AGON MALIQI, POLITOLOG
Kosova dhe Serbia në udhëkryqin gjeopolitik

Serbia realisht nuk ka gjasa të futet në BE deri në vitin 2030 e për rrjedhojë nuk ka kurrfarë presioni për ta njohur pavarësinë e Kosovës. E Kosova nuk ka hapësirë për më shumë kompromise. Rreziqet që i krijon stërzgjatja e këtij kontesti dhe izolimi i Kosovës mund të jenë fatale për rajonin.

397

– Le Monde Diplomatique-Shqip: Marrëveshja e Washingtonit midis Serbisë e Kosovës dhe arrestimet e para të Gjykatës Speciale ridinamizuan debatet gjeopolitike në Kosovë. Cila është arsyeja sipas jush?

Agon Maliqi: Nuk jam i prirur shumë për t’u hyrë konspiracioneve, por do të merresha me dinamikat strukturore që sollën në këtë moment. Partnerët tanë perëndimorë, madje edhe vetë shtetet brenda tyre (psh. SHBA) nuk janë faktorë homogjenë dhe as të njëtrajtshëm në politikat e tyre në dimension kohor. Politikat perëndimore vijnë në disa binarë që shpesh nuk puthiten me të njëjtat synime strategjike – shpesh ndeshen sidomos prioritetet e sigurisë me ato të demokratizimit. Marrëveshja e Washingtonit dhe aktivizimi i Gjykatës Speciale janë dy binarë politikë kohërash dhe ideologjish të ndryshme që u takuan në një moment sepse ju kishte ardhur koha të dyjave. Marrëveshja Kosovë-Serbi ishte një prej atyre gjërave në të cilat Administrata Trump kishte shpenzuar kohë dhe ajo u mundua t’ia jep një përmbyllje në fund të mandatit, sado të kufizuar në përmbajtje që ishte në fund. Gjykata Speciale është produkt i asaj erës së mëparshme të unitetit transatlantik dhe të prioritizimit të demokratizimit të rajonit, si parakusht për paqen dhe zhvillimin. Ajo u mboll para shumë vitesh dhe po i dalin tani frutet. A është përdorur Gjykata Speciale politikisht? Gjithsesi, disa gjëra krijojnë fije dyshimi. Në Kosovë, kjo punë u prezantua si luftë mes BE-së dhe SHBA-ve, madje edhe u nxit një diskurs i fortë anti-BE.Por ky është një shpjegim i thjeshtëzuar. Padyshim se ka çarje mes BE-së dhe SHBA-ve. Por kryeprokurori i Speciales është një amerikan i kontraktuar nga Departamenti i Shtetit. Të vërtetën ndoshta do të mund ta kuptojmë tek pas shumë vitesh, kur do të deklasifikohen dokumentet për zhvillimet e sotme. Gjithsesi, krijohet përshtypja se Kosova (apo më saktë Presidenti Thaçi) në atë moment qe njëfarë zhetoni gjeoplitik që u shkëmbye për diçka.

– Shumë zëra e vlerësuan Marrëveshjen e Washingtonit midis Kosovës dhe Serbisë në shërbim para së gjithash të interesave elektorale të administratës Trump, por edhe të interesave gjeostragjike dhe gjeopolitike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor? Si e vlerësoni marrëveshjen nga kjo pikëpamje?

