« Beteja heroike e Navalny nuk ndryshon nga beteja e Gandit, Kingut, Mandelës dhe Havelit ». Si i tërë shtypi perëndimor, edhe ish-ambasadori amerikan në Rusi Michael McFaul flet me shumë elokuencë për aktivistin anti-korrupsion që sfidon Presidentin rus Vlladimir Putin. I trajtuar në Gjermani pasi mbijetoi nga një tentativë për helmim në një aeroplan në Siberi në muajin gusht, z.Alexei Navalny ka refuzuar definitivisht të emigrojë. Pas kthimit të tij në territorin rus në muajin janar, ai është dënuar, siç pritej, me dy vjet e tetë muaj burg. I detyrohemi respekt. Sidoqoftë, çështja e tij pati një jehonë që nuk e gëzojnë shpesh kundërshtarët politikë.
Pas lajmit për arrestimin e tij, kryeqendrat perëndimore kërkuan “lirimin e menjëhershëm” të tij, madje edhe kërcënuan se do të marrin masa. Në Kongresin Amerikan, një koalicion i gjërë i demokratëve dhe republikanëve e shfrytëzoi këtë rast si një pretekst për të kërkuar forcimin e kufizimeve të miratuara qysh në vitin 2019 kundër kompanive të përfshira në ndërtimin e tubacionit të gazit Nord Stream 2 që do ta transportojë gazin rus në Gjermani. Një veprim i tillë do ta kënaqte Parlamentin Evropian, i cili në janar ka votuar me shumicë të madhe në favor të një rezolute që i bën thirrje “Bashkimit” të “parandalojë menjëherë përfundimin” e tubacionit – kundër këshillës së Berlinit, por në përputhje me kërkesën e Polonisë dhe shteteve balltike.
Nga ana e tij, z.Navalny rriti kontaktet jashtë vendit. Ai dëshiron që Bashkimi Evropian të intensifikojë dhe të riorientojë paketën e sanksioneve individuale të miratuara më 15 tetor kundër gjashtë zyrtarëve të lartë të cilët dyshohen si të përfshirë në helmimin e tij. Në mesin e tyre gjindet edhe zëvendës-drejtori i administratës presidenciale, z.Sergei Kirienko. Qëllimi i Navaltyt: të mirren masa detyruese kundër Kremlinit dhe të shenjestrohen asetët në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të oligarkëve rusë pranë pushtetit. Ekipi i tij i dërgoi presidentit të SHBA një listë prej tridhjetë e pesë personash të cilët “i kanë shndërruar manipulimet e zgjedhjeve në politikë kombëtare; e të cilët vjedhin para publike dhe helmojnë”. Përveç figurave të shquara – sikurse zëdhënësi i qeverisë, kryetari i bashkisë së Moskës dhe tre ministra, duke përfshirë edhe kryeministrin – në listën e tij gjinden biznesmenë të afërt me z.Putin si dhe djem të zyrtarëve të lartë të cilet dyshohen si të përfshirë në operacione të keqpërdorimit të fondeve publike.
Uashingtoni mund ta dëgjojë thirrjen e tij. Që nga viti 2012, Global Magnitsky Act u mundëson Shteteve të Bashkuara t’i sanksionojnë aktet e korrupsionit kudo në botë. Komisioni Evropian ka bërë fushatë këtë vjeshtë për një “Navalny Act” sipas modelit amerikan. Përballë ngurrimit të disa shteteve anëtare, Brukseli ka bërë një kompromis: regjimi i ri i sanksioneve i miratuar më 7 dhjetor, i cili ende nuk është aktivizuar, mban rregullin e unanimitetit dhe përfshin vetëm fushën e kufizuar të shkeljeve të drejtave të njeriut. “Shpresojmë që në të ardhmen, ky regjim i ri do të zgjerohet për t’i përfshirë edhe aktet e korrupsionit”, tha Ministri i Jashtëm lituanez Linas Linkevičius.
A e justifikon qëndrimi politik i z.Navalny një mbështetje të tillë ndërkombëtare? Sidoqoftë, ky është opinioni i Uashingtonit i cili urren regjimin e Putinit, të cilin e akuzon për destabilizim të demokracive. Në vitin 2018, në revistën Foreign Affairs, z.Joseph Biden prezantoi Rusinë si një vend në duart e një “komploti të ish-zyrtarëve të inteligjencës dhe oligarkëve”. “Pa mbytjen e shoqërisë civile”, ai donte të besonte se “duartrokitjet adhuruese dhe popullariteti i lartë [i udhëheqësve rusë] shpejt mund të zëvendësohej me një stuhi fishkëllimash mospërkrahëse (…). Regjimi ka një imazh të pathyeshëm që maskon brishtësinë e mbështetjes, veçanërisht në mesin e të rinjve urbanë të shkolluar”.
