KUR BALLKANIZIMI FAVORIZON KLANIZMIN
Klientelizmi dhe identitetet e trazuara në Malin e Zi

Për herë të parë në historinë e tij, Mali i Zi po përjeton ndryshim pushteti përmes kutive të votimit. Nën drejtimin e z.Milo Gjukanoviq, ekipi në ikje ka qenë në mënyrë të njëpasnjëshme komunist, nacionalist panserb, rusofil; separatist, e pastaj atlantist dhe pro-evropian...Mazhoranca e re nuk i ikën dot logjikave të identitetit ose presioneve të jashtme që imponojnë një kornizë të ngushtë për rinovimin e pritshëm.

Për ta përballuar të ftohtin thumbues në fund të tetorit në një lartësi prej më shumë se 1700 metrash, militantët u mblodhën rreth një zjarri të madh. Ndodhemi në pllajën Sinjajevina, një Larzac i ri në malet e Malit të Zi verior. Ashtu si në pllajat franceze në mesin e viteve 1970, popullsia lokale, e mbledhur nga ambientalistët, kanë frikë se këto kullota të shkëlqyera do të shndërrohen në tokë ushtarake.

Qeveria në ikje dëshironte që kjo zonë e liqenit Savina Voda të shërbente si fushë për manovrim dhe shkatërrim të municioneve të vjetëruara”, shpjegon Milan Sekuloviq, themelues i iniciativës së qytetarëve Sauvons Sinjajevina në 2018. Fermat e rreth pesëdhjetë familjeve u kërcënuan, kur numri i fshatarëve vazhdoi të ulet për mungesë të ndihmës publike, investime në rrugë ose në energji elektrike. « Vendi ynë importon 80% të ushqimit të tij, ndërkohë që mund të zhvillojmë blegtori dhe vetëfurnizim ».

Pas goditjes së 30 gushtit 2020 dhe humbjes elektorale të një ekipi të vendosur që nga Jugosllavia komuniste, aktivistët po presin për angazhime të vendosura nga një qeveri e re nën presionin e jashtëm. Që nga viti 2017, ushtria malazeze është anëtare e trupave të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), sekretari i përgjithshëm i të cilit ka marrë një pozicion të paqartë. Më 21 tetor, z.Jens Stoltenberg iu përgjigj një gazetari: “Unë kam besim se ka mënyra për të pajtuar nevojën dhe për të mbrojtur natyrën dhe në të njëjtën kohë, për të trajnuar forcat e armatosura, gjë e cila është e rëndësishme për të gjithë aleatët“.

Në një vend i cili u bombardua nga aeroplanët e NATO më 1999, ndërsa ishte ende i bashkuar me Serbinë, gjatë luftës në Kosovë, tema mbetet më e ndjeshme. Mobilizon, përtej ambientalistëve dhe fshatarëve, ata që e quajnë veten kryesisht serbë, në krahasim me një pushtet të konfiskuar prej atyre që pretendojnë të jenë ekskluzivisht malazezë. Këto dy identitete janë të përafërta, madje sipas disave, të ngatërrueshëm me njëri tjetrin. Një automjet i zi i afrohet tubimit. Del nga automjeti një gjigant Peshkopi i Eparkisë së Budimlje-Nikshiq, numri dy në Kishën Ortodokse Serbe të vendit, z.Joanikije Miçoviq ecën fuqishëm drejt  njerëzve, me shkop të zbukuruar në dorë dhe mjekër të bardhë. Para se të fillojë fjalimin, ai dëshiron të pagëzojë vullnetarët në brigjet e liqenit të vogël.

