Iluzioni i një bote të re në Azinë Qendrore

Shumica e vendeve të Azisë Qendrore kanë pasur për disa dekada vetëm një udhëheqës. Pas largimit të këtyre autokratëve, pasardhësit e tyre përpiqen ta mbajnë kontrollin e tranzicioneve politike me rrezik të lartë. Përballë presionit të shoqërive të reja dhe të pabarabarta, ata kanë frikë nga skenarët që mund të krahasohen me "Pranverat Arabe".

94

Zakonisht, regjimeve autoritare nuk i pëlqen dorëzimi i pushtetit. Në veçanti, kur në krye të tyre është një udhëheqës i plotëfuqishëm i detyruar të largohet për shkak të moshës ose vdekjes së tij. Të përbërë nga institucione të brishta politike ose nga ato që konsiderohen të paligjshme, shumica e regjimeve në Azinë Qendrore kanë përjetuar këtë lloj situate delikate në vitet e fundit. Shpesh të ngritur nga pozita e Sekretarit të përgjithshëm të Partisë Komuniste lokale në atë të Presidentit të parë të vendit pas pavarësisë së fituar më 1991, këta udhëheqës pasi kanë mbajtur postet më të larta për disa dekada, kanë lënë pushtetin njëri pas tjetrit: Saparmurat Niazov në Turkmenistan dhe Islam Karimov në Uzbekistan vdiqen. I pari  në vitin 2006 dhe i dyti në vitin 2016. Presidenti Nursultan Nazarbayev në Kazakistan dha dorëheqje si President në moshën 78 vjeç në mars 2019; madje edhe Emomalii Rahmon, 67 vjeç, fillon të mendojë për pasardhësin e tij në krye të Taxhikistanit pas njëzet e tetë viteve qeverisje.

Kirgistani përbën një përjashtim. Ndryshimi politik ndodh atje përmes një kombinimi zgjedhjesh demokratike dhe revolucione popullore të orkestruara nga elitat e ndara në fraksione politike që i kundërvihen njëri-tjetrit përmes interesave të tyre ekonomike dhe besnikërive klanore (veriu kundër jugut). Dy qeveri u rrëzuan atje, në 2005 dhe më pas në 2010. Regjimi aktual i Presidentit Sooronbay Jeenbekov i zgjedhur në vitin 2017 është larg nga mishërimi i një modeli pluralizmi, por, krahasuar me fqinjët e tij, ai mbetet më demokratik, me një opozitë më pak të sulmuar dhe një shoqëri civile aktive.

Që nga mesi i viteve 2000 janë testuar disa modele trashëgimie. Në Turkmenistan dhe Uzbekistan, “baballarët e kombit” kanë vdekur pa emëruar një trashëgimtar, të paktën publikisht. Por ata që i zëvendësuan, përkatësisht ish-Ministri i Shëndetësisë Gourbangouly Berdimuhamedov dhe ish-Kryeministri Shavkat Mirzyoyev, tashmë pjesëtarë të “pallatit” dinin se si ta impononin pushtetin e tyre, duke i dëbuar në mënyrë diskrete konkurrentët e pabindur. Në Taxhikistan, Presidenti Rakhmon shpreson që një ditë do të mund ta vendos në “fron” djalin e tij Roustam, tashmë kryetar i kryeqytetit Dushanbe, në të njëjtën mënyrë si Azerbajxhanasi  Heydar Aliev imponoi djalin e tij Ilham në Baku në 2003.

Perestroïka uzbeke

Kazakistani mund të ofroj një model të tranzicionit presidencial të paparë në rajon: atë të një Presidenti i cili heq dorë vetë nga mandati i tij – dhe pa presion nga rruga – me synimin për ta mbikëqyrur pasardhësin e tij dhe për t’ia ndërtuar vetës një status sipas  masave të tij. Pas gati tridhjetë vjet sundimi, Nazarbayev vazhdon ta kontrollojë vendin përmes institucioneve që drejton: këshilli i sigurimit, partia presidenciale Nur Otan dhe “zyra e presidentit të parë” të krijuar me këtë rast. Vajza e tij e madhe, Dariga, ishte kryetare e Senatit deri në fillim të muajit maj 2020 dhe dhëndri i tij, Timour Koulibaev, drejton kompaninë Samruk-Kazyna, e cila bashkon të gjitha kompanitë e mëdha publike në sektorët kryesorë (energji, energji elektrike, hekurudhat, etj). Prandaj, familja presidenciale është larg nga heqja dorë nga frenat e pushtetit, edhe nëse marrja fund e papritur e funksioneve së Darigas mund të sinjalizojë se Presidenti i ri, z.Kassym-Jomart Tokayev, nuk e ka ndërmend t’i japë asaj shumë liri manovrimi.