Rusia mësohet me sanksione
Pavarësisht audiencës së tij mikroskopike në Rusi, ish-kampioni i shahut Garry Kasparov ka shijuar prej kohësh aurën e “kundërshtarit numër një” të z.Putin. Si duket, z.Navalny është më i besueshëm për këtë titull. Kujt i kujtohet ende që Navalny, në atë kohë blloger, parakalonte në Moskë në krye të dhjetëra të rinjve që brohorisnin “Rusia rusëve” dhe “Mjaft e ushqyem Kaukazin”. Ishte viti 2007 dhe ky avokat i rinj udhëhiqte një parti të vogël: Narod (Populli). Tre vjet më vonë dhe pas një kohë të kaluar në Universitetin Yale në New Haven, ai lansoi një webfaqe për anketa anti-korrupsion: Rospil. Duke zgjedhur si qendër të aksionit të tij pasuritë e përfituara në mënyrë të jashtligjshme, ai ishte larguar nga brigjet e nacionalizmit virulent dhe tërhoqi simpatinë e shtypit perëndimor, por pa u larguar kurrë nga angazhimet e tij ksenofobe. Njerëzit filluan ta quanin “Julian Assange rus”. Në vitin 2013 ishte autorizuar të merrte pjesë në zgjedhjet lokale në Moskë dhe fitoi 27% të votave, një rezultat i jashtëzakonshëm në kontekstin rus. Edhe pse regjistrimi i kandidaturës së tij për zgjedhjet presidenciale në vitin 2018 ishte refuzuar, fushata e tij mobilizoi megjithatë dyqind mijë vullnetarë dhe gati njëqind komitete mbështetëse në të gjithë vendin.
Kur z.Navalny u përjashtua nga arena politike kah dera, ai përpiqet të kthehet kah dritarja. Në vitin 2018, ai bëri thirrje për “votim të zgjuar”: i kërkoi mbështetësëve të tij t’i hedhin votat e tyre për kandidatët më në zë të opozitës parlamentare për ta mundur ‘Rusinë e Bashkuar’ të Putinit. Qëllimi i tij: gërryerjen e dominimit të partisë në pushtet duke përdorur formacionet e autorizuara si Kali i Trojës. Partia Komuniste e Federatës Ruse (KPRF) dhe nacionalistët e Partisë Liberale Demokrate të Rusisë (LDPR) janë përfituesit kryesorë të kësaj strategjie. Në vitin 2019 dhe 2020, disa kandidatë të opozitës dalin në pah falë përforcimit të zërave “të zgjuar” në Moskë, Shën Petersburg dhe në disa qytete provinciale si Tambov (16 të zgjedhur nga 18), Tomsk (17 nga 27) ose Novosibirsk (14 nga 50). Kjo fushatë i mundësoi z.Navalny të kompensohet nga margjinalizimi relativ i tij politik.
Prandaj, thirrja e Navalny për një protestë pas arrestimit të tij dhe shfaqja e filmit të tij investigativ Pallati i Putinit, të cilin e kanë parë më shumë se një në katër të rritur rusë, patën jehonë. Gati 100.000 njerëz thuhet se kanë dalë në rrugë më 23 janar. Shkalla e mobilizimit përputhet me disa ditë të lëvizjes të viteve 2011-2012 kundër falsifikimit të zgjedhjeve. Dhe kjo, megjithë shtypjen e shtuar, kontrolla policore, ndalimi i protestave, arrestime masive të pasuara me mbajtje në polici, për të mos përmendur të ftohtin polar.
Sidoqoftë, z.Navalny nuk përbën një kërcënim serioz për regjimin. Që nga burgosja e tij është bërë e zakonshme që ai të krahasohet me Nelson Mandela, një nga të burgosurit politikë më të njohur në histori, si për shembull në British Broadcasting Corporation (BBC) dhe në Guardian më 17 janar. Por pozicioni i z.Navalny ndryshon nga pozicioni i ish-udhëheqësit të Kongresit Kombëtar Afrikan i cili mbështetej në një organizatë prej qindra mijëra anëtarësh dhe kishte popullaritet të madh në vendin e tij. Protestat e janarit të kaluar nuk kanë pasur mbështetje të madhe nga rusët: 22% u shprehen të favorshme, shumë larg 80% me të cilat “jelekët e verdhë” francezë mund të mburreshin, për shembull, në fillim të lëvizjes. Dhe numri i tyre u zvogëlua nga fundjava e dytë e protestave, derisa forcat e rendit intensifikuan masat kundër aktivistëve të profilit të lartë. Që nga fundi i verës, sipas Qendrës Levada, e njohur për sondazhet e saj të pavarura, popullariteti i Navalnyt ka ngecur në 20%, shumë prapa opinionit të favorshëm për Presidentin rus me 64%.