Agon Maliqi

Agon Maliqi: Njerëzit parapëlqejnë rrëfime dhe shpjegime të thjeshta të zhvillimeve me politikanë dhe shtete të fuqishme që e dijnë se çfarë janë duke bërë, por realiteti është shpesherë shumë më kompleks, madje edhe banal. Padyshim, pak gjëra lëvizin pa ndonjë interes politik të vendimarrësve dhe kjo është normale.Në këtë kontekst, ishte e qartë se kishte ambicie personale të Grenellit për t’u dëshmuar para Trumpit si diplomat efektiv.Por kishte edhe dëshirë nga ana e Trumpit për ta prezantuar një sukses në politikën e jashtme dhe për ta ndërlidhur  me disa mesazhe qendrore të fushatës së tij (“fundi i luftërave”, “paqe me Izraelin” etj). Kjo është arsyeja përse marrëveshja në thelb ishte aq e cekët dhe sipërfaqësore. Dyshoj se diçka e tillë do të nënshkruhej në rrethana “jofushate”. Por është gjithashtu naive të mendohet se këtu qëndronte motivi kryesor dhe i vetëm i marrëveshjes. Fundja, në opinionin publik amerikan, kjo temë nuk mbeti në vëmendje as edhe një orë. Marrëveshja kishte edhe motive të qarta gjeopolitike. Mos të harrojmë se viteve të fundit ishin të angazhuar në përpjekjen për një marrëveshje përmbajtësore edhe elementet “joTrampiane” të shtetit. Kur John Bolton dha miratimin për shqyrtimin e mundësisë për korrigjimin e kufirit, ai nuk ishte vendim i tij personal, por ai kaloi nëpër sitën që quhet “interagency process”, ku mendimin e tyre e japin edhe institucionet e tjera, si Departamenti i Shtetit, ai i Mbrojtjes apo shërbimet e inteligjencës. Në këtë kontekst, angazhimi strategjik i SHBA-ve në Ballkan duhet kuptuar në kontekst të zvogëlimit të hapësirës për Rusinë për ta mbajtur peng rrugën e rajonit drejt NATO-së. Këtu, kontesti i pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë është nyja kryesore e problemeve në rajon. Ajo që në fund ishte më Trampiane në qasje ishte unilateralizmi dhe shpërfillja e BE-së, madje edhe konkurrenca ndaj BE-së. Mendoj se këtu qëndron ndoshta elementi kyç i angazhimit amerikan në rajon, ku nuk ka shumë dallim mes republikanëve dhe demokratëve. Kjo është bindja se rajoni nuk do të futet në BE për një kohë të gjatë dhe se prania e SHBA-ve është e vetmja që mund ta ruajë stabilitetin dhe ta mbajë larg ndikimin rus dhe kinez. Prandaj edhe elementet kryesore të marrëveshjes janë prania e re amerikane financiare, investimi në projekte (veçanërisht ato energjetike) që e sigurojnë pavarësinë e rajonit prej regjimeve autoritare. Element “Trampian” i marrëveshjes janë zotimet për rreshtimin e Kosovës dhe Serbisë me prioritetet e politikës së jashtme të Trump, deri edhe në Lindje të Mesme.

Rreziku kinez

– Lufta tregtare SHBA-Kinë-BE konsiderohet si një nga motivet kryesore të orientimit përmbajtësor ekonomik të marrëveshjes Kosovë-Serbi në Washington. Sa qëndron kjo?

Agon Maliqi:  Pa dyshim se Kina është njëri prej elementeve kryesore të shqetësimit amerikan në rajon dhe në nivel botëror ai është shumëfish më i madh se shqetësimi për Rusinë. Gjatë qëndrimit tim pesëmujor në Washington vitin e kaluar, mund të them se rreth 60 përqind e ngjarjeve nëpër institutet dhe “think tankat” amerikanë kishin për temë Kinën, rritja dhe synimet hegjemonike të së cilës shihen me ankth. Serbia po kthehet në qendër kryesore të pranisë së Kinës në rajon, qoftë përmes investimeve, kredive apo edhe blerjes së armëve dhe teknologjisë kineze, aq sa CSIS thotë se ka rrezik që Serbia të bëhet “shtet klient i Kinës”. Marrëveshja synon t’ia kufizojë Serbisë rrjetin 5G, të cilin tashmë e ka nisur me Huawei. Prania e re e zyrës së DFC amerikane në Beograd synon gjithashtu të krijojë mundësi financimi të projekteve infrastrukturore me mjete dhe me kompani amerikane në vend të atyre kineze. Në fakt, Kosova njëfarëdore ishte edhe karrem për Serbinë në këtë mes, sepse pjesa realisht më përmbajtësore dhe më me peshë në këtë marrëveshje janë elementet gjeopolitike.

“Lehtë është të shitet patriotizëm folklorik, por rajonit i duhet frymëmarrje ekonomike, sepse përndryshe të gjithë do të përfundojmë duke i valuar flamujt kombëtar si emigrantë në Evropë”

– Përderisa ithtarët e “Mini-Shengenit” ballkanik po e cilësojnë atë si mundësi për zhvillim ekonomik, kritikët në Kosovë po e vlerësojnë si projekt që do ta mundësoi “hegjemoninë” ekonomike të Beogradit (mini-Jugosllavi), apo si alternativë e dëmshme ndaj integrimit në Bashkimin Evropian?  

