të presidencës së James Carter (1977–1981). Ky ministri i ri konfirmonte zgjerimin spektakolar të sistemit arsimor pas Luftës së Dytë Botërore, i karakterizuar nga fuqizimi i universiteteve publike dhe nga përhapja e diplomës si mjet për ngjitje shoqërore. Ngarkuar me centralizimin e të dhënave statistikore dhe koordinimin e financimeve federale, ky institucion mbeti fillimisht me një rol administrativ, në një fushë që u takonte para së gjithash shteteve federale – sidomos për sa i përket programeve mësimore. I kontestuar që në vitin 1981, me ardhjen në pushtet të Ronald Reagan, i cili tentoi pa sukses ta shfuqizonte, Departamenti i Arsimit – ndonëse do të drejtohej më vonë edhe nga republikanë të zëshëm si William Bennett (1985–1988) apo Betsy DeVos (2017–2021) – u perceptua gjithnjë e më shumë si bastion i demokratëve. Masat e marra javët e fundit për ta dobësuar – ndër të tjera, shkurtimi i gjysmës së katër mijë vendeve të punës, kryesisht përmes largimeve vullnetare ose mospërtritjes së kontratave afatshkurtra – e përforcojnë pozicionimin e administratës Trump në imagjinatën politike të Partisë Republikane.

Por, përtej kësaj lufte kulturore, në sfond qëndrojnë edhe interesa mjaft konkrete… Edhe pse është ministria më e vogël për nga numri i punonjësve – më pak se 1 % e punësimeve federale – Departamenti i Arsimit menaxhon gati 4 % të buxhetit të shtetit. Më e rëndësishmja: ai administron 1600 miliardë dollarë borxhe studentore të marra nga më shumë se dyzet e tre milionë amerikanë, si dhe rreth 80 miliardë dollarë ndihma që iu shpërndahen çdo vit studentëve më të varfër.

Borxhi studentor, në veçanti, është shndërruar në një faktor kyç në ekuacionin buxhetor. Ai rëndon mbi financat publike dhe ngadalëson konsumin e familjeve. Një studim i vitit 2024 vlerëson se çdo përqindje shtesë në raportin borxh/të ardhura te të diplomuarit ka një efekt recesionist trefish më të madh mbi konsumin e tyre. Administrata Biden kishte tentuar të anulonte, me dekret, një pjesë të kredive të marra nga huamarrësit më të varfër – një projekt që u rrëzua nga Gjykata Supreme me arsyetimin se e tejkalonte kompetencat e ekzekutivit. Paralelisht, demokratët në pushtet kishin zgjatur moratoriumin për pagesat e kredive, i vendosur gjatë pandemisë; administrata Trump njoftoi përfundimin e kësaj mase në prill të këtij viti. Si pasojë, numri i huamarrësve në mospagesë, që vlerësohet aktualisht në rreth pesë milionë, po rritet vazhdimisht.

Rritja marramendëse e borxhit studentor, që u bë eksponenciale pas vitit 2008, shoqërohet me shtimin e tarifave të regjistrimit: +150 % që nga viti 1990, dhe që sot variojnë nga 30 000 deri në 60 000 dollarë në institucionet më prestigjioze. Për të përfituar nga kjo rrjedhë parash, universitetet kanë shumëfishuar investimet në të ashtuquajturat shërbime të “jetës studentore” dhe kanë shndërruar kampuset në komplekse luksoze që ngjasojnë me resorte. Universiteti i Luizianës, për shembull, ka investuar 85 milionë dollarë në një park ujor në formën e një lumi të qetë, që shkruan inicialet “LSU”. Stanford, në prag të Silicon Valley, ka mbledhur 6 miliardë dollarë midis viteve 2006 dhe 2011, duke përdorur qindra miliona për të zgjeruar mensat, qendrat e banimit dhe konviktet. Universiteti ka mobilizuar ekipin e vet të arkitektëve për të ndërtuar një qendër sportive ultramoderne me sipërfaqe prej shtatë mijë metrash katrorë, buzë një kampusi që tashmë kishte një fushë golfi, një qendër kalërimi dhe një stadium me pesëdhjetë mijë vende. Mesatarisht, universitetet e mëdha kërkimore shpenzojnë po aq për administratën dhe shërbimet studentore sa për mësimdhënien – afërsisht 40% të buxhetit të tyre.

Falë përjashtimeve tatimore të akorduara ndaj kreditorëve të tyre, universitetet mund të marrin hua me norma interesi shumë të ulëta – mes 1 dhe 3% – shpesh më të ulëta se ato të Thesarit Amerikan. Kjo u ka mundësuar atyre të grumbullojnë pasuri të konsiderueshme: Columbia, për shembull, thuhet se është sot pronari më i madh i tokave në Manhattan; parku i saj i paluajtshmërive i jep mundësinë të strehojë një pjesë të stafit të saj me çmime të tregut, duke kombinuar, sipas një modeli thuajse feudal, funksionet e qiradhënësit dhe punëdhënësit.

