Pandemia e Covid-19 mund ta sjellë fundin e epokës së tregtisë së lirë të furishme, të këtij regjimi ekonomik të përshtatur për sektorin privat i cili për vite me radhë po i shkakton humbje të mëdha njerëzve dhe planetit. Kjo do të kundërshtohet nga interesat e fuqishme : ato do të angazhohen për jetësimin e një “kapitalizmi të krizës”, në mënyrë që të sigurohen se gjithçka do të rifillojë si më parë.
Shumë udhëheqës politikë dëshmojnë se ju mungon guximi ose imagjinata e nevojshme për të vepruar drejt këtij transformimi, kur nuk vihen drejtpërdrejt në shërbim të padronëve.
E megjithatë, mund t’i identifikojmë katër arsye pse kriza e Covid-19 mund të ofrojë një mundësi të paparë.
Fundja, ndoshta edhe ka ardhur koha për një version pozitiv të strategjisë së shokut, si mekanizëm i përshkruar nga Naomi Klein, që shpesh i ka lejuar dominuesve të përfitojnë nga krizat për ta riorganizuar botën sipas shijes së tyre.
Burimi i parë shpresëdhënës : pandemia ka detyruar shumicën e banorëve të shteteve të zhvilluara ta ndjejnë në lëkurën e tyre dhimbjen dhe ankthin që shkakton globalizimi liberal. Në një botë të ndërtuar për t’i shërbyer shumëkombëshave, as shtetet më të pasura nuk janë në gjendje të prodhojnë ose të sigurojnë respiratorë, maska ose resurse mjekësore të nevojshme, për t’i trajtuar të sëmurët. Ndalja e prodhimeve në një shtet ka provokuar një reaksion zinxhirror që ka gjunjëzuar sistemet mjekësore dhe ekonomike. Gjë që ka përkeqësuar edhe më shumë dëmet e shkaktuara nga koronavirusi. Shumë produkte themelore prodhohen sot në një dhe nganjëherë në dy shtete. Një proporcion i konsiderueshëm vjen nga Kina dhe duket shumë e vështirë të rritet prodhimi gjetiu. Me organizimin e zinxhirave të prodhimit të globalizuar dhe skajshmërisht të shtrirë, ndërmarrjet që do të donin ta fillonin të prodhonin atë që mungon, nuk ia dalin të sigurojnë lëndën e parë. Dy shembuj: shumica e qindra pjesëve që përfshihen në ndërtimin e një respiratori nuk prodhohen në shtetet ku ato montohen dhe 90 % e substancave aktive të produkteve farmaceutike prodhohen vetëm në dy shtete.
Përkushtimi ndaj “zotit të efikasitetit” që qëndron në krye të Olimpit të Tregtisë së Lirë ka shpier në gjueti për kapacitetet e papërdorura.
Në këto kushte i gjithë zinxhiri ndërpritet nëse njëra prej qindra lidhjeve të saj – një kompani, diku në planet – nuk është në gjendje të funksionojë. Mungesa e mallrave thelbësore shfaqet shpejt kur punëtorët sëmuren në një vend, kur vendosen masa për distancimin shoqëror për ta kufizuar përhapjen e një virusi, kur qeveritë vendosin nevojat e njerëzve të tyre përpara eksporteve të tyre.
Kjo do të thotë se shumë njerëz tani zbulojnë fatkeqësinë të cilën e njohin që shumë kohë miliona punëtorë, fermerë të vegjël dhe komunitete të braktisura në anën e poshtme të autostradës së globalizimit. Bretkoca e zhytur në një tigan nuk e vëren që po rritet temperatura e ujit. Vetëm një katastrofë e papritur ishte në gjendje t’i zgjonte të gjithë ata që deri më tani mund ta konsideronin kërcënimin si të largët.
Edhe ata që e patën bërë specialitet të tyre të flasin për përfitimet e globalizimit për t’i mbrojtur marrëveshjet e tregtisë së lirë, tani po e pranojnë se gjërat kanë shkuar ndoshta shumë larg dhe se një model prodhimi më lokal do të ofronte shumë përparësi.
Nuk renditen më artikujt që veprojnë në një përmbysje të tillë, në faqet e « The Economist » ose « Financial Times », si mesharë evangjelistë të tregut.
Burimi i dytë shpresëdhënës : kufijtë që përkufizonin “kuadrin e arsyes” janë shpartalluar. Nuk ka qeveri më që thotë: “Na vjen keq, ne nuk mund t’i ndërmarrim masat që imponohen sepse janë në kundërshtim me rregullat e organizatave të mëdha tregtare ndërkombëtare”.