Ky është një moment i rëndësishëm“, thotë ai. “Lufta e fundit kundër komunizmit dhe ajo që shkaktoi në Mal të Zi pas vitit 1945. Tani njerëzit po kthehen në besimin e tyre. Këta njerëz mbrojnë tokën, burimet e tyre natyrore, gjithçka që përbën jetën dhe mbijetesën e tyre. Ata gjithashtu mbrojnë trashëgiminë, historinë e tyre familjare”. Për të, kjo luftë ekologjike i bën jehonë një tjetre, e cila sapo ka përmbysur gjithçka: ajo e kryer për një vit kundër ligjit “për lirinë fetare”, e perceptuar si një mjet për shkatërrimin e Kishës Ortodokse Serbe, të manastireve të saj dhe vendet e lutjes. “Ata donin të na merrnin pronën, por edhe identitetin tonë. Nuk kishim zgjidhje tjetër përveç protestës”, tha peshkopi, i cili kaloi tre ditë në paraburgim në polici në maj të vitit 2020. “Kjo krijoi një bashkim midis njerëzve. Kishte njëqind mijë njerëz në rrugë, ekuivalenti i dhjetë milion demonstruesve në Francë”.

Si trashëgimtare e drejtpërdrejtë e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, kameleon politik mahnitës, Partia Socialiste Demokratike (Demokratska Partija Socijalista, DPS) e z.Milo Gjukanoviq mbeti në pushtet për tridhjetë vjet, megjithë ndryshimet e saj të njëpasnjëshme: partizane e më vonë kundërshtare e liderit serb Sllobodan Milosheviq, kundërshtare e më vonë mbështetëse e pavarësisë, rusofile pastaj atlantiste. Rastet e panumërta që prekën udhëheqësit e saj ose eksodi që preku rininë nuk çuan as në largimin e pushtetit nga duart e saj. Nga ana tjetër, DPS sapo ka rënë në një pikëpyetje identiteti, pasi deshi ta ndërtonte një Kishë Ortodokse Malazeze autoqefale në kurriz të Kishës Serbe, për të cilën shumica e popullsisë mbetet e lidhur: në regjistrimin e fundit, në 2011, 72% e banorëve e deklaruan veten ortodoksë, 19% myslimanë dhe 3% katolikë. Etnikisht, ortodoksët u vetëdeklaruan ose malazezë (45% e popullsisë) ose serbë (28,7%); 8.6% thanë se ishin boshnjakë dhe 4.9% shqiptarë (pa llogaritur abstenimet dhe rreth 15 opsione të tjera). Por shumë prej atyre që e deklarojnë veten malazezë ndjekin Kishën Serbe. Gjatë epokës komuniste ishte më mirë të quheshe malazez, të cilën e kishin bërë 90% e të anketuarve në regjistrimin e vitit 1948 dhe një tjetër 68% në atë të vitit 1981 (3.3% në atë kohë thanë se ishin serbë).

Një marinë për të huajt e pasur

Shfaqja e një identiteti kombëtar malazez të dallueshëm nga identiteti serb nuk është vetëm për shkak të faktorëve historikë ose gjeografikë, shpjegon specialisti gjeopolitik Amaël Cattaruzza: “Politika autoritare e Millosheviqit në Serbi dhe strategjia e bashkësisë ndërkombëtare (kryesisht Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian), të cilët u përpoqën ta izolonin regjimin serb, kontribuan në rritjen e radhëve të protestës sovraniste në Malin e Zi. Kjo e fundit arsyeton pretendimet e saj duke shfaqur një ide të caktuar për identitetin kombëtar malazez, herë bazuar në kritere etnike, herë në kritere civile”. Por pasi Milosheviqi u largua në 2000, procesi i copëzimit çoi në pavarësinë e Malit të Zi, i zgjedhur në 2006 nga 55% e votuesve, duke lënë jashtë kryesisht ata që e shihnin veten si serbë.

Çështja e identitetit fsheh një çështje sociale. Mbi të gjitha, Mali i Zi është thyer nga një zhvillim shumë i pabarabartë. Me një zonë ekuivalente me rajonin e Île-de-France për 620.000 banorë, ajo ka 66 milionerë, ndërsa një e katërta e popullsisë jeton në kufirin e varfërisë (më pak se 2,261 euro në vit në 2019 për person). Akoma më vendimtare janë pabarazitë rajonale, siç dëshmohet nga shkalla e papunësisë (në 2018, para krizës shëndetësore): 36.6% këtu, në rajonin verior që votuan për ndryshim; 3.9% në rajonin bregdetar.

