PATOLOGJIA SERIOZE QË GODET GRATË E PASURA
Anoreksia, një sëmundje shoqërore

Pabarazitë shoqërore përballë shëndetit dallohen zakonisht në dëm të burrave të klasës punëtore. Anoreksia nervore është një përjashtim i rrallë i rregullit: ky çrregullim shumë i rëndë i të ushqyerit godet vajzat e reja më të pasura. Të ekspozuara ndaj standardeve më të rrepta të dukjes, ato janë gjithashtu më të prirura të mendojnë se mund ta kontrollojnë fatin e tyre shoqëror, e rrjedhimisht edhe peshën e tyre.

2746

Rrallëherë një sëmundje godet aq pak rastësisht: 90 deri 95% e personave me anoreksi nervore janë gra. Anoreksia nervore është çrregullim i të ushqyerit që shfaqet me një privim të rreptë dhe të vullnetshëm të ushqimit për një periudhë disa muajsh apo edhe vitesh. Një çekuilibër i tillë midis dy gjinive vërehet vetëm te kanceri i gjirit (1% i pacienteve janë burra) ose …te çrregullimet e organeve gjenitale. Një veçori tjetër: përbërja shoqërore e popullsisë së prekur. Ndërsa përhapja e rreziqeve shëndetësore bëhet përgjithësisht në dëm të shtresave të varfëra, e kundërta vërehet në rastin e anoreksisë nervore. Kështu, vajzat nga klasat e larta (prindërit kuadro, që punojnë në profesione liberale ose udhëheqin biznese) kanë 1.6 herë më shumë gjasa të preken nga kjo sëmundje se vajzat e punëtorëve dhe vajzat nga klasat e mesme (profesione të ashtuquajturat të ndërmjetme, punonjëse) që preken1.3 herë. Dhe në fund, profili i moshës ndryshon nga çrregullimet e tjera mendore: anoreksia rrallë fillon pas moshës 25 vjeçe dhe gjasat e shfaqjes së saj zvogëlohen me rritjen e moshës, kurse depresioni mbetet i zakonshëm tek mosha e rritur.

E paraqitur në vitin 2010 nga Autoriteti i Lartë i Shëndetit si “një çështje e rëndësishme e shëndetit publik, që nuk merret mjaftueshëm në konsideratë në vendin tonë” – për mungesë mjetesh të dedikuara për parandalimin e saj – anoreksia nervore thuhet se është në rritje. Një ligj që ka hyrë në fuqi më 2017 kishte për qëllim t’i trajtojë shkaqet shoqërore të kësaj të keqe që prek gati 5% të vajzave franceze 17 vjeçare, sipas studimit të fundit të botuar më 2008. Ky ligj targeton në veçanti modën dhe reklamat. Ai synon, ndër të tjera, ta mbrojë shëndetin e manekeneve. Por a do të zvogëlohet përhapja e  anoreksisë duke i luftuar sektoret që përhapin imazhe patogjene të trupit të grave? Ndoshta jo aq sa shpresohej. Shkaqet shoqërore të kësaj sëmundje fshihen mbrapa pamjeve shkëlqyese: derisa popullsia në tërësi është e ekspozuar ndaj pamjeve të njëjta të trupave të hollë, gjasat e sëmundjes ndryshojnë shumë nga individi në individ, sidomos në varësi të mjedisit shoqëror.

Faktorët prej nga buron anoreksia janë të shumta dhe bashkëveprojnë me rrugëtimin individual: mosfunksionimet e sistemit nervor, konfigurimet familjare dhe psikologjike, ngjarjet stresuese. Një portret socio-demografik që mund të nxirret, që zbulon vërtetë një sëmundje të shtresës sociale, është megjithate për t’u befasuar. Në këtë pikë, e komentuar rrallë nga profesionistët e shëndetësisë, sociologjia dhe historia e mjekësisë japin elemente të dobishme.

