« NJË KËSHTJELLË E RRËNUAR FEUDALE ME NJË FASADË KARTONI KAPITALISTE »
Demokracia e (pa)mundur latino-amerikane

Këtë vit, shumë qytetarë të Amerikës Latine do të votojnë për të zgjedhur Presidentë, si Peru ose Kili, ose për t’i ripërtërirë parlamentet, si Meksika dhe Argjentina. Pas progresit të viteve 2000, disa vende përjetuan një ngurtësim shqetësues politik. A do të dënoheshin popullatat e nënkontinentit me devijime autoritare?

2932

Në vitin 2010, Alain Rouquié, një nga njohësit më të mirë të Amerikës Latine në Francë, botoi një vepër kushtuar rajonit, me këto terma: “Pas dekadash paqëndrueshmërie dhe diktaturash, demokracia duket se ka zënë rrënjë gjithandej”. Duke marrë parasysh ardhjen në pushtet të znj.Michelle Bachelet në Kili (2006), z.Evo Morales në Bolivi (2006) dhe z.Luiz Inácio “Lula” Da Silva në Brazil (2003), ish-ambasadori i Francës në Brasília u shpreh: « Nga tani e tutje, një grua, një indian ose një punëtor, mund të marrë pjesë në votimin për Presidencën”.

Dhjetë vjet më vonë, situata ka ndryshuar. “Indiani” u përmbys nga një grusht-shtet; “Punëtori” sulmohet nga një drejtësi e instrumentalizuar nga konservatorët; ndërsa znj.Bachelet nuk ishte në gjendje ta përfundonte mandatin e saj. Znj.Dilma Rousseff, e zgjedhur në 2011 si kryetare e Brazilit, u rrëzua pas një kabali parlamentar pa asnjë bazë ligjore.

Disa vite më parë, mund t’i bashkoheshim gëzimit të Rouquié duke parë më 2003 në Brazil, një President të ketë sukses “për herë të parë në dyzet e tre vjet nga një President tjetër i zgjedhur me votim universal”. Venezueliani Hugo Chávez (1999-2013) duke e zgjeruar fushën e pjesëmarrjes popullore në jetën politike të vendit dhe ish-ekonomisti ekuadorian Rafael Correa (2007-2017) duke e përfunduar paqësisht mandatin e dytë, kur në një dekadë, asnjë nga shtatë paraardhësit e tij nuk e kishin përfunduar të tyren.

Hierarkitë e pandryshueshme

Tani gjendja është më pak festive. Ish-ushtaraku në krye të Brazilit, z.Jair Bolsonaro, pendohet për periudhën e diktaturës (1964-1984), ndërsa djali i tij Eduardo, me të cilin ka marrëdhënie të ngushtë, evokon nevojën për ta krijuar një të re, “në rast se radikalizohet e majta”. Në janar 2019, z.Juan Guaidó, një zyrtar i nivelit të dytë neoliberal, shpalli veten president të Venezuelës, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Edhe ish-kreu i shtetit ekuadorian Lenín Moreno  u përpoq ta përdorë drejtësinë për ta bllokuar rrugën e kundërshtarëve të tij gjatë zgjedhjeve presidenciale në shkurt 2021.

“E rrënjosur kudo”, demokracia e Amerikës Latine? Përkundrazi, ajo po e kalon një periudhë të re paqëndrueshmërie. Madje po merr edhe një drejtim autoritar. Si ta shpjegojmë këtë zhgënjim? Mbase pikërisht nga progresi që i parapriu asaj. Ashtu si Ikari, i cili në çdo përplasje të krahëve në drejtim të diellit përgatit rënien, demokratët e Amerikës Latine vërtet duken të dënuar të krijojnë kushtet për dështim, ndërkohë që përparojnë drejt qëllimit të tyre.

Sado paradoksale të duket për një rajon të lidhur me ushtrinë, parimi demokratik është baza e republikave të Amerikës Latine. Kur shpallën pavarësinë gjatë shekullit të XIX, elitat e bardha “kreole” ndezën dritat. Nëse ata merrnin armët, kjo ishte në emër të sovranitetit popullor: “Në sistemin spanjoll në fuqi, shkruan Libertador Simón Bolivar, amerikanët nuk zinin vend tjetër në shoqëri përveç atij të bujkrobëve në punë dhe më së shumti, konsumatorë të thjeshtë. Ne kurrë nuk ishim mëkëmbës ose guvernatorë, rrallë kryepeshkopë dhe peshkopë; asnjëherë diplomatë ose ushtarë, por vetëm vartës dhe në fund nuk ishim as gjykatës dhe as nëpunës financash”.