Përgjigjet që kërkon kërcënimi i Covid-19 shpiejnë qeveritë t’i shkatërrojnë parimet e mëdha që nënkuptonte globalizimi liberal. Është vështirë e imagjinueshme të mendohet një kthim i shpejtë në situatën fillestare, qoftë edhe vetëm për shkak të rolit të ri, që pandemia ka detyruar qeveritë të marrin përsipër.
“Nuk mund ta lëjmë tregun ta menaxhojë i vetëm ndarjen e burimeve të rralla”
Shumë shtete po e paguajnë çmimin për atë që deri tani ka qenë në zemër të politikës së tyre: dështimi në detyrën e tyre për ta mbrojtur popullsinë e tyre. Në vend që ta lejojnë sektorin privat të diktoj hartën e tyre të rrugës, disa vendosin më në fund të bëjnë atë që presin zgjedhësit e tyre: t’i japin përparësi nevojave të popullatës përpara të tjerave dhe të ndërhyjnë aty ku janë të nevojshëm. Deri para pak muajsh ishte vështirë e imagjinueshme një epifani e tillë e formuluar nga znj.Sabine Weyand, Drejtore e Përgjithshme për Tregtinë e Komisionit Evropian. Ky edhe ishte rasti në një seminar të organizuar nga Washington International Trade Association (WITA) më 9 prill: “Ne duhet të pranojmë se në zemër të stuhisë, nuk mund ta lëjmë tregun ta menaxhojë i vetëm ndarjen e burimeve të rralla. Duhet ta pranojmë idenë që duhet t’i referojmë ato në sektorin e shëndetësisë, në vend që t’i lejojmë spekuluesit të marrin përsipër gjithçka që munden”.
Por, zonja Weyand po bën thirrje për një rikthim në ‘business as usual’ sa më shpejtë që të jetë e mundur. Komisioneri i Tregtisë Phil Hogan tregohet më i guximshëm: ai propozon të fillojnë negociatat për t’i hequr të gjitha kufizimet në tregtinë e pajisjeve mjekësore “në mënyrë që të sigurohet se zinxhirët e prodhimit global mund të funksionojnë lirshëm” (fjalimi i 16 prillit). Z. Hogan dhe zelltarët e globalizmit kundërshtojnë çdo përpjekje për ta zhvendosur prodhimin, të cilin ata e karikojnë si një kërkim të kotë për “vetëmjaftueshmëri”. Por çështja nuk është të zgjedhim midis globalizimit dhe vetëmjaftueshmërisë. Tashmë çështja është të konstatohet se shumë njerëz tashmë kanë kuptuar që vendi i tyre nuk është në gjendje t’i mbrojë ata nën një regjim të tregtisë së lirë. Ata nuk do ta harrojnë këtë.
“Një çarje në madhësinë e Grand Canyon të sistemit tonë”
Në të njëjtën mënyrë, fjalimet e lumtura që lavdërojnë meritat e saktësisë dhe të “efikasitetit maksimal” pasi që “të gjithë përfitojnë” tani tingëllojnë boshe: të gjithë e vërejnë se ky sistem synon mbi të gjitha të maksimizojë profitet në kurriz të shëndetësisë, barazisë dhe madje edhe të sigurisë kombëtare. Si shenjë që diçka ka ndryshuar, ministrat e tregtisë së vendeve të G20 publikuan një deklaratë më 30 mars, duke sqaruar se masat e nevojshme për ta luftuar pandeminë mund të konsiderohen si përjashtime të ligjshme nga rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT). Se kaq shumë dispozita shkelin detyrimin e institucionit nxjerr në pah më në fund mënyrën në të cilën ky i fundit pengon autoritetet publike t’i përgjigjen nevojave të popullatës së tyre.
Burimi i tretë shpresëdhënës: kriza ka trazuar linjat e ndarjeve politike për çështjen e tregtisë së lirë, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara. Në vend se një ndarje midis së majtës dhe së djathtës, pandemia zbulon një polarizim tjetër: popullistët kundrejt lobistëve të sektorit privat.
Z.Bernie Sanders dhe znj.Elizabeth Warren janë popullistë të majtë. Ata angazhohen për përfundimin e këtij globalizimi të kalibruar në preferencat e punëdhënësve.
Por ky vizion i botës tani po jehon edhe në mesin e popullistëve të djathtë: “Kjo pandemi ka përditësuar një çarje në madhësinë e Grand Canyon në rrjetin tonë të furnizimeve. Nuk prodhohen më produkte të caktuara thelbësore në tokën amerikane. Kjo përbën një kërcënim për shëndetin tonë, sigurinë tonë kombëtare dhe ekonominë tonë. Amerikanët nuk e zbulojnë këtë problem, por Washingtoni po. Nga ana tjetër, Wall Street shpresonte se nuk do të përfshihej”. Këto pohime nuk janë thënë nga z.Sanders ose znj.Warren, por nga senatori republikan Josh Hawley më 3 prill.