Agon Maliqi: Jam i prirur që projektit t’ia shoh përparësitë para rreziqeve, sepse kjo mendësia ku përqëndrimi është vetëm te përfitimet e Serbisë e ka ngujuar Kosovën në pikën e sotme të izolimit. Gjithsesi, meqë Serbia është pala më e interesuar për projektin, marrëveshja mundet dhe duhet të përdoret si njëri prej karremëve për njohje. Kosova nuk futet në diçka të tillë pa njohje. Së dyti, në rrethanat aktuale, Kosova ëshë ajo që vuan më së shumti nga barrierat e tregtisë, të cilat projekti do të mund t’i hiqte. Së treti, pak kush flet për faktin se projekti do të ishte edhe shkrirje e kufijve mes shqiptarëve (në Maqedoni, madje nacionalistët e kritikojnë si krijim të ‘Shqipërisë së Madhe’). Gjithsesi, nuk duhet pasur iluzione për ambiciet hegjemoniste të Serbisë dhe kjo marrëveshje gjithsesi do të duhej të negociohej mirë për t’i mbrojtur interesat e Kosovës. Por kjo frika nga mbisundimi (edhe pse e kuptueshme nga përvoja) më duket se e projekton njëfarë inferioriteti të panevojshëm. Në kontekst të shkrirjes në BE, a nuk do të ishim po aq të ekspozuar ndaj ekonomisë së Serbisë? Gjithsesi, nuk po them se projekti nuk ka rreziqe, por për t’i zbutur ato nevojitet bashkërendim dhe raporte të mira mes shqiptarëve në rajon. Lehtë është të shitet patriotizëm folklorik, por rajonit i duhet frymëmarrje ekonomike, sepse përndryshe të gjithë do të përfundojmë duke i valuar flamujt kombëtar si emigrantë në Evropë.

– Marrëveshja e Washingtonit nxiti reagime diplomatike nga Rusia, Kina dhe “bota arabe” ndaj Serbisë, ndërkohë që Kosova u qortua sidomos nga Turqia dhe Bashkimi Evropian. Cila janë pasojat diplomatike/gjeopolitike dhe gjeopolitike për Kosovën dhe Serbinë?

Agon Maliqi: Për Kosovën realisht vetëm Ambasada në Jerusalem përbën kosto, pikë së pari për shkak se bie ndesh me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian. Por kjo do të kishte peshë nëse Kosova do të ishte pranë anëtarësimit. Duke qenë se kjo gjë është aq larg, sa ndoshta deri atëherë Izraeli me Palestinën e zgjidhin çeshtjen, vendimi realisht mund të jetë i kontesueshëm në dimensionin moral. Nuk ka sesi të mbivlerësohet rëndësia e Turqisë, por nëse ajo e sheh Kosovën si partner dhe jo si “shtet klient”, Ankaraja do të duhej të kishte mirëkuptim për pozitën e cunguar të Kosovës. Duket se shqetësimi i Erdoganit ka të bëjë më shumë me pasojat e rritjes së ndikimit të Izraelit në rajon. Kjo është një dinamikë delikate të cilën Kosova duhet të dijë ta barazpeshojë. Gjithsesi, kostot kryesore gjepolitike të marrëveshjes së Washingtonit ishin për Serbinë. Pra, parimisht, marrëveshja e Washingtonit ia krijon Serbisë disa çarje. Nëse Serbia u përmbahet këtyre zotimeve politike dhe nëse SHBA-të thellojnë praninë e tyre në rajon, atëherë mund ta shohim një kthesë të Serbisë prej lojës barazëpeshuese të uljes në disa karriga, te një qasje parimisht më pro-perëndimore. Problemi është se këtë kthesë,Vuçiqi dëshiron ta bëjë në kurriz tonin dhe të rajonit (pra në shkëmbim të jëtësimit të interesave hegjemoniste të Serbisë). Logjika pra është: ne jemi shteti më i rëndësishëm, por që të bëhemi me ju, na i plotësoni dëshirat! Kjo politikë (me rrezik për Kosovën) do të mund të kishte sukses vetëm në rast të një administrate të dytë Trump. Për më tepër, kjo politikë mund të ketë sukses vetëm në rast të vazhdimit të qasjes konstruktive të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në këtë kontekst, jam i prirur të besoj se Vuçiqi po e mbivlerëson veten dhe se me këto manovra do t’ia thyejë qafen vetes. Vuçiqi nuk është Tito, Serbia nuk është Jugosllavi dhe edhe po të ishte, përvoja e Jugosllavisë tregoi se kjo lloj loje ka afatin e saj të skadimit. Personalisht dyshoj në sinqeritetin dhe jetëgjatësinë e këtyre zotimeve gjeopolitike pro-perëndimore të Serbisë, duke e ditur disponimin e opinionit publik në Serbi, në raport me SHBA-të dhe NATO.

