FILMI
Moda sipas James Bondit

Model i përsosur i njeriut të bardhë perëndimor me performanca kulmore dhe mbrojtës i pathyeshëm i botës së lirë: kjo është ajo që e simbolizon Agjentin 007, pa ju zbehur asnjëherë imazhi i tij. Sidoqoftë, për gjashtëdhjetë vjet dhe njëzet e pesë filma, spiuni shumë "british" shpesh ikë nga këto klishe dhe kalon kufijtë e papritur.

848

Ikonë pop dhe glamuroze e kulturës moderne, personazhi i James Bond-it u krijua nga Ian Fleming në vitin 1953, në Goldeneye, rezidenca e tij xhamajkane. Gazetar i agjencisë së lajmeve Reuters, pastaj ndërmjetës bankash investimesh, Flemingu, lindur në 1908 u rekrutua nga shërbimet e inteligjencës britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore.  Ai nisi më vonë të shkruajë romane spiunazhe duke u frymëzuar nga përvoja e tij si agjent ndërlidhës.  I shkruar për dy muaj dhe i botuar nga një botues në Londër, Casino Royale, episodi i parë letrar i sagës, u adaptua më 1954 për televizionin amerikane ‘CBS’, me aktorin Barry Nelson; e më pas në kinema, më 1967, në një parodi e nënshkruar  nga John Huston me dyshen David Niven – Peter Sellers, dhe në fund në filmin e njëzet e një të sagës, më 2006, i cili rinis serinë me Daniel Craig, aktori i fundit për rolin kryesor.

Romani Casino Royale vë në skenë personazhin e 007, agjentin sekret të MI6 dhe shërbimet e inteligjencës britanike. Disa vjet më vonë, John Le Carré do t’i vendosë gjithashtu spiunët e tij, por në një stil krejtësisht të ndryshëm… Për ta krijuar heroin e tij, Fleming frymëzohet nga dy zhanre tradicionale.

Nga njëra anë, hetimi policor amerikan i mes-dy-luftërave, historia hard-boiled e hetuesit privat “të sertë”, prej cilëve ‘The Maltese Falcon’ i Dashiel Hammett është modeli i parë. Nga ana tjetër, romani aventuresk gjeopolitik anglez, i cili ashtu sikur ‘Thirty-Nine Steps’ e John Buchan, evokon kërcënimin që i kanoset vendit nga komplotet e shoqërive sekrete të rrezikshme. Në dymbëdhjetë romane dhe dy përmbledhje tregime, Fleming do të imponojë (super)heroin e tij, aventurierin e patrembur dhe joshësin plotë sharm.

James Bond ka gjithçka për ta luajtur simbolin e përsosur të Albionit të Madh, të parë nga ana e upper class (“klasa superiore”). Një ish-student i kolegjit të Eton, një shkollë elite e themeluar nga Mbreti Henriku VI, që mban gradën e commander të Marinës dhe mban titullin e Kalorësit të Urdhrit Ushtarak të Saint Michael dhe Saint George. Filmi On her Majesty’s Secret service zbulon stemën e tij: ai rrjedh nga Baroneti i Peckham, Sir Thomas Bond, i cili vdiq në vitin 1734, dhe motoja latine e familjes së tij është Orbis non sufficit,  “Bota nuk mjafton”. Emri i tij është një kolazh midis Bond Street, një rrugë e Haute couture dhe e galerive të artit në Londër dhe St James’s Street, në Piccadilly, e cila ka klubin më të vjetër të xhentëlmenëve në kryeqytet.

Skena e tij e parë në ekran në James Bond kundër Dr. No zhvillohet në Rrethin e Ambasadorëve, një sallë private e lojërave në Londër. Elegant dhe noshalant, mes veglave dhe efekteve speciale, kompletin përgjithësisht perfekt, Bond duket një klishe i pandryshueshëm, mondan dhe adhurues i lojërave. Sidoqoftë, secili nga interpretuesit e tij do të sjellë “gjurmën” e tij personale, lidhur me jetën e tyre: me skocezin Sean Connery i cili vjen nga klasa punëtore, fillimisht marinar, shpërndarës porosish ose murator, 007 përfaqëson suksesin dhe arritjen. Ndryshe, anglezi Roger Moore përvetëson stilin aristokratik…