Megjithatë, “nuk ishin të kolonizuarit, indianët dhe racat mikse, ata që u ngritën, specifikon Rouquié, por një pakicë e bardhë, e përbërë shpesh nga një aristokraci me origjinë evropiane“. Nëse ata kërkonin barazi, ishte mbi të gjitha në mënyrë që të çliroheshin nga një metropol i cili i privonte ata nga pushteti, ndërkohë që posedonin pasuri. Pavarësisht nga kushtetutat demokratike që ato shpallën, elitat nuk hoqën dorë nga privilegjet e tyre. E drejta për të votuar atëherë u kufizua në “të aftë”. “Arsyeja kolektive është i vetmi sovran, jo vullneti kolektiv”, shkruan shkrimtari argjentinas Estebán Echevarría (1805-1851). Nga kjo rezulton se sovraniteti i popullit mund të qëndrojë vetëm në arsyen e popullit dhe se vetëm pjesa e arsyeshme dhe racionale e bashkësisë shoqërore është thirrur ta ushtrojë atë. Demokracia nuk është despotizëm i masave apo shumicave, por regjim i arsyes. Rouquié përfundon: “Për elitat liberale të Amerikës së Jugut, demokracia është e pamundur duke pasur parasysh gjendjen e shoqërisë, por është e pazëvendësueshme”, meqenëse justifikon pavarësinë. Dora që shkruan certifikatën e lindjes së shtetësisë së Amerikës Latine është gjithashtu ajo që lëshon dënimin e saj.

Krijohet kështu një duel i cili vazhdon të shenjojë jetën politike të Amerikës Latine. Nga njëra anë, mbështetësit e adaptimit të sovranitetit popullor në realitetin e hierarkive që konsiderohen sa të natyrshme edhe të pandryshueshme – me pak fjalë, të një demokracie pa barazi ose, për të përdorur shprehjen e Rouquié, “pa qytetarë”. Nga ana tjetër, një kamp që kërkoi të prishë rendin e vendosur duke u dhënë realitet konkret parimeve të shkruara në kushtetuta.

Ky strukturim i hapësirës politike ndodh brenda kornizës së një integrimi unik në sistemin ekonomik botëror. Ndryshe nga kolonitë e Amerikës së Veriut, “pa kushtet gjeologjike dhe klimatike, si dhe popullsitë vendase të nevojshme për të krijuar ekonomi eksporti”, siç shpjegon ekonomisti Andre Gunder Frank, Amerika Jugore i siguroi Evropës lëndët e para të nevojshme për revolucionin industrial dhe konsumoi produktet e gatshme.

Oligarkia kreole nuk e shihte pavarësinë si diçka që e privon nga pasuria. Ajo bazohet në parimin që ngre velat e anijeve transatlantike: tregtia e lirë. Në këto kushte, “transferimi i pushtetit nuk nënkupton një transformim të shoqërisë, shprehet intelektuali kilian Luis Vitale. Ndërsa në Evropë, liberalizmi i ka shërbyer borgjezisë industriale kundër oligarkisë, këtu ai është regjistruar nga të njëjtët pronarë kundër monopolit spanjoll. Atje ai i shërbeu kauzës së proteksionizmit industrial; këtu, tregtisë së lirë.”

Guximi i Salvador Allende

Si “e pavarur”, Amerika Latine forcoi dinamikën ekonomike që e vasalizonte atë. Nuk e kishte gabim konti britanik Charles Canning, i cili në një letër të datës 17 dhjetor 1824 shkroi: “Amerika spanjolle është e lirë dhe nëse e marrim siç është, ajo është angleze”.

Ështe mbyllur në të njëjtën mënyrë në grackën ekonomike të nënzhvillimit: përqendrimi i pasurisë, dobësimi i tregut të brendshëm dhe aparati i dobësuar industrial. Një zinxhir nga i cili ajo ende nuk e ka çliruar veten, edhe pse fillimi i shekullit të XX u shënua nga përpjekje të ndryshme në këtë drejtim.

