KUSH DO T’I KONTROLLOJË TEKNOLOGJITË E INTERNETIT?
Beteja gjeopolitike rreth 5G

Në prag të vendosjes së saj, telefonia mobile e gjeneratës së pestë - 5G - ngre një lumë pyetjesh në lidhje me ndikimin ekologjik dhe shëndetësor dhe më thelbësisht, me zhvillimet teknologjike të dala jashtë kontrollit. Por "lufta e madhe" e 5G-s po luhet gjithashtu në fushën gjeopolitike, me në sfond përballjen gjithnjë e më të hidhur midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

2138

Në vitin 1994, kur Huawei ishte ende vetëm një shitës i vogël i komutatorëve telefonikë, themeluesi i tij, z.Ren Zhengfei, pati një bisedë me presidentin e atëhershëm kinez z.Jiang Zemin. Ky ish-inxhinier i ushtrisë i konvertuar në elektronik për publikun e gjerë, në këtë bisedë luajti kartën patriotike: “Telekomunikacioni është çështje e sigurisë kombëtare. Për një komb, të mos ketë pajisjet e veta në këtë fushë është si të mos ketë ushtri ». Ky plan u miratua edhe nga vendet e tjera, me në krye Shtetet e Bashkuara. Ironikisht, sot janë SHBA që e shohin Huawei-in dhe kontrollin e saj mbi teknologjinë 5G, si një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Kur ishte në pronësi të punonjësve të saj, kompania karakterizohej nga një sistem jo i zakonshëm i ndryshimeve në menaxhim, përbuzja e saj për tenderat – gjykuar si “lakmitare” nga z.Zhengfei -, kulti i saj i vlerave Maoiste dhe lidhja me idenë e inovacionit  për të thyer varësinë e Kinës ndaj firmave të huaja “imperialiste”. Grupi tani menaxhon rrjetet në 170 vende dhe punëson më shumë se 194.000 njerëz. Që nga viti 2009, ai ka qenë një prej aktorëve kryesorë në zhvillimin e 5G, si nga ana industriale ashtu edhe brenda organizmave të ndryshme ndërkombëtare të standardizimit. Në verën e vitit 2020, Huawei rrëzoi Samsung-un nga froni duke u bërë shitësi kryesor në botë i smartphone-ve. Filiali i tij HiSilicon projektoi çipin Kirin, i cili fuqizon disa nga aplikacionet më të përparuara të inteligjencës artificiale në treg.

Ky sukses i jashtëzakonshëm mund të shpjegohet pjesërisht nga një angazhim i palëkundur për punën kërkimore dhe zhvillimin (R&D – research & development), të cilit kompania i kushton më shumë se 10% të fitimeve të saj vjetore, ose më shumë se 15 miliardë dollarë në 2019 – 20 miliardë pritet të jenë në vitin 2020 -, më shumë se Apple dhe Microsoft. Sa për krahasim, i gjithë sektori gjerman i automobilave investoi rreth 30 miliardë dollarë në R&D në 2018. Përtej këtyre shifrave, Huawei përfaqëson një standard për shoqërinë kineze: shembulli i rrallë i një kompanie që filloi ne fund të zinxhirit me produkte rudimentare dhe ultra të standardizuara, tani konkuron me Apple ose Samsung. Trajektorja e saj ilustron aspiratat e larta të qeverisë për sektorin e teknologjisë. Kina ka qenë prej kohësh e kufizuar në funksionin e një fabrike montimi për produktet e huaja, siç kujtojnë  fjalët në pjesën e pasme të të gjitha pajisjeve Apple: ” Designed by Apple in California. Assembled in China”. Fati i Huawei-t ​​tregon se një epokë e re mund të nisë nën sloganin: ” Designed in China. Assembled in Vietnam”.

Nëse ndërmarrjet e tjera kineze ndjekin këtë shembull, dominimi amerikan në ekonominë botërore mund të tronditet rëndë. Padyshim, në të kaluarën, vendet e ankoruara fort në sferën e ndikimit të Shteteve të Bashkuara përjetuan një rritje të shpejtë ekonomike – Gjermania, Japonia, Tigrat Aziatikë – por procesi mbeti kryesisht i udhëhequr nga Uashingtoni. Në fillim të shekullit XXI, amerikanët e patën të vështirë të shihnin Kinën të ngrihej në majë teksa ndiqte qëllimet e saj gjeopolitike, ndërsa ata vetë duket se dremitin pas timonit.