“Në epokën e Trumpit, Berlini qëndron superior në kuptimin e vlerave demokratike, por personalisht, alarmi dhe pragmatizmi i amerikanëve më duket më i saktë dhe më realist”

– Kohëve të fundit sikur vërehej një rivalitet midis SHBA dhe BE lidhur me zgjidhjen e kontestit Kosovë-Serbi. Në opinionin publik rajonal u etabluan kryesisht dy të “vërteta”, njëra se SHBA-të favorizojnë opsionin e “korrigjimit të kufijve” (lexo: shkëmbim territore) dhe tjetra se Bashkimi Evropian (lexo: Gjermania) atë të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe si një autonomi politike dhe territoriale. Si e komentoni këtë edhe nga perspektiva e së ardhmes?

Agon Maliqi: SHBA-të nuk e kanë favorizuar korrigjimin e kufijve, thjesht kanë qenë më të hapur për ta shqyrtuar dhe nuk e kanë përjashtuar në një moment kur mund të jenë bindur prej palëve se diçka e tillë ka gjasa të kalonte. Interesat personale të Trump anash, edhe pjesët strategjike të politikës së jashtme amerikane (Departamenti i Shtetit, ai i mbrojtjes, inteligjenca, etj) e shohin kontestin mes Kosovës dhe Serbisë nga prizmi i disa shqetësimeve të sigurisë. Ato janë skeptike për perspektivën evropiane të rajonit; të shqetësuara për varësinë e Serbisë prej Rusisë të cilën e krijon moszgjidhja e kontekstit me Kosovën si dhe të shqetësuara edhe për brishtësitë që kjo rrethanë i prodhon për sigurinë rajonale, dhe natyrisht edhe për pasojat e stagmimit të Kosovës për perspektivën e saj zhvillimore. Prandaj edhe SHBA e kishin prioritet mbylljen e kontekstit dhe të arkitekturës së sigurisë në rajon, duke qenë të hapur të shqyrtonin edhe mundësi alternative. BE-ja, e veçanërisht Berlini, vazhdon të mendojë me sytë e vitit 2010 dhe të besojë se perspektiva evropiane është çelësi që zgjidh gjithçka dhe se nuk ka nevojë për t’u ngutur. Berlini gjithashtu e kapi me vonesë pasojën e legjitimimit dhe marrjes me të mirë të Vuçiqit. Sinjalet e fundit janë se e kanë kuptuar që Asociacioni me kompetenca ekzekutive nuk ka gjasa të kalojë, por nuk është e qartë se si do t’i bindin palët për marrëveshje. Berlini është i rëndësishëm në BE, por pesha e tij zbehet për sa kohë që perspektiva evropiane është e zbehtë. Berlini nuk e ka as peshën e lojtarit të sigurisë dhe as nuk është vend anëtar i Këshillit të Sigurimit. Koha do të tregojë se kush ka të drejtë. Në epokën e Trumpit, Berlini qëndron superior në kuptimin e vlerave demokratike, por personalisht, alarmi dhe pragmatizmi i amerikanëve më duket më i saktë dhe më realist. Serbia realisht nuk ka gjasa të futet në BE deri në vitin 2030 e për rrjedhojë nuk ka kurrfarë presioni për ta njohur pavarësinë e Kosovës. E Kosova nuk ka hapësirë për më shumë kompromise. Rreziqet që i krijon stërzgjatja e këtij kontesti dhe izolimi i Kosovës mund të jenë fatale për rajonin.