Një pjesë gjithnjë e më e madhe e kësaj pasurie merr formën e aktiveve financiare. Fondet e dhuruara (të quajtura ‘endowments’ në anglisht), të mbushura ndër të tjera nga donacionet e ish-studentëve – të cilët përfitojnë njëkohësisht nga një strehë fiskale dhe nga një premtim i nënkuptuar për trajtim preferencial në pranimin e fëmijëve të tyre – arrijnë në dhjetëra miliarda dollarë në universitetet më të pasura. Fondi i Columbia-s është rritur, edhe falë ndihmave publike të lidhura me pandeminë e Covid-19, nga 11 miliardë dollarë në gati 20 miliardë mes viteve 2020 dhe 2022. Këto fonde sigurojnë një kthim mesatar rreth 8%, me një tatim pothuajse të papërfillshëm (1.4 %). Në shkallë kombëtare, kjo pasuri e përbashkët kapërcen tashmë 870 miliardë dollarë. Gjatë një debati në Dhomën e Përfaqësuesve në janarin e kaluar, përtej polemikave mbi antisemitizmin, disa ligjvënës republikanë propozuan të rritej tatimi mbi këto fonde në 14 %, që është edhe norma më e ulët e taksimit të fitimeve kapitale.

Universitetet më të mëdha amerikane ngjajnë ndonjëherë më shumë me fonde investimi sesa me vende të përkushtuara ndaj dijes. Nuk është rastësi që paga marramendëse e ish-rektorit të Columbia-s, z.Bollinger – afro 4 milionë dollarë që në vitin 2013 – ishte pak më e ulët se ajo e drejtorit financiar të universitetit. Ideja e një eksodi të studiuesve drejt Evropës për t’i shpëtuar autoritarizmit të Donald Trump, e përhapur nga një pjesë e shtypit evropian, është më shumë një fantazi. Një krahasim flet vetë: 50 miliardë dollarë fonde të dhuruara (endowment) për Harvard, kundrejt disa qindra milionë eurove kapital për Sciences Po ose École Polytechnique. Një profesor i rregullt amerikan mund të presë lehtësisht një pagë mbi 200.000 dollarë në vit – madje edhe në shkencat humane – ndërsa homologu i tij francez arrin maksimumi 70 000 euro bruto në fund të karrierës.

Turbulencat aktuale rrezikojnë më tepër të thellojnë hendekun teknologjik me Kinën. Pekini tashmë e ka kaluar Uashingtonin për nga numri i aplikimeve për patenta: gjashtëdhjetë mijë në vit, kundrejt dyzet mijë në SHBA. Shkurtimet e vendosura nga Shtëpia e Bardhë duket se bien ndesh me premtimin e Donald Trump për një “revolucion industrial të ri”, që do të nxiste rritjen ekonomike përmes inovacionit. “Një nga synimet e këtyre masave mund të jetë privatizimi i një pjese të infrastrukturës kërkimore në dobi të kompanive teknologjike”, sugjeron Dylan Riley. Gjigantët e teknologjisë funksionojnë tashmë pothuajse si universitete: punësojnë studiues, botojnë në revista shkencore dhe formojnë inxhinierët e tyre brenda kompanisë.

Për një kohë të gjatë, kapitalizmi amerikan ka përfituar nga subvencionet për universitetet: ligji Bayh-Dole, i miratuar në vitin 1980, iu mundësoi kompanive të patentonin zbulime që kishin ardhur nga kërkime pjesërisht të financuara nga shteti. Qëllimi ishte të frenohej konkurrenca aziatike – veçanërisht ajo japoneze – që përfitonte nga shpikjet e paguara nga taksapaguesit amerikanë. Sot, gjigantët e teknologjisë mund të mendojnë se përmasat e tyre ua lejojnë të heqin dorë nga bashkëpunimi me universitetet, të cilat shoqërohen me të meta si kontratat e përjetshme apo shkalla e lartë e sindikalizimit të trupës akademike.

