SI I RIMBURSON DREJTËSIA AMERIKANE VIKTIMAT?
Disa jetë më të çmuara se të tjerat

Kur dikush pëson një dëmtim, drejtësia duhet të vendos shumën e rimbursimit që personi duhet të marrë. Në Shtetet e Bashkuara, për këtë gjë, drejtësia mbështetet në disa kritere: si paga e tij, jetëgjatësia … Pabarazitë që ekzistojnë në shoqëri ndikojnë mekanikisht mbi kompensimet, aq sa një noter paguhet më shumë se një infermier, një i bardhë më tepër së një njeri me ngjyrë, një burrë më tepër se një grua etj...

331

Kur ajo u vendos bashkë me të shoqin në maj të vitit 2011 në një apartament të saporinovuar të Bruklinit, në Nju Jork, znj. Niki Hernandez-Adams ishte shtatzënë. Pesëmbëdhjetë muaj më vonë, një analizë  rutinë mjekësore zbuloi te i porsalinduri nivele aq të larta të  plumbit në gjak  sa që pasojat në shëndetin e tij ishin të pakthyeshme. Nëna e re vendos të bëjë padi ndaj pronarit të apartamentit me qëllim përfitimin e një kompensimi ndaj dëmit të shkaktuar dhe interesave. (compensatory damages)[1]

Pas një beteje gjyqësore prej katër vjetësh, pronari u shpall fajtor (2). Gjykata duhet të vendosë shumën e zhdëmtimit që do të përfitojë viktima. Për këtë gjë, gjykatësit dhe anëtarët e jurisë u mbështetën në dëshmitë e ekspertëve të ngarkuar nga paditësi, nga njëra anë, dhe nga i akuzuari, nga ana tjetër, në mënyrë që të vlerësonin dëmin ekonomik të shkaktuar, ku përfshihen shpenzimet e mundshme mjekësore apo dhe të funeralit, dëmet materiale si dhe të ardhurat e humbura nga një plagosje, ndonjë handikap apo vdekje. Me qëllim që të mbështesin vlerësimet e tyre, ekspertët marrin në konsideratë kritere, me gjasa, objektivë si: paga e viktimës (ose e familjes së saj, nëse bëhet fjalë për një fëmijë), numri e viteve të punës që duhet të kryejë në vazhdim, jetëgjatësia… Mekanikisht, pabarazitë që ekzistojnë në shoqëri ndikojnë në shumën për dëmtimin dhe interesat. Një pastrueseje të goditur nga një makinë që do t’i ndalohej puna për tre muaj, i propozohet një zhdëmtim më i vogël sesa një agjenti imobilar në të njëjtën gjendje. 

Në rastin e djalit të znj. Hernandez-Adams, avokatët e familjes kërkuan diku tek 2,5 – 4 milionë dollarë, ose sipas  vlerësimit të tyre, shumën që viktima do të kishte fituar gjatë jetës së vet nëse nuk do të ishte helmuar me plumb. Mbrojtësit e pronarit të banesës bëjnë një tjetër përllogaritje. Fëmija, meqë ishte me origjinë hispanike, argumentuan ata, kishte pak mundësi të kryente studimet dhe të ndërtonte një karrierë që do t’i lejonte të mblidhte një shumë të tillë. Ata propozojnë një zhdëmtim më të ulët: diçka tek 1,5 -2,5 milionë dollarë. Avokati i viktimës replikon duke pohuar se « popullsia hispanike ka një prirje më të fortë për të arritur një nivel arsimimi më të lartë se ai i prindërve të tyre ». Juria vendos për një zhdëmtim prej 1,9 million dollarësh, pas përjashtimit kategorik të kriterit racor – diçka jo fort e zakonshme në gjykatat amerikane – nga gjykatësi Jack B.Weinstein. « Kategoria  hispanike është shumë e përgjithshme. (…) ka profesorë dhe kopshtarë (…) nuk mund ta konsideroni fëmijën  sipas mesatares të  hispanikëve,  por duhet të merrni në konsideratë karakteristikat specifike, si diplomat e nënës, vendin ku ajo jeton, familjen e saj, etj…», – i urdhëroi ai anëtarët e jurisë. 