Kur Lufta e Parë Botërore, pastaj kriza e vitit 1929, sollën një ndërprerje në flukset që strukturojnë tregtinë ndërkombëtare, shumica e vendeve zgjodhën një fazë të njohur si “zëvendësimi i importeve”, që synonte favorizimin e industrisë vendase. Sidoqoftë, ky proces karakterizohet nga dy kërkesa. Para së gjithash, mosndryshimi i strukturave sociale. Por, pa një rishpërndarje të pasurisë, tregu i brendshëm nuk është i aftë të prodhojë një kërkesë që mund të nxisë prodhimin. Prandaj, kjo përqendrohet vetëm në mallrat e konsumit të destinuara për familje me të ardhura shumë të larta: veshje, këpucë, pajisje elektronike etj. Tejkalimi i kësaj vështirësie do të kërkonte zgjedhjen e një mënyre industrializmi ku shteti – dhe jo kërkesa e konsumatorit – përcaktonte se cilat mallra thelbësore duhet të prodhoheshin. Kërkesa e dytë që përcaktoi përpjekjen për ta zhvilluar industrinë ishte që të mos prishte logjikën e tregut. Nëse vendet e Amerikës Latine nuk arrinin një nivel të mjaftueshëm zhvillimi për të prodhuar mallrat kapitale, duhet t’i importonin: “Ata zëvendësuan një lloj importi me një tjetër”, përfundon Gunder Frank. Në një letër që ai dëshironte t’ia dërgonte “Amerikanëve të Veriut” në 1964, shkrimtari meksikan Carlos Fuentes përmblodhi: “Ky kapitalizëm naiv dhe liberal është vendosur mbi strukturat feudale pa i shkatërruar ato. Ai la në mëshirë të fatit masat e mëdha të fshatarëve dhe punëtorëve dhe rezervoi progres për një pakicë urbane. Kjo pra është Amerika Latine: një kështjellë e rrënuar feudale me një fasadë kartoni kapitaliste”.

Një kështjellë feudale, një ekonomi që tregtia e lirë e dënon me nënzhvillim dhe një afërsi e pakëndshme me Shtetet e Bashkuara, të cilat e konsideruan Amerikën Latine si “oborrin e shtëpisë” së tyre…Asgjë nuk tregoi se rruga e emancipimit do të shtrohej me trëndafila. Intelektualët që sapo cituam – Frank, Fuentes, Vitale – nuk qenë të pavetëdijshëm për këtë. Rryma politike që ata mishërojnë flet në gjuhën e viteve 1960 dhe 1970: “Nuk ka demokraci të mundshme me barkun bosh, kokën bosh, shtëpitë bosh“, shkruajti Fuentes në letrën e tij. Demokracia nuk është shkak: është rezultat. Poshtë “demokracia formale, pra: ajo jofunksionale dhe borgjeze, e cila qeveris shoqëritë e rajonit dhe të cilat nuk pranojnë ta konsiderojnë atë si një mjet për të ndryshuar botën. Rroftë “demokracia e vërtetë”: qëllimi drejt të cilës çojnë proceset e emancipimit. Dhe shumë keq për kutinë e votimit, sepse vetëm një revolucion do të lejojë që republikat e Amerikës Latine të sjellin idealet që i lindën ato. Edhe nëse do të thotë të paguash çmimin: “Revolucioni!”, Pëshpëriti Fuentes. Ju merrni parajsën si dëshmitar, shtrëngoni duart dhe qani për dhunën dhe gjakderdhjen. Po, për fat të keq, klasat sunduese të një vendi feudal nuk mund të bindeshin kurrë se fundi i tyre kishte ardhur”.

Vendosmëria e këtyre autorëve ishte edhe më e zbutur pasi panë fatin e Juan Domingo Perón në Argjentinë (1946-1955), Getúlio Vargas (1951-1954) dhe më pas João Goulart (1961-1964) në Brazil. Ose Juan Bosch në Republikën Dominikane (1963). Këta udhëheqës donin t’u jepnin një vend atyre që mbetën pas pa prishur hierarkitë shoqërore – “të bësh revolucion para se njerëzit ta bënin atë”, përmbledh Rouquié.

Tashmë ishte e tepërt. Të gjithë u përmbysën nga ushtria me arsyetimin se kërcënonin demokracinë thjesht sepse kishin sfiduar rendin e vendosur.I njëjti pretendim për të mbrojtur sovranitetin popullor justifikon prononcimet ushtarake gjatë viteve 1970 dhe 1980. « Të gjithë ata që, si ne, besojnë në demokracinë pluraliste po bëjnë një luftë kundër mbështetësve të totalitarizmit, një luftë për liri dhe kundër tiranisë », tha Admiral Emilio Massera, anëtar i ushtrisë që mori pushtetin në Buenos Aires në 1976, në një fjalim më 2 nëntor të atij viti. Në zemër të përplasjes Lindje-Perëndim, anti-komunizmi ngre mbrojtjen konservatore të privilegjit në shkallën e një lufte universale: një “luftë e tretë botërore” kundër “materializmit dialektik dhe sindikalizmit idealist”, shpjegon Massera. Ai ndihmon gjithashtu në sigurimin e mbështetjes së vlefshme të Shteteve të Bashkuara.