Humori i tij i ekscentrik  tallet me seriozitetin, tallet me veten dhe me konventat. Uellsiani Timothy Dalton amerikanizon karakterin. 007 i tij korrespondon me kodet e liberalizmit ekonomik dhe me globalizimin e viteve 1980… Sa i përket interpretuesit të fundit, Daniel Craig, ai ndërthur aftësitë fizike dhe melankolinë e paparë, për një hero të errët dhe të brishtë… Por, përmes të gjitha variacioneve të tij, Bond mbetet personifikimi i integritetit të subjektit britanik dhe të besnikërisë ndaj Kurorës.

Në misionet e tij, ai shpalos vazhdimisht flamurin britanik: në një parashutë në The Spy Who Loved Me, në një balon me ajër të nxehtë në Octopussy, ose në nëndetëse në Dangerously Yours. Ai mban me krenari ngjyrat e Mbretërisë së Bashkuar në gjithë botën, përgjatë aksioneve të skalitura në situatën gjeopolitike të kohës. Kur filmi i parë doli më 5 tetor 1962, Kremlini nisi operacionin ushtarak “Kama”, dërgimin e nëndetëseve sovjetike drejt Kubës, brenda kufijve të Floridës. Anija amerikane Yerkon zbulon këtë aktivitet dhe njofton menjëherë Pentagonin.

Ndërsa filmi tregon se Shërbimet Sekrete Britanike mbrojnë Kepin Canaveral nga një kërcënim bërthamor që vjen nga ishulli karaibean i Dr. Jo-së , realiteti i përafrohet : kriza e raketave ndodh në Kubë midis Nikita Hrushovit dhe John Fitzgerald Kennedy. Me një nuancë, trillimi ia jep rolin e mirë diplomacisë britanike dhe kundërpeshon, në ekran, rënien e Londrës në skenën ndërkombëtare.

Vërtetë, skena ku operon Bond është një univers ku Mbretëria e Bashkuar përpiqet ta ruajë prestigjin e saj, pavarësisht nga humbja e pushtetit, madje edhe nga fundi i perandorisë së saj, rënia e saj në sfond nga Shtetet e Bashkuara, ndihmës i të cilit bëhet ai. Bond rrit imazhin e politikës përtej Kanalit La Manche, përballë një bote në ndryshim: në 1962, viti i filmit të parë, Konferenca e Bahamas dhe Marrëveshja e Nassau vulosin “Atlantizimin” dhe anëtarësimin e Londrës në Uashington. Goditje e rëndë, shtatë vjet pas dorëheqjes së Winston Churchill, shpërbërja e Federatës së re të Indive-Perëndimore, e cila bashkonte shumicën e kolonive britanike në Antilles, Xhamajka, Ishujt Kajman, Trinidad dhe Tobago. Në filma, angazhimi i Bond për shërbimin e Anglisë gjatë Luftës së Ftohtë dhe në sfondin e pavarësisë së kolonive të saj është një përgjigje e dyshimit që ka kapluar zemrat e britanikëve, ngjashëm me mendimin e ish-sekretarit amerikan  Dean Acheson: “Britania ka humbur një perandori dhe nuk ka gjetur ende një rol”. Bond, xhentëlmen ironik, do ta ngushëllojë Mbretërinë e Bashkuar për humbjen e saj të ndikimit …

Metamorfoza e tij zhvillohet në tre faza: në një pallat të zbukuruar me lule, transformimi i tij është i pari fizik. I shtrirë në një tavolinë operacioni, para se të veshë një kimono të artë, trupin, flokët dhe vetullat e tij të ndryshuara, ai lë qenien e tij britanike dhe “bëhet” japonez. Faza e dytë është atletike dhe mendore: heroi braktis sofistikimin perëndimor të veglave.

