PARA PESËDHJETË VJETESH, PUSHTETI JORDANEZ THYENTE UTOPINË REVOLUCIONARE PALESTINEZE
Kujtesa e një shtatori të zi

Pas disfatës së tij ndaj Izraelit më 1967, bota arabe përjetoi trazira të konsiderueshme politike. Fraksionet e ndryshme palestineze përfituan nga këto ndryshime për ta rritur luftën e armatosur kundër shtetit hebre. Jordania u bë baza e tyre e pasme dhe luftëtarët pretendonin edhe rënien e monarkisë hashemite. Me mbështetjen perëndimore, mbreti Husein do ta shuajë kërcënimin me gjak.

2434

Aman, shtator 1970. “Revolucioni deri në fitore!”, “E gjithë fuqia për Rezistencën!”, ” Rruga për në Jerusalem kalon nëpër Aman!”.  Këto parulla të pikturuara në muret e kryeqytetit jordanez shoqërojnë posterat e “guerilit heroik”, Ernesto “Che” Guevara, i vrarë më 9 tetor 1967 në Bolivi me urdhër të CIA-s. Militantët e armatosur, me koka të mbuluara me një ‘keffiyeh’, kryejnë kontrolle në udhëkryqet kryesore, përderisa kamionistët, me mitralozë të drejtuar nga qielli, vërshojnë nëpër labirintet e qytetit.

Kongresi i Unionit të Përgjithshëm të Studentëve Palestinezë (UPSP) mirëpret qindra aktivistë të majtë të huaj, disa prej tyre hebrenj, të cilët kanë hyrë në Jordani pak a shumë në mënyrë klandestine. Citojnë Fidel Castro dhe Mao Ce Dunin, Frantz Fanon dhe Ho Chi Minh. Komentojnë shkrimet e Vo Nguyen Giap mbi Luftën popullore në Vietnam. Në këtë fundvere, një aromë noton mbi qytetin e shtatë kodrave, që për disa kujton Petrogradin më 1917 dhe parullën : “I tërë pushteti sovjetikëve”.

Për udhëheqësin e një prej organizatave të majta palestineze, z. Nayef Hawatmeh, në Jordani përjetohej një situatë e “pushtetit të dyfishtë” dhe mbreti Husein duhej të fashitej përballë rezistencës palestineze, sikurse që u fashit Aleksandër Kerensky në dobi të bolshevikëve.

Në Aman, si në Havana, në Algjer ose Hanoi, bota e tretë po ngrihet dhe po ëndërron një botë që do të ndryshohej në themel. Studentët dhe punëtorët e rinj të Perëndimit, të revoltuar që nga pranvera e vitit 1968, e gjejnë veten në këtë utopi.

Regjisori Jean-Luc Godard xhiron në vendngjarje “vazhdimin e luftës deri në fitoren e popullit palestinez“, ndërsa shkrimtari Jean Genet këndon dashurinë e tij për luftëtarët palestinezë: “Nga Azia në Amerikë, ajri është në revolucion! E dua vetëm madhështore, si një buqetë me fishekzjarre, një zjarr që endet nga banka në bankë, nga opera në opera, nga burgu në gjykatë”. Shkrimtarja Ania Francos, gjyshërit e së cilës u vranë në kampet e Hitlerit, proklamon: “E vlenë të vdesësh në një tokë të huaj dhe ashtu siç ndjehesha algjeriane kur rrënuan Aures-in, sot po ndjehem palestineze”.

Kjo lëvizje preku botën arabe të traumatizuar nga disfata e saj shkatërruese kundër Izraelit në qershor 1967. Një plagë që shkaktoi një zemërim të shurdhër popullor kundër pushteteve. Egjipti i Gamal Abdel Nasser dhe aleati i tij sirian baathist, si fenera të nacionalizmit revolucionar anti-imperialist arab, humbën një pjesë të aurës së tyre. Kontestohet Naseri dhe regjimi i tij, jo nga lëvizjet islamike të dobësuara nga shtypja e viteve 1950 dhe 1960, por nga e majta ekstreme e cila orkestron protestat e studentëve dhe të punëtorëve kundër tolerancës së treguar nga gjykatat egjiptiane ndaj oficerë përgjegjës për humbjen e luftës, por edhe kundër “klasës së re” dhe të gjithë përfituesve, duke kërkuar njëkohësisht thellimin e opsionit socialist. Në Irak dhe në Libi, grusht-shtetet çojnë në ndryshimet e regjimeve.

