RIVALITETET DHE KONVERGJENCAT GJEOPOLITIKE NË NJË SHTET KAOTIK
Libia: sheshi i lojës ruso-turke

I mbërthyer në luftë civile, teatri libian po ndërkombëtarizohet me përhapjen e mercenarëve, roli i të cilëve tejkalon atë të forcave ndihmëse. Rusia dhe Turqia i kundërvihen njëra-tjetrës duke mbështetur kampet kundërshtare. Ushqejnë rivalitetet duke ëndërruar ta ndajnë plaçkën e një Libie të copëtuar.

100

Libia përjeton kaos, çarje të brendshme dhe ndërhyrje ndërkombëtare, që nga kryengritja popullore e shkurtit 2011, të ndjekur nga ndërhyrja ajrore e forcave të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) dhe vdekjen e kreut të saj të shtetit, Muamar Gadafi.

Tre rajonet tradicionale të vendit janë transformuar në geto vëllavrasëse. Në lindje, Sirenaika, selia e Dhomës së Përfaqësuesve në Bengazi, është bërë bastioni i marshallit të vetëshpallur Khalifa Haftar si kreu i asaj që ai e quan Ushtria Kombëtare Libiane (UKL). Në perëndim, në Tripolitania, mbretëron e ashtuquajtura Qeveri e Marrëveshjes Kombëtare (QMK), e njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe ngjyra politike e së cilës është e ngjashme me Vëllazërinë Myslimane. Sa i përket rajonit multietnik të Fezzanit në jug, vendi nga i cili nxirret një e katërta e naftës libiane, aty mbretërojnë milicët ‘tubu’, duke u ndarë midis dy kampeve.

Qeveria e Marrëveshjes Kombëtare gëzon mbështetjen aktive të Turqisë dhe në një shkallë më të ulët edhe të Katarit, pa e harruar mbështetjen e fshehtë të Italisë dhe Gjermanisë.

Pjesa dërmuese e forcave të saj përbëhet nga pjesëtarët e koalicionit Fajr Libya (Agimi i Libisë).

Në kampin përballë, z.Khalifa Haftar, ish-oficer ushtarak i Gadafit , para largimit të tij në fund të viteve tetëdhjetë, përmbledh po ashtu milicë lokalë, si dhe mercenarë sudanezë dhe çadianë. Kumbarët e tij të huaj janë Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite, si front anti-Vëllazërisë Myslimane, si dhe mbi të gjitha Rusia e etur për ta rritur ndikimin e saj mesdhetar. Këtë duhet shtuar edhe Franca e cila pa i prishur marrëdhëniet me Tripolin do të parapëlqente fitoren e kampit të mareshalit Haftar. Në korrik 2019, zbulimi i raketave franceze pranë Tripolit të braktisura nga trupat e mundura të marshallit Haftar e zbuloi këtë pozicion të paqartë francez. Një vit më vonë, zbulimi i varreve masive në Tarhouna, ku milicët pro-Haftar u konstatuan përgjegjës për vrasje, e bëri mbështetjen për mareshalin gjithnjë e më problematike. Si një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, Parisi duhet t’i përmbahet ligjshmërisë ndërkombëtare duke mbështetur qeverinë e marrëveshjes kombëtare, e vetmja e njohur nga OKB-ja. Franca është në kundërshtim frontal me Turqinë, e cila që nga fillimi i këtij viti ka qenë e pranishme me forca ushtarake në Libi. Për Ankaranë, interesi për këtë rajon daton që nga shekulli XVI kur osmanët pushtuan Magrebin, duke krijuar tri provinca me Algjerin, Tunisin dhe Tripolin si kryeqytetet e tyre përkatëse.