– Ndonëse historikisht udhëkryq gjeopolitik dhe gjeostrategjik, që nga rënia e Murit të Berlinit, rajoni i Ballkanit Perëndimor ishte kryesisht nën dinamikat e një bote më unipolare, të dominuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Mirëpo paralelisht me rritjen gjithnjë e më shumë të multipolaritetit, aktorë të tjerë me interesa të ndryshme nga njëri-tjetri janë çdo herë e më shumë të përfshirë në rajon, si Turqia, Kina, Rusia, apo edhe shtetet nga Lingja  e Mesme. Njëkohësisht duket qartë se anjë shtet ballkanik nuk po ka kapacitete të mjaftueshme që i vetëm të përballet me sfidat e tij. Paqja e qëndrueshme dhe perspektivat zhvillimore ekonomike mbeten të ndërlidhura edhe nga zhvillimet gjeopolitike. Përderisa sytë dhe pritjet e vendeve të rajonit janë të drejtuar drejt Brukselit apo Washingtonit, bashkëpunimi rajonal mbetet po ashtu dytësor dhe i vakët. Si e shihni të afërmen e afërt për nga konteksti gjeopolitik dhe gjeostratgjik, duke pasur parasysh edhe iniciativat për krijimin e një « Mini-Shengeni Ballkanik » nën ndikimin e SHBA-ve, idetë për ripërkufizime etniko-territoriale midis Kosovës dhe Serbisë,  integrimin e bllokuar evropian, apo edhe për shkak të rivaliteteve në fusha të ndryshme midis SHBA-BE-Kinë-Rusi?

Agon Maliqi: Problemi kryesor i rajonit është ngecja e integrimit evropian që buron nga hezitimi i disa shteteve anëtare pas përvojave të këqija me Poloninë, Hungarinë, Rumaninë dhe Bullgarinë, por edhe dobësitë tona të dukshme. Integrimi mendohej si çelësi që i zgjidhte kontestet etnike dhe çeshtjet kombëtare përmes zhdukjes së kufijve në kontekst evropian (para së gjithash çështjen shqiptare dhe ate serbe). Zbehja e perspektives evropiane, kriza e multilateralizmit dhe rikthimi i garës gjeopolitike të fuqive të mëdha, kanë rihapur mundësitë për projektet etnike kombëtare, por u pa se ato mund të prodhojnë rikthim të konflikteve. Shengeni Ballkanik vjen kështu si njëfare jeleku i përkohshëm i shpëtimit që do t’i jepte frymëmarrje ekonomike rajonit dhe do ta çonte drejt paqetimit, si paradhomë drejt BE-së. Por edhe ai duket vështirë i realizueshëm pa zgjidhjen e kontesteve bilaterale. Prandaj në këtë kontekst vazhdon të mbizotërojë njëfarë pasigurie, sidomos për vendet që nuk janë pjesë e NATO-së. Serbia po armatoset me të madhe dhe në vend se të ndihet e penduar për të shkuarën, ndihet e viktimizuar (pak si Gjermania e Weimarit midis dy luftërave). Se si do të rrjedhin zhvillimet në Ballkanin do të varet shumë nga rrjedha e zhvillimeve gjeopolitke jashtë nesh, para së gjithash në Perëndim. Tendenca në BE është pozitive në kuptimin që vala e popullizmit ka rënë, ndërsa në SHBA një fitore e Biden do ta kthente njëfarë uniteti perëndimor që do të ishte i dobishëm për rajonin. Por situata është gjithnjë e më keqe në kufijtë lindor dhe jugor të Evropës. Rendi botëror është në krizë të thellë dhe po rritet numri i fronteve të krizës vetëm. I gjithë rripi kufitar në lindje dhe në jug të NATO-së, prej Bjellorusisë, Ukrainës, Azerbejxhanit, e deri në Siri, Liban dhe Libi ndodhet ose në luftë ose në krizë të thellë politike.Në anën tjetër, fuqitë rajonale si Rusia dhe Turqia mbeten agresive në ato që i konsiderojnë si zonat e tyre të interesit, ndërsa Kina po e krijon zonën e vet. Sasia e krizave është bërë pothuajse e pamenaxhueshme. Ballkani me kontestet e veta të hapura mbetet rajoni më i brishtë për këdo që do të synonte ta destabilizonte Evropën, e këtu interesin më të madh e ka padyshim Rusia. Prandaj edhe gjatë dekadës së ardshme do ta shohim një interesim më të të madh të Perëndimit për rajonin, në kuptimin e rritjes së investimeve dhe përpjekjeve për ta përmbyllur anëtarësimin në NATO. Por, këto përpjekje do të hasin në rezistëncë qoftë nga jashtë (veçanërisht nga Rusia), apo edhe nga aktorë politikë reaksionarë brenda rajonit.