Për këtë, sfidat e debatit aktual për 5G-n shkojnë shumë përtej çështjes së dominimit kinez mbi këtë standard të telefonisë. 5G-ja është teknologji që lejon lidhje më të shpejtë me një numër më të madh pajisjesh, këto vetë të lidhura dhe të ndërlidhura me njëra-tjetrën, ndërsa afron operacionet e përpunimit të të dhënave më afër burimit të tyre, përkatësisht përdoruesit përfundimtar. Por buja që e rrethon ju bën të harroni pengesat e shumta për zbatimin e tij industrial. Për shumicën e përdoruesve, ndikimi i 5G-së do të jetë i kufizuar në rritjen e shpejtësisë së shkarkimit.

Ushtria e bukë-thekseve të lidhura me 5G

Sigurisht, lëvizja në treg e rrjeteve dhe pajisjeve kërkon investime kolosale dhe beteja po zhvillohet për të pushtuar tregun. Por Huawei dhe 5G janë vetëm maja e ajsbergut. Në sfond është një përballje shumë më e madhe ekonomike dhe gjeopolitike në të cilën kinezët përpiqen të kenë avantazh ndaj amerikanëve. Nëse 5G-ja po i vendos ata në vështirësi, kjo është për shkak se nuk kanë një kampion për ta dërguar në vijat e frontit. Evropa është më paqësore, pasi është shtëpia e dy OEM (original equipment manufacturer- prodhues origjinalë pajisjesh)- Nokia dhe Ericsson.

Ofensiva e Uashingtonit kundër teknologjisë së lartë kineze po godet një gamë të gjerë të kompanive, nga OEM ZTE (në pronësi të Kinës dhe gjithashtu shumë aktiv në fushën 5G) te WeChat, TikTok dhe shumë të tjerë më pak të njohur. Por Huawei është padiskutim objektivi kryesor, sepse në sytë e Shtëpisë së Bardhë ajo mishëron esencën e një Kine të paskrupullt, krimet e së cilës Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të dënojnë dhe sanksionojnë, në Hong Kong, në Xinjiang, në Detin e Kinës Jugore, etj., deri në pikën që z.Donald Trump i referohet kompanisë me një prej atyre pseudonimeve që i pëlqen: “Spiuni » (The Spyway )

Parë nga zyra ovale, Huawei simbolizon ato goditje të ulta që bota gabimisht i sheh si suksese të merituara të biznesit. Shkel të drejtat e pronësisë intelektuale, tiranizon partnerët e saj, përfiton nga ndihma bujare shtetërore për të ulur çmimet dhe për të shtypur konkurrencën. Duke ndërtuar rrjete telekomunikuese në vendet e Jugut, i vendos ato në një marrëdhënie varësie të thellë, duke marrë pjesë kështu në “diplomacinë e borxhit” të Pekinit, të vendosur veçanërisht përmes projektit të tij “rrugët e reja të mëndafshit”. Akoma më keq, Huawei do t’i pajisë produktet e saj me “dyer të pasme” (backdoors) për të lejuar regjimin kinez të zgjerojë aktivitetin e tij të mbikëqyrjes. Sipas kritikëve të saj më imagjinarë, firma së shpejti do të jetë në gjendje të kthejë kundra nesh frigoriferët dhe bukë-thekset e lidhura me 5G.

Në mbështetje të këtyre kritikave, shpesh citohet ligji kombëtar mbi informimin, i vendosur nga Pekini në 2017, i cili kërkon që bizneset (dhe qytetarët) të bashkëpunojnë me autoritetet duke u dhënë atyre informacione kur kërkohen. Një arsye tjetër për shqetësim: përshpejtimi i “shkrirjes civile-ushtarake”, një përpjekje për të shkrirë marrëdhëniet midis sektorit të teknologjisë dhe ushtrisë … që është frymëzuar nga shembulli amerikan. Huawei, nga ana e tij, mohon kategorikisht akuzat e spiunazhit, duke theksuar se qeveria kineze nuk do të rrezikonte të prishte reputacionin dhe kredibilitetin e saj ndërkombëtar.