« Diskriminimet janë të pranishme kudo »

Gjithashtu, drejtësia autorizon marrjen për bazë të seksit dhe të racës së një viktime, dhe për më shumë, atë të nivelit të saj social në përllogaritjen e dëmit dhe të interesave. E thënë ndryshe, për të njëjtin dëm dhe me një status social të barabartë, gratë dhe minoritetet përfitojnë më pak sesa burrat dhe se të bardhët. « Dizavantazhet e njerëzve me ngjyrë dhe grave në Shtetet e Bashkuara në qasjen e tregut të punës reflektohen në shumën e rimbursimit që ata marrin», përmbledhin juristët Ronen Avraham dhe Kimberly Yuracko. (2) Në vitin 2019, në Shtetet e Bashkuara, të ardhurat mesatare të femrave paraqisnin 82,3% të atyre të meshkujve; të  ardhurat e njerëzve me ngjyrë, 74,9% të atyre të meshkujve të bardhë; një mashkull aziatik fitonte mesatarisht 30% më shumë se një mashkull i bardhë (2), etj. Të gjitha këto të dhëna, të mbledhura nga administrata, u transformuan në tabela që shërbejnë si referencë për vlerësimet e ekspertëve, veçanërisht kur viktimat janë të reja dhe pa ndonjë historik karriere.

Pjesa më e madhe e negociatave midis paditësit dhe të akuzuarit bëhen me dyer të mbyllura dhe është e zorshme të masësh në mënyrë të saktë peshën e këtyre tabelave. Ndodh që gjykata hedh poshtë përdorimin e kritereve të seksit dhe racës, siç qe rasti për fondin e zhdëmtimit të viktimave të 11 Shtatorit, që nën presionin e të zgjedhurve dhe shoqatave, vendosi të mbështetet në tabelat mashkullore dhe tabelat e të bardhëve – më të favorshmet – për të gjitha viktimat. « Praktika [për të diskriminuar sipas seksit dhe origjinës etnike] është e përhapur, por jo sistematike », na shpjegon Martha Chamallas, profesoreshë e së drejtës në universitetin e Ohajos dhe autore që në vitin 1994, të punëve të para mbi këtë temë. Në vitin 2009, 92% e ekspertëve të pyetur nga Shoqëria kombëtare e ekonomistëve juridikë (National Academy of Forensic Engineers, NAFE) deklaronin se merrnin  në konsideratë gjininë e viktimës, dhe 44,1% atë të racës. « Po të më pyesni nëse diskriminimet racore janë të përhapura në sistemin gjyqësor, do t’ju thoja që po, janë të pranishme kudo », deklaron vetë z. Lee Merritt. Ky avokat që aderon në gjirin e lëvizjes Black Lives Matter (« Jeta e njerëzve me ngjyrë vlen »), krahason dy raste të fundit. « Në korrik të vitit 2017, Justine Damond, një profesoreshë joge australiane dhe e bardhë, u vra nga një polic me ngjyrë në Minneapolis. Meqë ishte punëdhënëse e policit, bashkia e Minneapolisit i akordoi familjes së viktimës, në maj të vitit 2019, një zhdëmtim rekord prej 20 milionë dollarësh ». Në të njëjtën moment, z. Merritt mbronte familjen e Jordan Edwards, një adoleshent me ngjyrë që u vra nga një polic i bardhë nga Dallasi në prill të vitit 2017. I deklaruar fajtor, agjenti mori një dënim prej pesëmbëdhjetë vitesh burg. Por bashkia e qytetit, vazhdon të refuzojë çdo lloj forme zhdëmtimi. 

