Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Vetë ekzistenca e popullit palestinez është në rrezik

Pas dy muaj e gjysmë bllokade totale, në shkelje të së drejtës ndërkombëtare, Izraeli ka lejuar hyrjen e ndihmës humanitare në Gaza. Kjo masë nuk i përgjigjet aspak nevojave dhe nuk mund ta parandalojë përhapjen e urisë në këtë enklavë. Nën presion të fortë ushtarak, fati i popullsisë lëkundet midis një katastrofe masive dhe dëbimit.

Qershor 2025

Tetë anëtarë të Gjysmëhënës së Kuqe palestineze, gjashtë të mbrojtjes civile dhe një punonjës i Kombeve të Bashkuara (OKB) u vranë nga ushtria izraelite pranë Rafahut, në jug të Rripit të Gazës, më 23 marsin e kaluar, përpara se të varroseshin në një varr masiv. Këta punonjës humanitarë ishin qartësisht të dallueshëm: mbanin uniforma reflektuese dhe udhëtonin me tre autoambulanca me ngjyrat e organizatës, një kamion zjarrfikës dhe një veturë të OKB-së. Që nga fillimi i luftës në tetor 2023 janë vrarë më shumë se katërqind punonjës humanitarë dhe një mijë e treqind profesionistë të shëndetësisë. Për këta punonjës humanitar, nuk ka vend më vdekjeprurës se Gaza.

Neni 8 i Statutit të Romës, që është themel i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), e përkufizon si krim lufte “kryerjen me qëllim të sulmeve kundër personelit, objekteve, pajisjeve, njësive apo automjeteve të përdorura në kuadër të një misioni ndihme humanitare”. Për më tepër, Konventat e Gjenevës të vitit 1949, që ia imponojnë palëve ndërluftuese detyrimin për të mbrojtur viktimat civile të konflikteve, parashikojnë në mënyrë të qartë nevojën e lejimit të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe të “ofrojë shërbimet e saj”.

Vrasjet e 23 marsit përbëjnë pjesë të një sulmi të përgjithshëm dhe të qëllimshëm të Izraelit kundër sistemit shëndetësor palestinez: bombardime të spitaleve, ndërprerje të ujit dhe energjisë elektrike, që pengojnë funksionimin e qendrave mjekësore ende aktive dhe shkaktojnë vdekjen e të plagosurve, si dhe pengesa të qëllimshme në “dorëzimin e furnizimeve mjekësore dhe barnave (…) në veçanti të anestezikëve dhe pajisjeve të anestezisë”, gjë që i detyron mjekët të “operojnë të plagosurit dhe të kryejnë amputime, përfshirë tek fëmijët, pa anestezi”, siç specifikohet në urdhërarrestet e lëshuara nga dhoma paraprake e Gjykatës Penale Ndërkombëtare kundër kryeministrit Benyamin Netanjahu dhe ministrit të atëhershëm të mbrojtjes Yoav Galant.

Do të duheshin gjashtëqind kamionë në ditë

Shkatërrimi i sistemit shëndetësor e bën jetën të pamundur në Rripin e Gazës, i cili ndodhet nën një bllokadë të plotë që nga viti 2006 dhe tashmë është shkatërruar nga operacione ushtarake të pandërprera. Që nga 2 marsi 2025, autoritetet izraelite kanë penguar hyrjen e çdo ndihme në këtë enklavë, në shkelje të të gjitha rregullave detyruese të së drejtës ndërkombëtare. Sipas Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), këto praktika izraelite vendosin “kushte jetese të kalkuluara për të sjellë shkatërrimin e një pjese të popullsisë civile të Gazës”. Ato e shndërrojnë Rripin e Gazës në një “fushë vdekjeje”, siç shpjegoi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, gjatë një konference për shtyp më 8 prill 2025 – dhe përbëjnë një ndëshkim kolektiv, gjithashtu i ndaluar nga e drejta ndërkombëtare. Fati që po luhet aktualisht në Gaza dhe më gjerësisht në Palestinë është vetë ekzistenca e popullit palestinez në tokat e tij.

Përderisa vazhdon pandëshkueshmëria, si në skenën ndërkombëtare ashtu edhe në Izrael – ku nuk është ndërmarrë asnjë hetim apo procedurë serioze kundër përgjegjësve politikë dhe ushtarakë të akuzuar për krime ndërkombëtare – kualifikimi juridik i veprimeve të kryera nga ushtria izraelite në Gaza po bëhet gjithnjë e më i qartë nëpërmjet shumë raporteve të ekspertëve të OKB-së dhe organizatave të shoqërisë civile. Për më tepër, vendimet e dhëna nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në procedurën gjyqësore të nisur në dhjetor 2023 nga Afrika e Jugut – të cilës i janë bashkuar që prej atëherë shumë shtete, në bazë të Konventës së vitit 1948 për parandalimin dhe ndëshkimin e krimit të gjenocidit – si edhe hetimi në vazhdim nga prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), përputhen në drejtim të ekzistencës së krimeve ndërkombëtare masive dhe sistematike.

