NË VAZHDËN E MOBILIZIMEVE TË MËDHA POPULLORE
Nacionalistët irlandezë që u ngritën falë krizës sociale

Partia nacionaliste Sinn Fein doli e para në zgjedhjet parlamentare të Republikës së Irlandës. Për herë të parë fitues është një parti që angazhohet për ribashkimin e ishullit. Ky rezultat është interpretuar si një reagim ndaj Brexit-it britanik. A votuan irlandezët për Sinn Fein, apo kundër dy subjekteve që e sunduan deri tani vendin?

1771

Pas krizës së vitit 2008, udhëheqësit evropian zgjodhën rigorozitetin pas ftesës së Komisionit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).  Kjo përzgjedhje ngriti shpejtë një valë protestash popullore. Më pas u shfaqen disa personalitete dhe formacione, që kundërshtuan parimin e ‘ortodoksisë buxhetore’ ‒ Podemos në Spanjë, Syriza në Greqi, Jeremy Corbyn në Mbretërinë e Bashkuar, Jean-Luc Mélenchon në Francë, apo blloku i majtë në Portugali.

Irlanda mbeti jashtë kësaj lëvizje. Si nxënës shembullor i kërkesave të Brukselit, ky vend është dalluar nga aftësia e tij për të duruar  masa të rrepta shtrenguese pa u ankuar [1]. Deri në zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2020 : me 24,5 % të votave, Sinn Fein (SF) zuri vendin e parë në zgjedhjet. Ishte hera e parë dhe të gjithë u befasuan, duke filluar nga udhëheqësit e partisë nacionaliste të majtë.

Për gati një shekull, Irlanda qeverisej nga dy parti të qendrës së djathtë, Fianna Fáil (FF) dhe Fine Gael (FG), të cilat kanë programe shumë të ngjashme politike. Në vitin 2007, FG dhe FF fituan 68.9% të votave, para se ta humbnin gradualisht terrenin: 53.6% në vitin 2011, 49.8% në vitin 2016, pastaj 43.1% në vitin 2020, kundrejt një totali të 41.9% për të gjitha partitë e majta dhe të qendrës së majtë në zgjedhjet e fundit.

Ky ndryshim historik shënon refuzimin popullor të një statusquo-je neoliberale të sforcuar nga kriza e vitit 2008. Në vend që ta konstatonin dështimin e politikës së liberalizimit dhe financializimit pas krizës, udhëheqësit irlandezë përzgjodhën masat shtrënguese. Ndërmjet viteve 2008 dhe 2014, ata zbatuan shkurtime buxhetore prej 30 miliardë euro, ose pothuajse 20% e produktit bruto të brendshëm (PBB). Shoqëria shkonte drejt shkatërrimit : shkalla e papunësisë u trefishua dhe arriti në 15.5% në vitin 2012 dhe shkalla e privimit material (që për Komisionin Evropian nënkupton “pamundësinë për t’u furnizuar me disa mallra / shërbime të caktuara të konsideruara nga shumica e individëve si të nevojshëm, madje edhe të domosdoshme, për të pasur një standard të jetës të pranueshëm”) u rrit nga 13.7% (2008) në 30.5% (2013) [2].

Por në vitin 2016, FG (në pushtet) kishte nënshkruar një marrëveshje “mbështetëse pa pjesëmarrje në qeveri” me FF. Votuesit atëherë kuptuan se nuk ishte e mundur të denoncohej politika e njërit duke votuar për tjetrin, që në fakt ishte miku i përhershëm. Prandaj duhej të zgjidhej një parti tjetër. SF u paraqit si kandidati ideal : disa prej anëtarëve të saj kishin pasur meritë që të riorientonin organizatën drejt temave sociale, më afër shqetësimeve të popullatës se çështjeve kombëtare. Duke filluar me çështjet e banimit dhe shëndetit.

Në sistemin e kujdesit shëndetësor vendor i cili ka dy nivele, 45% e popullsisë që kanë sigurime private mund të mos presin në radhë. Të tjerët duhet të kenë durim: në prag të zgjedhjeve, lista e pritjes për një konsultim te një specialist numëronte 556.770 persona, 107.040 prej të cilëve kishin pritur më shumë se tetëmbëdhjetë muaj, nga një popullsi totale 4.9 milionëshe. Lista për trajtime spitalore kishte 67303 rreshta.

