Viti që lamë pas nuk solli shumë ndryshime kur bëhet fjalë për ballafaqimin me të kaluarën në Serbi. Çdo gjë mbeti pothuajse njësoj. Pasiviteti i Prokurorisë për Krimet e Luftës, mosekzistimi i një angazhimi të qartë të pushtetit që të merret më në fund me të kaluarën e dhunshme dhe vazhdimi i praktikave që heroizojnë kriminelët e dënuar të luftës.
Gjatë vitit 2019, 24 raste u sollën para Gjykatës së Lartë në Beograd. U akuzua vetëm një person dhe vetëm disa viktima përfshiheshin në aktakuza. Edhe pse mund të duket që 24 raste nuk paraqesin një numër aq të vogël, nuk duhen harruar disa nga problemet, tanimë kronike, që i rëndojnë proceset gjyqësore për krimet e luftës në gjykatat vendore, të cilat ndikojnë në masë të konsiderueshme në efikasitetin e procesuimit të këtyre krimeve.
Së pari duhet pasur parasysh se këto 24 raste nuk u hapën në vitin 2019, por që shumica e tyre zgjasin që shumë vite. Nuk është rast i rallë që një numër i madh proceseve gjyqësore ku janë të akuzuar një numër i madh i të pandehurve zgjasin deri në 10 vjet.
Problemi i dytë është që një pjesë e këtyre rasteve kthehen në rigjykim me aktvendim të Gjykatës së Apelit, gjë që e zvarrit edhe më shumë procesin. Problemi i tretë dhe ndoshta më i madhi i cili edhe mund të shqyrtohet statistikisht është numri i vogël i aktakuzave për krimet e kryera gjatë viteve të 90-ta. Domethënë, prej vitit 2003 kur u themelua Prokuroria për Krimet e Luftës 17 vite më parë, kjo Prokurori ka ngritur aktakuza për vetëm 76 raste kundër 198 personave, për vdekjen e më pak se 2500 viktimave.
Gjatë viteve të kaluara, arsyetimi më i shpeshtë i Prokurorisë për Krimet e Luftës për rezultatet e tyre modeste ishte mungesa e stafit, si për shembull të zëvendës-prokurorëve për krime të luftës. Falë negociatave me Bashkimin Evropian dhe Planit Aksional për Kapitullin 23, ky problem është zgjidhur me sukses. Që nga viti 2019 janë punësuar gjithsej 10 zëvendës-prokurorë për krime të luftës (më parë ishin vetëm katër).
Megjithatë, Prokuroria për Krime të Luftës ngriti vetëm 3 aktakuza për krime të luftës gjatë vitit 2019 dhe asnjëra nuk ishte rezultat i punës së tyre hetuese. Dy nga këto aktakuza ishin procesuar nga Bosnja dhe Herzegovina, e njëra ishte ngritur kundër një personi që ishte në arrati për disa vjet në një rast që daton që 10 vjet (Rasti i Qyshkut).
Pra, 10 zëvendës-prokurorët nuk ngritën asnjë aktakuzë të re përgjatë tërë vitit, gjë që na drejton drejt përfundimit se problemi nuk qenka numri i burimeve njerëzore, por në mospunën që tolerohet për shumë vite. Po ashtu, në mesin e këtyre tri aktakuzave, asnjëra nuk është kundër kryerësve të hierarkisë së lartë ose për krime ku janë vrarë një numër i madh i njerëzve.
Duhet kujtuar se deri tani Prokuroria për Krime të Luftës nuk ka ngritur asnjë aktakuzë kundër pjesëtarëve të hierarkisë së lartë të ushtrisë ose policisë, edhe pse Fondi për të Drejtën Humanitare, si e vetmja organizatë joqeveritare e cila i ka ndjekur të gjitha proceset për krimet e luftës nga fillimi, ka ngritur kallëzime penale dhe ka publikuar dosje me dëshmi, të cilat të paktën mund të shërbejnë si bazë fillestare për hetim kundër përgjegjësve.
Prokuroria për Krimet e Luftës mbeti e heshtur ndaj kallëzimeve penale kundër Ljubisha Dikoviq (komandant i brigadës së 37-të të Ushtrisë së Jugosllavisë dhe oficer i pensionuar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë), Bozhidar Deliq (komandant i brigadës të 549-të të Ushtrisë së Jugosllavisë dhe dëshmitar, por jo edhe i pandehur në rastin ‘Tërnje”), Dragan Zhivanoviq (komandant i brigadës së 125-të të Ushtrisë së Jugosllavisë), Svetozar Andriq (themelues i kampit të përqendrimit në Sushicë dhe zëvendës-kryetar shumëvjeçar i komunës së Novi Beogradit, si dhe kandidat në listën zgjedhore të Aleksandar Shapiqit), Dushan Llonçar (komandant i brigadës së Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë i cili nuk bëri asgjë më pak sesa ta urdhëronte sulmin ndaj civilëve në fshatin Lovas) dhe shumë të tjerë. Edhe pse pati një paralajmërim nga Prokurori për Krime të Luftës, Vlladimir Vukçeviq, nuk pati aktakuza për krimet e kryera në fshatrat Mejë dhe Korenicë në Kosovë, ku rreth 350 civilë u vranë në prill të vitit 1999, si që nuk pati aktakuza as për ekzistencën e disa varrezave masive në Serbi me mijëra trupa të shqiptarëve të Kosovës.