Sidoqoftë, mënyra se si organizohet tranzicioni presidencial nuk le të parashikohet se si do të evoluojë sistemi. Një numër i vogël vëzhgues, për shembull, do të kishin vu bast për faktin se në Uzbekistan, besniku Shavkat Mirzyoyev, kryeministër i Islam Karimovit  për më shumë se një dekadë, do t’i ndërmerrte me kaq vendosmëri reformat sapo ta merrte pushtetin në vitin 2016. E mbajtur nën kontrollin e fortë të shtetit që nga fundi i Bashkimit Sovjetik, ekonomia uzbeke i është nënshtruar një kure liberalizmi :  konvertibiliteti i monedhës kombëtare som-i, heqja e  kufizimeve të konkurrencës në tregtinë e vogël dhe të mesme, kufizimi i kompetencave të  institucioneve grabitqare siç janë autoritetet doganore dhe tatimore. Në gjysmën e parë të vitit 2020, shteti shiti 299 asete me vlerë prej 348 miliardë soma (29 milion euro) dhe më shumë se një mijë të tjerë pritet të kalojnë në duart e investitorëve privatë.

Marsin e kaluar, Uzbekistani liberalizoi prodhimin e pambukut (përbën një të katërtën e pasurisë së tij vjetore) për të cilin deri atëherë shteti impononte dorëzime të mallit të detyrueshëm. Sidoqoftë ka pak gjasa që kjo perestrojkë uzbeke të çojë në një demokratizim të vërtetë të vendit. Partia presidenciale vazhdon të dominojë jetën politike ku organizatat e tjera të autorizuara luajnë rolin e statistëve.

Megjithatë  po fryn një erë hapje në shoqëri: debatet televizive po shkojnë flakë; po shpërthejnë polemikat në rrjetet sociale; njerëzit po shprehen më lirshëm; frika është zhdukur pjesërisht. Por më 2 qershor të këtij viti, autoritetet hoqen disa artikuj në internet që flisnin për një konflikt midis banorëve të një fshati në provincën Ferghana dhe guvernatorit rajonal, i cili u kritikua rregullisht nga vetë Presidenti. Përderisa kritikat e figurave kryesore politike të vendit mund edhe të shpie në arrestim. Megjithatë brezat e rinj kanë shpresë. Ato kanë kuptuar se kjo është një dritare unike mundësish që duhet shfrytëzuar.

Në Kazakistan, kalimi  i pushtetit nuk shkaktoi përmbysje të tilla. Jo vetëm që Presidenti Kasym-Jomart Tokayev, një diplomat me përvojë, vazhdon ta mbajë linjën autoritare të z.Nazarbayev, por edhe vazhdon të qeverisë jetën politike.

Ndryshimi presidencial bëri të mundur konfirmimin në postet e tyre të një brezi të ri teknokratësh, të moshës katërdhjetëvjeçare, të interesuar që të diversifikojnë një ekonomi ku nafta përfaqëson 30% të pasurisë vjetore dhe dy të tretat e eksporteve. A do të ketë sukses kjo atmosferë, ende e ndrojtur, në ndryshimin e vendit, veçanërisht në një periudhë recesioni global të lidhur me pandeminë Covid-19?

Pabarazitë rajonale

Qeveritë uzbeke dhe kazake duket se e kanë menaxhuar mjaft mirë krizën dhe kanë qenë transparente në sfidat e tyre shëndetësore, por kostoja ekonomike e pandemisë nuk është matur ende. Modelet e tranzicionit të këtyre dy vendeve kanë gjithashtu një ndikim në mjedisin gjeopolitik rajonal.