Ardhja në pushtet e kilianit Salvador Allende në 1971 shënoi një pikë pushimi. Për të, të dy demokracitë – formale dhe reale – mund të pajtohen, ritet zgjedhore i shërbejnë idealit të cilit i referohen. Ambicia e tij zgjon entuziazëm brenda një të majte e cila ka hequr dorë nga lufta e armatosur, por jo nga shpresa. Të gjithë i kanë sytë nga Santiago, duke përfshirë edhe presidentin e ardhshëm socialist francez, François Mitterrand. Qoftë i bindur apo jo sinqerisht, ky i fundit shpjegon arsyet e kësaj magjepsje gjatë një udhëtimi në Amerikën e Jugut: “Kili është një sintezë interesante dhe origjinale. Në Francë, si një vend i përparuar industrial në zonën e ndikimit perëndimor, nuk ka gjasa që ndonjë veprim i dhunshëm të mund të zhvillohet pa u shtypur nga forcat e borgjezisë. Nga ana tjetër, lëvizja popullore mund të mendojë ta fitojë atë me mjete ligjore: falë votimit universal dhe presionit nga punëtorët e sektorëve në krizë. Bëhet fjalë për t’u treguar francezëve se kjo rrugë është e mundur.» (Le Monde, 14-15 nëntor 1971).

Por, në sytë e klasave sunduese, guximi i Allende justifikon shkatërrimin e demokracisë në emër të demokracisë: “Unë gjithmonë kam respektuar dhe admiruar demokracinë si një koncept politik, shpjegon gjeneral Augusto Pinochet i cili rrëzoi Allende në 1973. Pavarësisht virtyteve të saj, megjithatë, pa adaptim adekuat, ajo u tregua tërësisht e paaftë për t’iu kundërvënë komunizmit. Të njëjtat shkaqe prodhojnë të njëjtat efekte. Më 1978, vetëm Kolumbia, Venezuela dhe Kosta Rika i shpëtuan diktaturës. Kolumbia, megjithatë, jetoi me ritmin e një lufte të përgjakshme civile dhe Venezuela, nën regjimin e “paktit” të Puntofijos, të përfunduar në 1958, me të cilën të dy partitë kryesore politike ndanë pushtetin.

Teoricienët e dorëheqjes

Sidoqoftë, regjimet autoritare ranë njëri pas tjetrit gjatë viteve 1980, duke nisur një fazë “tranzicioni”.  Por ‘demokracitë e rikthyera’ nuk janë regjime përfaqësuese si të tjerët, vëren Rouquié. Ata janë trashëgimtarë të diktaturave, kur nuk janë të burgosurit e tyre”. Në Kili, Kushtetuta e trashëguar nga Pinochet  e cila konfirmon orientimin neoliberal të ekonomisë, privatizimin e universiteteve, i mbijetoi regjimit të tij dhe nuk u shfuqizua deri në një referendum të mbajtur në 2020.

Këto tranzicione “pakt” e vendosin demokracinë nën kontroll, pasi forcat e armatosura – për të cilat është rënë dakord se nuk do të ndiqen penalisht – qëndruan në pritë. Në 1987 dhe 1988 Argjentina përjetoi tri kryengritje ushtarake. Në Kili, ish-presidenti i Federatës Botërore të Rinisë Komuniste dhe këshilltari i Presidentit Ricardo Lagos (2000-2006), z.Ernesto Ottone, tha: “Ne pyetëm veten: ‘Cili është qëllimi minimal që aspirojmë të arrijmë në këtë mandat të Lagos?” Përgjigja ishte jashtëzakonisht minimaliste: “Le të rrijë gjashtë vjet siç u parashikua dhe të largohet” Si? Duke konceptuar betejat politike “brenda një kornize që nuk e rrezikon unitetin thelbësor të Kilit dhe garanton qeverisje demokratike”. Kjo nënkupton dorëheqjen nga çdo projekt që mund të riprodhojë shkaqet e një tragjedie të ngjashme me atë të vitit 1973 “.