High-tech i ‘Q’, shefi i sektorit të kërkimit dhe zhvillimit të MI6, mëson trajtimin e armëve tradicionale, sansetsukon shureido dhe shuriken. Më në fund, hapi i fundit është kulturor dhe dashuror. Bond martohet në një tempull duke ndjekur me përpikëri zakonin: ai bashkohet me Kissy Suzuki pas leximit të lutjes, këngës dhe ritualit të pastrimit. I veshur me rroba të peshkatarit, ai vendoset në ishullin e vogël Matsu me gruan e tij, në zemër të një arkipelagu vullkanik. Në The Spy who loved me, ai shndërrohet në një beduin dhe niset për një udhëtim të heshtur në shkretëtirë. Në Living Daylights, ai kalëron një kalë, i veshur me çallmën e Muxhahedinëve në malet e Afganistanit. Me një kartë identiteti të rremë, ai sovjetizohet dhe bëhet Jerzy Bondov.

Fleming u ushqye nga imazhi i spiunëve të famshëm, si eleganti Sidney Reilly, i lindur në Ukrainë, agjent efektiv anti-komunist, aviatori kanadez William Stephenson, shumë i zgjuar Wilfred Dunderdale i dhënë pas vajzave të bukura dhe anëtar i shoqërisë së lartë, apo edhe oficeri i marinës Patrick Dalzel-Job, i njohur për një akt kumbues të mosbindjes humaniste gjatë luftës, dhe të cilin Fleming duket se e ka njohur. Por është e mundur që frymëzuesi i tij i vërtetë nuk ishte anglez, por serb: Dandy enigmatik Duško Popov i lindur më 1912 në Vojvodinë, adhurues i pijeve dhe i kazinove, hoteleve luksoze dhe makinave sportive. Playboyi Popov është një agjent jugosllav (i dyfishtë), me emrin e koduar Tricycle. Gjatë luftës, ai informoi britanikët për veprimet e gjermanëve. Ai madje përpiqet të paralajmërojë John Edgar Hoover për sulmin e afërt në Pearl Harbor, por shefi i Byrosë Federale të Hetimit (FBI) nuk e beson atë. Fleming u takua me të në 1941 në Estoril, Portugali dhe ishte mjaft i impresionuar nga gjakftohtësia e tij kur blofoi gjatë një loje me baccarat sa për ta bërë atë modelin e Bondit të tij. Gjë që në autobiografinë e tij, Popov do ta konsiderojë si “fyerje të inteligjencës së tij” …

Siç vuri në dukje Umberto Eco, është e vështirë të mohosh që Fleming në romanet e tij “tregon anti-komunizëm të brendshëm”. Sidoqoftë, filmat nganjëherë janë befasues nga ky këndvështrim. Ndonjëherë Bond i afrohet më shumë shërbimeve sekrete sovjetike se amerikane. Me kalimin e kohës, bashkëpunimi gjeopolitik midis Londrës dhe Moskës bëhet i dukshëm. Bond preferon të punojë me agjentë sovjetikë dhe të shkojë përtej antagonizmit klasik të Luftës së Ftohtë: ai bashkohet me majorin Anya Amasova të KGB-së në The spy who loved me, me spiunen Pola Ivanova në filmin Dangerously Yours, ose me gjeneralin Gogol në Octopussy. KGB dhe MI6 janë aleatë, edhe pse aleati “natyror”, Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA), shpesh është tallur përmes karakterit që e përfaqëson, Felix Leiter, si i ngathët, kureshtar dhe disi budalla. Dallimi midis realitetit dhe trillimit është nganjëherë i qartë: në 1984, me pretekstin e mbrojtjes së interesave të vendit të tij, Ronald Reagan zhvilloi një luftë të përgjakshme në Nikaragua kundër qeverisë socialiste Sandinista. Në të njëjtën kohë, në ekranet në Dangerously Yours, James Bond dekorohet me Urdhrin e Leninit nga duart e Gjeneralit Gogol, shefit të KGB-së. Kjo miqësi e re anglo-sovjetike bën të mundur luftën kundër armikut të të gjithë popujve, organizatës ndërkombëtare kriminale Spektri. Duke lënë mënjanë aksionet strategjike të kampit të tij për t’u lidhur  me armikun e botës së lirë në mënyrë që të përballet me një rrezik global dhe të përbashkët, Bond rrënjos efektivitetin e soft power-it të tij: madhështia britanike di të shkojë përtej mbrojtjes së interesave të saj, për t’u ngritur në mbrojtje të njerëzimit …

* Autor i librit ‘Les Cinq Secrets de James Bond’ (Pesë sekretet e James Bond-it) , Max Milo, Paris, 2020.