Edhe këtu është Uzbekistani ai që kërkon t’i lëvizë linjat. Pas dy dekadash izolacionizmi Tashkenti është kthyer në tryezën e negociatave rajonale, veçanërisht për çështjet e ujit dhe energjisë. Mosmarrëveshjet mes Taxhikistanit dhe Kirgistanit për përdorimin e lumenjve ndërkufitarë, Amu-Darya dhe Syr-Darya janë qetësuar. Që nga ndryshimi i orientimit në vitin 2016, pesë presidentët e Azisë Qendrore janë takuar në disa raste, duke i dhënë shpresë atyre që bëjnë thirrje për bashkëpunim dhe për shfaqje të një integrimi rajonal të të pestëve.

Bindjet rajonaliste të z.Mirzyoyev në Uzbekistan nuk nënkuptojnë zhdukjen e fuqive të mëdha. Rusia po shpëton mirë: marrëdhëniet dypalëshe me Tashkentin mbesin të shkëlqyera, veçanërisht pasi qeveria uzbeke pranoj në mars 2020 që vendi ta fitojë statusin e vëzhguesit të Bashkimit Ekonomik Euroaziatik – një hap i parë drejt anëtarësimit të saj të mundshëm. Por Kina po vazhdon gjithashtu thellimin metodik të lidhjeve të saj ekonomike me rajonin, ku është partneri më i madh tregtar përpara Rusisë. Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë ngrohur, veçanërisht në nivelin strategjik, me rifillimin në vitin 2018 të programeve të trajnimit për disa ushtarë të rangut të lartë uzbek në institucionet amerikane.

Në rastin kazak, vazhdimësia dominon. Ashtu si paraardhësi i tij, edhe z.Tokayev betohet në një politikë të jashtme “shumëvektoriale”, që mendohet se do ta ekuilibrojë Rusinë, Kinën dhe Perëndimin, ndërsa mbetet, në praktikë, kryesisht nën kontrollin e Moskës në nivelet ekonomike dhe, madje edhe më shumë, strategjike. Në fakt, ekonomia ka përfituar pak nga integrimi në Bashkimin Euroaziatik. Nga njëra anë, kompanitë nacionale u përballën me konkurrencën e kompanive  ruse; nga ana tjetër, ata u bënë viktima kolaterale të sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj Rusisë pas aneksimit të Krimesë më 2014. Dhe ato humbën qasjen tek investitorët perëndimorë, pasi kishin partneritet të ngushtë me ndërmarrjet ruse. Në planin strategjik, varësia nga teknologjitë ushtarake ruse është rritur në vitet e fundit, duke e zvogëluar më tej autonominë e vendit.

Pavarësisht nga presidentët në pushtet, shtetet në rajon përballen me sfida relativisht të ngjashme: pas vitit 2014, monedhat e tyre kombëtare ranë bashkë me rublën dhe paratë e dërguara nga migrantët u shkrinë. Kjo është një katastrofë për Taxhikistanin dhe Kirgistanin ku këto remitenca përfaqësojnë midis një të tretës dhe gjysmës së produktit të brendshëm bruto. Recesioni global që pritet se do ta përkeqësojë situatën ekonomike të Azisë Qendrore dhe do t’i dobësojë këto dy shtete, më të varfërit në ish-BRSS. Sidomos pasi do të ndikojë edhe në projektet që lidhen me Rrugët e famshme kineze të Mëndafshit, të cilat do ta bënin Azinë Qendrore – në fakt, pothuajse vetëm Kazakistanin – një qendër tranziti për në Rusi dhe Evropë.

Një tjetër problem paraqitet në Kazakistan: ajo e pabarazive rajonale. Rajonet e jugut janë ndër më të varfrit në vend, me tregues shoqëror të degraduar (spitale të pajisura dobët, shkolla pa mësues,  numër të lartë të të rinjve të papunë, vajza të reja të martuara pasi kanë kryer shkollën e mesme, etj. .). Rajonet perëndimore të Atyrau dhe Mangystau, të pasura me naftë, kanë përjetuar pasurim dhe kanë ofruar punë të kualifikuara – mjaftueshëm për ta zgjuar pakënaqësinë e popullatave të jugut dhe për ta ushqyer islamizmin. Një shpërndarje më e mirë e parasë së fituar nga hidrokarburet është thelbësore veçanërisht e botës rurale, humbëse e madhe të dy dekadave të fundit derisa klasat e mesme urbane, në rritje të madhe, janë të vetmet që përfitojnë nga to.