Shkurtimet në financimet federale, të kombinuara me vështirësimin e qasjes në ndihmën financiare për studentët, do të godasin fillimisht universitetet e mesme dhe do të thellojnë natyrën ploutokratike të sektorit. Bashkimet dhe falimentimet – rreth pesëdhjetë në vit gjatë viteve të fundit – mund të përshpejtohen, veçanërisht në universitetet publike rajonale dhe ato të vogla të quajtura “arts libéraux” (shkenca humane dhe sociale). Megjithatë, kriza aktuale do të lërë gjurmë në të gjithë sistemin: Columbia, për shembull, ka parë dorëheqjen e dy presidenteve brenda pak javësh, në një kontekst tensioni ndërmjet, nga njëra anë, shkollave të mjekësisë dhe inxhinierisë dhe, nga ana tjetër, departamenteve të shkencave humane.

Universitetet më të pasura do të mund të mbështeten në rezervat e tyre financiare, në ndihmën e shtetit të tyre (Kalifornia, Massachusetts, Illinois, etj.), apo në rrjetet e ish-studentëve. Ato gjithashtu mund të përdorin borxhin si burim financimi, falë një statusi tatimor që administrata Trump kërcënon ta rishikojë. Harvard, Brown dhe Princeton kanë mbledhur së fundmi disa qindra milionë dollarë përmes emetimit të obligacioneve. Disa universitete do ta shfrytëzojnë situatën për të riorientuar aktivitetin e tyre drejt disiplinave të konsideruara strategjike, në dëm të atyre më pak fitimprurëse (dhe më të ekspozuara ndaj mbikëqyrjes politike) si antropologjia apo letërsia.

Ky ngushtim i fushës universitare mund të shihet gjithashtu si një përshtatje ndaj realiteteve demografike të vendit. Rënia e lindjeve që nga kriza e vitit 2008 ka lëkundur një model të bazuar mbi rritjen e vazhdueshme të numrit të studentëve. Deri së fundmi, universitetet e kompensonin këtë rënie relative me fluksin e studentëve kinezë – nga 120 000 në 370 000 midis viteve 2010 dhe 2020 – të gatshëm të paguanin shtrenjtë për një diplomë amerikane. Por ky burim të ardhurash po bëhet gjithnjë e më pak i qëndrueshëm, ndërsa përshkallëzohet ndarja ekonomike midis SHBA-së dhe Kinës dhe ashpërsohen kushtet për marrjen e vizave.

Rritja e shfrenuar e tarifave të shkollimit dhe pasiguria në tregun e punës për të diplomuarit kanë shkaktuar një debat të gjerë mbi rolin e universitetit në ekonominë amerikane. Sepse, ndonëse arsimi i lartë mbetet mesatarisht një investim i leverdishëm, sondazhet e opinionit tregojnë se vlera e diplomës vihet gjithnjë e më shumë në dyshim.

Në të kaluarën, periudhat e krizave ekonomike e kishin rritur atraktivitetin e arsimit të lartë si një strehë ndaj pasigurisë së punësimit. Por, përvoja e Covid-19 kontribuoi në rënien e këtij reputacioni. Bibliotekat universitare, që dikur funksiononin 24 orë në ditë, panë oraret dhe stafin e tyre të reduktuar në minimum, duke e zhveshur këtë simbol të universitetit amerikan nga hijeshia e dikurshme. Një sondazh i vitit 2022 tregonte se mbi dy të tretat e studentëve shkonin në bibliotekë më pak se pesë herë në semestër. Kjo prirje kishte nisur që para pandemisë: në vitin 2019, revista The Atlantic e krahasonte tashmë praninë e librave në bibliotekat universitare me letër ngjitëse dekorative. Përhapja e mësimit në distancë, e kombinuar me klimën e tensionuar pas rizgjedhjes së Donald Trump – ku spikasin prania e forcave të rendit, kontrollet e identitetit dhe kërcënimet për arrestime – nuk kanë ndihmuar për të rikthyer imazhin e kampusit si një vend i jetës dhe dijes.

Në këto kushte, bëhet gjithnjë e më e vështirë të justifikohen katër vite studimesh universitare që kushtojnë mbi 150 000 dollarë, pa asnjë garanci për punësim, kur një formim profesional për elektricist, me më pak se 20 000 dollarë, premton një pagë prej 60 000 dollarësh para moshës 25 vjeç. Mitologjia e autodidaktit, aq e dashur për Elon Musk dhe Mark Zuckerberg, po fiton gjithnjë më shumë përkrahje. Sipas një sondazhi të fundit, më shumë se gjysma e të diplomuarve të brezit Y (30–45 vjeç) dhe gati gjysma e atyre të brezit Z (nën 30 vjeç) mendojnë se mund ta kishin ushtruar profesionin e tyre aktual pa shkuar fare në universitet. Ky perceptim përputhet me të dhënat më strukturore: sipas një studimi të pavarur, më shumë se gjysma e të diplomuarve të rinj, një vit pas përfundimit të studimeve, janë në një vend pune që nuk kërkon arsim universitar – dhe gati tre të katërtat e këtyre “nënpunësimeve” vazhdojnë edhe një dekadë më vonë.