Dorëheqja kushton më pak pasi elitat politike dhe ekonomike, të cilave z.Ottone dhe bashkautori i tij Sergio Muñoz Riveros (ish këshilltar i Presidentit Michelle Bachelet), bien dakord mbi meritat e transformimeve të bëra nga diktaturat. “Ishte e nevojshme të njihej, qoftë edhe indirekt, pjesën që ka zënë politika e diktaturës në shfaqjen e një dinamike të rimëkëmbjes ekonomike pas dështimit të periudhës 1970-1973, shprehen dy ish-aktivistët komunistë. Edhe nëse është e vështirë, duhet pranuar që në disa çështje në lidhje me funksionimin e ekonomisë moderne, profesorët ishin ‘në trotuarin përballë’ “.

E njëjta gjë ndodh në një botë intelektuale e cila ka humbur personalitetet e saj më radikale ndaj plumbave të diktaturave ose që është bindur se reagimi ushtarak ishte provokuar nga një periudhë e paarsyeshme kolektive: “Ne të gjithë mbajmë një pjesë të përgjegjësisë në ndaljen e demokracisë së Kilit ”, shpallin ish-presidentët Patricio Aylwin (1990-1994) dhe Ricardo Lagos (2000-2006) gjatë kremtimit të tridhjetë vjetorit të vdekjes së Allende. Një bindje që Muñoz Riveros dhe Ottone përpiqen të përhapin duke qenë se “Revolucioni socialist është një mit i rrezikshëm që çliron Leviathanin totalitar kur ka sukses, e terrorizmin kur dështon”, shprehet gazetari mjekrosh. Krijohet kështu një teori e ashtuquajtur “dy demonësh”, sipas së cilës mbështetësit e mishërimit të ektremit të majtë komunist dhe të ekstremit te djathtë nacionalist janë njëlloj fajtorë për ardhjen e diktaturave. I pari ka bërë gabim duke zgjuar të dytin.

Prandaj, tranzicionet janë të kujdesshëm për të mos e “çliruar monstrën Leviathan”. Edhe nëse kjo do të thotë të jesh i kënaqur me një botë ku mosfunksionimet që kishin shkaktuar shpërthimin popullor po përkeqësohen. Që ruan gjithashtu shtyllat e saj themelore: pabarazitë sociale, nënshtrimin ndaj tregtisë së lirë si dhe diktatit të Uashingtonit. Me pak fjalë, një botë e cila gjithmonë dështon të mbledhë kushtet e nevojshme për demokracinë e vërtetë. “Një në dy fëmijë është në një situatë varfërie në vendin tonë” tha Alberto Fernández gjatë fjalimit të tij përurues për presidencën argjentinase në 10 dhjetor 2019. Kur buka mungon, nuk ka mundësi për demokraci. “Për të gjithë ata që besojnë ende në sovranitetin popullor, gjithçka mbetet për t’u bërë…Duke vënë në dukje se institucionet që rezultojnë nga tranzicionet e “paktit” nuk lënë hapësirë për kërkesat e njerëzve dhe se proceset zgjedhore më shpesh çojnë në tradhti të premtimeve, disa dalin në përfundimin se politika zhvillohet diku tjetër: në rrugë, larg insitucioneve të politikës. Ato bazohen në shembullin e demonstruesve bolivianë të cilët, në fillimin e viteve 2000, korën fitore të rëndësishme kundër planeve për privatizimin e ujit dhe gazit. John Holloway e përshkruan këtë strategji – të miratuar nga Zapatistas në Chiapas, Meksikë, për shembull – në librin e tij Ndryshimi i Botës Pa Marrë Fuqinë, botuar në 2002.

Kritikët e një përqasje që konsiston në largimin nga pushteti të konservatorëve, të tjerët riushqejnë një shpresë të vjetër: idenë që, megjithë kufizimet e saj, rruga zgjedhore do ta shkulte Amerikën Latine nga kështjella e saj feudale. Duke njoftuar që në fillim se nuk do të jetë e mjaftueshme, si “Lula” në 1985: “Ne po përpiqemi të luajmë sipas rregullave të lojës së demokracisë. Ne besojmë se Parlamenti nuk është një qëllim në vetvete, por vetëm një mjet. Ne do të përpiqemi ta përdorim sa më shumë që të jetë e mundur. Në rast se perceptojmë që përmes rrugës parlamentare, përmes rrugës krejtësisht elektorale, nuk do të vijmë në pushtet, unë marr përgjegjësinë t’i them klasës punëtore se ata duhet të kërkojnë një rrugë tjetër”. Ose me kushtin e disa lëshimeve në parime, siç vetë ” Lula” pranon pas dy mandateve presidenciale : ” Edhe nëse Jezusi do të vinte në Brazil, atij do t’i duhej të bënte aleancë me Judën”.