Në brigjet e Adriatikut, 80 kilometra më në jug, marina e re e Porto Montenegros i përket një bote tjetër. Ish-kantieri i madh i anijeve Tivat, i cili ishte krenaria e flotës detare jugosllave, është shndërruar në një geto për të huajt e pasur: jahte me 165.000 euro javën, hotele prestigjioze, butiqe luksoze. Në Kotor, një gji unik me limanët e tij të egër, fshatrat e peshkimit dhe disa qytete mesjetare të klasifikuar si Trashëgimi Botërore nga Organizata  e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kombeve të Bashkuara (Unesco), kanë ndryshuar imazhin në dy dekada. Të tërhequr nga lehtësimet në taksa, investitorët e huaj kanë çimentuar vijën bregdetare pa marrë parasysh thesaret e saj natyrore dhe historike ose ligjet e urbanizmit.

Në prag të pavarësisë, kanadezi i pasur Peter Munk, themeluesi i Barrick Gold, prodhuesi më i madh i arit në botë, fluturoi mbi gji me një helikopter ushtarak të dërguar nga z.Gjukanoviq, atëherë kryeministër. Ai vështroi vendin e kantierit detar i cili ende punësonte gati pesëqind punëtorë. Të dy burrat nënshkruajnë një marrëveshje privatizimi: për 23 milion euro, shteti i ri jepte 30 hektarë. Pronar i fonderisë së aluminit në Podgoricë që nga viti 2005 – industria e vetme e madhe në vend – oligarku rus Oleg Deripaska mori pjesë në investime në atë që do të bëhej një Monako e re, së bashku me bankierin britanik Jacob Rothschild dhe oligarkun francez Bernard Arnault.

Në vendet e shkretuara nga ushtria jugosllave, qeveria malazeze favorizoi turizmin luksoz dhe investimet e huaja. Shihet gjithashtu që në Kumbor, në anën tjetër të gjirit, dy vajzat e presidentit të Azerbajxhanit Ilham Aliyev, Arzu dhe Leyla Aliyeva dhe vjehrri i saj Arif Pashayev ndërtuan një vendpushim luksoz. Ose në Gjirin Lushtica, ku ndërtoi rezidenca egjiptiani Orascom Development i kontrolluar nga miliarderi Samih Sawiris. “Pas të gjitha këtyre projekteve, si prapa projektit të autostradës, gjendet kompania Bemax, një nënkontraktor malazez i lidhur ngushtë me partinë në largim. Kjo perandori ka gëlltitur të gjitha kompanitë e tjera të ndërtimit në vend”, shpjegon znj.Vanja Çalloviq, drejtoreshë e Rrjetit për Afirmimin e Organizatave JoQeveritare (MANS), e cila lufton kundër korrupsionit dhe e cila ka bërë shumë zbulime që kanë mbetur ende pa epilog.

Projekte të tjera për hotelet, kazinotë dhe parqet janë të lidhura me rrjetet kriminale. Krijimi më i famshëm ndodhet pak më në jug të Budvës, në Bençiq. Hoteli Splendid organizoi dasmat e bukura të vajzës, pastaj djalit të “kumbarit” të vendit, z.Branislav Miçunoviq, në prani të shefit të lartë të vendit. Si shumë të tjerë, kjo ndërtesë u ndërtua “pa leje”, na siguron drejtoresha e MANS.

Bomba e vendosur para redaksisë

“Ata që janë në krye marrin pjesën më të madhe të korrupsionit“, thotë Milka Tadiq Mijoviq, gazetare, bashkëthemeluese e të përjavshmes së pavarur ‘Monitor’. « Për tridhjetë vjet, shumica e ndërmarrjeve publike janë privatizuar fshehurazi. Gjukanoviqi dhe familja e tij janë bërë njerëzit më të pasur në vend. Vëllai i tij Aleksandar, i cili ishte i papunë, kontrollon kapitalin e institucionit më të madh financiar të Malit të Zi : Prva Banka. Motra e tij Ana, e cila ishte gjykatëse gjatë privatizimeve, zotëron një nga firmat më të mëdha ligjore. Ndonjë investitor i huaj që nuk dëshiron të ketë probleme do të ketë interes të kalojë nëpër shërbimet e kësaj firme“.