Megjithëse sot në Afrikën e Veriut nuk bëhet fjalë për rindërtimin e perandorisë e cila u copëtua më 1920, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan nuk heziton ta përmend rregullisht madhështinë e saj. Ai po shumëfishon rastet për t’i treguar aftësitë e parashikimit të ushtrisë së tij përtej kufijve të Turqisë: pushtimi në Sirinë veriore, ndërhyrja në Kurdistanin irakian dhe Libi, projekti për bazë ushtarake në Jemen, shtrirje ushtarake në Katar dhe kërcënimi për t’u radhitur ushtarakisht përkrah Azerbajxhanit në konfliktin Nagorno-Karabak me Armeninë.

E gjithë kjo tregon një dëshirë zgjerimi të zonës nën ndikimin turk. Më 2018, Yeni Akit, një gazetë pro-qeveritare, pasi renditi dhjetë vendet e huaja ku janë vendosur ushtarët turq, nuk nguronte të thoshte : « Turqia po kthehet në tokat e saj osmane ». Ky zjarr ekspansionist konkretizohet gjithashtu me riaktivizimin e një doktrine detare të ideuar më 2006 nga z.Cem Gurdeniz, një admiral në pension. Kjo doktrinë është quajtur Mavi Vatan (Atdheu i kaltër). Kjo i jep përparësi sigurisë kundrejt diplomacisë . Mbështetja e Ankarasë për Qeverinë e Marrëveshjes Kombëtare të Libisë e ilustron këtë në mënyrë perfekte.

Libia, e zhytur në një luftë civile që zvarritet pavarësisht konferencave për armëpushim (e fundit është mbajtur në Berlin në janar 2020), duket se është një pushtim i lehtë për një fuqi të vendosur rajonale. Një “trofe” i cili do ta ndihmonte Presidentin Erdogan për ta forcuar autoritetin e tij mbi një popullsi turke gjithnjë e më shumë kritike, siç dëshmohet nga dështimi i madh i partisë së tij (AKP) gjatë zgjedhjeve të fundit lokale në mars 2019 ku opozita fitoi Stambollin dhe Ankaranë. Si shenjë e këtyre vështirësive, AKP pati dy çarje të brendshme këtë vit të cilat dëshmojnë dallime të rëndësishme brenda partisë së Presidentit. Siç e thekson gazetari turk Fehim Tatstekin në portalin ‘Daktilo1984’: “Politikat e brendshme dhe të jashtme të Turqisë janë të ndërthurura. Politika e jashtme shërben si lëndë djegëse për politikën e brendshme.”

Suksesi i « sulltanit » të Ankarasë

Në sytë e Ankarasë, Libia përfaqëson gjithashtu një “bazë nisëse” për shtrirjen e saj ekonomike dhe ideologjike përmes rimarrjes në kontroll të Afrikës nën-sahariane të rrjeteve të predikuesit Fethullah Gylen, ish-aleatit të z.Erdogan deri në grusht-shtetin e dështuar të vitit 2016.

Për t’u vendosur në tokën libiane, Presidenti turk nuk lë pas dore asnjë mjet: financiar pavarësisht ekonomisë së tij të luhatshme,  njerëzor (kryesisht xhihadistë që luftuan gjatë pushtimit të Rojava-s) dhe në pajisje ushtarake siç është vendosja e sistemeve anti-ajrore MIM-23 Hayk dhe përdorimi i dronëve Bayraktar TB2 të cilat, sipas vëzhguesve, kanë bërë diferencën në përplasjet e fundit ushtarake.

Deri më sot, gjithçka duket se po i ec “sulltanit të Ankarasë”. Më 27 nëntor 2019, në marrëveshje me z.Fayez El-Sarraj, Kryeministër i Qeverisë së Marrëveshjes Kombëtare, ai ridizenjoi zonat ekskluzive ekonomike (ZEE) të pllatosë kontinentale libiane në mënyrë që Turqia të ketë qasje në blloqet e shfrytëzimit dhe kërkimit të gazit natyror në Mesdheun lindor, në zonat e pretenduara nga Qipro dhe Greqia. Turqia importon 84.4% të lëndëve djegëse fosile. Vendosja e Turqisë në Libi që është eksportuesi i tretë më i madh në Afrikë i arit të zi, do t’i mundësonte qasje në pasuritë e naftës dhe gazit natyror.