“Vuçiqi po e mbivlerëson veten dhe me këto manovra do t’ia thyejë qafen vetes. Vuçiqi nuk është Tito, Serbia nuk është Jugosllavi dhe edhe po të ishte, përvoja e Jugosllavisë tregoi se kjo lloj loje ka afatin e saj të skadimit”

– Në njërën anë Bashkimi Evropian po duket i pafuqishëm për ta zgjidhur kontestin Kosovë-Serbi, aq më tepër se Serbia nuk duket e gatshme ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe Kosova e gatshme për kompromise të dhimbshme ndqj Serbisë. Në anën tjetër, idetë dhe parimet etnike po vazhdojnë të shihen si zgjidhje krizash në kontinentin evropian tridhjetë vjet pas rënies së Murit të Berlinit, në kohën kur duket i bllokuar zgjerimi i premtuar i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Përderisa duket se narrativa evropiane e ka humbur forcën e saj frymëzuese e besimdhënëse në vendet e Ballkanit Perëndimor, sa ka realisht kapacitete Bashkimi Evropian ta zgjidh në një afat të afërt kohor çështjen Kosovë-Serbi dhe të integrimit të Ballkanit Perëndimor?

Agon Maliqi: Serbia kërkon përshpejtim të anëtarësimit në BE në shkëmbim të njohjes së Kosovës, por kjo gjë nuk është e mundshme. Me fjalë të tjera, shtysat e BE-së ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën janë të pamjaftueshme. Edhe investimet (përfshirë ato nga SHBA) me gjasë nuk do të mjaftojnë. Një kombinim i kushtëzimit të investimeve perëndimore të shoqëruara me zotimin për mini-Shengen ndoshta do të mund të ishin çelësi për zgjidhjet politike, por edhe këtu ndoshta është e mundshme një “njohje e tërthortë” që e zhbllokon Kosovën ndërkombëtarisht, por nuk e siguron njohjen e Serbisë. Prandaj edhe roli i SHBA-ve mbetet jetik në procesin politik. BE-ja e ka dobësuar rolin e vet për faktin se në këtë moment as nuk mund t’i japë Serbisë anëtarësim si kompensim, dhe as nuk e trajton Kosovën në mënyrë simetrike, por e detyron të negociojë nga një pozitë inferiore. Çështja është se Kosova do të mund të jetonte pa njohjen e Serbisë dhe të negocionte edhe një dekadë po të ishte nevoja, nëse do të njihej prej 4 vendeve evropiane të NATO-së (dhe 5 të BE-së). Kjo sepse të paktën do të mund të futeshim në proces anëtarësimi në NATO dhe ta kishim rrugën tonë integruese të ndarë prej Serbisë. Por Kosova po duhet të negociojë me Serbinë për t’ia hapur vetes këtë rrugë. Në këtë kontekst, dobësia e kryesore e BE-së janë 5 shtetet anëtare që nuk njohin Kosovën.

Gjeopolitika brutale dhe realiste

– Kritikët e politikës së administratës Trump lidhur me Evropën dhe Ballkanin, po shpresojnë në fitoren e rivalit të tij Jope Biden në zgjedhjet presidenciale amerikane. Sipas jush, sa do të ndikonte rrënjësisht ndryshimi i pushtetit në SHBA në dinamikat (gjeo)politike ballkanike dhe evropiane, e sidomos në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi?