Bomba të vendosura para redaksive, goditje me armë zjarri, fushata shpifëse të gazetave të afërta me DPS: zbulimet nga ‘Monitor’ ose të përditshmet e opozitës ‘Dan’ dhe ‘Vijesti’ u kanë krijuar shumë probleme gazetarëve kritikuese të pushtetit. “Që nga pavarësia, ka pasur më shumë se tridhjetë sulme fizike ndaj gazetarëve tanë“, thotë Mijoviq. « E përditshmja Pobjeda shkruajti mbi dyqind artikuj për ne. Më quanin “prostitutë” dhe “tradhtare e atdheut”. M’u deshën shtatë vjet për të fituar një proces gjyqësor. Shumica e këtyre sulmeve nuk janë ndëshkuar kurrë, gjë që nënkupton  se dora e pushtetit nuk është shumë larg”.

Ndryshimi i mazhorancës në Parlament nuk do të thotë largim i z.Gjukanoviq, i zgjedhur në presidencë në maj 2018 për pesë vjet. Në fazën e bashkëjetesës që po hapet, ai mban një rol dytësor, por jo të papërfillshëm. Kur e pyesim për shkallën e korrupsionit në vend, përgjigja e tij duket e përgatitur: “Ne jemi një komunitet i vogël dhe gjithçka është ekzagjeruar. Për më tepër, rrethanat janë të tilla që pushteti nuk ka ndryshuar këtu për tridhjetë vjet. Ata që aspirojnë ta zëvendësojnë qeverinë janë përpjekur ta diskreditojnë atë me të gjitha mjetet, duke përfshirë edhe fryrjen e rëndësisë së kësaj çështje. Nuk ka dyshim se ky problem ekziston; është gjithashtu e padiskutueshme që shteti po e merr atë seriozisht ». Ai reagon më fuqishëm kur përmendim disa raste që kanë mbetur pa përgjigje, të cilat mund të sugjerojnë një klimë pandëshkueshmërie: “Ky është një perceptim krejtësisht i rremë. Njerëzit shumë afër meje janë ndjekur penalisht dhe janë dënuar”.

Presidenti i referohet fatit të ish-krahut të tij të djathtë, z.Svetozar Maroviq, President i Shtetit të Serbisë dhe Malit të Zi nga 2003 deri në 2006 dhe numri dy në DPS. Me nofkën “Pashai i Budvës”, ai u arrestua për korrupsion dhe krim të organizuar më 2015, pastaj u dënua me dyzet e katër muaj burg, para se të arratisej në Serbi. I paraqitur si provë e luftës kundër krimit të organizuar, rënia e “klanit Maroviq” është interpretuar nga opozita si një zgjidhje hesapesh brenda pushtetit. “Gjëja më e rëndësishme tani do të ishte të kishim një gjyqësor të pavarur”, tha Mijoviq. Dhe unë jam i sigurt se nëse mund ta bëjmë këtë do të shohim shumë raste që dalin në lidhje me Gjukanoviq dhe familjen e tij”.