Në kërkim të ekselencës

Në traktatet për mjekësi, diagnoza e “anoreksisë nervore” shfaqet dhe saktësohet në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Fillimisht, kufizimet afatgjata në të ushqyer (të cilat mund të shkonin deri në agjërimin total dhe nuk mund të shpjegoheshin nga shqetësimet e tretjes) ishin simptoma kryesore. Mjeku francez Ernest-Charles Lasègue, sikurse kolegu i tij anglez William Gull, kishin vërejtur se mosushqyerja  shoqërohej paradoksalisht me një energji të pakufishme. « Zvogëlimi i ushqimit nuk e shkatërron forcën e muskujve, por ka tendencë ta rris lëvizjen”, vëren Lasègue. Pacientja vazhdon të ndjehet më aktive, më e lehtë, ajo kalëron, bën vrapime të gjata, pret mysafir dhe shkon për vizita, dhe nëse është e nevojshme bën një jetë të lodhshme shoqërore, pa u ankuar për lodhje, siç do të kishte bërë më parë». Përshkrimet e para klinike të Lasègue-ut gjithashtu nxjerrin në pah se vajzat e reja dominojnë numrin e pacienteve dhe se aktivitetet e tyre u ngjajnë atyre të borgjezisë së cilës i përkasin. Disa vjet më vonë, neurologu Jean-Martin Charcot (1883) dhe mjekët e tjerë evropianë filluan të përmendnin simptoma që do të bëheshin thelbësore në diagnostikimin e anoreksisë nervore: fobia nga shtimi i peshës dhe bindja e të qenurit mbipeshë.

A duhet konkluduar se kjo patologji ka lindur në fund të shekullit XIX? Apo është thjesht një etiketë mjekësore që u është vërë praktikave të vjetra? Nuk ka dyshim se praktikat e agjërimit të zgjatur nuk janë të reja. Motra domenikane Caterina da Siena (1347-1380), e shenjtëruar në shekullin XV, qysh atëherë nuk u ushqente deri në rraskapitje. Por këto kufizime ishin pjesë e qasjes mistike. Kjo nuk vlen në fund të shekullit XIX, kur motivi i agjërimit ishte kërkimi për t’u dalluar në shtresat shoqërore: silueta e gruas borgjeze duhej të ishte e hollë, kurse mbipesha ishte bërë atribut i klasave të varfëra, në një kohë kur uria nuk shfaqej si fenomen. Psikiatria, shumë e zhvilluar në atë kohë, krijoi një fjalor të ri mjekësor nga rastet më ekstreme. Edhe pse është e vërtetë që praktikat e privimit të ushqimit ekzistonin para se të shfaqej diagnoza e anoreksisë nervore, lindja dhe fati i kësaj sëmundje mbeten të pandara nga afirmimi i kulturës borgjeze.

Një shekull e gjysmë më vonë, ky zhvillim historik ka lënë gjurmë në promovimin e trupit të hollë në shoqërinë franceze. Sipas një studimi francez të vitit 2008 i bërë me gati 40.000 adoleshentë 17-vjeçar, vajzat e reja aspirojnë një trup nën përmasat minimale mjekësore: një vajzë e gjatë 1.70 metra vlerëson peshën e saj si të mirë kur peshon mesatarisht 52 kilogramë, ndërsa pesha e saj do të konsiderohej normale sikur të peshonte një deri njëzet kilogramë më shumë. Pesha ideale është edhe më e ulët te vajzat e shtresave të larta (prindërit kuadro ose biznesmen), duke zgjeruar kështu hendekun me ato të shtresave të ulëta (prindërit punëtorë).

Kontrasti me burrat është i dyfishtë: ata jo vetëm që gjykojnë se përmasat më të mëdha (pesha e tyre mesatare ideale për 1.70 metra është 62 kilogramë, ose 10 kilogramë më shumë se vajzat), por prejardhja e tyre sociale nuk e ndryshon pothuajse aspak këtë vlerësim. Me fjalë të tjera, perceptimi i trupit ideal dallon te vajzat sipas shtresës sociale, kurse te djemtë jo. Kjo vlen edhe për përmasat reale të trupit që ndryshojnë pak te djemtë sipas origjinës së tyre shoqërore, por ndryshojnë shumë te vajzat. Këto ndryshime ilustrojnë sesa hollësia ka një vlerë shoqërore për vajzat, gjë që i vendos ato në një hierarki të dyfishtë. Thjeshtë, të qenit e hollë është një shenjë e inferioritetit të grave ndaj burrave dhe një shenjë e epërsisë së grave të shtresave të larta ndaj atyre të klasës punëtore.