Përballë shkurtimeve buxhetore, strukturat kanë mungesë të mjeteve: në shkurt të vitit 2020, 110.000 pacientë ishin pranuar në barela, nga fakti se mungonin shtretërit. Ende nuk ishte shfaqur epidemia e Covid-19.

Sa i përket çështjes së banimit, Dublini figuron në toplistën e kryeqyteteve më të shtrenjta evropiane për çmimin e qirave, i cili është rritur mesatarisht për 70% që nga viti 2012. Ndërmjet viteve 2015 dhe 2018, numri i të pastrehurëve pothuajse u dyfishua te të rriturit (+ 95 %) dhe më shumë se u trefishua tek fëmijët (+ 228%). Vendi tani numëron më shumë se 10.500 njerëz të pastrehë, një shifër që nuk ishte arritur kurrë më parë [3]. Derisa buxheti për rinovime dhe ndërtime të banesave sociale arriti vlerën 1.4 miliardë euro në vitin 2008, ky buxhet ra në 167 milion në vitin 2014. Si rezultat, në krahasim me 5300 apartamente të banesave sociale të ndërtuara  në vitin 2009, në vitin 2012, janë ndërtuar 1.000 sosh  dhe vetëm 476 në vitin 2015. Numri i familjeve të regjistruara në listat e pritjes për një banesë të tillë u rrit nga 43.000 në vitin 2005 në 86.000 në vitin 2017 [4].  Në vend që të ndërtojë banesa të reja, qeveria ka preferuar t’i ndihmojë qiramarrësit të sektorit privat: prandaj ka përkeqësuar krizën duke rritur kërkesën pa provuar ta stimulojë ofertën.

Nxitja e formacioneve të majta

Në Irlandë si në vende tjera të Evropës, patundshmëria ka tërhequr investitorët institucionalë që kërkonin rendimente fitimprurëse në një ekonomi që nuk ofronte më fitime diku tjetër [5]. Qeveria irlandeze lehtësoi blerjen e asetëve  dhe kredive toksike nga ‘vulture funds’ përmes implementimit, në vitin 2013, të lehtësirave tatimore për kompanitë e investimeve në patundshmëri – masë e cila inkurajonte krijimin e fondeve të tilla për të investuar kapitalin në patundshmëri [6]. Një nga mënyrat e veprimit e këtyre fondeve është sekuestrimi i patundshmërisë për të cilën ishte përvetësuar titulli, për ta zhvilluar, renovuar dhe kthyer në treg në formën e banesave luksoze ose të lokaleve për aktivitet komercial. Të tjerët grumbullojnë parcela (nganjëherë toka publike që u janë shitur me çmime me zbritje) dhe i lënë të pashfrytëzuara për të mos tërhequr ofertë dhe për t’i rritur çmimet.

Në prag të zgjedhjeve të shkurtit, pasqyra e përgjithshme doli të ishte aq e zymtë saqë edhe punëdhënësit, sado të përkëdhelur nga Dublini, u alarmuan: “Banesa të shtrenjta, udhëtime shumë të gjata për të shkuar në punë, sistemi shëndetësor dhe arsimor në gjendje të mjerueshme: e gjithë kjo degradon atraktivitetin e Irlandës si një vend për të jetuar, punuar ose investuar”. [7]

Në shtypin ndërkombëtar, rezultati i zgjedhjeve të shkurtit 2020 është analizuar shpesh si pasojë e Brexit-it, duke e shtyer ishullin Emerald drejt ribashkimit. Por sondazhet jashtë qendrave të votimit e kundërshtojnë këtë analizë. Dy shqetësimet kryesore për 58% të popullatës ishin të natyrës shoqërore. Brexit-i u përmend vetëm nga 1% e votuesve [8]. A po kthehet çështja shoqërore në vendin e neoliberalizmit të çaraveshur? Kjo sugjerohet nga një analizë e hollësishme e rezultateve të zgjedhjeve, bazuar në parimin e “votës së vetme të transferueshme”.