Por, më shumë se gjysma e popullsisë së Azisë Qendrore (pak më shumë se 70 milion banorë në total) është nën 25 vjet dhe me përjashtim të Kazakistanit, shumica e tyre jetojnë në zona rurale. Të gjithë e kanë në mendje rrezikun e një “zgjerimi të të rinjve” i cili do ta hidhte në erë sistemin shoqëror dhe politik, i ndërtuar sipas modelit të “Pranverës Arabe”. Aq më tepër që në dy vendet kryesore, Kazakistan dhe Uzbekistan, një shoqëri civile po merr formë, e vendosur të ushtrojë presion mbi autoritetet për të fituar më shumë transparencë dhe llogaridhënie nga elitat, si dhe një kujdes më të madh për nevojat e qytetarëve përmes konsultave popullore. Në Uzbekistan, çështja e të drejtave të pronës trazon si qytetet, ashtu edhe zonat rurale. Vendimi i autoriteteve për të krijuar Tashkent City, një qendër biznesi “à la Dubai”, që kërkon dëbimin e mijëra banorëve të qendrës historike të kryeqytetit, shkaktoi një valë të paparë proteste, të koordinuar përmes rrjeteve sociale .

Në Kazakistan, po shfaqen dy botëra protestuese. Në qytet po merr formë një aktivizëm i ri rreth planifikimit urban dhe çështjeve mjedisore (trafiku i automjeteve në qytet, menaxhimi i mbeturinave, kostoja e tarifave për energji elektrike dhe ngrohje, dendësimi urban, etj.), edhe nëse mbetet më embrionale sesa te fqiu rus. Klasat e mesme urbane të reja u mobilizuan në pranverë të vitit 2019 për të protestuar kundër ndryshimit të emrit të kryeqytetit Astana në Nur-Sulltan – një simbol i kultit të personalitetit të Nazarbayev – dhe për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të drejta. Por ata u shtypën shpejt, me shumë arrestime dhe dënime.

Por lëvizja nuk u dobësua dhe gradualisht ajo u organizua rreth Oyan Qazaqstan – një referencë e huazuar nga poeti Mirjaqip Dulatuli, një nga themeluesit, në fillim të shekullit të 20-të, të lëvizjes nacionaliste. Kjo lëvizje qytetare bëhet etiketë që mund të përvetësohet nga grupe të ndryshme me iniciativën e e aksioneve  qytetare dhe përbëhet nga të rinj të politizuar sipas modelit në internet të militantit rus anti-korrupsion Alexeï Navalny. Artistë, piktorë dhe reperë, yje të njohur kazakë të Youtube-it, aktivistë LGBT + apo edhe ambientalistë protestojnë kundër krijimit të një qendër skijimi në bjeshkët e Kok Zhailau afër Almaty. Ndërsa nuk gëzon pothuajse asnjë mbështetje popullore, kjo dinamikë ilustron një aspiratë për të marrë pjesë në jetën publike.

Ky zgjim i protestës nuk ka të bëjë vetëm me kryeqytetin. Ligji i reformës së tokës – i cili mund  t’u jep të huajve të drejtën për të marr me qira tokën e punueshme, duke shkaktuar panik që sipërmarrësit kinezë mund ta bëjnë bujqësinë pronë të tyre – shkaktoi protesta të mëdha në qytete të vogla dhe fshatrat e lëna pas: pronësia e tokës mbetet një simbol i rëndësishëm kombëtar.

Kjo pakënaqësi e provincës shqetësoi autoritetet, sepse ka të bëjë me një popullsi masovikisht-kazakofolëse që regjimi e sheh si shtyllë të ndërtimit kombëtar të përkushtuar për kauzën e tij, gjë që nuk është kështu me klasat e mesme urbane, më rusishtfolëse dhe kozmopolite, të perceptuara si më lehtë rebele.

Përballë krizës së afërt, dy opsione janë të hapura për regjimet e përfshira në tranzicione dhe ende të pasigurta politikisht: të dëgjojnë kërkesat për pjesëmarrje të shtuar, përfshirë edhe marrjen e miratimit të masave shtrënguese post-pandemike; ose të marrin një kthesë shtypëse. Zgjedhjet që do të orientojnë të ardhmen e shteteve të Azisë Qendrore do të varen gjithashtu nga evolucioni i kontekstit gjeopolitik rajonal, veçanërisht në Rusi;, por edhe nga ai global.

*Profesoreshë në Universitetin George Washington (Washington DC).