Siç është zakon, pretendimet e administratës Trump bazohen në shumë pak prova, ose ne prova inekzistente. Kjo nuk e pengoi atë të kërkonte të bashkonte disa vende në « kryqëzatën» e saj, veçanërisht Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Italinë dhe shumë shtete të Evropës Lindore, duke i “nxitur” ata të ndalojnë Huawein në rrjetet e tyre 5G – një eufemizëm, aq të forta janë presionet ekonomike dhe diplomatike të ushtruara nga Departamenti i Shtetit përmes ambasadave. Dhe është e njëjta gjë në të gjitha kontinentet. Pas lobimit intensiv nga Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, qeverisë kiliane iu desh të vendoste të përjashtonte Huawei-n nga projekti i saj kabllor nënujor. Në Indi, ku Huawei ka prani të madhe, Kryeministri Narendra Modi po mendohet nëse do të zgjedhë ose jo furnizuesin kinez si një instrument hakmarrjeje ndaj Pekinit pas përplasjeve të dhunshme të kufirit. Megjithëse ende nuk është njoftuar asnjë ndalim zyrtar, New Delhi thuhet se po konsideron të përdorë një kompani kombëtare, Reliance Industries.

Mbretëria e Bashkuar, megjithëse disi e mpirë në këto kohë të Brexit-it, lëshoi një goditje korrikun e kaluar duke kërkuar që operatorët e saj celularë të hiqnin të gjitha pajisjet ekzistuese Huawei nga rrjeti deri në vitin 2027. Vendimi befasoi  shumë duke qenë ky vend është një nga pikat kryesore të strategjisë evropiane të grupit. Gjithashtu pikërisht në Mbretërinë e Bashkuar, Huawei hapi, në 2010, në partneritet me shërbimet e inteligjencës Britanike, një Qendër të Vlerësimit të Sigurisë Kibernetike (HCSEC) përgjegjëse për analizimin dhe korrigjimin e dobësimit të sigurisë të identifikuar në rrjetet e saj. Por këto marrëdhënie të mira nuk peshuan mjaftueshëm përpara « frikësimit » nga Uashingtoni dhe kritikave nga Partia Konservatore, në radhët e së cilës u formua një grup parlamentar armiqësor ndaj Kinës – moda e tanishme.

Bashkimi Evropian nuk ka arritur të përcaktojë një politikë të përbashkët për 5G, kryesisht sepse çështja është adresuar në drejtim të sigurisë kombëtare, një zonë në të cilën shtetet anëtare janë sovrane. Do të kishte qenë më e arsyeshme ta shihnim atë nga këndi i politikës industriale dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Një gjigant unik evropian i 5G, pasardhësi i Nokia dhe Ericsson, mund të ishte krijuar, subvencionuar bujarisht dhe me një mision për të barazuar përpjekjet e R&D së Huawei-it. Ne mund të dyshojmë se gjërat po lëvizin në këtë drejtim, edhe nëse Komisioni Evropian, nën presionin e francezëve dhe gjermanëve, kohët e fundit ka treguar ndonjë prirje për të braktisur hobin e tij – konkurrencën – për të marrë parasysh kontekstin gjeo-ekonomik.

Gjermania, i vetmi vend i madh evropian që ende nuk ka zbuluar planin e saj 5G, është zotuar të vendosë në vjeshtën e vitit 2020. Politikanët janë të ndarë në këtë çështje, madje edhe partia e Angela Merkel është copëzuar. Nga ana tjetër, diplomatët amerikanë të vendosur në Berlin, nuk humbin asnjë rast për t’i kujtuar bashkëbiseduesit se çfarë mund t’u kushtojë preferenca e tyre ndaj Huawei-t.