Dhe shpëtimi nuk do të vjen nga diplomacia. Duket sikur Moska po mësohet me sanksionet dhe po e interpreton çdo presion të huaj për të siguruar lirimin e kundërshtarit të pushtetit si një formë ndërhyrje. Këtë e bëri të qartë z.Putin në Moskë gjatë një vizite të shefit të diplomacisë evropiane, z.Josep Borrell, duke dëbuar tre diplomatë, një polak, një suedez dhe një gjerman. Për më tepër, Ministri i Punëve të Jashtme rus, z.Sergej Lavrov kërcënoi se do t’i ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Bashkimin Evropian “nëse sanksionet krijojnë rreziqe për ekonominë tonë duke goditur sektorë të caktuar, përfshirë në sfera të ndjeshme”.
Megjithëse Moska po tregohet e sigurt, të paktën dy gjëra ka të ngjarë të shqetësojnë Kremlinin. Së pari, profili sociologjik i protestuesve. Derisa, që nga viti 2014, të ardhurat e popullsisë po pësojnë rënie pothuajse çdo vit dhe inflacioni i mallrave ushqimore është rritur më 2020 (+ 70% për sheqerin, +24% për vajin e lulediellit), prania në rrugë e “proletariatit urban post-industrial” dhe e të diplomuarve e komplikon reagimin e Kremlinit. Për shumë njerëz ishte hera e parë që po merrnin pjesë në një mobilizim. Z.Alexeï Gaskarov, një aktivist sindikal përkrahës i z.Navalny ishte arrestuar në fund të janarit gjatë një tubimi. Ai tregoi që kishtë ndarë qelinë e tij me një punëtor ndërtimi, një mjeshtër të nxemjes dhe një punonjës dyqani. “Njëri kishte një kredi që nuk mund të rimbursonte; tjetri ishte shumë i zemëruar që nuk mund të paguante për trajtimin e kancerit të nënës së tij…Motivet sociale janë një dimension i dukshëm i protestës ». Në vitin 2018, atëherë, një reformë jopopullore e pensioneve kishte rritur mosbesimin e popullsisë ndaj pushtetit.
Efektet anësore
Një tjetër arsye shqetësimi për Kremlinin: efektet anësore të çështjes Navalny në opozitën parlamentare e cila konsiderohet besnike ndaj tij. Udhëheqësi i LDPR, z.Vlladimir Zhirinovsky, pohon në televizion se z.Navalny është “i blerë” nga amerikanët, ndërsa z.Sergei Fourgal, ish-guvernator i rajonit Khabarovsk nga e njëjta parti, u zgjodh në vitin 2018 falë “votimit të zgjuar”. Derisa popullariteti i tij rritej, ai u gjend prapa grilave, gjë që shkaktoi protesta të papara gjatë verës së kaluar.
Ndarjet janë edhe më të mprehta brenda KPRF, forca më e madhe opozitare e vendit (42 nga 450 deputetë në Duma), të cilën Kremlini nuk ka qenë kurrë në gjendje ta kontrollojë plotësisht. Edhe pse sekretari i tij i përgjithshëm Guennadi Ziouganov e quajti z.Navalny agjent të huaj, disa deputetë komunistë iu bashkuan protestave. Njëri prej tyre i famshmi Nikolai Bondarenko nga Samara i cili ka 1.28 milion abonentë në kanalin e tij në YouTube, madje u arrestua për disa orë. Çështja e tij nuk do mbyllet me kaq, pasi deputeti do të merr pjesë në zgjedhjet legjislative në shtatorin e ardhshëm në të njëjtën zonë elektorale me z.Vyacheslav Volodin, kryetari i Dumës Federale. Ndalimi në shkurt – zyrtarisht për shkak të masave shëndetësore – i tubimeve tradicionale komuniste në përkujtim të rënies së carizmit ndihmoi në radikalizimin e krahut të majtë të KRPF, që është i shqetësuar nga kufizimet në rritje të vendosura në jetën politike dhe në përdorimin e rrjeteve sociale. Deputeti komunist Valery Rashkin tashmë ka bërë thirrje për mosrespektimin e urdhërit të Kremlinit.
Burgosja e z.Navalny po e prish lojën politike ruse. Qeveria po përgjigjet duke e kriminalizuar opozitën “jashtë sistemit” dhe në të ardhmen, ndoshta, duke dëbuar elementet më të trazuara të opozitës ligjore. Nëse z.Putin synon të qëndrojë në pushtet deri më vitin 2036, siç ia lejon kushtetuta e re e miratuar nga vota e popullit verën e kaluar, nuk është e sigurt që represioni do të mjaftoj.