Rrugëzimi izraelit

Në këtë shkarrje të paparashikuar përfshihen organizatat fedayine. Ato përfitojnë nga dobësimi i monarkisë për t’u vendosur në territorin jordanez, ku gjysma e popullsisë është palestineze. Me luftën e armatosur, ato japin një instrument hakmarrjeje kundër Izraelit dhe aleatit të tij amerikan. Ato janë pjesë e dinamikës së Konferencës Trikontinentale, të mbajtur në janarin e vitit 1966 në Havana, që synon t’i bashkojë popujt e Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine kundër “imperializmit yankee“.

Kush janë këto organizata? Kryesorja, Fatahu, drejtohet nga një njeri ende pak i njohur: Yasser Arafat. Fatahu nisi veprimet e para të armatosura kundër Izraelit më 1 janar 1965. Ai angazhohet për çlirimin e të gjithë Palestinës nga vetë palestinezët. Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës (PPÇP) dhe fraksioni i saj i majtë, Fronti Demokratik dhe Popullor për Çlirimin e Palestinës (FDPÇP), doli nga Lëvizja e nacionalistëve arabë, të krijuar në Bejrut pas vitit 1948 nga Dr Georges Habache , një palestinez i krishterë. Për një kohë të gjatë, ai mbrojti unitetin arab si një parakusht për çlirimin e Palestinës, duke e gjetur veten në fjalimin e Naserit, para se të konvertohej në marksizëm-leninizëm dhe ta kritikonte si Raïs-in, ashtu edhe Fatahun “mikroborgjez”, një krah i të cilët pretendon të jetë maoist. Këtu duhet të shtohen një mori grupesh të vogla, shpesh të financuara nga kryeqytetet e ndryshme arabe, si Saïka i nënshtruar i Damaskut ose Fronti Çlirimtar Arab si vazal i Bagdadit.

Organizata për Çlirimin e Palestinës (OÇP) e krijuar nga Lidhja Arabe më 1964 dhe e diskredituar nga karakteri i saj burokratik, ishte tashmë vetëm një guaskë e zbrazët. Në shkurt 1969, ajo kalon nën kontrollin e Fatahut dhe Arafatit, i cili bëhet kryetar i komitetit të saj ekzekutiv, duke tubuar organizatat e ndryshme fedayine, por duke qëndruar megjithatë një kornizë përbashkuese shumë e brishtë, secila duke e mbajtur pjesën e vet.

Përtej dallimeve të tyre, këto organizata hedhin poshtë idenë e një kthimi të thjeshtë të situatës përpara 5 qershorit 1967, siç e kërkon rezoluta 242 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të 22 nëntorit 1967, ku filozofia e saj mund të përmblidhet me shkëmbimin e territoreve të okupuara kundrejt paqes, por duke e përkrahur “çlirimin e të gjithë Palestinës”, e ku instrument i vetëm do të ishte lufta e armatosur.

Ky vizion revolucionar i vë ata në kundërshtim me regjimet arabe, Jordanisë apo madje edhe me Naserin megjithë mbështetjen e tij. Intensifikimi i veprimeve guerile në Bregun e okupuar Perëndimor duket që e konfirmon strategjinë e rezistencës. Nga 97 në 1967, ata u rriten në 916 në 1968, 2432 në 1969 dhe 1887 deri në shtator 1970 (ranë në 45 në 1971).