Kështu ndodhi që udhëheqësit e vendosur për të “demokratizuar demokracinë” u zgjodhën gjatë një “vale të kuqe” që përfshiu Amerikën Latine: Chávez në Venezuelë (1998), “Lula” në Brazil (2002), Néstor Kirchner në Argjentinë (2003), Morales në Bolivi (2005), Correa në Ekuador (2006), Cristina Fernández në Argjentinë (2007), Rousseff në Brazil (2010) …

Ashtu si Icarus duke u ngritur, ata po përpiqen – me shkallë të ndryshme suksesi- t’i sjellin shoqëritë e tyre më pranë idealit demokratik: të zvogëlojnë pabarazitë; t’i shndërrojnë të braktisurit në qytetarë; të formësojnë shtete të afta për t’i përmbushur nevojat e popullsisë… Progresi shoqëror dhe ekonomik i regjistruar gjatë kësaj periudhe është dokumentuar me bollëk, si në Le Monde Diplomatique. Papritmas, votimi rimerr kuptim. Në studimin e saj vjetor mbi marrëdhëniet e Amerikës Latine me demokracinë në 2010, kompania Latinobarómétro vëren se “që nga viti 2007, mbështetja e publikut për demokracinë është rritur në mënyrë të vazhdueshme. Kjo është hera e parë që kur kemi filluar të përdorim këtë tregues satisfaksioni me demokracinë [në 1995] që një rritje e vazhdueshme ka ndodhur për katër vjet me radhë”.

Por, sa më shumë përparon demokracia, aq më shumë kërcënohet. Për shkak se nuk i shpëton mbizotëruesve, thellësia e së cilës i dënon. Ata reagojnë. Grusht-shtet ushtarak, shkarkime, përpjekje për përmbysje, bllokime ekonomike nga punëdhënësit: shumica e vendeve preken. Përfshirë Brazilin, ku “Lula” dhe znj.Rousseff dalloheshin për frymën e tyre të pajtimit. Dhe kur një ndryshim ndodh më në fund, konservatorët përfitojnë nga ngritja në pushtet për t’i sulmuar ish-kundërshtarët e tyre. Kështu që udhëheqësit progresistë – ose ata nga lëvizjet progresiste – ende në vend, kapen pas posteve të tyre, edhe nëse kjo do të thotë marrje lirish me kërkesa demokratike. Më 4 nëntor 2016, Presidenti i Venezuelës Nicolás Maduro u shpreh për kundërshtarët e tij: “Ata nuk do të shkelin kurrë në pallatin presidencial të Miraflores: as me fletëvotime as me plumba”.

Grushte shteti dhe shkarkime…

Në vitin 2002, Chávez u përmbys me një grusht shtet ushtarak. Presidenti i vetëshpallur, udhëheqësi i federatës së sindikatave të punonjësve Pedro Carmona shpërbëri Asamblenë Kombëtare, organet përbërëse, shkarkoi guvernatorët dhe kryetarët e bashkive. Para se një mobilizim popullor t’i prishte operacionin. Në atë kohë, trashëgimtarët e Fuentes që rrotulloheshin rreth Chavez-it e këshillojnë atë që të shfrytëzojë rastin. “Opozita ka treguar se nuk e respekton vullnetin popullor; tani është koha e përkryer për t’i pezulluar zgjedhjet. Kështu do të keni kohën e nevojshme për t’i zbatuar të gjitha transformimet e nevojshme në mënyrë që më në fund të vendosni sovranitetin popullor në Venezuelë”, i thonë gjatë një skene të raportuar për ne nga njëri prej tyre, me origjinë braziliane. Chávez e hedhi poshtë idenë. Ai i falë ata që e rrëzuan me shpresën se më në fund do t’i pranojnë rregullat e lojës. Por ish-puçistët preferojnë të komplotojnë, ndërsa akuzojnë njeriun që i kurseu nga burgu për një “devijim autoritar”. Devijim të cilin metodat e tyre e ndihmuan të arrihet.

Icarus ngrihet, pastaj bie. Dhe lind pyetja: si ndërtohet demokracia me jodemokratë?