Irlanda është e ndarë në tridhjetë e nëntë zonë elektorale, secila dërgon tre deri në pesë përfaqësues të zgjedhur në Parlamentin Kombëtar, i cili ka gjithsej 160 anëtarë. Çdo zonë elektorale i ka fletëvotimet e veta, të cilat rendisin të gjithë kandidatët  – afërsisht dymbëdhjetë zakonisht. Votuesit shkruajnë numrin “1” para emrit të kandidatit të tyre të preferuar, pastaj i renditin të tjerët me radhë sipas preferencave të tyre. Në secilën zonë elektorale, llogaritet numri i votave të nevojshme për t’u zgjedhur. Kur një kandidat arrin në pragun e kërkuar, votat e tepërta (përtej pragut) që ata kanë fituar shpërndahen mekanikisht te kandidatët që i kanë votuar si përzgjedhje të dytë, të shënuar “2”. Në zgjedhjet e fundit, kandidatët e Sinn Feinit morën një kuotë shumë të madhe të votave të zgjedhjes së parë në shumë zona elektorale dhe lehtë arritën kuotat e përcaktuara. Pra, rëndësia e votës shihet edhe në shfaqjen e një rezerve të mirë të votave të tepërta. Një pjesë e madhe e këtyre votave shkon te kandidatët tjerë të majtë apo të ekstremit të majtë, duke u mundësuar disa prej tyre që të zgjidhen. [9]

Si ilustrim, në zonën elektorale të Dublinit jug-perëndim, z.Paul Murphy, kandidat i aleancës së majtë ‘Solidariteti – Populli para përfitimit’, u rikthy në bazë të këtij lloji të transfereve, pas fitores së z.Seán Crowe, kandidat i SF.

Edhe pse ndryshimi i shkurtit 2020 ka befasuar nga përmasat e tij, në tërësi nuk ishte befasi : kurorëzoi disa vite mobilizimi popullor të karakterizuar nga një shpirt luftarak në rritje. Vala e madhe e protestave kundër ndërprerjes së shërbimeve të ujit falas [10] që tronditi vendin në vitet 2014-2015 forcoi militantët dhe partitë e majta, përfshirë SF, duke mbjellë farat e rezistencës ndaj politikave qeveritare. Në vitin 2015, një referendum kombëtar për legalizimin e martesës në mes dy personave të gjinisë së njëjtë përfundoi në miratimin e masës (me 62% të votave për), në një kontekst të diskreditimit të Kishës Katolike, që ishte ngatërruar në skandalet e abuzimit seksual. Në vitin 2018, një tjetër referendum kombëtar ratifikoi dekriminalizimin e abortit, një fitore historike pas një fushate të gjerë që mblodhi aktivistë dhe sektorë të gjërë të popullsisë, për të cilët nganjëherë ishte hera e parë që përfshiheshin në rrafshin politik.

SF mbetet një parti më e djathtë se shumica e bartësve të luftës kundër masave shtrënguese në Evropë. Megjithatë, ajo ka arritur ta kalojë zemërimin popullor të lidhur me krizën e vitit 2008 duke bërë një kthesë në të majtë. Disa prej anëtarëve të saj, siç është Z. Eoin Ó Broin, prej kohësh i kanë dhënë përparësi çështjeve të banimit dhe të personave të  pastrehë, duke përcjellë ankesat e një pjese të madhe të popullatës. Z. Ó Broin madje ka botuar një libër mbi këtë temë disa muaj para zgjedhjeve. [11]

Partia gjithashtu shfrytëzoi mungesën e konkurrentëve serioz të së majtës. Partia e Punës është diskredituar duke formuar një koalicion me FG i cili i kishte imponuar vendit masa të rrepta shtrënguese midis viteve 2011 dhe 2016. Partia e vogël e gjelbër po rritet ndërsa vetëdija globale për ndryshimet klimatike përparon, por ajo mbetet shumë e moderuar dhe e lidhur me klasat intelektuale tepër të arsimuara të qyteteve për të mobilizuar masat. Nga ana e saj, Aleanca trotskiste ‘Solidariteti – Populli para përfitimeve’ nuk i kaloi 3%.