Beteja e Karamehut më 20 Mars 1968 shënoi kulmin e fuqisë së fedayinëve. Atë ditë, luftëtarët e Fatahut rezistuan për një ditë të tërë ndaj ofansivës së blinduar izraelite në Jordani e cila synonte të shkatërronte një nga bazat e tyre. Izraelitët humbën dhjetëra ushtarë dhe shumë tanke. Autoritetet izraelite u përpoqen t’i minimizojnë humbjet, të cilën gazeta ‘Haaretz’ e përshkruajti më 29 mars 1968 si “një nga faqet më të errëta në historinë ushtarake të Izraelit“. Por më pak se shifrat, simbolika ishte ajo që peshonte: për herë të parë, kryengritësit arabë i rezistuan ushtrisë izraelite. Mijëra vullnetarë, burra dhe gra, shpesh shumë të rinj, nga kampet palestineze, bota arabe, e ndonjëherë edhe nga Perëndimi, ishin mobilizuar në radhët e rezistencës, popullariteti i së cilës ishte në kulmin e saj. Një eufori suksesi përfshinë organizatat palestineze dhe Fatahu premton se së shpejti do të krijojë “zona të çliruara” në Bregun Perëndimor.

Por Lindja e Afërt nuk është Azi Juglindore, Palestina nuk është Vietnam i Jugut, Jordania nuk është Vietnam i Veriut dhe pak ka gjasa të bëhen. Mbreti Husein mbante kanale të komunikimit me udhëheqjen izraelite, ai ishte një aleat i fortë i Shteteve të Bashkuara – madje ishte i lidhur me CIA – dhe nuk e kishte ndërmend të lejonte që një fuqi konkurruese ta merrte  pushtetin. Për sa i përket palestinezëve, ata nuk kishin aleatë strategjikë, madje as në Egjipt, vendin kryesor të “fushës së betejës”.

Në qershor 1970, Shtetet e Bashkuara propozuan një plan negociatash të bazuar në Rezolutën 242 të Këshillit të Sigurimit. Ai pranohet nga Jordania, Egjipti dhe, pas një refuzimi të parë, edhe nga Izraeli. Organizatat e fedayinëve nuk duan ta pranojnë një projekt që injoron të drejtat e palestinezëve dhe që i trajton si “refugjatë”. Mediat e tyre nuk hezitojnë ta fajësojnë vetë Naserin. Për ta shmangur shkëputjen, një delegacion i udhëhequr nga Arafati shkoi ta takoi Presidentin egjiptian në Aleksandri. Ai u shpjegon atyre se nuk beson në planin Rogers (plan sipas emrit të Sekretarit të Shtetit të atëhershëm të SHBA), të cilin Izraeli do ta kundërshtojë disa javë më vonë, porse duhet të fitojë pak kohë, për ta rindërtuar ushtrinë e tij. Ai i siguron palestinezët se nuk do t’i braktisë përballë mbretit Husein, por i kërkon njëkohësisht të jenë realist. Naseri përmend po ashtu idenë e një shteti palestinez në Bregun Perëndimor dhe në Gaza, duke i vërë në dyshim aftësitë e tyre për ta “çliruar gjithë Palestinën”. Ndonëse delegacioni palestinez kthehet i kënaqur me këto sqarime, në Jordani pati filluar dhuna që nuk mund ta ndalonte askush.

Nga korriku 1968, FPÇP nisi një seri aksione kundër aeroplanëve perëndimorë, që synonin lirimin e të burgosurve palestinezë në Izrael, njëri prej të cilëve, në gusht 1969, drejtohej nga një aktiviste e re prej 25 vjetësh, Leïla Khaled , heroi i së cilës ishte Che Guevara. Më 6 shtator 1970, organizata rrëmbeu njëkohësisht katër aeroplanë, tre prej të cilëve u detyruan të ulen në një pistë në Jordani, të quajtur “Aeroporti i Revolucionit“. Fedayenët hedhin në erë aeroplanët, përfshirë një Boeing 747. Pamjet e “fishekzjarreve” qarkullojnë në të gjithë botën. Ndonëse ky aksion zhvillohet pa derdhur asnjë pikë gjak dhe përfundon me lirimin e pesëqind pengjeve, ai i siguron autoriteteve jordaneze pretekstin për një ofensivë në emër të “rivendosjes së rendit“.