Në aspektin ushtarak, Presidenti turk shënoi një pikë të rëndësishme duke ndihmuar katër milicitë e mëdha që mbështesin Qeverinë e Marrëveshjes Kombëtare duke e liruar kështu vesin që mbërthente Tripolin nga prilli i vitit 2019. Debakli i trupave të marshallit Haftar hapi perspektivën e ripushtimit të qytetit bregdetar Sirte, ku lindi koloneli Muamar Gadafi. Një qytet ky i humbur nga Qeveria e Marrëveshjes Kombëtare në janar 2020, ashtu sikurse bazën gjigante ajrore Al-Jufra në shkretëtirë. Kjo nuk do të thotë megjithatë se aleatët e z.Erdogan po i arrijnë këto qëllime. Më 5 korrik, një bombardim ajror shënjestroi bazën Al-Ëatiya që është vërë në dispozicion të Turqisë nga Qeveria e Marrëveshjes Kombëtare.

Një veprim që i veshej fillimisht Egjiptit, aeroplanët luftarakë e të cilit veprojnë nga baza ajrore Sidi Barrani pranë kufirit libian. Pastaj akuzohej Franca e cila nuk hezitoi në shkurt 2019 , për t’i bombarduar rebelët ‘tubu’ duke ikur nga trupat e marshallit Haftar. Në fund mbeti hipoteza se kanë bombarduar Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi ato e kanë një bazë në Al-Khadim në Libi, si dhe qasje në bazën e Sidi Barrani në Egjipt. Në çdo rast, ky bombardim ka mund të kryhet vetëm me pëlqimin e heshtur të Rusisë. Kjo edhe është arsyeja se pse Ankaraja është kufizuar në protesta dhe në kërcënime pa ndonjë veprim të mëtutjeshëm.

Në fakt, Turqia duhet të bëjë llogaritë me Rusinë, protagonistin tjetër vendimtar të konfliktit. Duke mos marrë pjesë në ekspeditën shkatërruese të vitit 2011, Rusia synon ta bëjë Libinë një pikë të re lidhëse për zgjerimin e ndikimin të saj në Magreb, në Afrikën nën-sahariane dhe ta konsolidojë atë të fituar në Lindjen e Afërt falë krizës siriane. Mercenarët rusë dhe luftëtarët e tjerë sirianë pro-Asadit të vënë në dispozicion nga Moska janë veglat kryesore të z.Haftar. Kur ata mungojnë në front për një arsye ose një tjetër, marshalli gjindet në vështirësi ushtarake, si gjatë disfatës së tij në Tripoli.

Moska akomodohet me « konfliktet e ngrira »

Në “dosjen libiane” rusët veprojnë me pragmatizëm dhe cinizëm. Ata e ndihmojnë vasalin e tyre por duke e moderuar ndërhyrjen e tyre, rusët sigurohen që ai nuk mund të fitojë plotësisht. Për shembull, Mig-29 dhe Sukhoi-24 u ulën në korrik në pistat e Al-Jufrah, 800 kilometra nga Tripoli. Kjo bazë është nën kontrollin e trupave të marshallit Haftar dhe ardhja e aroplanëve ushtarak rus është një paralajmërim për Turqinë dhe qeverinë e Tripolit që do të donin ta pushtonin bazën për të përparuar në drejtim të Fezzan-it, nëntoka e të cilit është e pasur me naftë, gaz natyror, ari dhe ujëra të konsiderueshme nëntokësore.

Për më tepër, aviacioni ajror rus nuk ndërhyri për ta parandaluar disfatën e trupave të Ushtrisë Kombëtare Libiane, së paku të qershorit në Tripoli.