Diplomacia e borxhit

Nëse, në legjendën e shkruar nga z.Trump, firma Shenzhen mishëron “komunizmin sekret” kinez, fenomeni Huawei bën thirrje për studime të mëtejshme. Një nga më tërheqëset është ajo e propozuar nga ekonomisti Yun Wen. Pas mburrjes, shijes për aforizmat Maoiste dhe prirjet e tij nacionaliste, z.Zhengfei, presidenti aktual i firmës, duket se është një njohës i mirë i ndërlikimeve të gjeopolitikës. Nën udhëheqjen e tij, Huawei u vendos në rajone të vështira – në fshatrat kineze qysh në vitet 1990, më pas disa vende të Jugut ku perspektivat e fitimit ishin të pakta – dhe i bëri ato urë për të sulmuar tregje më premtuese. Ndërsa Kina shtriu tentakulat e saj në Afrikë dhe Amerikën Latine, Huawei dhe bashkatdhetari i saj ZTE u bashkuan me lëvizjen për të ardhur dhe për të ndërtuar rrjetet e tyre, duke përfituar nga huatë e dhëna nga Pekini për qeveritë lokale për t’i ndihmuar ata të financojnë projektet e infrastrukturës. Sipas Yun Wen, në rastin e Huawei, kjo diplomaci borxhi nuk do të kishte pasur vetëm efekte negative. Jo vetëm që të ardhurat e gjeneruara nga kompania në vendet e jugut janë relativisht të vogla në krahasim me tregjet e tjera, por vendosja e saj në këto rajone, pjesërisht e nxitur nga fryma e “internacionalizmit të botës së tretë” e dashur për Mao-n, e ka bërë atë të trajnojë një numër të konsiderueshëm inxhinierësh dhe teknikësh të kualifikuar në terren.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë një zonë me rrezik të lartë për Huawei, shumë kohë para presidencës së z.Trump dhe madje edhe asaj të z.Barack Obama. Në vitin 2003, furnizuesi kinez u padit nga konkurrenti i tij kryesor amerikan, Cisco, për shkelje të patentës. Kjo pengesë e parë do të pasohet nga shumë më tepër. Pasi u ndalua të merrte ndonjë aksion ose kontroll aksionesh në kompanitë amerikane, Huawei tani mund të humbasë aftësinë për t’u shërbyer klientëve të saj dhe për të hedhur në treg produkte të reja në Shtetet e Bashkuara. Që nga fillimi, një akuzë ka dalë si një refren: Huawei po punon krah për krah me ushtrinë kineze. Në 2011, një zbulim i Wall Street Journal (27 tetor) ku thuhet se  kompania tregtonte me Iranin, në kundërshtim me sanksionet e SHBA-së kundër këtij vendi, ngarkoi akoma me shumë akuzat. Qysh në vitin 2013, Huawei njoftoi tërheqjen e saj nga territori Amerikan dhe prania e tij në Uashington tani kufizohet vetëm nga një ushtri lobistësh.

Dikush mund të pyesë me arsye se pse duke qenë se fillimet i ka pasur shtatëmbëdhjetë vjet më parë, fushata amerikane anti-Huawei është intensifikuar vetëm kohët e fundit. Në fund të vitit 2018, qeveria amerikane urdhëroi arrestimin e vajzës së z.Zhengfei, znj.Meng Wanzhou, drejtoresha e financave të Huaweit, gjatë një tranziti në Kanada. Që atëherë, Uashingtoni ka marrë përsipër të shkatërrojë grupin duke miratuar sanksione gjithnjë e më të ashpra. Z.Trump i ka kërkuar fondit zyrtar të pensionit të qeverisë që të mos investojë në kompanitë kineze. Kontraktorët e qeverisë federale duhet të provojnë se nuk kanë asnjë lidhje tregtare me Huawei. Sa për kompanitë kineze të listuara në Shtetet e Bashkuara, ato urdhërohen të publikojnë llogaritë e tyre dhe të deklarojnë çdo kontakt me qeverinë e Pekinit. Disa faktorë ekonomikë dhe gjeopolitikë bashkohen për të shpjeguar ofensivën e Uashingtonit.