Edhe vetë Partia Demokratike është përpjekur të mbrohet nga akuza se përfaqëson një elitë që favorizon ata me kapital kulturor, në dëm të punëtorëve të thjeshtë. Në fjalimin e tij për gjendjen e kombit në shkurt 2023, presidenti Joseph Biden theksoi se shumë prej vendeve të punës të krijuara falë subvencioneve federale nga fabrika Intel në Ohio – me paga mesatare prej 130 000 dollarësh në vit – nuk kërkonin diplomë universitare. Një vit më vonë, në konventën e demokratëve, ish-presidenti Barack Obama shtoi: “Diploma universitare nuk duhet të jetë e vetmja hyrje për në klasën e mesme. (…) Na duhet një president që kujdeset për miliona amerikanë që çdo ditë bëjnë një punë të domosdoshme, shpesh të vështirë, për të kujdesur për të sëmurët, për të pastruar rrugët tona, për të dorëzuar pakot tona.”

Disa biznese shpresojnë se rënia e arsimit të lartë do të mundësojë në një afat të shkurtër ridrejtimin e një pjese të fuqisë punëtore të universiteteve drejt sektorëve të tjerë. Me mbi 3,5 milionë të punësuar, prej të cilëve rreth 60 % në pozicione jo-akademike, universitetet mbeten një nga rezervuarët më të mëdhenj të punësimit në vend. Rikualifikimi i kësaj fuqie punëtore – veçanërisht në shërbim të industrisë – mund të jetë vendimtar për administratën Trump, që është e angazhuar të kufizojë përdorimin e emigracionit si zgjidhje për mungesat në tregun e punës. Prej vitesh, kompanitë e mëdha dhe lobet e biznesit kanë paralajmëruar për mungesën e teknikëve të kualifikuar ose të pakualifikuar: Shoqata Kombëtare e Prodhuesve (NAM) regjistroi vitin e kaluar 600.000 vende të lira pune dhe parashikon mbi 2 milionë deri në vitin 2030.

Rritja e formimit profesional dhe sfidat strukturore

Në një horizont më të gjatë, do të duhet të merret parasysh edhe pjesa gjithnjë e më e madhe e të rinjve që hyjnë herët në tregun e punës. Regjistrimet në programe të formimit profesional janë rritur me 85% ndërmjet viteve 2015 dhe 2024. Tesla, për shembull, ka nisur një kurs trajnimi 14-javor në linjat e veta të prodhimit. Pavarësisht marrëdhënieve të tensionuara me Gjermaninë, z.Trump ka lavdëruar shpesh sistemin gjerman të formimit profesional: mbi 70% e të rinjve gjermanë ndjekin rrugën e praktikës profesionale – me pasoja të shumta si ndarja e hershme shkollore që në moshën 11 vjeç, varësi nga punëdhënësi dhe vështirësi në përshtatje me ndryshime teknologjike. Kjo prirje mund t’u shërbejë sektorëve industrialë dhe atij të arsimit me qëllim fitimi, që ofron trajnime të ashtuquajtura “profesionalizuese” dhe që ka qenë prej kohësh pjesë e rrjetit klientelist të z.Trump. Kjo është një ndër pikat kyçe të debatit mbi “akreditimin” – mekanizëm që mbikëqyret nga Departamenti i Arsimit dhe që kushtëzon qasjen e universiteteve në fondet publike. Z.Trump synon ta shfrytëzojë atë si armë në betejën që ka nisur.

Megjithatë, vetëm reindustrializimi nuk do të mjaftojë për të përthithur një rënie të madhe të qasjes në arsimin e lartë, i cili në vitin 2022 përfshinte ende 39% të të rinjve amerikanë nga mosha 18–24 vjeç – një përqindje më e lartë se mesatarja e vendeve të OECD-së. Teknologjitë e avancuara, të cilat stafi i z.Trump i sheh si motorin e rimëkëmbjes ekonomike, në fakt krijojnë pak vende pune dhe pritet të krijojnë edhe më pak me përparimin e inteligjencës artificiale, e cila po zëvendëson zhvilluesit, inxhinierët e sistemeve dhe analistët e të dhënave.

Me një normë papunësie nën 8% te të rinjtë e moshës 18–24 vjeç, SHBA përfaqësojnë ende një përjashtim të favorshëm brenda OECD – larg shifrave prej 15–20% që shihen në shumë vende evropiane. Por nëse vitet e ardhshme do të shënonin fundin e kësaj “anomali” pozitive, atëherë z.Trump dhe partia e tij nuk do të mund ta kthenin situatën në një përfitim politik.

Botime të tjera