Nga Rio de Janeiro në Seul përmes Mexico City dhe Lagos, bota protestante ka njohur për katër dekada një dinamikë ultrakonservatore e cila ndikon në çështjet sociale, shoqërore por edhe ekonomike dhe diplomatike. Me 800 milion besimtarë, evangjelizmi i krishterë – një rrymë e protestantizmit – po përparon shumë shpejt. Në fillim të shekullit të XX, 94% e popullsisë së Amerikës së Jugut ishte katolike; vetëm 1% e banorëve të kontinentit pretenduan të ishin protestantë. Sot, këto të fundit janë 20%. Përqindja e besnikëve ndaj Vatikanit ka rënë në 69%. Në Brazil, në 1970, 92% e banorëve e deklaruan veten katolikë; ato ishin vetëm 64% në vitin 2010, “largimet” u kishin shërbyer shumë kishave evangjeliste, veçanërisht atyre Pentikostale, të cilat filluan të shumoheshin në këtë shtet. Kandidati për President në 2018, Jair Bolsonaro, përfitoi nga votat e 70% të evangjelistëve. 11 milion votat e tyre bënë ndryshimin me z.Fernando Haddad, kandidatin e Partisë së Punëtorëve. Në vitin 2016, madje edhe më hapur sesa paraardhësit e tij republikanë, Ronald Reagan dhe George W. Bush, Donald Trump favorizoi këtë elektorat që tani e konsideron thelbësor për rizgjedhjen e tij në nëntor. Tani e tutje, evangjelike rimon me politikën.
Pika fillestare e këtij evolucioni ndodhet në Shtetet e Bashkuara. Pentekostalizmi lindi atje në vitet 1910, duke i dhënë rëndësi historisë së Pentekostës dhe ndikimit të Shpirtit të Shenjtë tek Apostujt e Jezu Krishtit. Atëherë misionarët filluan të udhëtonin nëpër botë për t’i përhapur parimet themelore të Pentekostalizmit: rilindjen ose fillimin e një jete të re nga një konvertim personal që kalon përmes një “pagëzimi të dytë” dhe qendërzimin e Biblës në jetën e përditshme bashkë me inerrancën, një pohim doktrinal që tregon që Bibla ështe e pagabueshme. Rinisur nga “vala e dytë” e viteve 1960, kjo lëvizje u ripërjetua, njëzet vjet më vonë, kur u shfaq neo-Pentekostalizmi, ende në Shtetet e Bashkuara. Me këtë “valë të tretë”, besimtarët duhet të integronin luftën e përditshme kundër së keqes dhe djallit. Ata gjithashtu duhet t’u jepnin një rëndësi të veçantë shenjave dhe mrekullive që i përkasin hyjnores. Mrekullitë, shërimet, “profetizimet” dhe “të folurit në gjuhë” (gjuhë e mbinatyrshme shpirtërore me të cilën besimtarët komunikojnë drejtpërdrejt me Zotin) janë shtyllat e mëdha të kësaj feje haptas prozelite.
Në të njëjtën kohë, qarqet neo-Pentekostale po përhapnin teologjinë e prosperitetit e cila e bën besimin mjetin për të arritur lehtësi financiare. Pasuria paraqitet kështu si një shenjë e shëndetit shpirtëror që nuk mund të dënohet (anasjelltas, varfëria shpesh referohet si ndëshkim hyjnor). Besimtarët bënë thirrje për donacione për të mbështetur Kishën. Dhurimi i parave bëhet gjithashtu një gjest profilaktik që mund të largojë të keqen, të zgjidh probleme personale dhe të shërojë. Aty-këtu, skandalet e tmerrshme financiare dhe morale prishin këtë zhvillim. Besimtarët e abuzuar i drejtohen drejtësisë dhe televangjelistë si i njohuri Jimmy Swaggart, dënues i së keqes para kamerave me telekastin e tij The weekly Jimmy Swaggart Telecast, duhet të tregonte një akt pendimi sepse i ishte nënshtruar mëkateve dhe skandaleve me prostituta , gjë që do të frymëzonte këngën Jezusi, Ai Më njeh (Jesus, He knows me),të grupit të rock-ut Genesis. Por makineria ishte ndezur tashmë. Pak nga pak, shfaqen transnacionale evangjeliste. Tregtia nga një vend në tjetrin po rritej. Misionarët amerikanë pasojnë drejtuesit lokalë të cilët rekrutojnë pasues të rinj. Shkollat, universitetet, qendrat kulturore dhe spitalet po mbinin nga asgjëja: gjithçka duhet të bashkëpunonte për të përhapur doktrinën.