Në nivelin gjeopolitik, zbulimet e z.Edward Snowden në vitin 2013 mbi aktivitetet e Agjencisë Amerikane të Sigurisë Kombëtare (National Security Agency, NSA) japin një pistë interesante, siç kujton Yun Wen. Në vitin 2010, nën emrin e koduar “Operacioni Shotgiant”, NSA pushtoi serverat e Huawei me një qëllim të dyfishtë: për të gjetur gjurmët e lidhjeve të mundshme të kompanisë me ushtrinë kineze – peshkimi nuk ishte aq i suskesshmëm, duke qenë se asnjë dokument nuk ka rrjedhur në media – dhe për të identifikuar defektet e sigurisë në pajisjet e saj në mënyrë që të lejojë shërbimet e inteligjencës amerikane të spiunojnë disa nga shtetet e saj klientë, të tilla si Irani dhe Pakistani. Në dokumentet e dhëna nga Snowden, NSA nuk e fsheh qëllimin e saj: “Shumica e targeteve tona komunikojnë duke përdorur pajisje të bëra nga Huawei. Ne duam të sigurohemi që jemi njohur me këto produkte në mënyrë që t’i përdorim lehtësisht dhe të kemi akses në ato linja. Z. Guo Ping, kryetari i Huawei, atëherë kishte këtë koment mjaft të arsyeshëm, “[Huawei] është një gjemb në këmbë për Uashingtonin, sepse e ndalon atë të spiunojë këdo që ai e gjykon të arsyeshme”.

Në të vërtetë, nëse Huawei do të fitonte garën 5G, epërsia e inteligjencës amerikane do të komprometohej ashpër, qoftë vetëm për shkak se firma kineze ka të ngjarë të jetë më pak e gatshme të bashkëpunojë informalisht me agjensitë amerikane sesa, për shembull, konkurrentët e saj evropianë.

Nga një perspektivë ekonomike, përtej infrastrukturës materiale të kërkuar nga 5G, ne duhet të jemi të interesuar në rrjetën e të drejtave të pronësisë intelektuale që përmban. E para dhe më e rëndësishmja, 5G është normë. Çdo rrjet ose pajisje që synon ta operojë atë duhet të plotësojë kushtet e tij teknike, të cilat domosdoshmërisht përfshijnë përdorimin e teknologjive të patentuara. Një smartphone modern me Wi-Fi, ekran me prekje, procesor, etj., mbrohet të paktën nga 250,000 patenta (kjo shifër e vitit 2015 ka të ngjarë të jetë më e lartë sot). Sipas një vlerësimi të vitit 2013, 130,000 prej këtyre patentave janë “Patenta Standarde-Thelbësore” ose SEP (Standard-Esenciale Patentat, SEP), siç janë ato që lejojnë pajtueshmërinë me një standard teknik siç është 5G.

Në fushën e teknologjive mobile, numri dhe shpërndarja gjeografike e mbajtësve të SEP kanë evoluar në kurriz të Amerikës dhe Evropës Perëndimore dhe në përfitim të vendeve aziatike. Kush thotë patenta, thotë honorare. American Qualcomm, fituesi i madh i 2G dhe disa standardeve të tjera të rëndësishme, nxjerr dy të tretat e xhiros së tij nga Kina, kryesisht nga Huawei. Vetëm kjo e fundit ka shpenzuar më shumë se 6 miliardë dollarë në honorare që nga viti 2001, 80% e të cilave u ka shkuar kompanive amerikane. Këto shuma joproporcionale përfundimisht e bënë Pekinin të reagojë. Pasi gjobiti Qualcomm me 975 milion dollarë për abuzim me një pozitë dominuese në 2015, ajo arriti, tre vjet më vonë, të bllokonte përpjekjen e saj për marrjen e Hollandezit NXP, duke argumentuar se transaksioni do të ulte më tej marzhin e manovrimeve të kompanive të saj.

“Ne jemi në luftë”

Gjërat kanë ndryshuar. Huawei tani është ndër mbajtësit më të mëdhenj të SEPs që lidhen me 5G. Kjo nuk e ndalon atë të mbetet shumë kritike ndaj sistemit global të pronës intelektuale – z. Ping bëri thirrje për një rishikim të rregullave të këtij “klubi ndërkombëtar” në një kuptim më të drejtë dhe të dobishëm për të gjithë, duke krahasuar akuzat me “një të drejtë kalimi të vendosur nga autostradat”. Sigurisht, natyra “thelbësore” e patentave të mbajtura nga firma është e diskutueshme. Siç theksoi një analist, nëse smartphone do të ishte një aeroplan, patentat e Nokia dhe Ericsson do të mbulonin motorin dhe sistemin e navigimit, ndërsa Huawei do të mbulonte vetëm vendet dhe karrocat e ushqimit … Por, çfarëdo që të jetë fuqia e patentave të tij, Huawei ka arritur të nxjerrë veten nga situata e varësisë.