E vendosur në qendër të vëmendjes nga kriza sociale, SF – e lidhur historikisht me Ushtrinë Republikane Irlandeze (IRA) – mbetet një parti nacionaliste që kërkon të ndërtojë një lëvizje popullore për ribashkimin e Irlandës. Edhe pse nuk është prioritet për popullatën, ideja është duke fituar terren që nga referendumi britanik për Brexitin në vitin 2016. 52% e popullsisë së Mbretërisë së Bashkuar votuan në favor të largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, por 56% e votuesve të Irlandës Veriore votuan në favor të qëndrimit- çfarë do të mundësonte, saktësisht, ribashkimin e vendit. Që atëherë, sondazhet e opinionit kanë treguar mbështetje në rritje për projektin e bashkimit : në Republikën e Irlandës, pak më shumë se shumica e votuesve do të donin që të organizohej një referendum për këtë çështje dhe sipas disa sondazheve, mbështetësit e bashkimit janë pothuajse në të njejtin numër me kundërshtarët e tij në Irlandën Veriore. [12]

Nuk dihet a mund të arrihet qëllimi në një afat të shkurtër apo të mesëm. Padyshim që marrëveshja e së Premtes së shenjtë, që shënon fundin e dhunës në Irlandën Veriore, nënshkruar më 10 Prill 1998, i hap rrugën një bashkimi të mundshëm prej atij momenti që do të pranohej nga banorët e të dy anëve të kufirit. Kështu, teksti parasheh që Mbretëria e Bashkuar është e detyruar ta organizojë një referendum dhe ta respektojë rezultatin « nëse duket e mundshme » që shumica e votuesve do të votonin në favor të bashkimit. Sidoqoftë, ky formulim mbetet subjekt i interpretimit. Në veçanti, sugjeron që mund të merren parasysh elementë si sondazhet e opinionit ose shumicat nacionaliste që dalin nga konsultimet elektorale.

Në mes të prillit, Fianna Fáil dhe Fine Gael prodhuan një dokument të politikës së përbashkët për ta formuar një qeveri koalicioni. Partitë e qendrës së majtë, përfshirë Sinn Féin, nuk kishin përfaqësues të mjaftueshëm të zgjedhur për të marrë drejtimin e vendit. Një koalicion i tillë forcon idenë se dy partitë dominuese janë një. Kjo mund ta bëjë Sinn Féin-in fituesin e madh të zgjedhjeve të ardhshme.

* Hulumtues në Geary Institute for Public Policy dhe në School of Geography të University College Dublin.


[1] Lexoni Renaud Lambert, « Les quatre vies du modèle irlandais », Le Monde diplomatique, tetor 2010.

[2] Julien Mercille dhe Enda Murphy, Deepening Neoliberalism, Austerity, and Crisis : Europe’s Treasure Ireland, Palgrave Macmillan, Londër, 2015 si dhe Emma Heffernan, John McHale dhe Niamh Moore-Cherry (nën udhëheqjen e), Debating Austerity in Ireland : Crisis, Experience and Recovery, Royal Irish Academy, Dublin, 2017.

[3] « The Daft.ie rental price report. An analysis of recent trends in the Irish rental market 2018 Q1 », Daft.ie, 2018.

[4] Surya Deva dhe Leilani Farha, « Mandates of the Working group on the issue of human rights and transnational corporations and other business enterprises and the special rapporteur on adequate housing as a component of the right to an adequate standard of living, and on the right to non-discrimination in this context », Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, 22 mars 2019.

[5] Lexoni Marion Deniau, « Irlanda, fluska në beton », Le Monde diplomatique, prill 2018.

[6] Cf. Michael Byrne, From Puerto Rico to the Dublin Docklands. Vulture Funds and Debt in Ireland and the Global South, Debt and Development Coalition Ireland (DDCI), 2017.

[7] David Chance, « “Start acting like a rich country”: Ibec and EU call for infrastructure », The Irish Independent, 27 shkurt 2020.

[8] Stephen Collins, « Detailed election 2020 exit poll results : How voters answered 15 questions », The Irish Times, 9 shkurt 2020.

[9] Mary Regan, « How the Sinn Féin surplus will shape the next Dáil », RTÉ, 11 shkurt 2020.

[10] Lexoni Renaud Lambert, « Një pikë uji irlandez », Le Monde diplomatique, maj 2015.

[11] Eoin Ó Broin, Home. Why Public Housing is the Answer, Irish Academic Press, Dublin, 2019.

[12] Simon Carswell, Brian Hutton et Freya McClements, « More than half of voters want Border polls north and south », The Irish Times, 9 shkurt 2020.