Ashtu si në Siri, rusët po merren me Turqinë, e cila mbështet kampin kundërshtar, por që, në të njëjtën kohë, përbën një partner ekonomik dhe një aleat de facto duke paraqitur probleme për NATO dhe Bashkimin Evropian. Kjo shpjegon pse kjo antagonizëm nuk përkthehet kurrë në një konfrontim brutal. Një lloj aleance kontradiktore e lidh MM. Putin dhe Erdoǧan. Në tokat Siriane dhe Libiane, interesat e tyre nuk përkojnë gjithmonë, por ato japin përshtypjen e ditur se sa larg mund të shkojnë njëri dhe tjetri pa kaluar përtej një konflikti të tolerueshëm.

Sikurse në Siri, rusët koketojnë me Turqinë, e cila mbështet kampin kundërshtar, por që në të njëjtën kohë, përbën një partner ekonomik dhe një aleat de facto duke i bërë probleme NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Kjo shpjegon pse ky antagonizëm nuk përkthehet kurrë në një konfrontim brutal. Një lloj aleance kundërthënëse e lidh z.Putin dhe Erdoganin. Në tokat siriane dhe libiane, interesat e tyre nuk përkojnë gjithmonë, por ato japin përshtypjen se e dijnë sesa larg mund të shkojnë njëri dhe tjetri pa kaluar përtej konfliktualitetit të tolerueshëm.

Rusia akomodohet mirë me “konfliktet e ngrira”. Ajo tashmë e ka demonstruar këtë në Ukrainë, Gjeorgji dhe Moldavi. Ky veprim me kosto të lirë i jep asaj një ndikim destabilizues dhe, për këto tre vende, bllokon të gjitha perspektivat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe në NATO. Për Moskën ta hapë edhe një tillë në Libi, për të fituar kohë për një numër të caktuar bazash ushtarake, siç ishte rasti në Siri, është një perspektivë reale. Ndjekja e një lufte të fshehur, pa fitues ose humbës, pavarësisht deklaratave për pajtim të z.Sergey Lavrov, ministri i jashtëm rus, është opsioni i zgjedhur nga Kremlini.

Libia profilizohet në një situatë “à la siriane” me një ndarje të vendit në zona të ndikimit, një lloj godine turko-ruse me ndarje mbetjesh në një mënyrë të pabarabartë. Dhe nuk është thirrja e fundit nga Franca, Italia dhe Gjermania për “ndërprerje të menjëhershme dhe pa kushte të luftimeve dhe për pezullimin e forcimit të vazhdueshëm të mjeteve ushtarake në të gjithë vendin” që do ta ndryshojë situatën në një kontekst ku Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka mungesë interesi për këtë çështje. Sa për deklaratat e Presidentit egjiptian Abdelfattah al-Sisi, që fryejnë nxehtë dhe ftohtë, duke propozuar më 6 qershor një armëpushim që parashikon largimin e “mercenarëve të huaj” dhe çmontimin e njësiteve paramilitare, duke kërcënuar më 20 qershor për të ndërhyrë me trupa tokësore, ato nuk do të ndryshojnë situatën. Paaftësia e ushtrisë së tij për ta mposhtur rebelimin në Sinai i bën të pabesueshme këto kërcënime. Për më tepër, parlamenti egjiptian në korrik autorizoi vetëm një vendosje ushtarake ndërkufitare në “një front perëndimor” – një referencë ndaj Libisë – për t’iu kundërvënë “milicive kriminale të armatosura dhe elementëve të huaj terroristë.”

Çfarëdoqoftë zhvillimi i raporteve të forcave midis turqve dhe rusëve, e ardhmja e Libisë do të luhet jashtë aktorëve kombëtarë të konfliktit, të reduktuar në rolin e spektatorëve: në konferencën e Berlinit nuk ishte të ftuar as z.Fayez El-Sarraj dhe as z.Khalifa Haftar. E mos të flasim për vullnetin e popullit libian, që nuk është pyetur asnjëherë.

*Autori është shkrimtar dhe anëtar i këshillit të redaksisë së ‘Orient XXI’.