“Gjyshi Ratko”
Ndoshta tanimë është koha ta bëjmë pyetjen më të logjikshme: përse nuk po procesohen krimet e luftës në Serbi? Secili që e përcjellë skenën politike në Serbi mund t’i përgjigjet kësaj pyetje, sepse në Serbi në pushtet janë të njëjtit njerëz që ishin pjesëmarrës në kryerjen e politikave kriminale para dhe përgjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Në krye të shtetit është personi i cili në parlament bëri thirrje për vrasjen e 100 myslimanëve për një serb të vrarë. Kryetarja e Kuvendit Republikan është personi që nuk u bë dot këshilltare ligjore e Vojisllav Sheshlit në Tribunalin e Hagës për shkak të dyshimeve se ishte e përfshirë në persekutimin e kroatëve nga Vojvodina. Njëri nga deputetët është një kriminel i luftës i cili është dënuar para tribunalit ndërkombëtar me 10 vjet burg dhe i cili tani kërcënon që do t’i pastroj llogaritë me të gjithë ata që e quajnë kriminel të luftës. Se çka nënkupton ai me “pastruar llogaritë” e dijnë më së miri kroatët e Vojvodinës dhe familja Barbaliq nga Zemuni.
Edhe pse këto fakte njihen gjerësisht, shumica tashmë i paska harruar (“po kaluan tashmë 25 vjet!”), për shkak se ata “kanë ndryshuar dhe nuk janë më ata që ishin, tanimë ata janë për sundimin e ligjit dhe për anëtarësimin e Serbisë në BE”. Në të njëjtën kohë glorifikohen gjeneralët serbë dhe demonizohen të tjerët, duke prezentuar vuajtjen e popullit serb si të vetmën gjë relevante.
Pastaj shokohemi kur krimet e luftës kalojnë pa u procesuar, kur me entuziazmin më të madh të popullit, “Gjyshi Ratko” lidhet në programin e mëngjesit të televizionit me frekuenca shtetërore; kur kriminelët e luftës përdorin paratë e taksapaguesve të qytetarëve të Serbisë për të publikuar libra të shtypura nga Ministria e Mbrojtjes me një shënim nga organizatori se autori “mungon”; që kriminelet e luftës promovojnë libra ku haptazi përqeshin viktimat duke shpërfaqur “të vërtetat e sakta dhe shokuese” në publik, përderisa paralelisht keqtrajtohen mbrojtësit e të drejtave të njeriut. Prandaj edhe 24 dosjet e krimeve të luftës mund të duken numër shumë i madh.
Kahas këtyre fakteve të njohura duhet të kujtojmë edhe disa fakte të tjera. Është e vërtetë që kanë kaluar 25 vjet, ose më saktë 21 vjet nga përfundimi i konflikteve në ish-Jugosllavi dhe që kjo e bën hetimin e krimeve në masë të konsiderueshme më të vështirë. Që tanimë është e qartë se jo të gjithë kryerësit e krimeve të luftës nuk do të mund të procesohen, që ka vdekur një numër i madh i përgjegjësve, dëshmitarëve dhe viktimave, që kriminelët e luftës janë në mesin tonë, madje në institucione ku nuk e kanë vendin.
Por, kjo nuk i amniston institucionet serbe nga mospuna kronike, zvarritja, mungesa e aktakuzave dhe gjykimet sipërfaqësore. Sepse për sa kohë “Gjyshi Ratko na përqafon” nga Scheveningeni, e kemi për obligim t’ju sigurojmë viktimave të paktën pak drejtësi të merituar pas kaq shumë vitesh. Që të japin përgjegjësi para ligjit ata të cilët shkaktuan dëmin më të madh, që publiku ta njoh vuajtjen dhe dhimbjen e viktimave, si dhe që ato të dëmshpërblehen. Që nënat të mos vdesin pa i varrosur fëmijët e tyre me dinjitet. Që fëmijët ta dijnë se si u vranë etërit, xhaxhallarët, gjyshërit dhe të afërmit e tyre. Që gratë e dhunuara nuk t’i përkulin kokat e tyre kur dalin në rrugë, sepse të gjithë mendojnë se ishte faji i tyre për atë që ju ka ndodhur. Këtë ua kemi borxh si shoqëri.
*Autorja është juriste. Ajo ka magjistruar në temën e përgjegjësisë komanduese në jurisprudencën e gjykatave ndërkombëtare. Ajo punon në fushën e procesuimit të dhunës seksuale në luftë. Është drejtore e Fondit për të drejtën humanitare në Beograd.
(Ky artikull është botuar në Dealing with a Past – DwP/Ballafaqimi me të kaluarën. Titujt janë të redaksisë së Le Monde Diplomatique-Shqip)