Pavarësisht çfarëdo përhapje gjeografike, përfshirë Francën ku lëvizja vazhdoi të rritej me afro 700.000 ndjekës, forca e evangjelistëve qëndron në aftësinë e tyre për t’i rrëzuar strukturat e vjetra hierarkike dhe për të treguar pragmatizëm. Ata mund të vendosnin një tempull kudo: në një kinema të braktisur, në një restorant familjar ose në një garazh të vjetër. Nuk kishte ndonjë krizë profesioni për pastor: ndërsa Kisha Katolike mundohej shumë për rekrutime, aty çdokush mund të merrte një shërbesë. E vetmja gjë që duhej ishte pak karizëm dhe vendosja e karrigeve plastike rreth një tastiere elektrike dhe rreth një Bible. Bashkësia e evangjelistëve u bë gjithnjë e më e fortë pasi riti bazohej në emocione: këndonin, qeshin, qanin për kryqëzimin e Krishtit, hynin në gjende transi. Muzika ishte elementi thelbësor i kremtimit dhe trashëgimia nga e cila është tërhequr është e pamasë: gospeli, roku i krishterë, country evangjelist, etj. Në këtë dinamikë, komunikimi dhe krijimi i medias ishin një aset kyç, siç janë fushatat e prozelitizimit të rrugës ose evangjelizmi intensiv në rrjetet sociale.
Galaktika evangjeliste nuk është homogjene. Që nga shekulli i XVII, Pagëzimi, i cili sot ka100 milion besimtarë, numëron brenda tij një mori kishash mjaft progresiste ose të moderuara. Një nga figurat e saj të njohura është ish-Presidenti i SHBA-së Jimmy Carter, fitues i Çmimit Nobel për paqe në 2002. Nga ana e tyre, jo të gjithë neo-Pentekostalët bënin pjesë në teologjinë e prosperitetit. Dhe jo të gjithë votonin për një kandidat të krahut të djathtë, disa prej të cilëve kanë qenë mbështetje e fortë për presidentët e Venezuelës Hugo Chávez dhe Nicolás Maduro. Por shumica e rrymës që ato formojnë mbetet ultra-konservatore, për të mos thënë reaksionare. Shpesh në favor të dënimit me vdekje, kundërshtues të ashpër të abortit, neo-Pentekostalizmi refuzon, në emër të “mbrojtjes së familjes”, ligjet e favorshme për pakicat lezbike, homoseksuale, biseksuale dhe trans (LGBT +). Në Ugandë, kishat evangjeliste po bëjnë vazhdimisht fushatë për ligje më të ashpra që tashmë kriminalizojnë homoseksualitetin dhe po bëjnë thirrje për tekste të reja për autorizimin dhe zbatimin e “terapive të konvertimit” që supozohet të ndryshojnë orientimin seksual të personave LGBT +. Në Malawi, si në Afrikën e Jugut ose Zimbabwe, ligjërimi homofobik dhe anti-emigrant përforcohet nga televangjelistët, më të famshmit prej të cilëve, “profeti” Sheperd Bushiri, posedojnë pasuri kolosale.
Laiciteti ose sekularizmi janë pika e qitjes së evangjelistëve. Në Brazil, si në Nigeri ose Kore të Jugut, ligjërimi politik është i mbarsur me referenca fetare që ndonjëherë janë armiqësore ndaj modernizmit dhe progresit. Për z.Valdemar Figuerdo, profesor i shkencave politike dhe teolog Brazilian, qëllimi i evangjelistëve është “të kthehen prapa, kundër shtetit laik, shkencës autonome, rëndësisë së universiteteve, mendimit të lirë, forcës së grave, çështjeve gjinore, të drejtat e pakicave. Ata janë grupe mesjetare në kuptimin më të keq të mundshëm. Politikisht kjo ndryshon gjithçka, ne nuk jemi më në një diskutim midis konservatorëve dhe progresistëve, në një kontekst demokratik. Për sa kohë që parulla e qeverisë është « Zoti mbi të gjitha », kjo do të thotë që gjithçka po vihet në dyshim.”
Duke mishëruar alternimin në të majtën, Presidenti meksikan Andrés Manuel López Obrador nuk heziton, gjithashtu, të miratojë gjuhën politike-biblike, duke e shpallur veten një “dishepull të Jezu Krishtit” dhe duke bërë një aleancë me një parti të vogël konservatore, Encuentro Social (Takimi Social) i udhëhequr nga të krishterë evangjelistë të etur për të ndihmuar presidentin meksikan «për çështjet e jetës dhe të familjes. » Evangjelistët po mbledhin pikë gjithkund. Marrëdhëniet midis feve ndikohen drejtpërdrejt. Ndërkohë që Kisha Katolike dhe Protestantët tradicionalë përfshihen në dialog të rregullt me përfaqësues të ndryshëm të Islamit, evangjelistët, të cilët mbështesin Shtetin e Izraelit, nuk e fshehin armiqësinë e tyre ndaj myslimanëve, të cilët shpesh shihen si armiq të mundshëm ose popullata për tu konvertuar.