Agon Maliqi: Mendoj se në nivel botëror dhe gjeostrategjik dallimi mes Biden dhe Trump do të jetë shumë i madh, teksa do t’i shohim SHBA-të të punojnë më shumë brenda sistemeve të aleancave. Në nivel evropian dhe ballkanik, gjithsesi politika amerikane do të kthehet në bashkërendim me BE-në. Por e kam një përshtypje se nuk do të jetë njësoj si në kohën Obama, kur e gjithë Evropa (dhe Ballkani) u la anash dhe iu la roli prijës evropianëve. Administrata Trump në këtë kontekst ishte pozitive, sepse u angazhua drejtpërdrejtë dhe me qasje të prerë për t’i zgjidhur problemet. Besoj se zhvillimet në Ukrainë, Bjellorusi, por edhe telashet e papërfunduara në Ballkan e kanë bindur edhe establishmentin demokrat se ka nevojë për angazhim aktiv amerikan. Në këtë kontekst, një administratë Biden e shoh të angazhuar në projektin e Shengenit Ballkanik dhe investimeve amerikane, si mjet për ta zbutur Serbinë, por njëkohësisht më mirëkuptuese ndaj Kosovës se administrat Trump, nëse Kosova tregon lidership të përgjegjshëm.

– Së fundi, humbja e pushtetit ekzekutiv nga Millo Gjukanoviq është komentuar nga disa si rikthim i politikave neonacionaliste dhe anti-NATO në rajon, e nga të tjerët si fillim i rënies së autokratëve rajonalë që sunduan në emër të stabilitetit. Ky debat midis demokracisë dhe stabilokracisë është i njohur, ku vlerësohet se po tolerohen pushtetet autoritare në dëm të demokracisë për hirë të stabilitetit, ku mund të veçohet pushtetit i Aleksandër Vuçiqit ku pothuajse nuk ekziston tanimë as opozita parlamentare. Ku pozicioheni ju lidhur me këtë debat stabilokraci.vs demokraci?

Agon Maliqi: Gjithmonë jam për demokracinë deri në pikën ku ata që e shesin veten si demokratë nuk kanë agjendë të fshehur për ta hedhur shtëpinë në zjarr. Çështja është se në Ballkan, zgjidhjet shumicën e kohës nuk janë mes autoritarëve dhe demokratëve, por mes autoritarëve të kampeve të ndryshëm. Demokratët e vërtetë në secilin vend, përfshirë edhe në Kosovë, janë pakicë e vogël. Konteksti ekonomik, politik dhe social i shteteve e favorizon qeverisjen autoritare. Për më tepër, dyshoj se partitë që e gëzojnë mbështetjen e Rusisë (qoftë edhe të tërthortë dhe taktike) vijnë në pushtet me synime të çkapjes dhe demokratizimit. Prandaj, kjo dikotomi është shumë më komplekse se që prezantohet dhe demokratizimin duhet parë si proces afatagjatë 20-30 vjeçar, të mundshëm vetëm në kontekst të rreshtimit me demokracitë perëndimore, e jo si diçka që zgjidhet me një palë zgjedhje. Gjithsesi, tranzicionet e pushteteve janë shumë të rëndësishme dhe të mirëseardhura për çkapje dhe llogaridhënie.

“Epoka e rendit botëror liberal ka marrë fund dhe jemi rikthyer në epokën e gjeopolitikës brutale dhe realiste. Në këtë kontekst, Kosova nuk është e vetëdijshme sesa e parëndësishme është gjeopolitikisht, por viteve të fundit sillet me kryeneqësinë e një superfuqie rreth së cilës Perëndimi duhet t’i caktojë politikat e veta”

– Pas Marrëveshjes së Washingtonit, pamjet e zyrtarëve amerikanë duke u shoqëruar me dashamirësi me zyrtarët serbë në Beograd kanë thelluar ndjesitë e kosovarëve se amerikanët deri tash aleat të pashembuj të Kosovës viktimë, po kthehen gradualisht në aleat të Serbisë agresore dhe të papastruar nga e kaluara e saj millosheviqiane. Edhe deklarata e Presidentit Trump për “vrasje masive reciproke” midis serbëve dhe kosovarëve u lexua në këtë dritë të një prirje negacioniste të historisë për qëllime politike dhe gjeostrategjike amerikane. E tëra në vlugun e debateve kosovare për “pro/anti-amerikanizëm” dhe dilemave të përzgjedhjes së aleatëve të jashtëm. Si e shpjegoni këtë debat në kontekstin e aktualitetit politik Kosovë-Serbi?  