Të dyja juridiksionet kanë konstatuar se veprimet në fjalë kishin si objektiv të qartë popullatën civile, duke rrëzuar diskursin zyrtar izraelit që i paraqet këto veprime si pjesë të një “lufte kundër Hamasit”. Kjo strategji, e paligjshme, konfirmohet edhe nga vetë ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz: « Zgjerimi i operacionit këtë mëngjes do të rrisë presionin mbi vrasësit e Hamasit dhe gjithashtu mbi popullatën e Gazës » (X, 2 prill 2025).

Urdhërarrestet, të detajuara në fakt dhe në drejtësi, të lëshuara nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN) akuzojnë drejtuesit izraelitë për përdorimin e urisë si metodë lufte – akt që përbën krim lufte – si dhe për përgjegjësi në vrasje, përndjekje dhe veprime të tjera çnjerëzore që përbëjnë krime kundër njerëzimit. Sipas Gjykatës, z.Netanjahu dhe z.Galant kanë « privuar qëllimisht dhe me dijeni të plotë popullsinë civile të Gazës nga të mirat thelbësore për mbijetesë, përfshirë ushqimin, ujin, barnat dhe furnizimet mjekësore, si edhe karburantin dhe energjinë elektrike ». Këto pengesa kanë arritur kulmin me ndalimin e plotë të hyrjes së ndihmës humanitare në Gaza që nga 2 marsi i kaluar, gjë që ka shkaktuar një uri të përgjithshme në enklavë.

Shkatërrimi i qëllimshëm i një pjese të popullsisë civile në Gaza shpie logjikisht në ngritjen e akuzës për gjenocid – krimi i krimeve. Julian Fernandez dhe Olivier de Frouville, profesorë të së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Panthéon-Assas, thonë se « probabiliteti që shteti i Izraelit të mund të mbahet përgjegjës për krimin e gjenocidit është sot më i lartë se kurrë më parë ». Që në vendimin e parë të dhënë më 26 janar 2024 në çështjen « Afrika e Jugut kundër Izraelit », Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e pranoi ekzistencën e një « rreziku real dhe të menjëhershëm që të shkaktohet një dëm i pariparueshëm ndaj të drejtave » të palestinezëve si një grup i mbrojtur nga Konventa e vitit 1948, ratifikuar si nga Izraeli, ashtu edhe nga Palestina. Neni 2 i kësaj konvente e përkufizon këtë « dëm » si pasojë e « çdo akti të mëposhtëm, të kryer me qëllim shkatërrimin, tërësisht apo pjesërisht, të një grupi kombëtar, etnik, racor apo fetar, si i tillë: vrasja e anëtarëve të grupit; dëmtim i rëndë fizik apo mendor i pjesëtarëve të grupit; nënshtrimi i qëllimshëm i grupit ndaj kushteve të jetesës që synojnë shkatërrimin fizik tërësor ose të pjesshëm të tij; masa që synojnë pengimin e lindjeve brenda grupit; transferimi i detyruar i fëmijëve të grupit në një grup tjetër ». Ky përkufizim përfshihet edhe në nenin 6 të Statutit të Romës, të cilin Palestina e ka ratifikuar më 1 prill 2015.

Kriteri i parë ka të bëjë me ekzistencën e një grupi të mbrojtur. Ai zbatohet për 2,3 milionë palestinezët e Gazës, të cilët konsiderohen si një pjesë thelbësore e atyre që jetojnë në Palestinë, ashtu siç e ka njohur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vendimin e saj të 26 janarit 2024. Kriteri i dytë që lidhet me kryerjen e një ose disa veprave materiale të ndaluara, është gjithashtu i përmbushur. Karakteri qëllimisht i verbër i sulmeve e përforcon akuzën për vrasje. Sipas Amnesty International, shumica e bombardimeve të kryera nga ushtria izraelite nuk kishin objektiva ushtarake dhe kishin në shënjestër drejtpërdrejt civilët. Këto sulme, që shpesh realizohen pa paralajmërimin paraprak që është i detyrueshëm, kryhen me armë shpërthyese me rreze të gjerë veprimi në zona të populluara. Pashmangshëm, ato shkaktojnë humbje të mëdha njerëzore. Që nga 7 tetori 2023, më shumë se pesëdhjetë mijë palestinezë kanë humbur jetën në Gaza, 70 % e të cilëve janë gra dhe fëmijë. Ky numër nuk përfshin viktimat që kanë mbetur nën rrënoja dhe ata që kanë vdekur si pasojë e urisë dhe sëmundjeve. Krahas këtyre vrasjeve, grupi i është nënshtruar kushteve të jetesës që synojnë shkatërrimin e tij. Në nëntor 2024, Gjykata Penale Ndërkombëtare konstatonte se këto kushte ishin “të përllogaritura për të sjellë shkatërrimin e një pjese të popullsisë civile në Gaza”. Gati e gjithë popullsia palestineze e Gazës është zhvendosur, shpesh disa herë. Uria është e pranishme në enklavë. Në mesin e majit 2025, Programi Botëror i Ushqimit (PAM) – i cili vlerëson se 90 % e gazanëve vuajnë nga “pasiguri ushqimore e thellë” – njoftoi se kishte mbaruar rezervat e ushqimit.