Për Kinën, kërkesa për t’u bërë një huadhënës patente (në vend të një huamarrësi) ka kuptim ekonomik. Kjo është mënyra se si ajo arriti të kapërcejë hendekun e madh midis saj dhe Shteteve të Bashkuara për sa i përket të drejtave neto të mbledhura: nëse, në vitin 1998, kompanitë amerikane morën 26.8 herë më shumë honorare sesa homologët e tyre kinezë, në vitin 2019 raporti ishte vetëm 1.7. Logjikisht, Pekini gjithashtu ka filluar të ketë më shumë peshë në organet e standardeve botërore. Komisioni Ndërkombëtar Elektroteknik (International Electrotechnical Commission) dhe Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacionit, ose ITU (International Telecommunications Union) drejtohen nga Kinezët, dhe mandati tre-vjeçar i presidentit të parë kinez të Organizatës Ndërkombëtare të Standardizimit, ose ISO (International Organization for Standardization), përfundoi në 2018.

Në Organizatën e Kombeve e Bashkuara (OKB), ajo ka qenë shumë aktive në vendosjen e standardeve për teknologjitë e njohjes së fytyrës. Në ISO,  mori një interes të veçantë për qytetet e lidhura, terreni i preferuari i Alibabës, e cila shqetësonte shumë Japoninë. Më në fund, përmes programit të tij ambicioz China Standards 2035, i lançuar me shumë bujë në vitin 2020, ajo synon të përmirësojë bashkëpunimin midis kompanive të teknologjisë dhe agjencive qeveritare për të inkurajuar zhvillimin e standardeve ndërkombëtare të favorshme për interesat e saj.

Po tani, çfarë do të bëjnë Shtetet e Bashkuara? Disa vëzhgues bëjnë një paralele midis fushatës aktuale anti-kineze dhe periudhës së viteve 1980, kur Uashingtoni po përpiqej të zbuste gjigandët industrialë japonezë. Në 1986, shumë anëtarë të administratës së Reaganit dhe anëtare të industrisë menduan se po mbyteshin kur Fujitsu njoftoi qëllimin e tij për të blerë prodhuesin legjendar të gjysmëpërçuesve amerikanë Fairchild Computing. Një ekzekutiv i industrisë përmblodhi ndjesinë e përgjithshme: “Ne jemi në luftë me Japoninë – jo një betejë me armë dhe plumba, por një luftë ekonomike në të cilën municionet janë teknologji, produktivitet dhe cilësi. (Los Angeles Times, 30 nëntor 1987). Disa vjet më parë, sanksionet tregtare të inkurajuara nga Shtëpia e Bardhë kishin patur sukses në parandalimin e Toshibas, një tjetër gjigand japonez, nga shitja e kompjuterëve të saj në tregun amerikan.

“Ne jemi në luftë”: parulla nuk ka ndryshuar në fakt. Mosmarrëveshja tregtare SHBA-Japoni ka ardhur në një fund paqësor; shumë në Kinë dëshironin të besonin se e njëjta gjë do të ishte e vërtetë dhe se një marrëveshje e qëndrueshme përfundimisht do të dilte me koston e disa koncesioneve. Por ky rezultat duket gjithnjë e më i pamundur. Në këtë drejtim, administrata Trump është e ndarë në tre kampe. E para është ajo e vetë presidentit. Gjithçka sugjeron që sulmet e tij ndaj Huawei janë pjesë e një strategjie më të madhe për të siguruar një avantazh tregtar ndaj Pekinit. Në fakt, nëse qëllimi do të ishte me të vërtetë për ta parandaluar hegjemoninë e Kinës mbi 5G, ZTE, pronë e shtetit do të bënte një thes boksi shumë më të mirë se Huawei – dhe aktualisht ja hedh pa shumë dëm, vetëm me një gjobë prej 1 miliard dollarësh. Për z.Trump, Huawei është një monedhë në negociatat tregtare – dhe gjithashtu një parullë fushate.