Për ta kuptuar ndjenjën e mosndëshkimit që pllakosi fushatën zgjedhore, ne hipim në një varkë në Liqenin e Shkodrës me z.Drazhen Ivanoviq, ish-kreu i gjashtëmbëdhjetë rojeve të parkut kombëtar që mbulon gjithë zonën e liqenit. Një perlë rajonale e biodiversitetit, me reputacion, si shtëpia e pelikanëve të rrallë të Evropës dhe qindra specieve të shpendëve, ky liqen i përbashkët me Shqipërinë dikur ishte i mbushur me krap, ngjala dhe peshq të tjerë delikatë. Për nëntë vjet, z.Ivanoviq gjurmoi gjuetarët pa leje që përdorin elektro-peshkim dhe metoda të tjera të ndaluara. Ai gjithashtu na tregon gjurmët e ndërtimeve pa leje që ishte në gjendje të bllokonte. I neveritur nga mungesa e burimeve dhe dobësia e sanksioneve përballë kërcënimeve që i kanoseshin shumë specieve, ai dha dorëheqje në fund të verës: “Për peshkatarët që abuzojnë, gjobat nuk do të thonë shumë; ata mund të paguajnë kur kapen. Plus, ne kemi vetëm pesë varka, shumë të ngadalta. Ligjet janë tragjikisht të modifikuara”.

Ekocidi dhe korrupsioni shkojnë dorë për dore

Një tjetër mrekulli e vendit, lumi Tara është vendosur nën mbrojtje të trefishtë: park kombëtar, klasifikim në Unesco dhe deklaratë e parlamentit. Kjo nuk parandaloi dëmet e pariparueshme, të kryera gjatë ndërtimit të autostradës që do të lidhë portin e Bar-it në Boljare (Serbi) dhe Beogradin. Nga Adriatiku në kufirin serb janë planifikuar 170 kilometra autostradë, me shumë struktura: rreth 40 tunele, dy herë më shumë ura. Tashmë, grumbujt e një ure për të kapërcyer relievin ngrihen 200 metra mbi kanionin e Moraçës. Një flamur i madh malazez mbulon njërën prej tyre, për të festuar përfundimin e kësaj etape.

Ky projekt nuk do ta kishte parë kurrë dritën e dritës pa investitorë të huaj. Banka kineze Exim ka dhënë hua 809 milion euro për shtrirjen e parë prej 41 kilometrash, të ndërtuar nga China Road and Bridge Corporation. I gjithë projekti duhet të ketë kushtuar 2.5 miliardë euro, ose ekuivalenti i gjysmës së pasurisë kombëtare të prodhuar çdo vit… Për z.Aleksandar Peroviq, kreu i organizatës mjedisore Ozon, ekocidi dhe korrupsioni shkojnë krah për krah. Ai po bën fushatë për qeverinë e re që të miratojë planifikimin ekologjik: “Kemi frikë se shoqëria po hyn në një periudhë revanshizmi dhe iniciativa jonë synon ta kapërcejë retorikën e rreme rreth dashurisë për atdheun. Një mbrojtje e vërtetë e atdheut duhet të fillojë me mbrojtjen e mjedisit të tij, të burimeve të brishta natyrore”.

Tani jemi në manastirin Cetinje, bastion i rezistencës shekullore kundër osmanëve dhe zemrës historike të vendit. Më 31 tetor, besimtarët janë grumbulluar jashtë për t’i bërë nderimet e tyre të fundit Amfilohije Radoviq, peshkopit të Kishës Ortodokse Serbe dhe figurë e protestës kundër regjimit në ikje. Brenda, disa udhëheqës të mazhorancës së re, duke përfshirë kryeministrin Zdravko Krivokapiq, qëndrojnë pranë arkivolit të hapur. Kryepeshkopi ortodoks u përfshi nga vala e dytë e Covid-19, e cila po prek brutalisht Ballkanin. Ai ka qenë një burrë me mjekër të gjatë dhe me sy  të errët dhe ka udhëtuar në vend në mënyrë të përsëritur për ta rindërtuar Kishën që nga emërimi i tij në 1990.

Evangjelizator, ai ishte gjithashtu një njohës i politikës, duke mbështetur z.Gjukanoviq kur u largua nga mentori i tij Milosheviq më 1997. Edhe pse i heshtur gjatë fushatës për pavarësi në 2006, ai u bë gjithnjë e më kritik ndaj pushtetit dhe shpërndarjes së parave që mblidheshin për bamirësi, maskuar nga ndërtimi i një nacionalizmi malazez të konsideruar fiktiv, përmes gjuhës ose fesë. Amfilohije kritikoi  gjithashtu presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe marrëdhëniet e tij me Kosovën.