Qëllimi gjenocidal përbën kriterin e tretë. Ai mund të nxirret nga deklaratat publike të zyrtarëve politikë dhe ushtarakë, të shumta dhe kurrë të mohuara apo të ndëshkuara, ndryshe nga masat e përkohshme të urdhëruara nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. « Ne po luftojmë kundër kafshëve njerëzore. (…) Gaza nuk do të kthehet kurrë në atë që ishte më parë » (z.Galant, 9 tetor 2023) ; « Një komb i tërë është përgjegjës. (…) Do të luftojmë derisa t’ua thyejmë shtyllën kurrizore » (z.Isaac Herzog, president i Izraelit, 12 tetor 2023). Më së fundi, ministri i mbrojtjes Katz deklaroi publikisht: « Banorë të Gazës, ky është një paralajmërim i fundit. (…) Ndiqni këshillën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara: lironi pengjet dhe përzini Hamasin dhe do t’ju hapen mundësi të reja – përfshirë zhvendosjen në pjesë të tjera të botës për ata që zgjedhin ta bëjnë këtë. Përndryshe, do të ketë shkatërrim dhe rrënim total » (19 mars 2025). Fernandez dhe Frouville konkludojnë: « Asnjëherë më parë, sa na përket ne, një qëllim i tillë [gjenocidal] nuk ishte shprehur kaq qartë ».

Mbledhja e provave me rrezik për jetën

Mungesa e sanksioneve ndërkombëtare inkurajon deklarata të tilla, të cilat, për më tepër, janë në përputhje me planin e paraqitur nga z.Donald Trump. Presidenti amerikan parashikon zhvendosjen e detyruar të palestinezëve jashtë Gazës: një projekt i tillë përbën shkelje të rëndë të Konventës së Katërt të Gjenevës dhe një krim kundër njerëzimit. Ky plan përfaqëson vazhdimësinë e një spastrimi etnik: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte konstatuar tashmë, në opinionin e saj këshillues të 19 korrikut 2024, se politikat dhe praktikat izraelite po rrezikonin përbërjen demografike të territorit palestinez. Më 4 maj 2025, Tel Avivi konfirmon synimin për të “pushtuar” Rripin e Gazës dhe për të nxitur “largimin vullnetar” të popullsisë.

Përballë kufizimeve të vendosura ndaj qasjes së gazetarëve dhe organizatave ndërkombëtare, palestinezët janë të detyruar vetë, shpesh duke rrezikuar jetën, të mbledhin provat dhe dëshmitë e realitetit që përjetojnë. Këto rrëfime dhe pamje i mundësuan Afrikës së Jugut të paraqiste një kërkesë pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në dhjetor 2023.

Përtej detyrimeve juridike që i takojnë Izraelit, të gjitha shtetet kanë për detyrë të parandalojnë, pengojnë dhe ndëshkojnë krimin e gjenocidit dhe kanë në dispozicion disa mjete për ta bërë këtë: të ndalojnë shitjen e armëve dhe municioneve ndaj Izraelit duke vendosur një embargo, të pezullojnë marrëveshjen e asociimit midis Bashkimit Evropian dhe Izraelit, të miratojnë sanksione financiare të synuara ndaj përgjegjësve të dyshuar për gjenocid, të promovojnë miratimin e një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në bazë të Kapitullit VII të Kartës, që lejon ndërmarrjen e masave detyruese (ekonomike, diplomatike, financiare…), të mbështesin procedurat e nisura nga juridiksione kombëtare në bazë të kompetencës universale – e cila lejon hapjen e hetimeve kudo, pavarësisht nga ndonjë lidhje kombësie apo territori – ose të mbështesin hetimin e Zyrës së Prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për situatën në Shtetin e Palestinës. Udhëtimet jashtë vendit të z.Netanyahou, të lehtësuara për shembull nga leja për të kaluar mbi territorin francez më 2 shkurt 2025, tregojnë se shumë shtete perëndimore vazhdojnë të jenë hezituese në përmbushjen e detyrimeve të tyre. Këto hezitime konfirmojnë mbizotërimin e standardit të dyfishtë në zbatimin e së drejtës ndërkombëtare. Lufta në Gaza tregon jo vetëm paaftësinë e rendit ndërkombëtar bashkëkohor për të vendosur paqen, por edhe se sa shumë ky rend vazhdon të përjetësojë dominimin kolonial izraelit në Palestinë.

Botime të tjera