Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Vështirë të banohet në këtë botë

Lehmä synnyttää yöllä (i papërkthyer në shqip- përkthimi jonë Lopa pjell natën) nga Pajtim Statovci

Korrik 2026

Romani Lehmä synnyttää yöllä (i papërkthyer në shqip; përkthimi ynë: Lopa pjell natën) është historia e një kthimi, një kthim në Kosovë, në dy momente krejt të ndryshme. Rrëfimtari, si djalë shumë i ri, kthehet atje me prindërit në vitin 1996 – dy vjet para konfliktit të armatosur. Si i rritur, ai rikthehet në Kosovën e pasluftës, kësaj radhe i shoqëruar nga nëna.

Kur ishte fëmijë, ai nuk kishte kujtime nga vendlindja, por ëndërronte fermën e gjyshërve dhe kafshët e saj, të cilat i përfytyronte me sytë e një fëmije. Në fermën e vërtetë, ku një lopë do të pjellë, gjyshi e vret menjëherë viçin e deformuar. Kjo skenë, që e hap romanin, e zhyt rrëfimtarin në botën e dhunës: dhunën që gjyshi ushtron mbi të gjithë ata që i nënshtrohen autoritetit të tij, deri edhe mbi nipërit e mbesat. Ata detyrohen madje të flenë në shtratin e “zotit të shtëpisë”. Fëmija mbetet i vetëm përballë brutalitetit dhe mizorisë. Nëna nuk ka guxim ta kundërshtojë vullnetin e gjyshit, ndërsa babai largohet, i zënë nga detyrime të paqarta. Ai u jep para policëve serbë për të kaluar kufirin, por dallohet më shumë për mburrjet e tij dhe për një aureolë të paqartë misteri.

Dhuna e shoqërisë, ku lufta po përgatitet, më e largët dhe më e përhapur, i arrin fëmijës vetëm përmes bisedave të të rriturve, të cilat ai përpiqet t’i deshifrojë. Në të vërtetë, dhuna është e pranishme kudo – edhe në Finlandë. Një ditë, kur në shkollë u kërkohet nxënësve të sjellin një nga “thesaret” e tyre, ai sjell kopjen familjare të Kuranit, me shkronja të arta. Kjo shkakton tmerr dhe indinjatë te mësuesja, e cila e akuzon për integrizëm dhe prozelitizëm, duke i shpjeguar klasës se nuk mund të jesh një qytetar i mirë finlandez dhe ta duash atë libër “që ju mëson se burri ka të drejtë ta rrahë gruan”, ndërsa në Finlandë, sipas saj, mbretërojnë “barazia” dhe “liria e besimit”.

Pasi bëhet një shkrimtar i njohur, ai rikthehet në Kosovë me nënën e tij, tashmë të ve, obeze dhe diabetike; por dhuna është ende aty. Veçanërisht ajo e një fqinji të varfër, të cilin nëna përpiqet ta ndihmojë në mënyrë të ngathët me dhurata, por që në fund e përzë me britma: “Pederin dhe nënën e pederit!”

Megjithatë, ai vendos të qëndrojë në Kosovë dhe të zhytet në anonimitetin e Prishtinës, ku punon si shitës në një supermarket për një pagë prej 200 eurosh në muaj. Në një dhomë të shtëpisë familjare ai strehon një koleg pune, përdorues të aplikacionit për takime homoseksuale Grindr, i cili i poshtëron partnerët e tij të një nate, sikur dhuna e një shoqërie patriarkale t’i detyronte të gjithë anëtarët e saj t’i riprodhonin pafundësisht të njëjtat modele sjelljeje. Në Finlandë, ndërkohë, “qëllimet e mira” të mësueses finlandeze shtronin rrugën drejt ferrit të racizmit dhe islamofobisë.

Lehmä synnyttää yöllä (i papërkthyer në shqip) është një roman i fuqishëm mbi mërgimin dhe çrrënjosjen, mbi normën dhe ndryshimin. I shpërblyer me çmimin prestigjioz Finlandia, ai është gjithashtu një rrëfim i dëshpëruar që na kujton se nuk ekziston asnjë vend ku mund t’u shpëtosh cikleve të dhunës, përveçse përmes butësisë – si ajo që rrëfimtari zgjedh t’ia falë babait të tij në çastet e vdekjes.

Pajtim Statovci ende nuk i ka mbushur të dyzetat. Ai di të rrëfejë frikën dhe vuajtjen. Dhe kultivon një humor (shumë) të zi, po aq gjallërues sa edhe therës.

Botime të tjera