Një kundërshtim gjithmonë e në rritje

Marrja në konsideratë e kritereve të  mjedisit shoqëror, e racës dhe  seksit vlen sa një formë me dënim të dyfishtë. Familjet e varfëra, midis të cilave minoritetet  janë të mbipërfaqësuara, rrezikojnë p.sh të pësojnë një ekspozim ndaj plumbit më tepër se shtresat e kamura : ato janë gjithnjë  të detyruara të zgjedhin lagjen dhe  strehimin e tyre, ndërsa aktivitet ndotëse vendosen më shpesh në territorret e populluara, ku pushteti i politikës (pra pushteti i opozitës) së banorëve është i dobët… Pastaj në rast helmimi, ato zhdëmtohen më pak. Avraham dhe Yuracko vlerësojnë faktin se marrja në konsideratë e tabelave demografike në përllogaritjen e zhdëmtimeve dhe interesave, do mund të nxiste ndërmarrjet që të përqëndronin rreziqet në lagjet jo të bardha dhe të varfra. Për të vërtetuar hipotezën e tyre, ata paraqesin rastin (fiktiv) të një ndërmarrjeje shpërndarëse PhedEx që do të kishte  interes t’i nxiste shoferët e saj  t’i jepnin makinës më ngadalë në lagjet e të bardhëve – meqë atje penalitetet financiare në rast aksidenti  janë më të larta – dhe  të përshkonin sa më shpejt rrugët e tyre,  të përzgjidhnin itineraret që kalonin në lagjet e njerëzve me ngjyrë, duke shtuar njëkohësisht sikletet dhe rrezikun. 

Po aq të përhapura sa dhe diskrete, këto praktika diskriminuese ranë në  sy kohët e fundit. Në vitin 2016 senatorët demokratë Cory Booker dhe Kirsten Gillibrand depozituan një projek-ligj, The Fair Calculation Act, që synonte të ndalonte përdorimin e kritereve të racës dhe të gjinisë në rangun federal. Por teksti nuk u mor kurrë në konsideratë. Lëvizjet Black Lives Matter dhe #MeToo e zgjeruan më shumë kundërshtinë e këtyre praktikave diskriminuese, duke denoncuar pabarazitë social-ekonomike që janë në themel të pabarazive të rimbursimit.

Në prill të vitit 2019, gjashtëmbëdhjetë organizata të mbrojtjes së të drejtave civile i dërguan një letër të hapur NAFE-së, duke i kërkuar që të dënojë publikisht marrjen në konsideratë të të dhënave mbi racën dhe gjininë në përllogaritjen e zhdëmtimeve për dëmtim moral apo fizik. Ato morën një refuzim kategorik. Në planin legjislativ, Kalifornia u bë në vitin 2019, shteti i tretë që e ndalon këtë praktikë, pas Karolinës së Veriut dhe Nju Xhersit. Në nivel federal, një projektligj i ri është duke u studiuar në Kongres që në muajin shtator. Edhe pse nuk ka asnjë shans që të votohet nga Senati – ku republikanët kanë shumicën – ai dëshmon përparime të pakta në debatin publik. Por janë të rallë zërat që rekomandojnë braktisjen e kriterit social. Mbetet në fuqi që, nëse dy adoleshentë vdesin në të njëjtin aksident me makinë, familjet e tyre mund të zhdëmtohen në mënyra të ndryshme, në bazë të profesionit të tyre apo dhe nivelit të studimeve. 

* Gazetar

[1] Këto rimbursime për dëme dhe interesa dallohen nga gjobat që mund t’u vihen autorëve të krimeve dhe vrasjeve. 

[2] GMM vs. Kimpson,n° 13-CV-5059, 30 korrik 2015. Cf. Gjithashtu Kim Soffen, « In one corner of the law, minorities and women are often valued less », The Washington Post, 25 tetor 2016. 

[3] Ronen Avraham dhe Kimberly A. Yuracko, « Torts and discrimination », Ohio State Law Journal, vol. 78, n° 3, Columbus, 2017.

[4] « Median usual weekly earnings of full time wage and salary workers », Bureau of Labor Statistics, United States Department of Labor, Washington, DC, tetor 2019.

[5] Michael Brookshire, Michael R. Luthy dhe Frank Slesnick, «A 2009 survey of forensic economists: Their methods, estimates, and perspectives », Journal of Forensic Economics, vol. 21, n° 1, Mount Union (Iowa), dhjetor 2009.