Kampi i dytë është ai i fajkojve, i udhëhequr nga  Peter Navarro, Këshilltar i Presidentit mbi tregtinë  dhe Robert Lighthizer, Përfaqësues i Tregtisë së SHBA. Në sytë e tyre, ndalimi i ngritjes së Kinës është një domosdoshmëri jetike dhe ata nuk do të hezitojnë të godasin Huawei edhe më shumë sesa është bërë. Ata janë pas të gjitha propozimeve që synojnë ta zgjerojnë gamën e kompanive kineze të prekura nga sanksionet. Më në fund, është kampi i tretë, ai i kompleksit ushtarako-industrial, i cili preferon të luajë pëllumbat. Dhe për një arsye të mirë: për të Kina përfaqësonte një treg fitimprurës. Në vitin 2019, vetëm Huawei bleu 19 miliardë dollarë pajisje elektronike nga prodhuesit amerikanë. Pengimi i prodhuesve kombëtarë për të tregtuar me Kinën do të thotë favorizim i konkurrentëve të tyre të huaj.

Për sa kohë që kishte shpresë për një zbatim të plotë të marrëveshjes tregtare kinezo-amerikane të nënshkruar janarin e kaluar, kampi i pëllumbave, i cili përfshin veçanërisht sekretarin e thesarit Steven Mnuchin, arriti të zbuste zjarrin anti-kinez të Navarros dhe Lighthizerkit. Me përkeqësimin e situatës gjeopolitike dhe krizën e Covid-19 – për të cilën Z. Trump fajëson Kinën – kjo perspektivë po dobësohet. Kështu që Huawei rrezikon të mbetet një mjet negocimi në shkëmbimet që nuk do të ndodhin kurrë.

Ndërkohë, masat hakmarrëse janë duke u shtuar. Në fillim të gushtit, z.Pompeo njoftoi forcimin e programit të Rrjetit të Pastër ( Clean Network), i cili synon të pastrojë internetin nga “ndikimi negativ” i Partisë Komuniste Kineze. Disa ditë më vonë, Uashingtoni privoi Huawei nga çdo mundësi e përdorimit të teknologjive direkt ose indirekt me kompanitë amerikane, e cila çon drejt mungesës së prodhimit të produkteve të saj. Sepse pavarësisht shumave kolosale të investuara në punë kërkimore, batalioneve të inxhinierëve dhe apologjive për inovacionin “brenda shtëpisë”, ka komponentë që Huawei nuk mund t’i prodhojë vetë, as t’i marrë në Kinë.

I tillë është rasti me Kirin ultra-modern, të dizajnuar në Kinë, por të gdhendur jashtë vendit, thelbësor në funksionalitetin e bazuar në inteligjencën artificiale (AI). E angazhuar në një garë me Silicon Valley për pesëmbëdhjetë vitet e fundit, Kina ka bërë përparim të konsiderueshëm në këtë fushë, deri në pikën e dominimit të qartë të teknologjive të caktuara, siç është njohja e fytyrës. Sidoqoftë, aseti kryesor i saj deri më tani ka qenë aftësia për të mbledhur masa gjigante të të dhënave për të ushqyer dhe trajnuar algoritmet – një koleksion i kryer nga gjigandët e saj dixhitalë, por gjithashtu i bërë i mundur nga shfrytëzimi i punë së paguar pak, e bërë nga studentët. Por ky model u krijua për botën e mëparshme, një botë ku Kina mund të mbështetej në dërgesat e pandërprera të pajisjeve me performancë të lartë të bëra në Tajvan ose Shtetet e Bashkuara. Sot, përçarja e këtyre zinxhirëve të furnizimit vë në rrezik AI-në kineze si një e tërë. Duke i shpallur luftë Huawei, amerikanët ndoshta po kërkojnë aq shumë për ta parandaluar atë që të ketë gjysmëpërçuesit e vet përmes filialit HiSilicon sesa të frenojë përparimin në 5G.