I sigurt për mbështetjen amerikane dhe izraelite, mbreti emëroi një qeveri ushtarake më 15 shtator 1970 dhe nisi tanket e tij për t’i sulmuar lagjet e mbajtura nga fedayenët, duke i bombarduar ditë e natë. Siç tregon gazetari Éric Rouleau, korrespodent për ‘Le Monde’: « Mbreti ia kishte besuar shumicën e detyrave transjordanëve etnikë. Ai kishte organizuar një fushatë informimi që synonte diskreditimin e komandove, të akuzuar si ateistë, armiq të Zotit, aleatë të hebrenjve të ekstremit të majtë (…) A nuk kishin marrë pjesë izraelitët e rinj, hebrenjtë evropianë dhe amerikanë në kongresin e Unionit të Studentëve Palestinezë? ».  Mbreti, i cili vetë bashkëpunonte me Izraelin, e përdor këtë “bashkëpunim hebre” të rezistencës si një argument kundër saj.

Megjithë premtimet e Bagdadit për ndihmë, kontigjenti ushtarak irakian i pranishëm në Jordani që nga viti 1967 mbetet vetëm spektator. Siria tentoi një depërtim ushtarak, por u detyrua të tërhiqet përballë kërcënimeve të reagimit izraelit dhe amerikan. Ndërsa luftimet kishin bërë tashmë më shumë se tre mijë të vdekur, sipas një raporti jozyrtar jordanez (tri herë më shumë sipas palestinezëve), është ndërmjetësimi i Naserit i cili shpëton fedayinët me nënshkrimin e një armëpushimi më 27 shtator dhe me një marrëveshje karakteri i favorshëm i së cilës ndaj rezistencës bie ndesh me humbjet ushtarake të saj. Por Raïs-i vdiq nga një sulm në zemër më 28 shtator. Tashmë asgjë nuk do ta pengonte mbretin ta përfundonte “pastrimin” e Jordanisë në verën e vitit 1971.

Arsyet e disfatës palestineze janë të shumta. Rezistenca ishte e re dhe e trajnuar dobët. E mbingarkuar nga rekrutë entuziastë por pa përvojë; sjellja e tyre e padisiplinuar nxiti refuzimin e një pjese të popullsisë, përfshirë atë me prejardhje palestineze. Rezistenca mbivlerësoi forcat e veta dhe mbeti peng e ofertave të tepërta të organizatave si FPÇP. Përvoja e saj e dobët diplomatike dhe politike bëri t’i neglizhojë raportet e forcave rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe ta mbivlerësojë mobilizimin e popujve arabë. Mbi të gjitha, rezistenca e pati të vështirë të ndërtoi, përtej parullave, një strategji politike dhe ushtarake, në një kontekst krejtësisht të ndryshëm nga Vietnami ose Algjeria.

Nga pasojat e këtij dështimi i cili ka mundur të rezultojë me zhdukjen e rezistencës nga skena rajonale, mbahet në mend sidomos krijimi i organizatës Shtatori i Zi, e cila vrau kryeministrin jordanez Wasfi Al-Tal më 28 nëntor 1971. Ajo sulmoi gjithashtu Lojërat Olimpike në Mynih në shtator 1972, që shkaktoi vdekjen e njëmbëdhjetë anëtarëve të delegacionit izraelit. Rezistenca palestineze zuri rrënjë në Liban, ku barti aftësitë e saj ushtarake dhe ndërtoi aleanca me lëvizjen kombëtare. Ajo fitoi ndikim politik vendimtar në Bregun Perëndimor, në dëm të Mbretit Husein dhe, pak nga pak, OÇP do të njihej si “përfaqësuesja e vetme e popullit palestinez”. Duke zgjeruar aleancat e saj diplomatike, në Evropën Perëndimore si dhe me “kampin socialist”, ajo braktisi diskursin utopik të viteve 1960 i cili kishte ngjallur një entuziazëm të tillë në të gjithë botën, si dhe hoqi dorë nga sulmet kundër civilëve. OÇP përzgjodhi një strategjie më të moderuar, duke kërkuar, pas luftës së tetorit 1973, krijimin e një autoriteti palestinez dhe pastaj të një shteti në Bregun Perëndimor dhe Gaza. Por, deri më sot, kjo rrugë “realiste” nuk solli rezultate më të prekshme për palestinezët të cilët jetojnë nën okupim, ose në ekzil. Jo më shumë se utopia revolucionare që i bëri zemrat e të rinjve të botës të rrahin më shpejt më 1970.

*Drejtor i portalit ‘Orient XXI’