Të nesërmen, më 1 nëntor, gjejmë të njëjtin entuziazëm në turmën e pamasë që pushton sheshin e katedrales së Podgoricës. Pa distancim fizik dhe masa të tjera, mijëra njerëz erdhën për të marrë pjesë në varrim dhe spontanisht u gjunjëzuan kur mbërriti kortezhi i varrimit. “Ne kemi humbur kryepeshkopin, pajtuesin e popullit”, tha Svetozar Paviçeviq, 95 vjet, i cili erdhi në këmbë nga fshati i tij. Ndërsa presidenti i Malit të Zi duket si i munguari i madh, një president tjetër shfaqet në radhët e para, së bashku me personalitete fetare nga e gjithë bota ortodokse. Kjo është hera e parë që Vuçiq viziton Malin e Zi që nga marrja e detyrës së udhëheqësit serb më 2014 (së pari si kryeministër, pastaj si president më 2017). Kjo ftohtësi e dukshme e marrëdhënieve me z. Gjukanoviq fsheh disa të përbashkëta: pushtet i padiskutueshëm, e njëjta shije për projekte të mbivlerësuara të financuara nga investitorë të huaj dhe e njëjta mënyrë e drejtimit të vendit si një çështje familjare, me pushtet mbi  institucione dhe media.

Një mazhorancë e re heteroklite

Në një intervistë me stacionin televiziv opozitar ‘Vijesti’, z.Vuçiq mbron lidhjet e fshehta që i atribuohen atij me presidentin malazez, ashtu edhe akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet e vendit: “Unë nuk jam ambasadorja amerikane për të treguzr se kush mund të hyjë në qeveri dhe kush nuk mundet”, thotë ai, për të treguar se nëse mund të ushtrohen presione të jashtme në Podgoricë, ato nuk vijnë nga Beogradi. Disa ditë më parë, ambasadorja e SHBA-së Judy Rising Reinke me të vërtetë i bëri thirrje publikisht Krivokapiq “për t’u siguruar që të emëruarit në qeverinë e re, veçanërisht në pozicione të ndjeshme në siguri, të kenë një lidhje të provuar me vlerat perëndimore, me sovranitetin e Malit të Zi dhe me linjën euroatlantike, e cila përfshin përgjegjësitë ndaj NATO-së”.

Për kryeministrin e ri i cili më parë kishte qenë profesor i inxhinierisë mekanike në Universitetin e Podgoricës, formimi i një qeverie nuk ka qenë i lehtë. I zgjedhur nga kleri, ai udhëheq një ekip heteroklit që bashkon liberalët atlantistë dhe konservatorët e afërt me Serbisë, por edhe ambientalistë dhe ish-socialistë. Ai jo vetëm që nuk mund të mbështetet në një parti politike besnike, por gjithashtu duhet të përballet me skepticizmin e kancelarive perëndimore: “Pasi u zgjodhëm, askush nuk donte të fliste me ne”, na thotë ai. Nga mbrëmja e 30 gushtit, ne dërguam shtatë letra në përfaqësitë diplomatike, por askush nuk donte të na shihte. Ne ishim të mbërthyer nga etiketimet: “pro-rusë”, “pro-serbë”. U tha që po rrezikonim stabilitetin e rajonit, se Mali i Zi nuk ishte më një shtet i sigurt”.

Shumë shpejt, atij ju desh të qetësohej. Ende të varur nga Kisha, udhëheqësit kryesorë të mazhorancës së re u mblodhën në manastirin e Ostrog më 8 shtator për të miratuar një sërë angazhimesh që synojnë perëndimorët: forcimi i bashkëpunimit me NATO, zbatimi i reformave të nevojshme për pranimin në Bashkimin Evropian, respektimi i Kushtetutës dhe simboleve të shtetit (flamuri, himni), moskthim të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Pas këtyre marrëveshjeve të Ostrogut, ambasadori gjerman priti z.Krivokapiq: “Nuk ishte një takim zyrtar; nuk lëshuam asnjë deklaratë. Unë i tregova për përvojën time në vendin e tij. I thashë se Helmut Kohl ishte për mua mishërimi i demokracisë, çka unë ëndërroja për Mal të Zi dhe për çka mund të aspironim tani”.