Edhe në politikën industriale, ka ardhur koha për ofensivën amerikane. Parlamentarët vendosën të rezervojnë fonde për ndërtimin e rrjeteve të cilat mund, në planin afatgjatë, të zëvendësojnë ato të Huawei dhe konkurrentëve të tij. Në të njëjtën kohë, buxheti i alokuar për prodhuesit amerikanë nën ligjin “CHIPS for America”, aktualisht në diskutim në Kongres, është rritur në 10 miliardë dollarë. Uashingtoni duket se e ka kuptuar që kjo periudhë e tensionit gjeopolitik nuk është koha ideale për të dobësuar lajmëtarët e saj dixhitalë. Përfitimet e Silicon Valley: prej këshillës së shefit të Facebook  z.Trump vendosi të sulmonte aplikacionin TikTok.

Në përgjithësi, reagimi i Pekinit ka qenë më pak agresiv. Duhet thënë se Kina nuk e priti sulmin amerikan për të forcuar sovranitetin e saj teknologjik me miliarda dollarë para publike, edhe nëse, ndërkohë, kriza shëndetësore ka monopolizuar një pjesë të këtyre fondeve (vendosja e 5G, në veçanti, është vonuar). Në maj, menjëherë pasi administrata Trump njoftoi kufizime të reja për Huawei dhe furnizuesit e saj, z.Jinping zbuloi një plan 1.4 trilion dollarë për të siguruar udhëheqjen kineze në disa teknologji kryesore deri në 2025. Dy frazat më të nxehta në Kinë tani janë “de-amerikanizimi” – i zinxhirit të furnizimit dhe infrastrukturës teknologjike – dhe “ekonomia me qarkullim të dyfishtë” – një drejtim i ri i politikës që synon të artikulojë ri-fokusimin në treg vendas dhe zhvillimin e teknologjive të përparuara të përshtatshme për eksport.

Ndërsa diskutimet janë të hapura rreth shitjes së ardhshme nga TikTok të aktiviteteve të tij në SHBA, Pekini ka zgjeruar listën e teknologjive që synon të kontrollojë eksportin, duke përfshirë algoritmet e rekomandimeve të përmbajtjes, njohjen e zërit dhe shumë më tepër aplikacione të tjera të inteligjencës artificiale. Në reagim të programit të Rrjetit të Pastër Amerikan, ai sapo ka njoftuar fillimin e rrjetit të tij ndërkombëtar Global Data Security Initiative, e krijuar për të kundërshtuar mbikëqyrjen dhe spiunazhin Amerikan.

Tani për tani, Huawei po e mban veten. Sapo znj. Wanzhou u arrestua, duke parashikuar sanksione më të ashpra, kompania kishte filluar grumbullimin e stock-ut, i cili mund të zgjasë nga dhjetë muaj deri në dy vjet – por disa pjesë do të jenë të vjetruara deri atëherë. Ajo gjithashtu ka në çantën e saj një varg kontratash të rrjetit 5G. Më në fund, e vetëdijshme që pajisjet e saj së shpejti nuk do të kenë më qasje në azhurnimet e Android, ajo ka vendosur të zhvillojë sistemin e saj operativ: Harmony OS.

Cilido qoftë fati i Huawei në një të ardhme të afërt, mesazhi është marrë plotësisht nga Pekini, Moska dhe kryeqytetet e tjera: Sovraniteti teknologjik është i domosdoshëm. Kina e kuptoi këtë shumë kohë përpara deklaratës së z.Trump për luftë, e cila vetëm rriti më tej ndjenjën e urgjencës. Në mënyrë paradoksale, ishte Uashingtoni që e shtyu Pekinin të vinte në praktikë një nga maksimat e shumta të z.Zhengfei: “Pa pavarësi [teknologjike], nuk ka pavarësi kombëtare. » Ironi do të ishte nëse beteja e Amerikës kundër Huawei do të rezultojë në një Kinë shumë më të përparuar teknologjikisht dhe të vetë-mjaftueshme, e cila do të eleminonte plotësisht furnizuesit Amerikanë nga zinxhirët e saj të furnizimit.

* Themelues dhe redaktor i portalit Syllabus (the-cillabus.com). Autori i ‘Për të zgjidhur gjithçka klikoni këtu. Gabimi i zgjidhjeve teknologjike’, botimet FYP, Limoges, 2014.