Vajzat adoleshente mundohen veçanërisht të tregojnë një trup (shumë) të hollë, në një moshë kur ato nuk mund të përfitojnë prestigj shoqëror nga vetitë që i klasifikojnë zakonisht të rriturit (të ardhurat, profesioni, etj.). Kjo mund t’i shpjegoj rastet e shpeshta të shfaqjes së anoreksisë në moshë të re dhe faktin që ajo shpesh shoqërohet me sjellje të tjera. Punimet e sociologes Muriel Darmon kanë treguar se hollësia dhe performancat në shkollë janë pjesë e së njëjtes kërkesë për ekselencë shoqërore, në të cilën vajzat përfshihen më shumë se djemtë, veçanërisht në klasat e larta. Prandaj nuk është për t’u habitur që klasat përgatitore për universitet rregullisht kanë studente anoreksike.

Tregues i suksesit shoqëror, hollësia rrallë shihet si një dhuratë e gjenetikës, por si një e mirë e fituar duke kontrolluar dietën dhe më saktësisht impulset e urisë. Prej nga rrjedh se trupi i hollë simbolizon vetëkontrollin që përshkruhet, veçanërisht nga personat anoreksike, si tipik i praktikave anoreksike. “Ajo ndihej çdoherë e më mirë, më e lehtë, edhe më e pastër”, shkruan romancierja Delphine de Vigan në librin e saj, Jours sans faim  (Ditët pa uri), një histori autobiografike në vetën e tretë. « Ajo po bëhej më e fortë se uria, më e fortë se nevoja. Sa më shumë dobësohej, aq më shumë e kërkonte këtë ndjenjë për t’i dominuar ato ».

Kërkesa tiranike

Në fakt, atë që po e paraqesim si dëshirë patologjike e një individi për vetëkontrollë i ka  rrënjet në marrëdhëniet me botën e modeluar shoqërisht. Në fakt i mësojmë vajzat e reja të “sillen mirë”, “të marrin përgjegjësi për veti”, “të mos e lëshojnë veten”, ndërsa privilegji për të kontrolluar të tjerët i përket burrave. Këto obligime vërehen veçanërisht në mesin e klasave të mesme dhe të larta, të cilat janë më të prirura se klasat punëtore të besojnë në mundësinë e kontrollit të fatit të tyre shoqëror. Kjo shtyerje për kontroll mund të predispozojë për çrregullime të të ushqyerit, duke krijuar një ‘rezervuar praktikash’ që do të përdoren në ballafaqimin me situata stresuese ose ngjarje të dhimbshme – ngjashëm me konsumimin e alkoolit ose produkteve të tjera psikoaktive.

Gjatë jetës së tyre, gratë ballafaqohen me detyrime që vështirë plotësohen njëkohësisht: të kenë “forma femërore” por pa celulit, të kujdesen për pamjen e tyre por të mos jenë “sipërfaqësore”, të kontrollojnë urinë e tyre por duke gatuar për familjen, të jenë të lira me trupin e tyre por duke e ruajtur atë për shtatëzëni, t’i ushqejnë fëmijtë me gji por të vazhdojnë të punojnë etj. Këto kërkesa tiranike, të cilat ndryshojnë nga mosha dhe prejardhja shoqërore, formojnë sfondin në të cilin lulëzon anoreksia nervore. Kur sëmundja thellohet, në mënyrë paradoksale, përmbajtja bëhet e pakontrollueshme. Ndjenja e vetëkontrollit që i gëzon gratë e reja kur e shohin peshën e tyre duke rënë bëhet aq thelbësore, sa ato nuk mund të arrijnë më në peshë normale. Atëherë rreziku për vdekje të parakohshme rritet shumë në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë, për shkak të vetëvrasjeve ose ndërlikimeve nga mosushqyerja si duhet. Kështu standardet shoqërore bëhen problem i shëndetit publik.

(*Autorja është ligjëruese e demografisë në Universitetin Paris 1 Panthéon-Sorbonne, hulumtuese e asocuar në INED)