Z.Gjukanoviq, njohës i modeleve perëndimore, vizitoi Berlinin më 7 tetor. Ai na përsërit paralajmërimin që u drejtoi kundërshtarëve të tij: “Nëse mazhoranca e re rrezikon shtetin, atëherë do të kishte probleme me të gjithë ata që respektojnë për dhjetë shekuj pavarësinë e Malit të Zi. Dhe ne do ta mbrojmë këtë me të gjitha mjetet. Nuk do t’i injorojmë ndërhyrjet që janë vërejtur me sy të lirë që nga viti 2016, kur Rusia vendosi ta bllokojë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Ne e shohim këtë ndërhyrje në praninë e fortë të parave të paligjshme, në ndikimin e fortë mediatik të Moskës përmes Beogradit dhe në përfshirjen e shërbimeve të inteligjencës”.

Vetëm më 4 dhjetor u bë e njohur përbërja përfundimtare e qeverisë alternative. Vështirësia kryesore qëndronte në emërimin e mundshëm si ministra të zyrtarëve të Frontit Demokratik – përbërësi kryesor i koalicionit “Për të ardhmen e Malit të Zi”, i cili bashkon 27 nga 41 deputetët që formojnë mazhorancën e re. Ata dyshohen për lidhje me Rusinë dhe Serbinë. Andrija Mandiq dhe Milan Knezheviq u dënuan me pesë vjet burg në rastin e “grushtit të shtetit” misterioz që synonte ta përmbyste pushtetin në 2016. Ata denoncuan këtë komplot dhe apeluan kundër vendimit. Por u desh të heqin dorë nga një pjesë e programit të tyre, si nga dalja prej NATO: “Donim një referendum për anëtarësimin, por nuk ka mazhorancë politike për këtë”, thotë z.Mandiq.

I preferuari i Perëndimit, atlantisti liberal Dritan Abazoviq zbulon hilen që ka gjetur: “Unë nuk mendoj se Uashingtoni ka diçka kundër një qeverie eksperte”. Parlamenti pranoi një qeveri “teknike”, me z.Abazoviq si nënkryeministër…Përfaqësuesit e zgjedhur të Frontit Demokratik nuk reagojnë, duke shpresuar të përparojnë në çështjet përparësore në sytë e tyre: hapësirë për ta reformuar thellë administratën dhe për t’i dhënë fund metodave të pushtetit të trashëguara nga komunizmi, thotë Mandiq. Ne gjithashtu duam t’i japim fund diskriminimit kundër serbëve, të cilët ishin përjashtuar nga postet publike. Në fund, ne duam të luftojmë kundër pandëshkueshmërisë dhe ta kalojmë një ligj lustracioni për t’i larguar njerëzit e korruptuar”.

Me krizën shëndetësore dhe pasojat e saj në ekonomi, kontradiktat e brendshme të mazhorancës së re dhe mbikëqyrjen e kudondodhur perëndimore, alternimi premton të jetë i vështirë. Sidomos pasi, në një klimë që është tensionuar shpejt me qeverinë, presidenti Gjukanoviq synon t’i përdorë të gjitha privilegjet e tij. Ai filloi vitin 2021 duke refuzuar të shpallte tekstet e para kryesore të miratuara nga parlamenti, duke përfshirë heqjen e dispozitave më të diskutuara të ligjit për lirinë fetare. Ky gjest simbolik – i cili detyron parlamentin për një votim të dytë – tregon se, pas tridhjetë vjetësh në krye të DPS-së dhe vendit, presidenti nuk ka frikë të shkaktojë ndarje për ta ruajtur pozicionin e tij.

*Beograd