Agon Maliqi: Deklaratat e Trump nuk do t’i merrja seriozisht, edhe pse ato janë tregues të faktit se tashmë në SHBA (djathas dhe majtas) po rritet numri i strukturave vendimarrëse pa ndjeshmëri për historinë e Kosovës. Për më tepër, rrymat e mendimit realist në SHBA (përfshi ta zëmë Kissinger) gjithmonë kanë qenë kundër politikës së intervenimit liberal dhe aleancat e tipit me Kosovën nuk i kanë parë të dobishme. Për ta, Serbia si shtet i fuqishëm është aleat më i natyrshëm. Në këtë kontekst, Serbia e ka ofruar veten që të bëhet partner dhe të marrë rolin prijës në rajon, duke llogaritur mbi të gjitha në aftësinë tonë për autogola. Ky ishte edhe rreziku kryesor prej qasjes kryeneçe ndaj SHBA-ve nga Kurti. Acarimi dhe lodhja me Kosovën është e dukshme edhe në elementet e administratës amerikane që nuk kanë lidhje me Trump dhe kjo histori fillon sidomos prej vitit 2014 e tutje, kur u desh të vinin John Kerry e Joe Biden në Prishtinë për ta bindur Kosovën ta miratojë marrëveshjen e demarkacionit. Kosova gjithsesi duhet të punojë më shumë për t’i thelluar aleancat në Evropë, por nuk e ka luksin të prishjes së raporteve me SHBA. Shqiptarët në përgjithësi duhet ta ruajnë dhe meritojnë rolin e partnerit kryesor strategjik në rajon. Dhe ky rol nuk fitohet duke mos treguar mirëkuptim ndaj përpjekjeve dhe politikave të SHBA për ta zbehur rolin e Rusisë dhe Kinës në rajon.

– Keni deklaruar së fundi se “rendi i ri ndërkombëtar po pëson ndryshime të mëdha dhe në ndërkohë Kosova po jeton ende në përralla si një fëmijë lazdran i Perëndimit duke menduar se gjithkush ka për t’ia plotësuar pafundësisht dëshirat viktimës së një lufte të cilën bota e ka harruar”. A mund ta zbërtheni këtë mendim?    

Agon Maliqi: Ajo që ndodhi në vitin 1999 me intervenimin e NATO-së dhe mbështetjen për shpalljen e pavarësisë në vitin 2008 ishin më shumë një anomali në rrjedhën e zhvillimeve botërore (ishin intervenime luksi në një kohë kur Perëndimi ishte në zenit të fuqisë) sesa një rregull në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pasojat që kjo ka krijuar është njëfarë bindje se në marrëdhëniet ndërkombëtare fiton duke pasur të drejtë. Pra, mjafton të insistosh në qëndrimin tënd dhe bota do të përulet para teje. Epoka e rendit botëror liberal (kur pasur ndjeshmëri për çështje të drejtësisë ka) ka marrë fund dhe jemi rikthyer në epokën e gjeopolitikës brutale dhe realiste. Në këtë kontekst, Kosova nuk është e vetëdijshme sesa e parëndësishme është gjeopolitikisht, por viteve të fundit sillet me kryeneqësinë e një superfuqie rreth së cilës Perëndimi duhet t’i caktojë politikat e veta. Kosova nuk mund të operojë jashtë sistemit të aleancave, por ka nevojë për mbështetjen e Perëndimit për ta thyer asimetrinë e fuqisë ndaj Serbisë dhe për ta konsoliduar ndërkombëtarisht shetësinë. Dhe sistemi i aleancave nënkupton jo vetëm që të marrësh prej aleatëve, por edhe të tregohesh mirëkuptues dhe bashkëpunues. E nëse SHBA-të thonë se për ta është e rëndësishme që të kenë raporte më normale me Serbinë për ta ulur ndikimin e Rusië dhe Kinës, dhe të kërkojnë ndihmë në këtë drejtim, Kosova nuk e ka fuqinë imponuese dhe as luksin për t’u sillur si bashkëshort/e xheloz/e duke u bërë pengesë e projekteve gjeostrategjike perëndimore. Natyrisht, kurrë duke mos e lënë veten anash.

(Agon Maliqi është bashkëthemelues dhe drejtor i programit ‘Sbunker’ në Prishtinë)