Burimi i katërt shpresëdhënës: përshpejtimi i një rivlerësimi të përgjithshëm – nga qeveritë, por edhe nga popullata – të miteve që e rrethojnë organizimin ekonomik të botës dhe të rolit adresuar Kinës si punëtori e planetit.
Ilustrimi i kësaj përmbysjeje: Kryeqyteti Tokyo sapo ka njoftuar për një program prej 2 miliardë dollarësh (1.8 miliardë euro) që synon të ndihmojë shumëkombëshet e tij për t’u larguar nga Kina (1). Para pandemisë, shumë vende kërkonin një mënyrë për t’i forcuar kapacitetet e tyre kërkimore dhe të prodhimit për t’iu kundërvënë “Made in China 2025”, plan ky i hartuar nga Pekini për t’i dominuar industritë e së ardhmes (inteligjenca artificiale, automjetet e gjelbërta, hapësira ajrore, teknologjitë mjekësore, etj.). Shqetësim në rritje për përpjekjet e Pekinit për ta promovuar një formë të autoritarizmit të high-tech, praktikën e tij të asaj që disa komentues e kanë quajtur “merkantilizëm të inovacionit (2)” dhe zhvillimin e aftësive të tij ushtarake të financuara nga një tepricë e madhe tregtare. E gjithë kjo ka tronditur qëndrimet e elitës politike dhe zyrtarët e sigurisë kombëtare të shumë vendeve, për sa i përket politikës së jashtme.
Këto katër arsye sugjerojnë që kriza Covid-19 mund t’i rirreshtojë dinamikat që strukturojnë debatet për organizimin e ekonomisë botërore. Kjo në një kohë kur interesimi për kush çfarë prodhon, ku dhe si, bëhet çështje për jetë ose vdekje. Nëse do të arrinim që kriza të çonte në ndryshime pozitive, atëherë do të mund t’i rindërtonim më fuqishëm ekonomitë lokale, kombëtare dhe rajonale, të krijuara për të vepruar me aktorë të ndryshëm të aftë për të prodhuar mallra dhe shërbime të nevojshme me çmime të përballueshme, duke krijuar vende pune të qëndrueshme, duke mbështetur bujqësinë në shkallë të vogël dhe duke mbrojtur mjedisin. Pa befasi, kriza klimatike kërkon zhvillime të njëjta.
Një kuti mjetesh e njohur që ka rezultuar e suksesshme në Kinë
Ju kujtohet se deri në mesin e viteve 1990, rregullat e tregtisë ndërkombëtare konsideronin se ushqimi nuk ishte një mall si të tjerët? Pse? Sepse të gjithë kanë nevojë për ushqim për të mbijetuar.
Shtetet kërkonin të kanë hapësirë manovruese që do t’ju mundësonin të përcaktojnë se si të sigurojnë furnizimin e popullatës së tyre, edhe duke subvencionuar prodhime të caktuara.
Logjika është akoma e vlefshme dhe duhet të shtrihet në sektorë të tjerë jetikë, siç janë ilaçet dhe pajisjet mjekësore, ku mangësitë në prodhimin kombëtar dhe rajonal i ekspozojnë disa vende në cenueshmëri ekstreme.
Është e njohur përmbajtja e kutisë së mjeteve të politikës industriale shtetërore, e cila duket se ka një nam të keq kudo, përveç në Kinë, ku ka demonstruar suksesin e saj.
Aty gjinden: masa tatimore që shpërblejnë prodhimin shtetëror dhe industrinë e gjelbër, jo delokalizimet; masat rregullatore financiare që inkurajojnë investimet prodhuese, jo spekulimet; mbrojtjen e përmbajtjes shtetërore dhe rajonale në sektorë të ndryshëm; tenderë që inkurajojnë zhvillimin e zinxhirëve të prodhimit vendor; rregullore të pronësisë intelektuale që lejojnë qasjen në ilaçe dhe teknologji të lira duke stimuluar njëkohësisht inovacionin; promovimi i kërkimit, trajnimit të punëtorëve, praktikantëve … Zbatimi ose jo i këtyre politikave nuk do të varet nga mungesa e ideve, por nga përcaktimi politik.
* Drejtore e Public Citizen’s Global Trade Watch, Washington, DC.
(1) Kenneth Rapoza, « Japan ditches China in multi-billion dollar coronavirus shakeout », Forbes, New York, 9 avril 2020, www.forbes.com
(2) Robert D. Atkinson, «The case for a national industrial strategy to counter China’s technological rise », Information Technology & Innovation Foundation, 13 avril 2020, www.itif.org